Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Shkrime të vjetra mbi Preshevën

| E diele, 11.04.2010, 06:24 PM |


Xhemaledin Salihu
Xhemaledin Salihu

SHKRIME TE VJETRA MBI PRESHEVEN

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Mbi Preshevën

 

Lugina e Preshevës shtrihet përgjatë lumit Moravë, në jug të saj dhe te Çukarka e Preshevës bashkohet me lumin Vardar, e njohur Lugina e Shkupit, këtu është edhe UJËNDARËSJA e madhe, e cila në jug shkon lumi për në Detin Egje, ndërsa tjetra për në perëndim, për Detin e Zi.  Këto dy lugina janë më të rëndësishme në Siujdhesën Ballkanike dhe zënë vendin qendror në Ballkan. Sipas Jovan Cvijiqit, gjeografit serb këto dy lugina paraqesin pjesën më gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Poashtu edhe Leopold Mandli e quan “Zemër  e Ballkanit”, sipas preshevarit patriot Ibrahim Kelmendi. Andaj edhe rëndësia e madhe e tyre për ta zotëruar këtë  Luginë nga pushtues të ndryshëm dhe për ta pasur në mbikqyrje Luginën e Preshevës.

 

Në pjesën qendrore të Luginës shtrihet Presheva me 264 km2 dhe me 36 vendbanime, kryesisht shqiptare : Bërçec, Bugarinë, Buhiç, Bukoc, Bukuroc, Bushtran, Cakanoc, Caravajkë, Corroticë, Çukarkë, Depcë, Gare, Gerajt, Golemidolli, Gosponicë,Ilincë, Kurbali, Lanik, Maxhere, Miratoc, Norçë, Peçenë, Preshevë, Rahovicë, Raincë, Ranatoc, Relan, Sefer, Sllavujevc, Stacioni Halurudhor, Stanec, Strezoc, Shoshajë e Poshtme, Shoshajë e Epërme, Tërrnavë dhe Zhunicë. Ajo, pra në perëndim përfshinë fshatrat e Karadakut, në lindje fshatrat e Rujanit, ndërsa në mes fshatrat e fushës. Nëpër Preshevë kalojnë : Autostrada  Beograd-Nish-Vranjë-Preshevë-Shkup-Selanik, Hekurudha  Beograd-Shkup-Selanik, ndërsa vija e  lumenjve Danub-Moravë-Vardar ishte interesim i shumë shteteve për ta bërë kanalin e lundrimit nëpër këto  lumenj, i cili do të lidhte shumë shtete e kontinente.

 

Pozita e volitshme gjeografike, kushtet e favorshme klimatike, hidrografike,  kushtet e përshtatshme natyrore kanë bërë që Presheva të banohet nga periudha e neolitit, vazhdon të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme : të bronxit, të hekurit e deri në ditët e sotme.

Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Ilir Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane dhe ishte e banuar nga fisi ilir  Dardan, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.

 

Vendbanimet e kohës parahistorike në Preshevë janë : Presheva, Rahovica,e njohur me Kacipupin, në themelet e të cilit më vonë është ngritur oppidumi dardan, Gerajt, Bushtrani.

 

Vendbanimet e kohës së Antikës në Preshevë janë : Bukuroca, Zhunica, me një ujësjellës dhe kanalizim të kësaj kohe, Rainca, Presheva me Kalanë e saj, Corrotica, Norça, Golemidolli, Lerani, Strezoci, Tërrnava,Cakanoca, Çukarka, Miratoci, Bërçeci.

 

Vendgjetjet nga periudha parahistorike në Preshevë, sipas dr Jahi Stanecit, janë : Guri i Gjatë në Tërrnavë, Kështjella e Bushtranit, Kacipupi i Rahovicës, Gerajt, Staneci, Buhiçi, Ilinca, Vale/Valeva/, Peçena, Guri I Norçës, Depca, Caravajka, Seferi, Miratoci, Strezoci, Tërrnava.

 

Vendgjetjet nga periudha antike, sipas dr Jahi Stanecit, në Preshevë janë : Kështjella e Preshevës, Rrëza Lindore e Kështjellës së Preshevës, Bregu i majtë i Lumit të Kurbalisë, Tarraca në bregun e djathtë të Lumit të Kurbalisë, Bregu i majtë i Përroit të Kështjellës së Preshevës, Vendi te Çezma e Lugut të Brinjës, Rrëza e Udhës së Brinjës së Preshevës, Përzhari, Përkulja e Përzharit, Bukuroca, Zhunica. 

 

 

Shkrime të vjetra mbi Preshevën

 

Në kohën parahistorike territori i Moravicës së sotme me Preshevën i takonin popullit të vjetër Dardan. Në kohën e Antikës në periferi të Preshevës së sotme ekzistonte qyteti romak me lagjet për rreth, sipas T. Vukanoviqit.

 

Presheva shtrihet në Mbretërinë Dardane, e cila pati luftëra të ashpra me Maqedoninë, pastaj ate e pushtoi Bizanti dhe Serbët.

 

Shkrimet e para flasin se Preshevën me Moravicën nga Bizanti e pushtoi famullitari serb Vukan, më 1103. Por prap nga Vukani e pushtoi Bizanti më 1104. Rajoni i Preshevës ishte arenë luftash ndërmjet Bizantit dhe Serbëve, derisa më 1106 prap e pushtuan Serbët dhe kështu u radhitën perandorët serbë, për ta sunduar ate.

Shkrimi i vjetër, i parë mbi Preshevën nuk është ai i vitit 1381, atëherë kur mbretëresha Evdokija me djalin Konstantinin ia dhuroi Manastirit të Hilandarit , kishën në Arhilevicë/Rahovicë/ me pronën e saj, me disa të mira të Preshevës. Pos Preshevës dhe Rahovicës përmendet edhe kisha e Norçës. Pra kemi krisobulën e mbretëreshës  Evdokija dhe djalit të saj Konstantin, të vitit 1381.

 

Poashtu Presheva, përmendet edhe në krisobulën e mbretit Stefan Dushan, të nënshkruar më 10 qershor 1354, në Shkup. Atëherë, ai u shpall  perandor i Serbëvë, Shqiptarëve, Bullgarëve dhe Grekëve.

 

Poashtu ekziston edhe një dokument i vitit 1379, atëherë kur mbretëresha Evdokija me djalin e saj Konstantinin i dhuroi manastirit të Hilandarit,pos Rahovicës edhe Norçën me vreshtat, aratë, mullirin dhe livadhin në Preshevë.

 

Lugina e Preshevës që nga beteja e Maricës, më 1371 deri më Betejën e Kosovës, më 1389 ishte arenë e përleshjeve të shumta të ushtrisë serbe dhe asaj turke. Kështu, car Lazari ushtrinë turke nuk e priti në Kosovë, por në rajonin në mes të Moravicës dhe Lumit të Madh.

Bile, sipas historianit serb Stojan Novakoviqit në Moravicë, te Presheva ndodhi një Betejë e Madhe ndërmjet ushtrise serbe dhe asaj turke, e cila ishte uvertyrë e Betejës së Kosovës. Mirëpo, si duket historiografia serbe këtë betejë nuk e publikoi dhe nuk e studjoi sa duhet, sepse këtu humbi ushtria serbe. Pra, në këtë kohë, ushtria turke e sulltan Muratit i shtriu shatoret e veta në Bregoren e Çukarkës dhe rrënzë kodrave të Miratocit. Sipas të gjitha gjasave ushtria turke e sulmoi ushtrinë serbe nëpërmjet Grykës së Konçulit, rruga e sotme Bujanoc-Gjilan, rrugës së sotme Preshevë-Gjilan dhe rrugës së sotme Kumanovë-Zhegër-Gjilan.

 

Para Kongresit të Berlinit, kufiri në mes të Serbisë, të ashtuquajturit Pashallëkut të Beogradit, të knez Milloshit  dhe Otomanise Turke ishte në mes të Paraqinit dhe Jagodinës, prej vitit 1815 deri më vitin 1833. Në këto vite Jagodina, si qendër kufitare zhvillohet dhe fiton në vlerë dhe rëndësi. Më vonë prej vit 1833 kufiri kalon në mes të Aleksincit dhe Nishit, atëherë rëndësinë e fiton dhe qendër kufiri bëhet Aleksinci. Pas Kongresit të Berlinit më 1878, kufiri zbret në Ristoc, në mes të Bujanocit dhe Preshevës.

 

 Mbretëria e Dardanëve  shtrihej në veri përmbi Nishin, diku deri te Stallaqi, përfshinte tërë territorinë e Kosovës së sotme, Luginën e Moravës Jugore, Preshevës, Vardarit, deri në Velesin e sotëm të Maqedonisë, sipas Fanula Papazoglu.   

 

e-mail: xhemaledin_s@hotmail.com

Preshevë, më 11 prill 2010