Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Mateli: “Heronjtë e viagrës”- trëndafili në kurorën e letërsisë shqipe për vitin 2009

| E shtune, 10.04.2010, 09:35 PM |


“Heronjtë e viagrës”- trëndafili në kurorën e letërsisë shqipe për vitin 2009

    

Nga Kujtim Mateli

 

“Heronjtë e viagrës” e ngjit autorin e romanit, Bashkim Hoxha, në lartësinë vezulluese të një krijuesi duke hapur një shteg të ri në udhën e vështirë të artit. Arti i vërtetë pasqyron realitetin njerëzor ndaj dhe është i pavdekshëm. Që nga Homeri e deri më sot, krijuesi vazhdimisht është munduar të pasqyrojë jetën njerëzore dhe letërsia e ka çuar përpara njerëzimin duke e bërë njeriun më të mirë, më të komunikueshëm me njeri-tjetrin, e ka bërë më të arsyeshëm, e ka ngritur mbi absurditetin dhe planetit i ka hapur udhën e paqes dhe të progresit.

Bashkim  Hoxha depërton thellë në botën e brendëshme të çdo personazhi, e drejton atë drejt dinjitetit njerëzor, vëren me kujdes plagët që i shkakton realiteti i kohës në të cilin jetojmë.

Në këtë roman shfaqet talenti i këtij prozatori që kërkon ta paraqesë realitetin ashtu sikundër është, jashtë zbukurimeve të panevojshme, fenomet që e shqetësojnë shoqërinë i shikon në një këndvështrim të ri dhe kërkon që jeta të jetohet në mënyrë dinjitoze jashtë çdo artificialiteti.

Romani është i mbushur me përshkrime artistike të ndërthurura bukur dhe në funksion të ngjarjeve, mesazhet që përcjell e bëjnë njeriun që ta dojë jetën duke e drejtuar në shtigje shprese dhe besimi. 

Syri i tij vrojton thellë deri në në çdo qelizë të shpirtit njerëzor dhe shikon atë, që vetëm një shkrimtar i talentuar mund ta vëzhgojë.

Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri dhe në një vend tjetër që është  në një nga zonat e luftës kundër terrorizmit. Ushtarë paqeruajtës nga disa vende dhe po kështu dhjetra të tjerë civilë  kanë shkuar atje për të ndihmuar këtë vend. Aty ka shkuar Rino italiani, Adela, një vëzhguese amerikane për zgjedhjet, Robertoja nga Portugalia,  Kristina që kishte provuar në jetë vetëm dashurinë për Harrin prej të cilit ishte ndarë 20 vjet më parë.  Aty ishte edhe Martini që vinte nga Shqipëria, një ushtarak në moshë të thyer dhe që iu caktua detyra si bodigard i Kristinës për ta ruajtur atë nga ndonjë rrëmbim i mundshëm.

Po cila është tema e bisedës së tyre? Megjithëse jashtë dëgjohen të shtëna dhe shpërthime të fuqishme sa dridhen xhamat e dritares, me rrëmbime të shumta, tema e dashurisë bëhet mbizotëruese. Kujtimet e dashurisë që tregon secili i bën që të ndihen larg atij mjedisi ku flakët e luftës marrin përditë jetë njerëzore. Dashuria është një ndjenjë që nuk njeh ndërprerje, ndaj ajo është e pranishme dhe në këtë situatë të jashtëzakonshme. Frika e luftës është tkurruar.

Autori me një gjuhë dhe stil të zhdërvjellët përshkruan botën shpirtërore të secilit, ndërsa gjithsekush tregon copëza nga jeta e tij. Secila copëz i ngjan një mozaiku i cili plotësohet dalëngadalë duke na dhënë një pamje të mrekullueshme.

Flasin për qytetërimet dhe të gjithë bien dakord se një herë në histori, të gjitha vendet kanë shansin të jenë të mëdhenj, madje perandori, pastaj zvogëlohen e bien. A nuk ka qenë perandori Mongolia në kohën e Çingiz Khanit? Po Bullgaria? Po Bizanti? Po Italia? Po Franca? Një herë në histori çdo vendi i takon të jetë perandori, sipas një rotacioni që nuk varet nga rendi alfabetik. Po për të gjithë ishte e rëndësishme të dinin se në cilat kushte bie një perandori.

Një vend të rëndësishëm në roman zënë marrëdhëniet e Martinit me Kristinën. Dashuria midis tyre në një mjedis lufte nuk është një gjë e pazakontë. Dashuria është e pranishme në çdo rrethanë e në çdo kohë. Ajo bën që të mos vyshket shpirti njerëzor.  “ A nuk të duket Kristinë,- i thotë Martini,- se në botë ka kaq shumë urrejtje, egërsi, dhe tamam si ai i sëmuri  që i flak ilaçet ne flakim dashurinë, të vetmin shpëtim të kësaj bote?” fq. 132

Po në marrëdhëniet e dashurisë mes Kristinës dhe Martinit ndodh diçka që e preu në mes dashurinë e tyre. Një natë, nga përdorimi i viagrës, vdes Martini. Vdekja e Martinit vë në provë shoqërinë e kohës. Vihet në provë Komanda e Trupave Paqeruajtëse, strukturat e shtetit shqiptar, madje edhe vetë Kristina.

Komanda e Trupave Paqeruajtëse bën të gjitha përpjekjet për të fshehur realitetin. Guvernatori Derek mendon se dashuria nuk është gjë tjetër, veçse një bar i egër, që i ngjitet pemës së misioneve fisnike, me tendencën për ta zhvleftësuar atë.

Personazhet e këtij romani i zgjerojnë dimensionet e kohës në të cilën jetojmë. Ata e demaskojnë realitetin artificial të cilin kërkojnë ta krijojnë zyrtarët e kohës. Këtë autori e ka dhënë nëpërmjet personazhit të Kristinës. Ajo pranon hapur se Martini vdiq nga dashuria. Me gjithë përpjekjet e komandës ushtarake për ta paraqitur vdekjen e tij si e një luftëtari, nuk arritën ta bindin Kristinën. Dashuria e kishte bërë atë që të mos i nënshtrohej asnjë presioni, i kishte dhënë tiparet e një njeriu të lirë, që mendon e vepron pa asnjë paragjykim. Ajo deklaron me të gjithë forcën e zërit të saj:

” Do t`u them të gjithëve se ai vdiq nga dashuria. Dashuria është ana e fshehtë e luftës dhe prej kësaj meriton të shpallet, për të shmangur çdo hipokrizi” fq. 123

Me humbjen e të dashurit të saj, Kristina bëhet më e guximshme. Nuk pranon asnjë lloj kompromisi. Nuk i nënshtrohet asnjë diktati. Nuk lejon që të errësohet realiteti në të cilin jetojmë. Errësimi i realitetit është fshehja e së vërtetës.  I çjerr maskën një realiteti që kërkon të fshihet pas moralizimeve që e vyshkin jetën njerëzore.

“ Më thonë të hesht,- thotë Kristina. Jo zotëri, mjaft më ka kaluar me heshtje jeta ime. Mjaft jam endur si një lëvozhgë e pavlerë në detin e trazuar të jetës së të tjerëve. Unë jam si ata. Unë jam e dashuruar dhe dua të bërtas për këtë. Unë e gjeta dashurinë  dhe do ta kërkoj sërish dashurinë tjetër”. Fq. 136.

Nëpërmjet personazhit të Kristinës autori qorton realitetin femëror, ato gra dhe vajza që pak kujdesen për veten e tyre, që në një mënyrë ose një tjetër e lënë veten të jenë skllave e një realiteti të hidhur që bëhet gjithnjë e më shumë i ashpër me to. Ato e ushqejnë shpirtin e tyre me parimet e moralistikës, ndërsa trupin e tyre e braktisin sikur të jetë i huaj për to.

Nëpërmjet personazhit të Kristinës, autori u kërkon të distancohen nga realiteti artificial që predikohet, atyre grave dhe vajzave që jetojnë të ndrydhura në një realitet artificial, ku e vërteta kërkohet të mbulohet dhe paraqitet e shtrembëruar, se kështu e kërkojnë ca rregulla morali të cilat i predikojnë si vlera, paçka se ato ndrydhin dhe e thajnë shpirtin njerëzor. Kujt i duhet një moral që nuk i shërben njeriut dhe është i huaj për të?

Kujt i duhet një moral, të cilin të gjithë e shkelin dhe paraqesin para shoqërisë jo moralin, por maskën e tij.

Kujt i duhet një maskë në shoqërinë në të cilën jetojmë?

Nëpërmjet Kristinës autori shpreh pendesën e atyre grave dhe vajzave që shpirtin e tyre e kanë mbajtur të freskët, i kanë dhënë kënaqësi, ndërsa me trupin e tyre janë sjellë sikur nuk është i tyre duke mos bërë asgjë për të.

Fallciteti i shoqërisë së sotme duket edhe në organizimin e ceremonisë së varrimit që do t`i bëhej Martinit.

Autoritet shqiptare bëjnë të gjitha përpjekjet për ta pritur Martinin si një hero dhe për ta shpallur hero. Por sapo marrin vesh shkakun e vdekjes e braktisin dhe nuk zhvillojnë asnjë ceremoni për të edhe pse ai ishte një ushtarak  që vdiq në misionet paqeruajtëse. Më shumë kishte vlerë një moral artificial se jeta e një njeriu.

Po autori e drejton vështrimin në gjithë hapësirën ku vepron shoqëria e sotme dhe shikon me keqardhje se  ngado jemi të rrethuar nga gjëra që mbahen në këmbë në mënyrë artificiale. Disa të pavërteta i besojmë, sepse mbështeten me ushtri, të tjera me marketing dhe reklama. Shpesh herë demostrimi i forcës dëshmon për dobësinë, dobësia mbulohet me kopertura të rreme dhe kjo nuk është gjë tjetër, veçse përdorimi i viagrës.

Viagra është gjithë ajo ushtri që lëviz nëpër botë, spektaklet marramendëse ku nuk mungojnë fishekzjarret, moria e artikujve të gazetave dhe filmave që sjellin një realitet të zhurmshëm dhe potent, edhe pse brenda vetes ekonomia ndjen plakjen.

Në përgjithësi , bota është një botë viagre, që mbahet në këmbë më shumë se sa i ka fuqitë.

Kjo ndodh se realiteti ku jetojmë jepet në mënyrë të shtembëruar duke e fshehur  të vërtetën. Njeriu sot jeton krizën e vet.  Të tjera gjëra e bëjnë të motivohet për të lëvizur jetën e tij dhe të tjera gjëra deklaron me zë të lartë.  Një shtrëmbërim i këtij realiteti është edhe zgjedhja që ne i bëjmë heroit të kohës sonë. Heroi nuk mund të kuptohet pa pushkë e jataganë, Kështu mendojmë ne, po si mendon bota e qytetëruar?

“Danezët për shembull, hero kanë një përralltar, Hans Kristian Andersen. Dhe përrallë u shkon jeta. Ne njerëzit e ditur i trembim dhe ata ikin larg, vdesin në mërgim të pikëlluar ose në harresë në shtëpitë e tyre modeste. Të fortët ne i adhurojmë. Dhe presim fat prej paqeje”. Fq 185.

Autori ndalet edhe në një problem tjetër të shoqërisë që është servilizmi. Kjo plagë e njerëzimit nuk po njeh akoma shërimin e saj. Pikërisht njerëzit servilë që grumbullohen rreth atyre që ne sot i quajmë lidera dhe që në shumicën e rasteve janë edhe të paaftë, janë e keqja që shoqëron njerëzimin. Të paaftë për të bërë një gjë të dobishme. Veç tepër të shkathët  të mënjanojnë njerëzit e aftë dhe të sillen rrotull si manekinë rreth mbretit të tyre pa bërë asgjë të dobishme. Këta oborrtarë që i kanë sjellë njerëzimit fatkeqësi, janë të pranishëm ende. Nga kjo prani e tyre vuan shoqëria e sotme. A mund ta dalloni një lidër a një mbret kur nuk e njihni? Vëreni si përkulen para tij ata që quhen oborrtarë dhe këshilltarë dhe do ta dalloni liderin apo mbretin. Detyra e tyre është që të krrusen para liderit a mbretit që në këtë mënyrë të veprojnë të gjithë. Këto veprime nuk e kanë lënë pa e dëmtuar shtyllën kurrizore të shoqërisë.

Këtë e shohim edhe tek mënyra se si u organizua varrimi i Martinit. Vajtocat: Dudi, Sude, Marika e Eleonora u vunë në garë duke i thurur vargje heroit, duke u vënë në konkurencë me poetët që edhe ata e kishin gdhirë natën pa gjumë duke thuruar vargje. Po të gjithë u larguan sapo morën vesh që Martini nuk kishte vdekur në front nga predhat, por nga dashuria.

Vdekja e Martinit dënon fallcitetin e shoqërisë. Mënyra se si vdes njeriu është një rastësi. Ajo që është e sigurt dhe që duhet vlerësuar është jeta e tij. Një njeriu që ka luftuar një jetë të tërë për vendin e tij dhe për shoqërinë ku jeton, nuk mund t`i mohohet ky kontribut nga një vdekje rastësore.

Kjo braktisje në vdekjen e Martinit nga të gjithë, edhe nga instancat shtetërore, është një apel që i bëhet shoqërisë  për të ndryshuar klishenë për heronjtë.  Nëpërmjet figurës së Kristinës, e cila erdhi nga larg për të marrë pjesë në varrimin e Martinit, tregohet  se dashuria është më e fortë se çdo klishe për të bërë kategorizimin e njerëzve. Ndërsa të gjithë largohen në dhomë ka mbetur vetëm Andi, Suzana dhe Kristina.

Romani mbyllet me klithmat e Suzanës, vajzës së Martinit, që u drejtohet poetëve, vajtocave dhe gjithë të tjerëve: “ Prisni! Ku shkoni? Keni lënë këtu një tufë me vargje dhe lotë. Merrini. Janë tuajat. Janë tamam si ato lulet prej letre me të cilat bëjnë kurorat për të vdekurit. Vargje prej letre. Botë prej letre.”