| E diele, 11.04.2010, 03:32 PM |
Intervistë me Shkëlzen Gashin për gazetën KOHA Ditore
Adem Demaçi më ka intriguar gjithnjë
Intervistuar nga Uran Krasniqi
KOHA Ditore: Lëshuat në treg një biografi tuajën për Adem Demaçin pa autorizimin e tij. A është ky veprim brenda skemës së lejuar të të bërit të gjërave?
Biografia është botuar e paautorizuar nga Adem Demaçi sepse ai kërkoi t’i censuronte disa pjesë. Madje së fundmi, çoi fjalë që të mos e botoja librin fare. Kompromisi që gjeta për një vepër, autorsinë, përgjegjësinë dhe të drejtën mbi të cilën e mbaj vetë, ishte që t’ia qartësoja lexuesit se biografia po botohet pa pëlqimin e Demaçit.
KOHA Ditore: Çka nëse Demaçi zgjedh të kusuritet me ju përmes organeve të drejtsisë?
Nuk mendoj se kam bërë diçka që është kundërligjore. Nëse Demaçi mendon se e kam shkelë ligjin dhe për pasojë i kam bërë padrejtësi, atëherë, le të më padisë. Jam i gatshëm të ballafaqohem me akuzat e tij kudo dhe kurdo.
KOHA Ditore: A qe pajtuar Demaçi fillimisht që ju t’ia shkruanit biografinë?
Kur e nisa hulumtimin, Demaçi pranoi të intervistohej, me kusht që para botimit ta lexonte dorëshkrimin dhe t’i korrigjonte pasaktësitë eventuale, por edhe që biografia të botohej me autorizimin e tij. Demaçi e lexoi tekstin para botimit dhe m’i dha do vërejtje fort të dobishme, për çka i jam shumë mirënjohës. Mirëpo, kur ia dorëzova versionin final të biografisë, kërkoi arbitrarisht që t’ia hiqja do pjesë. Unë nuk pranova.
KOHA Ditore: Por marrëveshje të tipit: libri duhet të botohet veç me pëlqimin e Demaçit – nuk ka pasur midis jush?
Marrëveshja ka qenë që para botimit Demaçi ta lexonte dorëshkrimin dhe t’i korrigjonte pasaktësitë eventuale, por edhe që biografia të botohej me autorizimin e tij, por jo që Demaçi ta censurojë librin dhe t’i ‘korrigjojë’ të vërtetat që nuk i pëlqejnë atij.
KOHA Ditore: Cilat pjesë të librit nuk i pëlqenin Demaçit dhe me ç’argumente pohonte se duhen fshirë nga libri?
Duke marrë rolin e censorit, më kërkoi t’i hiqja disa paragrafë që lidhen me personalitetet: Dušan Mugoša, Fadil Hoxha, Pandeli Majko, Ismail Kadare, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Agim Çeku, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Veton Surroi dhe Fatmir Sejdiu. Në parathënie i kam shënuar detajisht pjesët që Demaçi kërkoi t’i hiqte. Ndryshe nga krejt rastet me korrigjimet eventuale që i ofronte nëpër margjinat e dorëshkrimit për çdo pasaktësi, këtyre paragrafëve Demaçi u kishte rënë kryq me stilolaps, duke vënë nga anash vetëm shënimin “të hiqet”. Megjithëqë përmbledhtazi ata përbëjnë jo më shumë se 4-5 faqe libri, nuk pranova t’i hiqja për arsyen e thjeshtë: asnjëri prej pohimeve të tyre nuk është i trilluar dhe që të gjithë janë të dokumentueshëm. Vetë Demaçi e pranon se pohimet në to janë të vërteta, por kërkonte t’i hiqja për shkak të “interesit kombëtar”, të cilin nuk denjoi ta konkretizonte.
Prandaj, ashtu siç Demaçi refuzonte në vitin 1999 të shndërrohej në “shkrojtore të ShP të UÇK-së” dhe t’i dëgjonte “urdhrat e Jakup Krasniqit e të Hashim Thaçit” (f. 170 e biografisë), nuk pranova as unë të shndërrohesha në një shkrojtore që do t’i daktilografonte diktatet e tij. Pavarësisht se cila mund të jetë agjenda që e shtyu Demaçin të ngulmonte për heqjen e momenteve të mësipërme, unë prihesha nga një tipar i tij, të cilin përherë ia kam çmuar dhe i cili ma ka dhënë shtytjen kryesore për t’i hy hartimit të kësaj biografie: vendosmëria për mos me u zmbrapsë përpara trysnisë, sado këmbëngulëse qoftë, madje as atëherë kur kjo trysni mban emrin Adem Demaçi. Vënia e cilësorit ‘e paautorizuar’ është prandaj kompromisi që munda ta ofroj, duke qenë se misioni im ishte ta dokumentoja, para së gjithash, një pjesë të historisë sonë të vonë nëpërmjet një individi mjaft përfaqësues, i cili sintetizon mbrenda vetes qëndresën, luftën dhe politikën e bërë për çlirim.
KOHA Ditore: Pse keni vendosur të shkruani libër për Adem Demaçin?
Arsyeja kryesore është se doja ta njihja Demaçin më shumë dhe më mirë. Demaçi është personaliteti politik shqiptar që më ka intriguar gjithnjë.
KOHA Ditore: A mendoni se ia keni dalë t’ia sillni lexuesit një Adem Demaçi origjinal?
Për këtë më mirë merruani pikëpamjet dhjeta figurave të publicistikës të njohura në Kosovë e më gjerë, që e lexuan dhe e vlerësuan dorëshkrimin, por edhe e begatuan jashtëzakonisht shumë nëpërmjet sugjerimeve e komenteve, për çka u jam nga zemra mirënjohës. Ndër ta po përmend Arbën Xhaferin, Halil Matoshin, Albin Kurtin, Shkëlzen Maliqin, Enver Robellin, Alex Channer-in, Stephen Schwartz-in, Howard Clark-un, Bekim Lumin, Gluk Konjufcën, Anna Di Lellio-n.
Dua vetëm të them që libri prej 260 faqesh përmbledh hulumtimet dyvjeçare të bëra jo vetëm nga intervistat me Adem Demaçin, por edhe me shumë njerëz që e kanë njohë nga afër në momente të ndryshme, që nga familjarët, mësuesja e fillores (ende e gjallë me banim në Tiranë), bashkëvuajtësit, bashkëpunëtorët, oponentët, gazetarët, asistentët, aktivistët e deri te politikanët me të cilët është afruar kohët e fundit. Përmblidhen edhe të dhëna nga shumë burime të shkruara nga Demaçi vetë ose nga të tjerë për të, si dhe nga audio dhe video-inçizime të paraqitjeve publike të Demaçit, për sigurimin e të cilave u jam mirënjohës dhjeta njerëzve që nuk kursyen gatishmërinë për me më dalë në ndihmë. Falënderim të veçantë i detyroj fotografit të mirënjohur Hazir Reka; falë tij biografia u ilustrua me fotografi profesionale, mjaft sosh të papublikuara më parë.
KOHA Ditore: Në disa raste keni aplikuar rregullën që t’ia merrni mendimet personit të lidhur me veprimtarinë e Demaçit, por Hashim Thaçi ta zëmë, është vetëm njëri prej atyre që duhej marrë si burim për sqarimin e disa komunikimeve me Demaçin, e lexuesi nuk e gjen dot në libër. Pse?
Kam provuar ta intervistoj Hashim Thaçin disa herë, por nuk ka pranuar. Ai i din më së miri arsyet, e besoj edhe ju mund t’i merrni me mend ato. Kam shumë merak ta intervistoj Thaçin, por është vështirë të intervistosh njerëz që kanë frikë t’u sfidohen qëndrimet.
KOHA Ditore: Më 2006, Ministri i atëhershëm i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, pati ngritur dyshime se Demaçi mund të ishte njeri i Serbisë. Pse nuk e keni vënë Haraqinë në libër e mandej t’ia kundërvinit edhe ndonjë përgjegje të Demaçit?
Unë u vura të bëja studim, prandaj nuk përdora asnjëherë trille e akuza të pabazuara. Nuk kam marrë parasysh as mëtimet e disa të tjerëve se Demaçi nuk ka vuajtë fare nëpër burgje të Sërbisë. Njësoj, i kam lexuar, po nuk i kam përdorë botimet e disa historianëve për Demaçin, ku ai cilësohet si i dërguari i Zotit në tokë. Por, kam shfrytëzuar kritika ndaj koncepteve të Demaçit, siç janë ato të Veton Surroit, të Shkëlzen Maliqit, të Jakup Krasniqit...
KOHA Ditore: Demaçi përpos ish-i burgosur politik, aktivist i të drejtave të njeriut dhe politikan, është edhe shkrimtar. Pse s’ia keni marrë mendimin kritikës letrare se çfarë letërsie na jep ky autor?
I kam lexuar ato pak ‘kritika’ të botuara për veprën letrare të Demaçit, por s’kam arritë me nxjerrë asgjë prej tyre. Më vjen keq ta them, por duke e përjashtuar kritikën e Hasan Mekulit, të tjerat janë krejt kot, nuk thonë asgjë.
KOHA Ditore: Askund në libër nuk vërehet ndonjë nuancë e komentit tuaj për Demaçin. A mund të na thoni cili është mendimi i juaj për Demaçin?
Demaçi në pikëpamjen time përfaqëson njërin prej personaliteteve më të rëndësishme politike të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Me emrin e tij lidhen, drejtpërdrejt ose tërthorazi, shumë nga momentet që i diktuan kahet që mori fati i Kosovës, e që unë i shtjelloj në biografi, gjithmonë duke i kundërvënë me angazhimet, veprimet, ose të paktën komentet e Demaçit nga kohët kur ky ndodhet i ndryrë burgjeve të ish-Jugosllavisë. Është për keqardhje që hë për hë në tekstet didaktike të historisë në Kosovë e në Shqipëri Demaçi nuk përmendet thuaja kurrkund.
KOHA Ditore: A mund të jetë mosautorizimi i librit prej Demaçit marrëveshje mes jush?
Kësaj lloj pandehme më së miri i kundërvihet fakti se po ta autorizonte Demaçi, shtypi i librit do të bëhej falas nga pronari i kompanisë Dukagjini, z. Ekrem Lluka. Meqë Demaçi nuk e autorizoi, edhe përkundër ndihmës së disa miqve, do të detyrohem të marr borxh për ta botuar librin në dy vëllime të ndara: shqip dhe anglisht (është përkthyer nga Elizabeth Gowing). Të ishte si pretendoni ju, Demaçi s’do të më dërgonte selame për ta ndaluar botimin nëpërmjet korrierësh që madje shtojnë se në rast botimi s’do të rrinë duarkryq. Unë i ftoj të dalin pas botimit me reagimet që mund të kenë.
KOHA Ditore: Nëpërmjet kujt ai ju ka dërguar selame, siç po u thoni ju, dhe cila ka qenë përmbajtja e tyre?
Më ka dërguar selame përmes Behxhet Shalës, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuqit. Përmbajtja e selameve ka qenë: librin nuk bën ta botoni; nëse e botoni, atëherë, do të reagojmë. E ka përmendur edhe padinë në gjykatë.
KOHA Ditore: Çka keni në plan të bëni tash?
Sipas të gjitha gjasave një biografi për Ibrahim Rugovën. Për këtë kam filluar qysh tash ta zgjeroj ekipin e bashkëpunëtorëve.
KOHA Ditore: Faleminderit për intervistën!
Faleminderit edhe juve!