| E marte, 30.03.2010, 09:59 PM |
Valltarët-nxënës të Shkollës Shqipe në Rottweil gjatë programit
Në Rottweil të Gjermanisë
PROGRAM I PASUR I NXËNËSVE TË SHKOLLËS SHQIPE
Nga Artan Bytyçi
Në manifestimin e kremtimit të dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe datave të rëndësishme historike të marsit, të organizuar nga Shoqëria Kulturore “Iliria” në qytetin Rottweil, më 27 mars, prezantuan mëse treqintë bashkëatdhetarë të cilët, të ngazllyer, iu bashkangjiten shënimit të përvjetorit të pavarësisë dhe shprehën gëzimin për sukseset që po arrihen në atdhe.
Këtë kremtë e shpalli të hapur Zenel Osmanaj, kryetar i SHKSH ”Ilira”, i cili uroi këtë ditë të madhe që, siç tha, do të mbetet kurdoherë njëra nga më të veçantat që diaspora, si edhe i tërë populli shqiptarë, i gëzohet dhe e feston me entusiazëm dhe kënaqësinë më të madhe.
Pas intonimit të Himnit të Kosovës dhe Himnit të Flamurit, të pranishmëve, me një fjalë rasti iu drejtua Artan Ferizaj, sekrtear i kësaj vatre kulturore i cili foli për ngjarjet e mëdha historike dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Ai veçanërisht potencoi kontributin që e dha diaspora si dhe angazhimin e kësaj pjese të kombit për të mirën e atdheut.
Në emër të nxënësve të shkollës shqipe në Rottweil, përshëndeti nxënësja Miranda Osmanaj e cila veç tjerash tha: - U uroj përvjetorin e dytë të Pavarësisë së Kosovës, me dëshirat që atdheu ynë i dashur të marshoj drejt sukseseve, zhvillimit dhe integrimeve evropiane. Sukseset që po arrihen atje ne na gëzojnë pa masë, kurse për Ju bashkëatdhetarë të dashur, që bëtë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, gjithësesi se këto suksese janë mburrje dhe se të gjithëve sëbashku na shtojnë gëzimin dhe lumturinë, tha kjo nxënëse e cila njëherish e moderoi këtë manifestim.
Në vazhdim, si dhuratë për këtë mbrëmje festive, nxënësit e Shkollës shqipe “Lidhja e Prizrenit” në Rottweil me rrethinë, sollën një program të pasur të përbërë me recitime, këngë e valle. Në fillim u recituan vargjet që përmbledhin kuptimin e motos së këtij manifestimi UNË JAM KOSOVA, UNË JAM PAVARËSIA, kurse kori i nxënësve të shkollës shqipe interpretoi disa këngë korale. Poashtu me këtë rast u recituan poezi kushtuar Pavarësisë, Atdheut, Flamurit, Lirisë, Gjuhës, Komandantit Adem Jashari, Skenderbeut, Nënës Tereze etj,, recituar nga nxënësit Dion Hasani, Rinor Osmanaj, Endrit Hajredini, Bleona Ferizaj, Erleta Panxhaj, Arta Reçica, Armend Berisha, Benit Ferizaj, Verona Dinaj, Adriana Çallaku, Belinda Gavazi, Blerina Shala, Daorsa Hasani, Dorentina dhe Doresa Hoxha, Viola Hasani, Elonora Meta etj. Me këngët e shoqëruara me tingujt e kitares, u prezantua nxënësja Linda Pestisha.
Ndërkaq, grupi i valleve të nxënësve të Shkollës Shqipe në Rottweil u paraqit me disa potpuri vallesh që entusiazmoi publikun. Veçmas u pëlqye Vallja e Pavarësisë, Vallja e Rugovës dhe Shota vallëzuar nga nxënësit Vilart Hasani, Qerim Dinaj, Florentin Sadriu, Dion Hoxha, Blerim Shala, Bleron Shala, Blerta Shala, Florie Sadriu, Melisa Zenaj, Ajlin Krasniqi, Arminda Berisha, Sara Ferati, Belinda Ferizaj, Florentina Krasniqi, Drion Panxhaj, Luan Krasniqi etj.
Për disponimin e pjesëmarrësve të këtij manifestimi u përkujdes Ansambli muzikor Vëllezërit MZIU ndërkaq, anëtarët e SHKSH “Iliria” u përkujdesën për një organizim të mrekullueshëm të kësaj kremteje shumëdimensionale.