| E shtune, 03.04.2010, 03:46 PM |
DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE
Nga Dr. Nuhi Veselaj
X. RRETH NËNPROFILIT TË DISKUTUESVE
Për gjendjen E sotme të
shqipes standarde
Sa i përket aktualitetit tonë gjuhësor (standardit të sotëm), në bazë të çështjeve problemore të paraqitura dhe varësish nga pozicionimi që zënë, sipas politikës në përgjithësi ose politikës gjuhësore në veçanti, diskutuesit e sotëm mund t’i ndajmë në katër grupe ose nënprofile
së pari, grupi i mbrojtësve fanatikë të normëzimit të standardit të sotëm,
së dyti, grupi i respektuesve të normës në fuqi, por me kërkesë për rishikimin institucional të normës në fuqi;
së treti, grupi i gjuhëtarëve që bashkë me respektimin e normës në fuqi, sipas të drejtës universale, i konsiderojnë si të normuara ose rehabilituese, edhe disa vlera të anashkaluara të gegërishtes dhe
së katërti, grupi i gjuhëtarëve që në punimet e veta e përdor dialektin e gegnishtes.
Dhe që të gjitha këto grupe, siç do të shohim, kanë argumentet e veta mbështetëse. Meqenëse po ndodhin kalime të personave të caktuar prej një grupi në grupin tjetër, në këtë kontekst ne nuk do të përmendim emra, por është mirë që secili veprues le ta testojë vetveten se cilit nënprofil i takon, cilin grup më fort e favorizon ose ku gjen veten më mirë.
1. Grupi i mbrojtësve fanatikë të standardit të sotëm
Po përmendim nënprofilin e atyre gjuhëtarëve, të cilët, me punën dhe diskutimet e tyre paraqiten si mbrojtës ose si argat të zellshëm e të dëgjueshëm deri në fanatizëm në mbrojtje të standardit të sotëm, d.m.th. të gjuhën letrare të ashtuquajtur të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), përkatësisht të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) dhe të burimeve të tjera standardizuese dhe për këtë sjellin këto argumente:
1. Gjuha letrare e Kongresit të Drejtshskrimit me Drejtshkrimin e vitit 1973, e cila paraprakisht, sadokudo ishte konsoliduar në Shqipërinë e pas LDB-së, si gjuhë zyrtare i ka tejkaluar provat e para me sukses, duke u shtrirë edhe në vise të tjera shqipfolëse, ngase tash afro 40 vjet po funksionon si gjuhë letrare kombëtare në të gjitha fushat e jetës sipas stileve funksionale dhe në të gjitha trevat shqipfolëse si në Kosovë e më gjerë.
2. Është sajuar mbi bazë të elementeve të përbashkëta, por edhe të veçanta të të dy dialekteve. Në ndonjë segment mbizotërojnë trajtat e toskërishtes po kjo është bërë në bazë të harmonizimit të përfshirjes së plotë të të gjitha vlerave të domosdoshme të gjuhës globale shqipe.
3. Norma në fuqi është përgatitur e hartuar sipas procedurës së rregullt, nga studiuesit më në zë të kohës të të dy dialekteve, mbështetur në parimet standardologjike më pozitive civilizuese të botës, dhe është konsoliduar jo me nguti po shkallë-shkallë dhe është miratuar në mënyrë publicitare nga delegatët e të gjitha viseve shqiptare në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).
4. Ajo normë ka marrë atë që është dashur ta marrë nga dialekti i gegnishtes, prandaj çdo tentativë për futjen e elementeve të tjera (të reja ose të vjetra) nga ai dialekt në të tri shtyllat themelore të standardit, të hartuar shkencërisht, siç janë: drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori përshkrues normativ, është e papranueshme, ngase nuk e qas sistemi tashmë i standardizuar, i cili del i formëzuar si një konstrukt i plotë, i rrumbullakësuar, stabil, pothuajse i përkryer që s’ka lënë kurrfarë zbraztësie.
5. Së fundi ligjërisht srtandardi i sotëm ka fituar prestigj dhe si i tillë del (ose duhet të jetë) i mbrojtur nga shteti, andaj të gjitha burimet informative, administrative, shkollore e shkencore, sidomos ato të financuara nga shteti, ashtu si edhe të shqipshkruesit e të gjitha stileve funksionale, duke përfshirë edhe krijimtarinë letrare artistike detyrimisht ose fakultativisht (vetëm në raste) duhet, jo ta diskutojnë, por ta respektojnë normën në fuqi, madje edhe në gjuhën e folur, përndryshe për mosrespektuesit këtij standardi si rrjedhojë do të ketë sanksione përkatëse, në radhë të parë morale, por edhe të tjera.
Gjithsesi pjesëtarët e këtij grupi a nënprofili mund të quhen pa dyshim si normëmbrojtës fanatikë. Këta, siç veprojnë vetë, ashtu kërkojnë edhe nga të tjerët që ta mësojnë dhe ta zbatojnë normën në fuqi në mënyrë të përpiktë, ashtu si me thënë, mekanikisht në të gjitha stilet funksionale, pa dalluar, b.f., deri edhe stilin letrar poetik nga ai zyrtar administrativ, ngase edhe në atë mënyrë, sipas tyre, gjë që është e vërtetë, sforcohet edhe mëtej standardi. Janë energjikë në mbrojtjen e tezës se çështja e standardit konsiderohet e mbyllur, me aktin historik të Kongresit të Drejtshkrimit 1972. Janë të bindur se asnjë variant tjetër nuk mund të jetë më i mirë e më i përkryer si varianti në fuqi, kështu si është. Prandaj këtë standard gjithkush patjetër duhet ta mësojë dhe ka obligim ta zbatojë rigorozisht dhe me të drejtë duhet të sforcohet mbrojtja e tij nga shteti, andaj kush e cenon, prek unitetin kombëtar, andaj duhet të ndëshkohet.
Gjithsesi, disa nga argumentet e sipërcekura, sidomos funksioni i sotëm zyrtar i standardfit të sotëm është i parrëzueshëm, prandaj Këshilli ndërakademik duhet ta ketë parasysh gjatë analizës dhe zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.
2. Grupi i gjuhëtarëve që duke respektuar normëzimin
kërkon verifikimin institucional të normës në fuqi
Janë disa studiues të tjerë, të cilët nuk kanë vërejtje parimore në procedurën e bërjes së standardit të sotëm, andaj e njohin dhe e zbatojnë drejtshkrimin ose normën në fuqi, por njëherazi pajtohen me faktin se koha po tregon se norma ose tri shtyllat themelore të standardit nuk dalin të përkryera, as formalisht as përmbajtësisht, prandaj ndonjë interpretim ose edhe fjalë a pjesë teksti të normës në fuqi lypset korrigjuar, riinterepretuar ose rishikuar, ngase praktikisht standardi ndërkohë disi ka dalë tepër i ngurtë, në raport me gjuhën e folur, dhe me nevojat e zhvillimit shoqëror e gjuhësor në periudhën që po kalojmë, andaj standardi ka nevojë të verifikohet profesionalisht dhe disa elementa mund të rishikohen dhe lidhur me këtë sjellin këto argumente:
1. Është krejt normale që standardi ndërkohë pas një periudhe të caktuar, t’i shtrohet verifikimit, sepse gjuha si dhe shoqëria ndryshon bashkë me dinamizmin e jetës. Norma duhet të bëjë lëshime sipas vendit e kuvendit, ndaj stileve funksionale si dhe ndaj shprehjeve të të folmeve dialektore në situata të caktuara etj., ngase fjalët e shprehjet përkatëse të thëna paksa ndryshe mund ta njomin kontekstin.
2. E pranojnë se teksti përfundimtar i kodit në fuqi, në parim po, por, siç thuhet nen për nen, nuk është miratuar në Kongresin e ’72-shit, por ai është rezultat i Komisionit përkatës, andaj në finesa ka pasur nxitime e si rrjedhojë ka shpëtuar edhe ndonjë lëshim, qoftë në dëm të ish-gegërishtes letrare, qoftë edhe edhe të vetë rregullave të standardit, prandaj ndonjë formulim i atëhershëm si rregull tani kërkon të ketë më shumë qartësi. Ky grup është për korrigjimin e të metave të tilla, por si qytetarë lojalë që janë, vetë e zbatojnë normën rigorozisht, ashtu siç është, edhe në pastë ndonjë të metë, sepse, siç thuhet: më mirë është një ligj jo i mirë që zbatohet se të mbretërojë kaosi, anarkia, parregullsia në domenin e implementimit të gjuhës shqipe të shkruar e të folur.
3. E kuptojnë, pra, se të gjitha problemet e standardit nuk i takojnë raportit standard / të folme të veçanta, por problemet kanë mbetur të pazgjidhura që në fillim në raportin ndërdialektor: toskërisht / gegërisht, andaj kërkojnë që këto çështje të rishikohen dhe të zgjidhen institucionalisht me tolerancë, madje qoftë edhe me koncensus nga ekspertët përkatës. Gjithsesi ky grup e pranon se standardi në fjalë ka ndonjë të metë, qoftë formale, qoftë përmbajtësore dhe se vërtet gegërishtes i është bërë e padrejtë, por megjithatë kjo normë tashmë del e qëndrueshme deri diku, por çka del e nevojshme të bëhet ndonjë rregullim formal gjuhësor që nuk prek në bazë dhe jo ato elemente që mund të prekin për të keq normëzimin mbi bazën e tashme.
4. Me fjalë të tjera janë më liberal në qëndrime dhe më të matur në veprime në krahasim me grupin e parë, sepse nuk kundërshtojnë risimet, por vetë nuk priren t’i përqafojnë e zbatojnë ato, ngase presin që të tjerët (institucionet) t’i zgjidhin ato probleme me marrëveshje të plotë.
5. Nuk janë për sanksione të rrepta ndaj autorëve që në gjuhën e tyre fusin ndonjë risim ose që nuk e zbatojnë normën rigorozisht, por vetë, siç u tha, nuk e kanë guximin me i hy ndonjë plotësimi në stamndard, veçmas në gjuhën e shkrimit, por sa i përkat gjuhës së folur nuk kanë regjim aq të rreptë. Sipas tyre nuk prish punë t’i bëhen disa retushime së paku simbolike normës në fuqi.
Pra, studiuesit e këtij nënprofili e njohin dhe e zbatojnë drejtshkrimin në fuqi, por njëherazi e kuptojnë pragmatikisht e logjikisht se gegërishtes i është bërë e padrejtë, por, megjithatë norma e sotme duhet të ruhet gjithsesi, edhe pse duhet të përpunohet, të përmirësohet e sforcohet më tej, andaj sipas tyre norma standarde vetëm në raste duhet t’i shtrohet rishikimit, për t‘i ikur sadokudo gjuhës (ideologjikisht) të drunjëzuar dhe kjo duhet bërë sa më parë.
Edhe argumentet e bazuara të këtij grupi duhet pasur parasysh me rastin e shqyrtimit të çështjes rreth qëndrueshmërisë së standardit të sotëm..
3 Grupi që, duke shfrytëzuar të drejtën universale,
në normëzim përfshin edhe disa gegizma të
anashkaluar nga ish-shqipja letrare
mbi bazë të gegërishtes
Janë disa studiues që e njohin dhe e kuptojnë rëndësinë e normës së sotme dhe e respektojnë atë për krej çka është pozitive në të, por jo në tërësi, ngase kanë vërejtje serioze në parim për disa raste të veçanta dhe përgjithësisht dhe për këtë sjellin këto argumente:
1. Norma e sotme gjuhësore duhet t’i shtrohet verifikimit patjetër dhe sa më parë, madje ajo kohë e verifikimit dhe e korrigjimeve është vonuar jashtë çdo logjike. Rishikimi i normës dilte e nevojshme të bëhej edhe më përpara, por sistemi totalitar ka penguar, ndërsa tash e sa vjet në këtë periudhë pluraliste doli i domosdoshëm dhe i mundshëm t’i bëhej gjithsesi vështrimi kritik kodit të standardit të sotëm. Në të vërtetë, në rrethana të reja pas ndryshimeve të sistemeve shoqërore e politike në Shqipëri e Kosovë, në vitete e ’90-a të shekullit që sapo kaloi, janë krijuar edhe raporte të reja ndërshqiptare, si shoqërore ashtu edhe politike, andaj edhe u shtruan, siç po shtrohen edhe sot bile më me forcë, me të drejtrë, kërkesa të reja. Së këtejmi del nevoja edhe për përqafimin e qëndrimeve të reja pragmatike ndaj standardit. Norma në fuqi në vitet e ’70-a është miratuar në kushte jonormale, jo vetëm për shkak të sistemeve jodemokratike që mbizotëronin atëherë, andej e këndej, por, edhe pse studiuesit në atë jodemokraci nuk kishini pasur mundësi as t’i studionin të gjitha burimet gjuhësore të trevave shqipofolëse si duhet, as t’i shprehnin as t’i harmonizonin qëndrimet me bashkëpunim e profesionalizëm të niveluar, qoftë brenda vetë Shqipërisë dhe jashtë, sidomos me ata ekspertë që kishin përvojë, ngase më përpara edhe ishin marrë me çështje të standardit. Pra në atë periudhë për shkaqe politike kontaktimi ndëreskpertor ishte i pamundur. Madje për çështje të caktuara kruciale të planëzimit gjuhësor mungonin studime shkencore në hollësi e thellësi. Jo vetëm pse mungonin përgatitjet teorike bashkëkohore për të cilat dihet sot, por mungonte edhe të shprehurit e lirshëm. shkencërisht e qiltërisht dhe për këtë pasojë tani shihen të meta jo aq të parëndësishme në tri shtyllat kryesiore të standardit: drejtshkrimit, gramatikës e leksikut (fjalorit normativ).
2. Përveç korrigjimeve drejtshkrimore e stilisrtike që duhen bërë patjetër tekstit të tri shtyllave themelore të standardit, kërkohet tani që në standard të futen pa diskutim a pritje të ndonjëfarë koncensusi, disa trajta a fjalë e konstrukte të reja, qoftë ato të lëna jashtë për arsye të ndryshme, mbase edhe në mënyrë arbitrare, nga dialekti i gegnishtes, qoftë edhe disa risime të tjera që ndërkohë i ka sjellë moti, ose vetë zhvillimi shoqëror e teorik gjuhësor në plan kombëtar si dhe zhvillimi tekniko-teknologjik në plan ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, diskutuesit e këtij grupi janë për përmirësime të domodoshme të normës, por, nuk kërkojnë përmbysjen e bazës së standardit të sotëm, por zgjerimin e sforcimin e asaj baze me material të ri.
3. Studiuesit e këtij nënprofili me diskutimet e tyre me inventivitet gjithnjë e më shumë janë në kërkim të njohjes së prirjeve të reja që shfaqen si risime. Risi këto që dalin nga rezultatet e studimeve të thelluara të kryera ndërkohë për tema të veçanta, por jo jashtë sistemit, të cilat nuk njiheshin sa duhet në të kaluarën, prandaj ata në gjuhën e tyre autoriale, standardit jo vetëm i oftojnë përplotësim, pa pritur miratimin e tillë nga ndonjë institucion i autorizuar që i zvarrit punët e kësaj natyre pa nevojë e paarsye. Pra, fusin në përdorim ato risime që e konsiderojnë të domosdoshme, sepse, sipas tyre, elementet që i sjellin këndellje, freskim e përplotni standardit në stilin përkatës, vetvetiu bartin me vete edhe të drejtën e normëzimit.
4. Të jemi edhe më të qartë. Këta gjuhëtarë, kërkojnë që ato plotësime a risime, që vijnë nga modelet përkatëse foljesore, ose nga shtytje të tjera, sidomos kur është fjala për koncepte të pambuluara kënaqshëm me mjetet e standardit të sotëm, por që ish-shqipja letrare mbi bazë të gegërishtes i kishte të normëzuara, duke u mbështetur në kompetencën që u jep e drejta universale shkencore, bazuar në normën e situatës dhe atë të natyrshme globale, pa drojë se bëjnë shkelje kodi (norme), ato elemente i fusin pothuajse normalisht në përdorim. Sipas tyre asnjë ligj, sipas të drejtës universale (juridike e gjuhësore), nuk dënon për ato veprime, sidomos të natyrës bamirëse ose shkencoro-dobisjellëse që nuk janë paraparë paraprakisht si detyrime ose si të drejta, në nenet (rregullat) përkatëse, përkatësisht në paragrafët e tekstit përkatës ligjor.
5. Me fjalë të tjera janë më liberalë se studiuesit e profilit të dytë dhe kërkojnë gjithsesi që norma e sotme të ripërtërihet me plotësime të domosdoshme, duke rehabilituar elemente të domosdoshme nga dialekti i gegnishtes, ngase konzervativizmi i mëtejshëm i saj është i dëmshëm për unitetin e mëtejshëm të gjuhës kombëtare dhe për kombin shqiptar pëgjithësisht, prandaj përdorin normalisht në gjuhën e tyre autoriale si b.f. paskajoren e mirëfilltë me+pjesore, bashkë me disa idioma e ekzotizma me peshë, ngase, siç u tha, një të drejtë të tillë universale nuk mund ta mohojë askush, asnjë kod, sidomos në rastet kur nocionet përkatëse nuk mbulohen kënaqshëm me elementet e gjuhës së sotme letrare, siç janë: përfaqësimi në krahasim me gjuhët e huaja, shprehjet lapidare, gjuha poetike si dhe sinonimia.
Pra studiuesit e këtij nënprofili e njohin dhe e kuptojnë normën si pjellë historike, e cila në një kohë të caktuar edhe pati diçka pozitive, madje respektimi i saj del i domosdoshëm jo vetëm në parim, por edhe konkretisht si gjuhë përfaqësuese kombëtare e shtetërore etj., por nuk presin që konceptet e pambuluara për shkak të mungesës së paskajores së mirëfilltë si dhe nocionet e idiomave dhe ekzodizmave, ngado qofshin ato të mbesin edhe më të papërfshira vetëm pse arbitrarisht nuk ishin normëzuar, qoftë nga keqkuptimi, qoftë nga mosdija ose për shkaqe të tjera. Sidoqoftë, janë më liberalë edhe se standardologët e nënprofilit të dytë dhe kërkojnë që gjithsesi norma e sotme duhet të reformohet, të ripërtërihet ose të rishtohet sa më parë me prurje të reja, pa harruar, pra, vlerat themelore të njohura të anashkaluara të gegërishtes. Në të vërtetë kërkesën per normëzimin edhe të elementeve të tilla e quajnë të ligjshme, por nëse faktorët e caktuar kompetentë konservatorë, nga mosdija ose fanatizmi, mbase edhe nga kapricot a egoizmat vetjakë, sepse kanë mbetur, sipas tyre, në suazat e adoleshencës politike e gjuhësore, nuk i ecin kësaj pune mbarë dhe zvarrisin zgjidhjen, atëherë ata kanë bindje të plotë se bëjnë mirë që fusin në veprim vetëgjyqësinë, të cilën edhe e arsyetojnë me të drejtën universale, me interesat e larta shkencore, shoqërore e kombëtare, ngase imkuadrimi i vlerave të tilla, si paskajorja e mirëfilltë dhe ekzotizmat e idiomat përkatëse të domosdoshme ia shtojnë prestigjin edhe vetë standardit, prandaj s’duhet me ngurrue në përdorimin normal të tyre, edhe pse norma nuk i ka paraparë ose i ka anashkaluar.
Sipas këtij nënprofili ose grupi as norma e ish-shqipes letrare mbi bazë të toskërishtes pa përfshirjen e dukurisë së rotacizmit dhe as norma e sotme mbi bazë të toskërishtes pa paskajoren e mirëfilltë nuk meriton të quhet normë e gjuhës shqipe. Këtë emërtim e gëzon ajo normë, vetëm atëherë, kur veç tjerash pëfshin edhe të dyja këto vlera (rotacizmin në njërën anë dhe paskajoren me pjesoren e shkurtë në anën tjetër). Sipas tyre, pra, rotacizmi me jorotacizmi dhe paskajoren e mirëfilltë me pjesoren e shkurtër bashkë me format sinonimike trajtave foljore të toskërishtes, përkatësisht të shqipes së sotme letrare kanë bashkëjetuar dhe duhet të bashkëjetojnë domosdo edhe në të ardhmen, jo vetëm në suazat e gjuhës së natyrshme globale, por edhe në kaudër të gjuhës standarde kombëtare.
Gjithsesi Këshilli ndërakademik, jo vetëm duhet me i pasë parasysh inventivitet e tilla, por edhe duhet me i përkrahë dhe sa më parë me i përligjë risimet e tilla brenda normëzimit, sepse ato jo vetëm e pasurojnë standardin, por edhe e afrojnë atë me gjuhën e natyrshme gjithëpopullore, pa rënë nën nivelin e ligjërimit të thjeshtë dhe njëherazi e sforcojnë standardin në përballje ndaj gjuhëve të tjera. Kështu dhe vetëm kështu shqipja do të jetë me e aftësuar që me sukses të përballojë sfidat që po i imponohen në globalizmin e sotëm gjjuhësor.
Kështu dhe vetëm kështu i kompletuar, sipas tyre, normëzimi i gjuhës sonë meriton të quhet gjuha standarde kombëtare shqipe.
4. Grupi i adhuruesve të normës së ish-shqipes letrare
mbi bazë të gegërishtes
Është një nënprofil tjetër studiuesish që, u kundërvihen të gjitha konstatimeve që u thanë në mbrojtje të standardit të sotëm nga grupi i nënprofilit të parë të diskutuesve dhe për këtë sjellin këto argumente.
:
1. Në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) nuk është e vërtetë se është miratuar standardi i bazuar mbi vlerat e dy dialekteve, sepse gegnishjtja me vlerat e veta themelore aty nuk ishte e pranishme, sepse që më parë dilte e përjashtuar, përjashtim ky që filloi nga direktivat partiake, përkatësisht nga urdhërat alla partizançe të ministrit të kulturës, përkatësisht të edukimit socialist dhe filloi së zbatuari nga servilimi i shkrimtarëve partiashë dhe nga gjuhëtarët e dëgjueshëm të tipit Kostaq Cipo, i cili për hir të paranjohjeve ishte bërë në njëfarë mënyre i përkëdheluri i shefit të shtetit e të partisë në atë kohë. Në të vërtetë, përmbysjen e normës (ekzistuese) mbi bazë të gegërishtes dhe fuqizimin e normës mbi bazë të toskërishtes e përkrahen fillimisht duke paraprirë me paraqitjet e tyre gjoja shkencore jo gjuhëtarët A. Xhuvani, E. Çabej e vetë K. Cipoja, por shkrimtarët, refererues kryesorë në konferencat shkencore të vitit 1952: Dhimitër Shuteriqi, Zihni Sako dhe Jakob Xoxa dhe ky avaz i përjashtimit të gegërishtes vazhdoi deri në atë Kongresin (politik) të 1972-shit, kur u vendos pa oponencë që standardit mbi bazë të toskërishtes, e jo standardi i gjuhës shqipe, siç u trumbetua propagandisht, të shpallet gjuhë e unifikuar letrare kombëtare. Vërtet, hartues të rregullave të fundit drejtshkrimore figuronin emrat e disa gjuhëtarëve, por fjalën kryesore në përmbysjen e normës mbi bazë të gegërishtes e kishte politika e kohës me anë direktivash e jo argumentet shkencore. Sigurisht pati gjithnjë e më shumë gjuhëtarë në atë periudhë me prof. A. Kostallarin në krye që si shërbyes servilë të regjimit vazhduan këtë aktivitet rreth përqafimit e përpunimit të gjuhës së rekomanduar, sepse ashtu dhe vetëm ashtu mund ta ruanin privilegjet , avansimet në poste ose vazhdimin e karrrierës e dikush prej tyre vetëm kështu mund ta ruante vendin e punës që i siguronte bukën ose të siguronte shpinën ose edhe të raunte kokën (!), andaj standardi i sotëm mbi këtë bazë nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i shqipes së natyrshme globale, por vetëm e vetëm i toskërishtes së përpunuar (alla- kostallarçe), prandaj kërkesa për reformimin e plotë ose përmbysjen e tij për gegërishtfolësist është e drejtë. Dhe kjo duhet bërë sa më parë ose vetëm duhet të konstatohet si normë e paqenë për gegërishtfolësit.
2. Ky grup studiuesish, duke kujtuar me nostalgji ish-gjuhën letrare mbi bazë të gegërishtes, me elbasanishten si simbol i gjuhës së mesme gege, përkatësisht duke respektuar traditën letrare të shkodranishtes dhe atë të kosovarishtes edhe pse në lindje e sipër, por me drejtshkrim sadokudo të përpnuar (1973), konstatojnë se ndaj gegërishtes është bërë jo vetëm padrejtësi e madhe, por është bërë krim, sepse ajo mbi 60 vjet që nga Kongresi i Elbasanit 1909, deri te vendimi qeveritar i vitit 1974 ligjërisht ishte normë e vendosur demokrativisht dhe e rekomanduar institucionalisht. Së këtejmi del e drejtë kërkesa për rehabilitim e plotë të gegërishtes.
3. Sipas tyre, norma e sotme nuk e ka të drejtën që të jetë detyruese (zyrtare) as për toskët as për gegët, sepse rregullat e saj qenë shkruar me nxitim dhe nuk paraqitin gjendjen reale të vlerave të gjuhës faktike të natyrshme të gjuhës shqipe, andaj kërkohet doemos që ajo normë të pëmbyset ose të lejohet intitucionalisht që edhe gegërishtja të pranohet si gjuhë e shkruar ose e barabartë, por gjithsesi jo si nënvariant po me atë prestigjin që e kishte si ish-shqipe letrare.
4. Në të vërtetë, gjuhëtarët e këtij nënprofili si gjuhë të veten autoriale po e përdorin gegnishten dhe kërkojnë përdorimin, madje edhe përpunimin e saj (mbi bazë të gramatikëave të A. Xhuvanit, O. Muderrizit, J. Rrotës, M. Camajt etj. si dhe Drejtshkrimit të I. Ajetit të vitit 1973), e cila duhet të ketë shtrirje në mbarë jetën shoqërore, ngase ky dialekt, jo vetëm pse kishte traditë përdorimi, por edhe sot ka përparësi ndaj toskërishtes, sepse përdoret nga mëse 2/3 e popullsisë, sepse sistemi i saj gramatikor është më i gjerë dhe më i pasur sa u përket formave gramatikore, ngase, në të vërtetë, disa konstrukte shprehjesore e koncepte të gegërishtes toskërishtja (letrarishtja e sotme) nuk mund t’i mbulojë kënaqshëm, sepse gegnishtja e ka paskajoren, e cila përdoret më natyrshëm se çdo formë tjetër në fushën abtraksionit gramatikor gjuhësor e semantik, prandaj rehabilitimi i gegnishtes nuk do të ndikonte për të keq assesi në unitetin kombëtar, ngase historikisht shqiptarët prejse përmenden në histori edhe pse kishin të koenizuara dy dialekte ata në çdo situartë ishin të përbashkuar.
5. Gjithsesi, duke kërkuar që e drejta e përdorimit të gegnishtes si gjuhë autoriale patjetër, jo vetëm se duhet të rikthehet e legalizuar dhe e përpunuar institucionalisht, por ajo duhet të përkrahet me organizmat shtetërorë, natyrisht duke ia kthyer privilegjet e mohuara që kishte si gjuhë zyrtare ose së paku, si gjuhë kulture, gjuhë shkolle, gjuhë e shkencës e publicistikës etj. etj., madje kërkohet që në këtë drejtim të bëhet financimi i nevojshëm për botime përkatëse në gegërishte të burimeve të domosdoshme normative, përkatësisht në shqipen standarde mbi këtë bazë.
Pra, studiuesit e këtij nënprofili, të cilët pasi konstatojnë se nga norma në fuqi janë anashkauluar vlerat më kryesore të gegërishtes, përkatësisht të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, që ishte në fuqi pothuajse mbi 60 vjet, ashtu siç veprojnë vetë, duke shkruar e folur gegërisht, kërkojnë në mënyrë energjike rikthimin e bazës së gegërishtes, por pa i lënë anash edhe vlerat e toskërishtes, përkatësisht të gjuhës së sotme letrare.
Me fjalë të tjera kërkojnë jo retushime, por rehabilitimin e tërësishëm të rregullave të drejtshkrimit, ku do të jenë të pranishme në mënyrë të plotë të gjitha vlerat e anashkaluara të shqipes globale mbi bazë të gegërishtes, ngase vetëm në këtë mënyrë standardi mund ta gëzojë identitetin e gjuhës standarde shqipe në plan kombëtar e ndërkombëtar.
Ne, duke respektuar argumentet e të katër këtyre grupeve, me thënë të drejtën, më mirë e më të qetë e ndjemë veten njëherëpërnjëherë në kuadër të grupit të tretë se atij të dytit, ngase kemi formuar bindjen se pa marrë parasysh qasjet e ndryshme, e vërteta flet se norma e njëzuar e shqipes standarde tashmë ka fituar njëfarë konsolidimi sidomos zyrtar, por ajo patjetër duhet të përplotësohet pa zvarritje, d.m.th. pa pritur ndonjë koncensus të imagjinuar nga nënprofili i grupit të parë dhe të atij të katërt, ngase mendimet e grupit të parë me ata të grupit të fundit, sipas dikutimeve që po bëhen, kalojnë në papajtueshmëri ekstreme.
Sidoqoftë, duhet të mbizotërojë logjika te shumica e standardologëve se drunjëzimi i mëtejshëm i standardit sjell dëm dhe ushqen frymën e veprimeve të grupit të katërt. Sido që ta marrësh, mund të themi se kodi aktual i shqipes standarde është kah vuan nga sëmundja e moskuptimit të standardologëve të të katër grupeve, por më tepër nga fanatikët që këmbëngulin për mosrishtimin e tij, edhe pse sipas vështrimeve kritike në analiza shkencore, shihet fare qartë se asnjëra nga shtyllat themelore të standardit nuk është me shëndet të plotë, as drejtshkrimi, as gramatika as leksiku normativ, madje edhe elementet e tjera që i shoqërojnë këto shtylla nuk mund të quhen se kanë shëndet të plotë, siç duhet me pasë normalisht.
Nuk mund të anashkalojmë pa e shprehur shqetësimin tonë, për çka sinqerisht na vjen shumë keq që disa studiues në Universitetin, përkatësisht Institutin Albanologjik të Prishtinës, por si duket edhe në institucionet homonime të Tiranës dhe jo vetëm atje, me disa shkrime të tyre shihet se në konceptime nuk kanë arritur plotësisht të ngriten as në nënprofilin e dytë të cilësisë së diskutuesve standardologë, siç e pamë më sipër. Shpresojmë se edhe këta do të esëllohen, sepse realiteti i sotëm kërkon vetëdijesim më të madh. Pa mëdyshje, norma e standardit të sotëm patjetër duhet të përmirësohet, të rinohet dhe të përplotësohet me prurje të reja, qoftë, duke i rehabilituar disa forma të anashkaluara arbitrarisht, qoftë me vlera të formëzuara ndërkohë si risime, por që dalin të nevojshme për mbarëvajtjen dhe zhvillimin të mëtejshëm të gjuhës së vërtetë standarde shqipe.
Së fundi kërkojmë nga Shoqata e gjuhës shqipe (me seli në Prishtinë) dhe nga Miqt e gjuhës shqipe (me seli në Tiranë) që ta kenë parasysh propozimin tonë, në mënyrë që të parapëlqehet ai mesi i artë që do të jetë zgjidhja më e pranueshme, hë për hë, sepse me një parapëlqim të tillë edhe do të ruhet e papëmbysur baza e standardit të sotëm në përfaqësimin zyrtar dhe njëkohësisht do të arrihet sadopak balancimi ndërdialektor dhe si rrjedhojë më me lehtësi do të arrihen edhe të mira të tjera në pasurimin dhe sforcimin e bazës jonjëdialektore së standardit të shqipes dhe njëharazi do të ngritet prestigji mbarëkombëtar i standardit, i cili duke u përforcuar me prurjet e reja të propozuara nga dialekti tjetër, do të jetë shumë më i fortë për me u përballë më me lehtësi ndaj sfidave të globalzmit të sotëm gjuhësor.
Në këtë krye të punimit folëm për katër nënprofilet a grupet e diskutuesve pa përmendur emra, ndërsa në kreun vijues, lexues i nderuar, do të kemi rast që së bashku me u njohë me mendimet e konstatimet e disa gjuhtarëve dhe dashamarësive të gjuhës lidhur me nevojëm e rishtimit të standardit të sotëm të shqipes me gegizma përgjithësisht.