Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Pushkët e Babatincëve dhe Tahir Stubllës fuqishëm jehuan

| E shtune, 03.04.2010, 03:59 PM |


Në 11 vjetorin e rënies së dëshmorëve ët kombit

 

PUSHKËT E BABATINCËVE DHE TAHIR STUBLLËS FUQISHËM JEHUAN

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në 11 vjetorin e rënies për liri  u përkujtuan dëshmorët Tefik,Raif dhe Sabit Babtinca nga lagja Polonicë e Besianës dhe Tahir Stublla . Dëshmorët Babatinca ishin  pjesëtarë të UÇK-së  në Zonën Operative të Llapit në Brigadën 151 “Zahir Pajaziti”.Për të nderuar veprën heroike  të këtyre dëshmorëve përpos familjarëve  merrnin pjesë edhe bashkëluftëtar dhe qytetar tjerë të Besianës e më gjerë. Me këtë rast nga të pranishmit u thanë fjalë miradije  dhe u kujtua heroizmi i këtyre dëshmorëve të cilët për asnjë çast nuk deshën të largohen nga trualli i tyre ,por luftuan me hordhitë barbare derisa ranë në altarin e lirisë. Pushkët e Babbatincëve 11vite  më parë jehuan, buçitën fuqishëm për lirinë e vendit dhe pas largimit të popullatës ata  zunë pozicionet  dhe luftuan një kohë ët gjatë deri në rënien heroike të tyre. Po ashtu u përkujtua edhe dëshmori Tahir Stublla i cili ra në altarin e lirisë duke mbrojtur pragun e shtëpisë. Ndonëse ishte i shtyrë në moshë ai për asnjë çast nuk u dorëzua dhe ra heroikisht duke u dhënë shembull edhe luftëtarëve tjerë se si luftohet dhe vdiset për atdhe.   Qëndruan  deri në fishekun e fundit ashtu siç u ka hije burrave në mbrojtje të lirisë  e të nderit,të kombit e të familjes, përball falangave serbe që deshën ti zhbëjnë shqiptarët, por ata  u bëtë pishtarë  të lirisë për gjeneratat që vijnë .Me këtë rast pranë varreve të dëshmorëve  u bënë homazhe dhe u vendosën kurora  lulesh.

 

Në familjen Babatinca që gjithmonë kishte synim  punën dhe lirinë më 17 mars 1942 u lind dëshmori i kombit Tefik Bajram Babatinca. Ishte një burrë i njohur për sinqeritet dhe bujari, ishte punëtor i madh dhe me mund të madh arriti ti rris dhe edukoi fëmijët.Dalja në skenë e djelmoshave të UÇK-së me emblemën në ballë e gëzuan pa masë Tefikun, dhe me një vendosmëri të madhe i përkrahu dhe ndihmoi, përmes organizimit të Mbrojtjes Civile në rrethin e tij. Zhvillimi i luftimeve Tefikut i dhanë edhe më shumë zemër dhe nuk duroi dot kur serbët deshën ta nënshtrojnë dhe gjunjëzojnë dinjitetin e popullatës në vendin etij. Ai  me shumë bashkëluftëtar në mesin e të cilëve edhe kushërinjtë e tij Raifi e Sabiti,luftuan burrërisht deri në rënien heroike të tyre më 1 prill 1999.

 

Më 10 gusht 1949 në lagjen Polonicë të Besianës u lind dëshmori i kombit Sabit Shaban Babtinca. Pas kryerjes së shkollës së mesme si i ri punësohet si ngasës i autobusit në OP”Kosoavtrans” në Besianë. Gjithmonë ishte i bindur se okupatori do të shporret nga këto troje. Këtë e shprehte shumë herë në biseda me shokët të cilët e çmonin shumë atë. Dha një kontribut të madh rreth organizimit të masës popullore gjatë kohës së luftës bashkë me kushërinjtë e tij tash dëshmor Tefikun e Raifin. Në luftimet zhvilluara gjatë fundit të marsit tregoi trimëri dhe guxim deri në rënien e tij më 1 prill 1999, kur bie heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë.

 

Raif Sherif Babatinca u lind më 16 dhjetor 1949 në Polonicë të Besianës,në një familje të varfër, por të ndershme dhe atdhetare. Me mund të madh u shkollua por ishte i papunë. Lirinë që nuk e gëzonte vetë deshi ta gëzojnë të tjerët, fëmijët e tjerë të Kosovës. Ishte i palodhshëm në aktivitetet kombëtare. Kjo më së miri është vërejtur me paraqitjen e UÇK-së në skenë,ku dha kontribut të madh në logjistikë. Ishte pjesëmarrës i shumë luftimeve që u zhvilluan në Surkish e Polonicë. Bie heroikisht më 1 prill 1999 bashkë me Tefikun e Sabitin.

 

Njëri ndër dëshmorët më të vjetër të UÇK-së është dëshmori Tahir S. Stublla nga Besiana që u lind më 26 tetor 1918. Ndonëse në moshë të shtyrë ai rroku pushkën për dëbimin e okupatorit nga vendi. Kështu dha një shembull për gjeneratat se për dëbimin okupatorit duhet të ngritën në këmbë të gjithë.  Me luftën që zhvilloi kundër hordhive barbare tregoi guxim trimëri po si të ishte djalë i ri. Lufta çlirimtare kërkon angazhimin e të gjithëve thoshte Tahiri, kur ndonjëri thoshte që ai është në moshë të shtyrë për të marr pushkën në dorë. Ai me shembullin e tij tregoi se të gjithë duhet dhënë kontributin për lirinë e çmuar dhe të shumë pritur të popullit shqiptarë. Ai luftoi pa ndal kundër forcave okupatore deri në rënien e tij më 1 prill 1999. Kështu ai u bë shembull dhe inspirim i shumë të rinjve që edhe më me ngulm ta luftojnë okupatorin barbarë.

 

 

AS NJË HAP NUK IKËN NGA ARMIKU

 

(Raif, Sabit e Tefik Babatinca)

 

Uniteti i popullit

Fitoren e ka në dorë

Të vdesim si burrat

E Kosova lirinë ta gëzon.

 

Përpara burra të gjithë tok

Luftën do ta fitojmë

Dita – ditës më afër lirie

Me hapa të sigurt po shkojmë.

 

Porositnin kështu

Raifi, Sabiti e Tefiku

Që as një hap

Nuk ikën nga armiku.

 

 

 

PUSHKA E TIJ, FUQISHËM JEHOI

 

(Tahir Stublla)

 

Pushka e tij fuqishëm ka jehua

Bashkë me ato të Babatincëve

Për lirinë e vendit

Janë bashkua.

 

Ndonëse në moshë të shtyrë

Rroku pushkën për liri

Tregoi guxim e trimëri

Si të ishte djalë i ri.

 

Për lirinë  e vendit

Gjithë duhet luftuar

Kështu tha Tahiri

Të rinjtë duke i këshilluar.