| E diele, 11.04.2010, 09:21 PM |
Emblema e Prizrenit nuk ka arsye të ndryshojë – Vendimi i GJKK është i gabuar
Plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohet me koncepte të Stalinit për kombin
Nga Prof. Nexhmedin Spahiu
nspahiu@yahoo.com
Ankesa e disa përfaqësuesve turq dhe boshnjakë si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës burojnë nga një keqkuptim themeltar. Emblemat nuk përfaqësojnë komunat por qytetet. Është tjeter gjë se vendimin politik se çfarë do të jetë amblema e një qyteti e merr një organ politik e që në këtë rast është asambleja komunale. Edhe Parlamenti i Kosovës vendos për Bordin Drejtues të RTK, por RTK nuk është television i Parlamentit të Kosovës por televizion i Kosovës. Janë tjëtër gjë vulat ku përveq amblemës së qytetit janë edhe mbishkrimet në gjuhët zyrëtare të asaj komuneje.
Në emblema të qyteteve zakonisht nuk ka fare mbishkrime. Ato emblema të qyteteve që përmbajnë mbishkrime zakonisht kanë emrin e qytetit dhe/ose vitin e themelimit të tij apo ndonjë datë të rëndësishme në historinë e atij qyteti. Emblema e Prizrenit ka shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, emrin e qytetit si dhe vitin 1878.
Nëse komuniteti turk e boshnjak nuk kanë asgjë kundër simbolit të shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit atëherë edhe për ta emblema duhet të jetë OK. Fjala Prizren dhe numrat 1878 shkruhen në të tri këto gjuhët njësoj.
I vetmi komunitet që do të mund të nxjerrte probleme në këtë drejtim është komuniteti serb i Prizrenit, pasi në shkrimin cirilik fjala Prizren do të shkruhej ndryshe. Por me kushtetutën e Kosovës nuk është thënë se shkrimi zyrëtar në Kosovë është shkrimi cirilik. Serbët përdorin të dy alfabetet: edhe atë latin edhe atë cirilik dhe në kushtetutën e Kosovës nuk është precizuar se në cilin alfabet duhet të jenë mbishkrimet në gjuhën sërbe. Sëkëndejmi as komuniteti serb nuk ka të drejtë të ankohet në këtë drejtim, sepse Prizren 1878 shkruhet njësoj edhe në serbisht në alfabetin latin.
Sa i përket Kushtetutës së Kosovës e cila është hartuar mbi bazën e Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, atëherë duhet të konsiderojmë dy aspekte: germën dhe frymën e saj. Në të dyja këto aspekte emblema e Prizrenit nuk është në kundërshtim me kushtetutën.
Neni 1.7 i Planit gjithëpërshirës të Ahtisaarit thotë se “Kosova duhet t’i ketë simbolet e veta kombëtare përfshirë këtu falmurin, stemën dhe himnin të cilat duhet të kenë karakter multietnik”. Shtrohet pyetja se çfarë do të thotë karakteri multietnik?
Karakteri multietnik do të thotë që të jetë i pranueshëm nga të gjitha apo nga shumica e komuniteteve etnike. Dikush e pat keqkuptuar se këto simbole duhet të jenë kombinim i simboleve të të gjitha etnive! Por etnitë nuk kanë flamure as stema as himne. Flamurët, stemat dhe himnat janë simbole të kombeve dhe jo të etnive. Prandaj karakteri multietnik nënkupton pranueshmërinë e simboleve në fjalë nga komunitetet e ndryshme etnike.
Duke keqinterpretuar nenin 1.7 të pakos së Ahtisarit, u eliminua propozim-falmuri i Ibrahim Rugovës dhe himni “Kur ra kushtrimi në Kosovë”. Ky keqinterpretim iu bë vetëm për shkak te inateve politike me presidentin e ndjerë.
Por tani çfarë inati kanë me emblemën e Prizrenit? Nëse për të është votuar nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve në Prizren, atëherë kjo emblemë përfaqëson frymën e kushtetutës së Kosovës, përkatësisht frymen e Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është tërësisht i gabuar. Ky interpretim i gabuar rrjedh nga dy keqkuptime themelore: i pari se emblema e qytetit është emblemë e komunës dhe i dyti nga shenja e barazisë mes etnisë dhe kombit sipas konceptit Stalinist për kombin.
Natyrisht, plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohet me koncepte të Stalinit për kombin.
Fatkeqësia e shoqërisë kosovare qëndron në faktin se kemi ne fuqi një kushtetutë super moderne, kurse udhëheqësit e institucioneve tona konceptojnë me teorinë e Stalinit për kombin. Dikush mund të argumentojë se në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës janë edhe tre gjykatës ndërkombëtarë dhe pse ata kanë lejuar një vendim të tillë? Problemi është se puna e emblemës së Prizrenit është një çështje politike dhe kur gjykatësit ndërkombëtarë shohin se vetë gjykatësit vendorë janë kundër emblemës së Prizrenit, pse do ta mbronin ata? Në punët politike ndërkombëtarët, zakonisht, kanë marrë vendime opurtune e këtë e kanë bërë edhe në rastin e emblemës së Prizremit.
Çfarë duhet të bëhet në këtë rast? Asambleistet e Prizrenit nuk duhet të pranojnë ndryshimin e emblemës së qytetit të tyre. Ata duhet t’i bindin kolegët e tyre boshnjakë dhe turq që të heqin dorë nga insistimet e tyre, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të bindet se ndryshimi i emblemës së Prizrenit kish me shkaktue tensione ndëretnike të cilat më së paku janë në interesin e pakicave etnike. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet ta kuptojë gabimin e vet dhe të shohë mundësitë juridike se si të del nga kjo situatë.