Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Traboini: Simbioza a gurit

| E diele, 28.03.2010, 08:59 PM |


TRABOINI

 

SIMBIOZA E GURIT

 

kur na zë gjumi me gratë, Rozafat që fati na i ka taksur

ndjejmë ninullat që zbresin prej kalasë

me një djep druni premë prej pyjesh paganë

e lumejt e tamlit dallgëmbytun prej andrrave

harbuem si të ishin Kiri, Drini e Buna.

 

Dashnija e dhimbja e malli e halli

drita e errësina, kanga e vaji

plumbi e pëllumbi e gjarpni nën gur

flenë krye në krye nën hijen tragjike të harkadave.

 

Nuk ka pse ti ankohna as zotit as dreqit

për aluvionet që lashtësia ne bijëve të Teutës na i percjell

as për fatin që na vuni këtë rrisk biblik ne shkodranëve

të rrojmë si në legjenda

e ti mëkojmë fëmijët me tamël prej guri

edhe sot mbas dymijë vjetësh…

 

Qysh kur vumë themelet e qytetit

mbi gjinin e bardhë të një gruaje

me këtë simbiozë prej guri kemi lindun.

 

TRABOINI:" Trinia ime" Lirika 2006