| E enjte, 01.04.2010, 09:12 PM |
Ndryshim në numra
TË FUQISHMIT MBETEN, TË DOBËTIT RRËZOHEN
Nga Bajrush Behrami (Sekretar i Shoqatës se të burgosurve politik, Besianë)
Riformatizimi përfshiu te dobëtit, ndërsa mbeten te fuqishmit. Ardhja e disa ministrave te rinj ndoshta do te krijoj disiplinë, por jo ndryshim esencial te qeverisjes.
Tanimë që qeveria u riformatizua nga Qeveria Thaçi 1 shkuan gjashtë ministra ndërsa në Qeverinë Thaçi 2 erdhën shtatë të tjerë për faktin se u shtua edhe Ministria e integrimeve. Ashtu si edhe në qeveritë tona të shkuara edhe tani, ministrat që do ti udhëheqin ministritë për të cilën janë përzgjedhur, shumica nuk janë profesionalisht adekuat, sepse kanë profesione tjera, anipse këto poste janë politike.
Përzgjedhja e një të riu për ministër në Ministrinë e bujqësisë e cila nuk ka të bëjë fare me profesionin që ka ministri i zgjedhur informatikën, nuk ka qenë ide e qëlluar. Më mirë do të ishte që në ministri të tilla të, si ç’është edhe kjo e bujqësisë të vendosen njerëz që janë të përafërt me profesionin. Në Ministrinë e bujqësisë po të vendosej ndonjë fermer i dalluar nga fshati dhe me kualifikime përkatëse i cili din se çka i duhet bujqësisë do te ishte shumë më mirë. Nuk është aspak lehtë për një ministër që nuk ka bashkëjetuar me ritmet bujqësore të fshatit që t’ia gjej defektet e sotme kësaj dege shumë të rëndësishme e cila në të gjitha qeveritë nuk është trajtuar në mënyrë meritore.
Mua personalisht dhe një pjese të mirë të qytetareve mendoj se ndërrimet aktuale në qeveri nuk u kanë pëlqyer dhe mendoj se janë ndërruar emrat, por jo gjithaq qeverisja. E vërteta është se disa ministra, ndoshta edhe të gjithë këta do të krijojnë një disiplinë pak a shumë më të mirë, apo edhe ndonjë rregull në ministritë përkatëse, por ndryshimet rrënjësore jo se jo. Për tu bërë ndryshime rrënjësore e cila do të ndikonte pozitivisht tek qytetarët do duhej bërë ndryshime në ministritë të pasura me shumë tenderë. Këtu ka qenë e gjithë ajo lëvizje e shtypit dhe qytetareve.
Në një qeveri ku përfolët se ka korrupsion dhe në disa dikastere gjenden apo faktohen nga mediet shumë shkelje procedurash, edhe pse zyrtarisht ka pas qeverisje të mirë, pikërisht në ato ministri do duhej bërë ndërrime. Por, si gjithmonë të fuqishmit mbeten të dobëtit rrëzohen, Si gjithmonë. Urojmë që tash të qeveriset më mirë!..