| E merkure, 07.04.2010, 09:56 PM |
EMËRTIMI I DHEMBJEVE
(Recension për vëllimin me poezi “Gjirmë shpirt”i të poetit Çerkin Ismaili
Nga Sabit Idrizi
Poetët, këta njerëz të ëndrrave të mëdha e të mundësive të vogla për të ndryshuar çfarëdo qoftë në këtë botë tejet kundërthënëse, janë soji më me fat e më tragjik njëkohësisht.
Këtij soji i përket, pa dyshim, edhe Çerkin Ismaili, poezia e të cilit mëton (herë ëndërrt e herë protestueshëm) ta përjetësojë e ta përbotënojë dashurinë, për ta shtruar dashurisht në sofrën e madhe e të përbashkët të quajtur JETË.
Mirëpo, siç shihet edhe në këtë përmbledhje të tij me poezi, kjo rrugë nuk është aspak e lehtë, ngase:
Orëligën e përkundin të ligjtë marrëzisht
Tek dredh e dridh globin në gisht
Prandaj, pavarësisht titullit dhe renditjes së poezive në këtë libër, boshti ku e tjerr perin poetik poeti del të jetë: KAINI dhe ABELI, pra E KEQJA dhe E MIRA, si dy kundërthënie, që u ngjizën në barkun e një mallkimi qysh në zanafillën e jetës sonë dhe që morën përmasa shqetësuese sidomos pas ndërtimit të Kullës së Babilonit.
I vetëdijshëm se njeriu nuk e zgjedh vetë se ku të lindë, kur të lindë, çka të lindë, nga kush të lindë..., poeti e sheh atë si qenie krejtësisht të lirë, andaj reagon ashpër kur kjo liri e tij nëpërkëmbet dhe ngulfatet nga të tjerët.
Edhe kur u thur elegji eshtrahumburve, edhe kur i këndon mallit të përtejdetit, edhe kur kërkon të futemi në lëkurën e tij, gjithherë zanafilla e tragjikizmit - në Kain e Kullë Babiloni.
I pafuqishëm për të ndryshuar çfarëdo qoftë në këtë rrafsh, poeti këlthet:
Në këtë kaos, ec e njihe veten
Kaini e Abeli bashkëjetojnë brenda nesh, brenda çdo qenieje njerëzore. Varet nga ne se cilit duam t’i japim rrugë e cilin ta shtrydhim e ta mbysim brenda vetes. Poeti, shikuar nga ky kënd, qëndron krenar përpara ndërgjegjes së vet, pavarësisht se çka mendon e çka flet bota për të, sado që:
Autobiografia ime e pashkruar
Dashuri e parrëfyer
Me eshtra të bluar e zemër të thyer
Dukuritë e shëmtuara, të cilat çojnë kah zhbërja e njeriut si qenie humane, poeti i ironizon deri në sarkazëm, madje, herë-herë, edhe deri në banalizëm. Të mos bashkëjetosh me dhembjet e tjetrit, sipas tij, është jonjerëzore:
Veç kur maten me zemër
Dhembjet kanë emër
Duke mos u pajtuar, në asnjë rast, me kainizmin, poeti i shpall luftë atij, duke e paralajmëruar se do ta luftojë edhe pas vdekjes:
Urna ime kryengritëse
Zgjohet strall e eshkë
Gjirmë me erë shkrumbi
E gjithë kjo revoltë, kjo protestë, kjo kryengritje fjalësh..., që dhembjeve u jep emër, mbase është edhe si pasojë e shurdhimit të kohës mu atëherë kur poetit iu poq fjala, të cilën e kishte bluar në mullirin e mendjes dhe e kishte gatuar në magjen e shpirtit me vite e vite.