| E marte, 13.04.2010, 08:54 PM |
Në shenjë solidarizimi me Grevës së urisë të të burgosurve politik për Rastin e Sopotit!
Apel për Amnisti të Përgjithshme!
Të shqetësuar për jetën e grevisteve dhe ankthin e familjarëve të tyre Bashkimi Demokratik Shqiptar është i irrituar nga indiferenca e udhëheqësve të partive politike lidhur me fatin e njerëzve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet e Maqedonisë.
Pranimi publik nga të gjitha forcat politike maqedonase se në Maqedoni gjyqësia ka qenë dhe është nën ndikimin e partive politike paraqet momentin e favorshëm që të ngremë zërin fuqishëm për riparimin e pasojave të kësaj “politike gjyqësore”.
Vullneti për të hequr ndikimet e partive politike në gjyqësor dhe krijimin e një gjyqësie të pavarur dëshmohet, para se gjithash, me qëndrimin e qartë dhe pa ambiguitet ndaj viktimave të kësaj përzierje partiake dhe etnike në gjyqësinë e Maqedonisë.
Ky vullnet nuk mund të shprehet ndryshe pos përmes shpalljes së menjëhershme të një amnistie të përgjithshme!
Prandaj, Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel udhëheqësve të partive politike shqiptare, sidomos atyre që marrin pjesë në « Takimet e Liderëve të Maqedonisë » e që unanimisht të kërkojnë si parakusht për vazhdimet e debateve që të shpallet amnistinë e përgjithshme dhe të riparohen dëmet e shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar tmerret e kësaj “politike gjyqësore”.
Pa lirimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që padrejtësisht mbajnë mbi kurrizin e vet pasojat e gjyqësisë së komanduar nga partitë politike dhe pa ndërprerjen e proceseve gjyqësore kundër shqiptarëve të pafajshëm iniciativat e liderëve politik maqedonas për ndryshime kushtetuese në këtë fushë janë iniciative për spastrimit të gjyqësorit nga ndikimet eventuale të partive tjera dhe krijimin e strukturës që u bindet vetëm atyre.
Greva e urisë e të burgosurve politik për Rastin e Sopotit është alarm për ndërgjegjen kombëtare në veçanti dhe për të gjithë demokratët e mirëfilltë në përgjithësi.
Është momenti i fundit që shqiptarët dhe demokratët e mirëfilltë të reagojnë me urgjencë për të parandaluar thellimin e pasojave të këtyre padrejtësive sa nuk është bërë vonë!
Bashkimit Demokratik Shqiptar
Bardhyl Mahmuti
Kryetar
13 prill, 2010