| E merkure, 31.03.2010, 09:30 PM |
Reshat Kripa
LULE “ MOS MË PREK “
Po shetisja në lulishte, nga zambakët i rrethuar,
Nga begonjat, trëndafilat, karafilat lulëzuar,
Nuk mendoja, nuk besoja isha, s’isha më në botë,
Isha si në një parajsë, isha në një vend pa lot.
Tek qëndroja i mahnitur, në atë botë përrallore
Ndieja zemrën të gëzonte, kënaqsinë shpirtërore,
Si pa dashur zgjata dorën, lulen pranë për të këputur,
Lule jo si gjithë të tjerat, ishte lule shumë e bukur.
Për çudi lulja seç foli, zëri saja më habiti,
Ajo më solli në botë, më hutoj dhe më goditi,
- Ik or djalë e mos më nga, se jam lule “Mos më prek“
Më e mira nga të gjitha, jam një lule, lule mbret.
Hoqa dorën turpëruar, isha sjellë si fëmi,
E vështrova lulen bukur, lulëzonte bukuri,
Atë çast seç u mendova, kësaj lule krenarinë,
Askërkush nuk mund t’ia thyejë, s’ia mposhtin dot fisnikërinë
DASHURI E PERËNDUAR
Kur ty të takova, pranë një burimi,
Mbushje ujë në krua, si muzë frymëzimi,
Syt e tu të kaltër, rreze xixëllimi,
Flokët e tu të arta, fije ngazëllimi.
Shumë u hutova, shumë u befasova,
Dhe nga buzët tua, shumë u turbullova,
Ndenja dhe vështrova , edhe për pak shkova,
Porse këmbët s’ecnin, pranë teje qëndrova.
Dorën seç ta kapa, në zemër e vura,
Ti je imja thashë, në zemër të thura,
Vargje të pamasë, në parajsë të shpura,
Ëndërr apo zhgjëndërr, para seç t’i prura.
Por ti fluturove, lart në qiell shkove,
Më helmove zemrën, shumë më lëndove,
Jetën ma shkurtove, shpirtin copëtove,
Mendjen turbullove, kohën ma ndalove.