Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dritan Ylli: Kuti-opozita

| E hene, 12.04.2010, 09:26 PM |


Kuti-opozita

 

Nga Dritan Ylli

 

Të gjithë e kanë kuptuar tashmë, se "kutia" ishte dhe vazhdon të jetë thjesht një mjet, që makiavelisti Rama e përdor në shërbim të qëllimeve dhe interesave të tij personale dhe jo për të mbrojtur interesat e demokracisë apo të vendit, siç pretendon. Ai e shpiku kutinë, menjëherë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar, me qëllim që të ruante postin e kreut të PS, ndërkohë që duhet të jepte dorëheqjen në respekt të statutit, si dokumenti kushtetues i një force politike. Por, ai tejkaloi çdo limit, duke ia arritur atij qëllimi të mbrapshtë, ku shterpësia e aksionit gjoja politik të "hapjes së kutive" të skllavërojë një opozitë të tërë, sikurse dhe të paralizojë të gjithë aksionin opozitar, si alternative e mundshme për pushtetin e ardhshëm. Ashtu sikundër Pandora kishte mbledhur të gjithë të këqijat e kësaj bote në kutinë e saj, kreu aktual i PS ka mbledhur në "kutinë" e tij të gjithë synimet më të errëta; nga njëra anë të mbajtjes me forcë të postit të kryetarit të PS, duke nisur edhe me përjashtimet e mendimit ndryshe, siç ka ndodhur ditët e fundit, sikurse dhe fabrikimit apo pjelljes krejtësisht të panevojshme të krizave të paqena, që ekzistojnë thjesht dhe vetëm në mendjen e kreut të PS. 

Që nga momenti kur u bind për humbjen në zgjedhjet e fundit parlamentare, me daljen e rezultateve zyrtare, edhe pse kanë kaluar thuajse 10 muaj, ajo që konsiderohet opozita shqiptare është investuar dhe përqendruar me të gjitha energjitë,  mendimet, idetë, alternativat dhe vizionin e saj te "kutia". Togfjalëshi "hapni kutitë", një nismë krejtësisht pa dobi për vendin, gjë që tashmë e ka kuptuar edhe socialisti më i thjeshtë, është kthyer në një bezdi për opinionin publik. 

Në një kohë që nismat madhore integruese, që do të finalizohen me liberalizimin e vizave kërkojnë një kontribut të opozitës, lidershipi i PS po vepron në linjë krejtësisht të kundërt. Në fillim bojkot total, pastaj bojkot hermafrodit. Kur pa që bojkoti dështoi dhe rrezikoi aq shumë reputacionin e PS në kancelaritë perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare, tani është hedhur te protestat. Edhe ato ditë që Ramës i thotë "hëna" t'i çojë deputetët në Kuvend, këta të fundit sillen të ç'orientuar, bëjnë gjithçka, vetëm politikë për të mirën e atyre që i kanë votuar, jo. Nuk është parë deri tani që deputetët e PS, të kundërshtojnë me argumente ndonjë nismë ligjore të Qeverisë. Grupi parlamentar i PS shkon vetëm për të sharë në Kuvend, pa arritur të ofrojë alternativën aq të vyer në demokraci të opozitës. Po bëhet afro një vit, nga përfundimi i zgjedhjeve dhe mund të thuhet me siguri se kjo opozitë nuk i ka shërbyer vendit, për asnjë ditë të vetme.

Grupimi politik, i udhëhequr nga PS, që përbën opozitën shqiptare, absolutisht që për momentin është grupimi politik më jorezultativ që ka njohur vendi që me krijimin e pluralizmit. Kjo parë në aspektin e kontributit dhe shtytjes që opozita në çdo vend duhet t'i bëjë reformave dhe proceseve integruese. PS, gjatë kësaj kohe është sjellë më shumë si një grupim OJF, duke mos kuptuar se është një parti politike, që duhet të përfaqësojë shqiptarët që e kanë votuar.

Lidershipi i kësaj opozite, duhet ta konsiderojë fat dhe privilegj njëherësh të qenurit opozitë, në një moment aq fort të ëndërruar gjithnjë dhe pa ekuivok nga shqiptarët, edhe në kohën e regjimit të para '90, atë të lëvizjes së lirë me Evropën.

Por mesa duket, opozita shqiptare është peng i xhelozisë së lidershipit të saj, pasi nuk mund të durojë faktin që liberalizimin e vizave po e finalizon qeverisja e koalicionit PD-LSI. Ky koalicion i ngjizur me forca politike të djathta dhe të majta, është koalicioni më domethënës, për arritjen e një fitoreje të tillë historike për të gjithë shqiptarët pa dallim ngjyrash politike, që është liberalizimi i vizave. Të dyja partitë, LSI dhe PD në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare, i premtuan shqiptarëve lëvizjen e lirë brenda vitit 2010. Duket qartë se realizimi i këtij premtimi nga qeverisja e këtij koalicioni, e drejtuar nga Berisha dhe Meta, ia errëson arsyen kryetarit aktual të PS.

Rama e ka veçanërisht të vështirë të pranojë, që Ilir Meta është sot protagonist në finalizimin e liberalizimit të vizave, pasi Rama ëndërronte që në qershor të 2009, me idetë e tij diktatoriale të përjashtimeve, ta nxirrte jashtë skenës politike LSI-në. Ndaj tashmë i yshtur nga xhelozia e thellë politike, përmes "kutisë" së të këqijave të tij, mundohet të krijojë barriera për procesin e liberalizimit të vizave. Duke e mbyllur në kuti të gjithë gamën e gjerë të mundësive të opozitës për një kontribut pozitiv në proceset integruese", Rama po i vë një kapak të turpshëm edhe mundësinë që shqiptarët t'ia dinë ndopak për nder Partisë Socialiste të drejtuar nga ky lidership, suksesin e liberalizimit të vizave dhe proceseve të tjera integruese që janë në rrugë të mbarë dhe po ecin me shumë sukses. Dhe kjo është një kosto që i vihet përsipër PS-së, sepse Rama sot është, po nesër mund të mos jetë më në krye të saj. Ky lidership aktual i PS, me diabolizëm cinik po synon të hedhë poshtë për trillet dhe interesat e klanit të biznesmenëve që e ka pushtuar, kontributin e vyer që kanë dhënë qeveritë socialiste dhe socialistët në mbarë Shqipërinë për reformat e ndërmarra në favor të proceseve integruese.

Por, fatkeqësisht kjo sjellje e papërgjegjshme, pasojë e xhelozisë së kryetarit të saj aktual, do të rezultojë me kosto të pafalshme, nesër për PS-në. PS rrezikon të mbartë si zhguall mbi shpinë dhe të vuajë përgjegjësitë e rënda të veprimeve në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë, që po i lë në derë ky lidership që e udhëheq. Pavarësisht faktit nëse vulën e partisë do të vazhdojë ta ketë në dorë Rama, apo dikush tjetër që do të vijë pas tij…

 

Panorama