Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: U përurua monografia “Feniksët e lirisë-12”

| E diele, 11.04.2010, 09:01 PM |


Në sallën  e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, në Prishtinë

 

U PËRURUA MONOGRAFIA “FENIKSËT E LIRISË – 12”

 

Nga  Milazim KADRIU 

Organizuar nga Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” dhe  Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve,  në sallën  e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, në Prishtinë,  u përurua  monografia “Feniksët e lirisë-12”, ku janë përfshirë biografitë e 76 dëshmorëve të tri ushtrive tona çlirimtare.

Pas intonimit të himnit kombëtar, reporterja e luftës dhe bashkëpunëtorja e Redaksisë, Fetnete Ramosaj lexoi emrat dhe mbiemrat e dëshmorëve të prezantuar në këtë vëllim të monografisë.

Në  monografinë  “Feniksët e lirisë-12”. janë përfshirë biografitë e  76 dëshmorëve: Abit Dullovi, Adem Mulaj, Arif Dautaj, Armend Kukleci, Arsim Tahiri, Asllan Batusha, Avdyl Duçi, Azem Kastrati, Bastri Beqiri, Besim Mala, Besim Vitia, Besnik Restelica, Brahim Mushkolaj, Bujar Jasiqi, Burim Vitia, Demir Vitia, Driton Loku, Emin Musliu, Esat Kastrati, Eshrafedin Kastrati, Fadil Maloku, Fadil Rashiti, Fatmir Horuni, Fatmir Doçi, Fatmir Selmani, Feriz Guri, Feriz Susuri, Feti Haxholli, Gazmend Mehmetaj, Hamit Hyseni, Haradin Bajrami, Hysen Arifi, Ilaz Kodra, Ilaz Selimi, Isë Mërnica Islam Neziraj, Jakup Agushi, Jeton Tërstena, Jetullah Kastrati, Kadri Ademaj, Kastriot Baftiu, Kujtim Krasniqi, Labinot Krasniqi, Lulëzim Llugiqi, Lulëzim Rexhepi, Mehmet Visoka, Mentor Gashi, Muhamet Ukshini, Naim Lubovci, Naser Sekiraqa, Nazmi Bashota, Nevzat Qallaku, Nezir Elezaj, Nuredin Gërvalla, Osman Krasniqi, Qazim Dautaj, Ragip Ademi, Ramadan Bytyci, Ramadan Xhokli, Razim Hasaj, Remzi Ukshini, Rrahman Tafa, Sadri Vishaj, Samir Nurkasa, Sejdi Rama, Suad Brava, Sylë Morina, Shaip Kalludra, Shefki Kuleta, Shkëlzen Gacaferi, Tafil Kasumaj, Tahir Mazrekaj, Xheladin Xheladini, Xhevdet Guri, Zef Gjokaj dhe Zylfije Gashi.

Në fjalën e tij para familjarëve të dëshmorëve, anëtari i Redaksisë “Dëshmorët e UÇK-së”, Ahmet Qeriqi ka thënë se e veçanta e edicionit: “Feniksët e lirisë” qëndron në faktin se të dhënat për biografitë e dëshmorëve janë vjelë dhe vilen nga dora e parë, nga bashkëluftëtarët dhe familjarët e dëshmorëve dhe nga burime të tjera relevante, të cilat hedhin dritë mbi ngjarjet më të rëndësishme të luftës sonë heroike, çlirimtare dhe fitimtare. Ne, anëtarëve të Redaksisë na gëzon fakti se ky libër është libri më i lexueshëm në vendin tonë, është libri i vërtetë i lirisë, ku po radhisim biografitë e dëshmorëve, të cilat do të mbesin si monumente përjetësie, për ta përkujtuar dhe për të mos e harruar kurrë amanetin e tyre, deri në bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, në një Shqipëri të vetme, të vogël apo të madhe, natyrale apo reale. Jeta e dëshmorëve të kombit, vepra e tyre heroike, gjaku i tyre i derdhur rrëke, ka rënë për Shqipëri, andaj amanetin dhe betimin e tyre kurrë nuk do ta harrojmë. Një kokërr më shumë i këtij amaneti, që sot po e hedhim në hambarin e kombit është edhe ky libër, të cilin po e përurojmë .

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se  po bëjmë përurimin e vëllimit të dymbëdhjetë të botimit Feniksët e Lirisë, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit të rënë në tri luftërat çlirimtare të popullit shqiptar. Derisa Evropa ka zgjidhur të gjitha çështjet që lidhen me lirinë e popujve të saj, me formimin e kombeve, me përcaktimin e kufijve shtetëror, duke hequr dorë edhe nga kolonitë që kishte pasur deri dje, popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë politike i duhej të bënte tri luftëra çlirimtare në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzetenjë, së pari të çlirohej nga pushtimi kolonial i Serbisë, pasat edhe ta fitonte lirinë e humbur gati para një shekulli. Prandaj, ata që kanë rënë për lirinë e kësaj pjese të pushtuar të tokave shqiptare, kanë bërë të mundur që të hapen procese të mëdha historike, jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për korrigjimin e padrejtësive të mëdha historike që i janë bërë kombit shqiptar.   Në emër të familjeve të dëshmorëve të prezantuar në “feniksët e lirisë 12”, përshëndeti Redaksinë dhe të pranishmit, veprimtari i njohur, Gani Krasniqi, babai i dëshmorit të kombit, Labinot Krasniqi. Ai iu drejtori kritika institucioneve, të cilat nuk po e mbështesin  realizimin e projektit për botimin e monografisë, “Feniksët e lirisë”.

Në fund, kryetari i SHFD të UÇK-së, Xhavit Jashari dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve, Muharrem Xhemajli, familjarëve të pranishëm u shpërndanë nga një ekzemplarë të vëllimit Feniksët e lirisë-12”.