| E shtune, 03.04.2010, 03:58 PM |
RESHAT KRIPA
SHKALLËT E FERRIT
Roman
Tiranë 2008
Autori: Reshat Kripa
Titilli: Shkallët e ferrit
Redaktor: Pandeli Koçi
Recensues: Eden Babani, Fredi Babani
Kopertina: Marina Abramo
Kompjuter: Artan Kripa
Filluar: 15.08.2007
Kushtuar bashkëvuajtësve të mi
Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend
Giovani Sartori
Edhe njëherë për teorinë e demokracisë
KREU I PARË
PARA FURTUNËS
I
Robert Krasta e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte. Kjo sikur e ngushullonte. E ndjente veten më të lehtësuar.
Aty pranë ndodheshin edhe dy varre të tjerë, fare të thjeshtë, vetëm me bordurat anësore që i vendoste ndërmarrja komunale dhe një pllakë granili në krye, ku ishin shënuar emrat e atyre që preheshin. Ishin varret e mikut të tij Agronit, së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaronte vizitën në varrin e prindërve, shkonte edhe te ai i mikut të tij.. Vendoste edhe atje një tufë me lule. Ishin lulet e vetme që zbukuronin ato varre. I pastronte nga bimët e këqia që mbinin dhe i lagte me ujë me një shishe që e sillte me vete. Kështu ishte zakoni. Nuk kishte kush tjetër ta bënte atë punë. Miku i tij nuk kishte lënë njeri, përveç një vëllai që e kishte braktisur nga frika e persekutimit. Ishin kohë të vështira. Ndiente një dhimbje për fatin e mikut. I dukej sikur kishte një boshllëk nga mungesa e tij. Miku i kishte lënë gjurmë të thella në ndërgjegje, gjurmë që zor se mund të shlyeshin ndonjë ditë.
Kështu veproi Roberti edhe atë ditë qershori, në përvjetorin e vdekjes së nënës dhe mikut të tij. Bleu dy buqeta të bukura lulesh dhe shkoi të kryente ritin e zakonshëm. U gjunjëzua në varrin e prindërve. Vendosi tufën e luleve dhe filloi bisedën me ta. Ndjente një mall të madh. Në rininë e tij kishte qenë një djalë çapkën me një shpirt rebel. I ndezur nga furitë*, në moshë fare të njomë, ishte ngritur kundër sistemit dhe kishte përfunduar prapa hekurave të burgut. Prindërit nuk i ishin ndarë nëpër shkrepat dhe gërxhet ku e hodhi fati, deri sa e kthyen përsëri në gjirin e familjes. Këtë gjë ai nuk mund ta harronte.
Ndërsa vështronte fotografinë e tyre të stamposur në porcelan, i kujtohej kampi i Bulqizës, në shtatorin e vitit 1955. Kishin organizuar një mbrëmje përkujtimore për
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
* Në mitologi ishin xhinde që futeshin në shpirtin e njeriut dhe e xhindosnin.
nder të tridhjetepesë vjetorit të Luftës së Vlorës. Në atë mbrëmje kishin recituar poezi kushtuar kësaj lufte nga autorë të burgosur. Për këtë i kishin dënuar tre muaj pa takim me familjen. Rastisi qënë atë periudhë t’i vinte e ëma. Autoritetet nuk e lejuan ta takonte. Nënës, pasi kishte udhëtuar për dy ditë, i duhej të udhëtonte dhe dy të tjera për t’u kthyer, pa u takuar me të birin. Pasi u lirua nga burgu, prindërit nuk ia hodhën asnjëherë në sy atë ngjarje të hidhur të jetës së tij. As e qortuan, as i folën, përkundrazi i qëndruan fare pranë , sikur të mos kishte ndodhur gjë. Sjellja e tyre i dha të kuptojë se ishte kthyer në gjirin e familjes si më parë. Kjo bëri që të harronte vuajtjet që kishte kaluar.
Roberti u ngrit dhe u drejtua nga varret e mikut të tij. U habit jashtë mase kur pa se në vend të varreve të thjeshtë, tani ngrihej një varrosh madhështor prej mermeri, poshtë të cilit preheshin eshtrat e pjestarëve të familjes së mikut. Mbi varrosh ngriheshin dy pllaka mermeri me mbishkrime. Në njerën prej tyre ishte shkruar:
BEXHET CANAJ 1900 – 1943
GJYLO CANAJ 1905 – 1985
Ndërsa në të dytën dallohej mbishkrimi:
AGRON CANAJ 1930 – 1987
LUMTURI CANAJ 1935 – 1975
IRIDA CANAJ 1959 – 1975
Në mes të pllakave, mbi emrat e tyre ishin vendosur dy fotografi të bukura porcelani. Në të parën ishin prindërit e Agronit, i ati me uniformën e ushtarakut mbretëror, ndërsa e ëma, një vajzë shumë e bukur. Në të dytën ishte fotografia e Agronit me Lumturinë dhe Iridën, që Roberti e kishte parë disa herë në shtëpinë e tyre. Kishin dalë një vit më parë se të ndodhte tragjedia. Ishte fotografia e tyre e fundit. Dukeshin si engjëj që fluturonin në parajse
Në mes të bazamentit të varroshit ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:
NË JETË KËRKUAT GËZIM,
NJERËZIT JU KISHIN HARRUAR,
POR ZOTI ME PËRDËLLIM,
JU DHA LIRINË E AMËSHUAR!
Robert Krasta mbeti i çuditur para pamjes së atij varroshi. Para një viti ishin dy varre të thjeshtë. Kush e kishte ngritur? Po eshtrat e të atit kush i kishte hequr nga varrezat e dëshmorëve dhe i kishte sjellë këtu? Përse e kishte bërë një veprim të tillë? Këtyre pyetjeve nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje. U gjunjëzua pranë tyre, vendosi buqetën e luleve dhe po shikonte fotografitë dhe epitafin.
- O Zot! Si e shkatërrove këtë familje fisnike? – tha me një dhimbje të thellë.– Si nuk të erdhi keq për ta?
- Ky varr ka shumë dilema, - dëgjoi një zë prapa tij. Ktheu kokën dhe pa specialistin që ndërtonte varroshet.
- Çfarë thatë? - pyeti Roberti.
- Thashë që ky varr ka shumë dilema
- E përse?
- Kam tridhjetë vjet që punoj në këtë
profesion. Që nga dita kur vdiq Irida e vogël dhe pas saj Lumturia, në këtë varr nuk kam parë të vinte njeri, përveç nënë Gjylos dhe Agronit, pasi doli nga burgu. Me vdekjen e tyre ishe vetëm ti që i vizitoje këto varre. Mendoja se nuk kanë të afërm të tjerë. U çudita pa masë kur sivjet pashë të vëllanë që erdhi. Nuk e kisha parë herë tjetër. Solli eshtrat e të atit. Më porositi që të ndërtoja një varrosh madhështor. Ato lule që shikon aty dhe që kanë filluar të vyshken i ka sjellë ai ditën që mbaruam varroshin. Kjo është dilema e ime.
- Ajo dilemë është një histori dramatike që më mirë të mos e dëgjosh.
- Më mirë mos ma thuaj. Jam lodhur me të tilla histori. Tani më falni se
dua të largohem. Duhet të punoj. Mirupafshim!
- Mirupafshim!
Specialisti i varrosheve u largua duke e lënë Robertin mjaft të habitur. Të vëllanë e Agronit e kishte takuar kur i kishte vdekur e ëma dhe kur ndërroi jetë ai vetë. Dy vëllezërit pothuajse nuk bëheshin fare. Skënderi, kështu quhej, kishte patur një punë të mirë. Ishte drejtor ndërmarrje dhe nga frika se mos e pushonin nga detyra, i preu mardhëniet me të vëllanë. Gjatë dhjetë viteve që ai bëri burg nuk i vajti asnjëherë, bile nuk guxonte të ndihmonte as të ëmën. Ky ishte paradoksi i kohës. Ditën që ajo vdiq e thirri ndjenja e gjakut, shkoi në varrimin e saj dhe iku të nesërmen që pa gdhirë. Të gjitha këto bënë që Roberti të habitej me vendimin e tij për të ndërtuar një varrosh madhështor. Çfarë e kishte shtyrë?
Nuk foli më. Ai e dinte shkakun e dilemës që mundonte specialistin, por e ruante vetëm për veten. Agroni ia kishte lënë amanet që të mos ia tregonte kujt. Vështronte epitafin e shkruar aty dhe para syve i dilte ajo ngjarje e dhimbshme që kishte ndodhur para shtatëmbëdhjetë vitesh. Ishte një ngjarje e hidhur, nga ato që nuk harrohen lehtë dhe që ai e kishte mësuar nga goja e vetë Agronit. Kjo ngjarje i dilte tani para syve e gjallë ashtu siç kishte ndodhur.
II
Gushti atë vit po mbaronte me shumë shira. Retë ngërtheheshin me njëra tjetrën dhe gjatë përplasjes lëshonin vetëtima verbuese që pasoheshin nga bubullima shurdhuese
- Shi vere, - tha një kalimtar që vraponte për t’i shpëtuar rrebeshit. - Njërën anë të gunës ta lag, kurse tjetrën jo.
- Vera tani na la shëndenë - tha një tjetër që priste të pushonte shiu nën strehën e një godine
Vera në të vërtetë kishte përfunduar, duke ia lëshuar vendin vjeshtës së mërzitshme dhe monotone. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Tek tuk të shihte syri ndonjë gaz 69-ësh* të lëvizte me ndonjë drejtor brenda. Shiu vazhdonte të binte duke dashur të sfidojë vapën e madhe që kishte sunduar për muaj me radhë.
- Mor po ky dashka të bëka kiametin! - foli me vete Rustemi, roja i zyrave të ndërmarrjes, duke qëndruar i mbyllur në dhomën e caktuar për të. Kur bënte kohë e
mirë, dilte aty rrotull dhe çoku bisedonte me banorët që takonte rastësisht.
Kështu e kalonte kohën e shërbimit, duke biseduar dhe shpesh herë duke bërë ndonjë dorë domino me cilin të mundte. Kjo ishte e vetmja gjë që dinte të bënte ai fakir. Kishte zbritur nga një fshat i largët i vendosur midis dy maleve, ku arrat ishin si oazet në shkretëtirë. Në to mbillej vetëm thekër. Me këto dhe me disa bagëti që kishin, jetonin fshatarët. Për të mbijetuar shteti e kishte bashkuar këtë kooperativë me të tjera të zonës. Të gjitha këto formonin një kooperativë të bashkuar. Ishte pesëdhjetetetë vjeç.
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
*) Makinë e vogël, tip veture, mbuluar me mushama
Në kohën e Luftës kishte qenë partizan, së bashku me të atin që kishte rënë në luftën për liri. Pas mbarimit të saj ishte bërë oficer. Por lumëmadhi kishte mbaruar vetëm shkollën fillore, kështu që në vitin 1949 e zhveshën nga ushtria. Megjithatë një favor e pati. Nuk e çuan më në fshat, kështu që shpëtoi nga kooperativa. Pasi kishte punuar nëpër punë të ndryshme, së fundi kishte ndonjë vit që punonte si roje. E fillonte shërbimin në orën katër pasdite dhe e linte më gjashtë të mëngjesit të nesërm.
Ndërkohë po zbriste nga shkallët inxhinier Agroni, një burrë mbi të dyzetat. Kishte studiuar në Pragë me rezultate të shkëlqyera Fillimisht ishte emëruar si inxhinier i thjeshtë, por më vonë, duke parë aftësitë e tij, e kishin emëruar kryeinxhinier të ndërmarrjes. Përveç çekishtes, zotëronte edhe anglishten, frëngjishten dhe italishten. Kishte një trup të gjatë dhe shumë të rregullt. Një palë mustaqe i dërsinin mbi buzë. Sytë e zezë, flokët gjithashtu, balli i gjërë prej dijetari, i jepnin një hijeshi të madhe. Ishte njeri i sjellshëm dhe buzagaz. Punonjësit nuk e nxirrnin nga goja. Për të thuheshin fjalët më të mira. Megjithatë, ishin edhe disa zëra që pëshpërisnin se Agroni na paskësh disa çfaqje të huaja të ideologjisë borgjeze. Një nga këto, sipas tyre, paska qenë edhe leximi i shumë librave perëndimore në gjuhë të huaja, që ai i paskësh në shtëpi.
- Shumë u vonove sonte, shoku kryeinxhinier, - i foli Rustemi sa e pa.
- Në fakt kisha shumë punë. Pastaj ju e shikoni se ç’shi po bie. Ku të le ky i uruar të ecësh?
- Po, po vërtet, po bëhet kiameti. Eja rrimë një copë herë bashkë dhe bëjmë një barrë muhabet se mase pushon edhe shiu.
Agroni u mendua një copë herë dhe pasi vështroi edhe një herë përjashta, u fut në dhomën e rojes.
- A u lodhët, a u mërzitët ndopak, o xha Rustem?
- Si e thua atë fjalë more shoku kryeinxhinier, ku lodhet njeriu kur punon për të mirën e përgjithshme? Të na rrojë Partia dhe shoku Enver që na pruri këto ditë të mira, pa kush pyet për lodhjen tonë. Ja ti, a nuk qëndrove deri vonë sot?
- Keni të drejtë, është e vërtetë. Po çfarë do na thoni? Ç’keni dëgjuar të pëshpëritet rreth e rrotull. Ndonjë të re apo të vjetër.
Agroni e njihte karakterin e Rustemit. Ai e dinte se po ta gërvishte mund të nxirrte prej tij shumë gjëra. Ai ishte antar partie dhe me siguri mund të nxirrte prej tij ndonjë gjë që mund të ishte diskutuar në mbledhjen e organizatës së partisë. Ngjarjet e muajve të fundit e shtynin të mësonte më tepër.
- Po ja, more shoku kryeinxhinier, - këtë shprehje ai e përdorte vazhdimisht, - si të të them. Mua më vjen keq për ty se je djalë i mirë dhe të duan të gjithë. Ndaj të këshilloj të ruhesh dhe të mos bisedosh me asnjëri.
Agroni e dëgjonte me vëmendje. Këto fjalë i dhanë të kuptojë se diçka kishte ndodhur. Donte ta ngacmonte më tej për të nxjerrë ndonjë gjë tjetër prej tij. Një gjë e tillë nuk ishte e vështirë, pasi naiviteti i Rustemit e bënte më të lehtë një gjë të tillë.
- Unë nuk bisedoj me njeri gjëra që nuk duhen biseduar, more xha Rustem! Në fund të fundit çfarë mund të bisedojë? Keni dëgjuar ndonjë gjë ju? Thomani se ju e dini që ne të dy jemi familje të Luftës Nacionalçlirimtare. Baballarët tanë janë vrarë në luftën për liri.
- Po ja, more shoku kryeinxhinier, para një jave në mbledhjen e organizatës bazë, nja dy shokë thanë disa gjëra që mua nuk më pëlqyen.
- E çfarë thanë?
- Thanë se ti lexoke literaturë kapitaliste në gjuhë të huaja dhe se gjoja këto të paskan helmuar ndërgjegjen. Thanë, gjithashtu, se shtëpinë e paske të mbushur me libra të tillë të ndaluar.
- Po tjetër?
Rustemi u mendua. Brenda tij po zhvillohej një luftë në se duhej t’ia thoshte apo jo Agronit të gjitha ato që kishte dëgjuar. Më së fundi vendosi.
- Folën edhe për ata dy shokët e tu, Stefanin dhe Gjergjin. Mua ata më duken djem shumë të mirtë. Thanë se rridhkan nga familje reaksionare dhe se ju pëshpëritkeni lart e poshtë për një ndryshim të sistemit. Të them të drejtën unë nuk i kuptoja të gjitha ato që flitnin ata, por që ishin kundra jush, këtë e kuptoja fare mirë.
-
- Më tepër Resuli me Ibrahimin. Kishte edhe disa të tjerë që i përkrahnin. Por aman, se mos u thuash gjë, se më merr në qafë. Do më akuzojnë se kam nxjerrë jashtë sekretin e partisë dhe më merr lumi pastaj. Unë po t’i them ty se më pëlqen dhe më vjen keq të të ndodhë gjë, se e di që prej teje nuk
Resuli ishte normist, ndërsa Ibrahimi teknik në një nga objektet e ndërmarrjes. Me ta Agroni ishte ndeshur disa herë, pasi i kishte kapur në gabime në lidhje me zbatimin dhe normimin e punimeve të objektit. Ishin pothuajse fare të paaftë. Mirpo ata ishin komunistë, ndërsa Agroni jo. Kjo u jepte mundësinë atyre që mllefin e xhelozisë së tyre ta shprehnin në organizatën e partisë.
- Mos u bëni merak xha Rustem. Unë jam i heshtur si vdekja. Po sikur pushoi edhe shiu dhe po iki tashti. Mirupafshim dhe ta kaloni i qetë.
Mendoi se për sot kishte mësuar plot gjëra. Mori biçikletën që e mbante në korridorin poshtë dhe u nis duke menduar përsa i kishte thënë Rustemi. Fjalët e tij i dhanë të kuptojë se për deri sa problemi kishte shkuar në organizatën bazë të partisë, punët ishin komplikuar. Ndaj duhej menduar mirë si të vepronte. Mendoi të fliste me Stefanin e Gjergjin dhe t’ua shpjegonte se, prapa shpinës së tyre, një prapaskenë po përgatitej. Atyre u duhej treguar gjithçka kishte ndodhur deri në atë ditë. Deri më sot kishte heshtur pasi shpresonte se çështja do të mbyllej shpejt. Donte të mos i shqetësonte. Kurse me rrjedhën që kishin marrë ngjarjet, koha nuk priste më. Duhej biseduar sa më shpejt, më parë se çështja të merrte ndonjë rrugë tjetër.