Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Eriola Isaraj

| E diele, 11.04.2010, 02:01 PM |


ERIOLA ISARAJ,  Vlorë

 

NATA

 

Nga skutat e errëta të trillimit,

rrjedh heshtja.

Pa zhurmë fundosen në vorbullën e magjisë,

ëndrrat.

Nga trajtat pa formë që përshkojnë errësirën,

rrjedh misteri.

E panjohur ardhja,

pa emër ikja.

Ca dëshira plot afsh pluskojnë në ajër,

si copëza yjesh nëpër univers.

Shumë mendime që fshihen pas shpresës,

si xixëllonjat nëpër bar.

Një trishtim i kaltër përqafon

disa flutura të akullta vetmie,

dhe lumturia rozë mbështjell

plot pasion trëndafilat e saj.

Në ajër lundron aroma e jargavanëve të harresës,

ndërsa fantazia e hirshme

lahet në lot zambakësh.

Tej në kufirin e delirit,

vuajtjen e varrosin shpirtrat që qeshin,

gjersa përbindëshat zgjohen e zanat vdesin.

NATA puthet me

MËNGJESIN!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

 

TË NDJEVA PRANVERË

 

Një vjollcë gëzimi

Ma mbush këtë çast plot aromë.

Flutura të kaltra padurimi

Enden përqark.

Të ndjeva pranverë

Kur mu ule mbi buzë

Dhe po lutem pa pushim që të shuhesh aty.

Në dimrin tim ti mbolle shpresë.

Oh, është kaq tunduese

Ngrohtësia që ti më fal,

Harrimi që më pushton

Dhe vetvetja që më braktis.

Të ndjeva pranverë

Kur mbi trupin tim çelën zambakë

Dhe po lutem pa pushim që buzët e tua

Të më puthin prapë.......e prapë…

………..e prapë……………….

 

NJË TJETER BOTË

 

Sa yje Bota netëve rrëzoi

Me dëshirat e saj cinike, të ftohta.

Po yjet vallë pse s’shprehin një dëshirë,

Që Bota të bjerë, të bëhet copa?!

 

Dhe të lindë pastaj një tjetër Botë

Që të mos jetë kaq egoiste,

Ku zemrat s’ndryshken në kraharor

Një Botë plot ndjenja, një botë mistike…..

 

POEZIA IME

 

Pa detin poezia ime s’do kish kuptim

Pa dashurinë tënde kurrsesi.

Pa natën, hënën, perëndimet

Ajo do të ishte krejt mërzi.

 

Ç’kuptim do të kishte vargu pa ty

Pa universin, pranverën në lulëzim.

Pa kaltërsinë, yjet, kometat,

Vargu do të quhej: Mjerim!

 

Ndaj stinës mbledh gjethet e rëna

Ndjek pas valën që më shket.

Grimcat e borës ngatërroj nëpër gishta

Ndjek pas fluturat ti jap vargut jetë.

 

Përgatiti për ZSH: Pilo Zyba