| E marte, 30.03.2010, 09:48 PM |
UDHËVE TË JETËS
(Për librin me vjersha të Duro Mustafait)
Nga Luan Çipi
Unë brodha, askush s’më ndali
“Udhëve të jetës sime”
Ndaj them: diçka do dali,
Do ngelen ca kujtime.
Vërtetë menduar ri
Dhe rrudha ke në ballë
Se rrënjët të mbajnë gjallë.
Vështirë, sa e vështirë
Me vitet ball- përball
Për Vlorë e për Vranisht
Ke mall, oh sa ke mall.
Të rri, apo të iki
Nuk di, ku je o diell,
Se nervi shiatik
Rëndon si thes me miell.
Kujtimet në krahë mbart,
Te “Sofra e Zotit” ngule,
Një ditë dimri në fshat
Këmbëkryq me babën ule.
Është nëna, larg në Horë
Të desh, si sytë në ballë
Është qielli mbi Vlorë,
Dhe vajzat përmbi valë.
Ti nuk je vetëm Horjot,
As Vlora dot s’të mban
Se shkrove për një botë,
Për Frengj e për Kubanë,
Helenë edhe Gjermanë,
Për popujt anë e mbanë
Për Serb e Egjyptianë
Po dhe për qenin “Vranë”
Motivi më i vërtetë
Per ty ka qënë Shqipëria
Bashkim dhe unitet,
Gjithnjë, simbol liria.