| E premte, 09.04.2010, 09:55 PM |
NË NJË KANTIER NË AFËRSI TË MILANOS KA NDODHUR NJË INCIDENT TRAGJIK NË PUNË:
NJË PUNËTOR ITALIAN KA HUMBUR JETËN E NJË MËRGIMTAR KOSOVAR KA THYER KËMBËN
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Dje, gazeta më e madhja italiane, CORRIERE DELLA SERA shkruan për një incident në punë në një kantier ndërtimi në afërsi të Milanos, pikërisht në vendin Peschiera Borromeo.
Siç shkruan gazeta, ky është incidenti i dytë vdekjeprurës, brënda një viti në të njëjtin kantier, ku më parë – në korrik të vitit të kaluar kishte humbur jetën një punëtor 45 vjeç -mërgimtar nga Durrësi.
Aty ku po ndërtonin selinë e re italiane të Microsoft-it, punëtorët kishin rrëshqitur në skele dhe punëtori 55 vjeç Gian Battista Rota punëtor i Ndërmarrjes kryerëse të punëve Vitali s.p.a, nga Rrethi i Bergamos, ka humbur jetën, ndërkaq kolegu i tij kosovari Arben Gashi ka thyer një këmbë dhe është i shtrirë në spitalin e Milanos “San Raffaele”.
Siç shkruan gazeta, sindikalistët e federatave kombëtare të sindikatave italiane UIL dhe CGIL kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për të hulumtuar rrethanat që i kanë paraprirë incidentit tragjik, po nuk janë lejuar të bëjnë kurrëfarë hetimesh, as të hyjnë brënda bile. Siç kanë deklaruar sindikalistët, kanë informata se në atë ndërmarrje për masa sigurie nuk çan kokë askush.
Ngjarja ka ndodhur në paraditen e së mërkurës, ndërkaq gazeta ka shkruar dje. Policia ka sekuestruar kantierin dhe ka suspenduar përkohësisht pounimnet, për të zhvilluar hetime mbi të gjitha rrethanat që në atë kantier sjellin incidente tragjike me humbje të jetëve të punëtorëve.