Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Mbeta njeri

| E marte, 06.04.2010, 07:51 PM |


Reshat Kripa

 

 

MBETA NJERI

 

Si një hije më ndjek prapa,

Orë e çast dhe orë e çast…,

Si s’më le të hedh dy hapa,

Si më ndrydhe në kafaz.

 

Qesh i vogël, krejt kërthi,

Nuk ia njihja trrillet  botës,

Por rrëmbimthi erdhe ti,

Si stuhi skëterr e kohës

 

M’i thërmove këngë e ëndërra,

S’më le as të merrja frymë,

Që fëmi më mbylle brenda,

Kjo qelia  akull,  brymë.

 

Miq e shokë m’i largove,

Më le të rroja vetmuar,

S’di ç’ i bëra kësaj bote,

Që më le të sakatuar?

 

Si një hije më ndjek prapa,

Përsëri e përsëri…,

Sa u mplaka…oh, u mplaka!

Por shyqyr mbeta njeri!

 

Vlorë, shtator 1992