Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arjola Hekurani: Bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë, Anton Nikë Berishën, rreth figurës së Nënës Tereze

| E diele, 28.03.2010, 09:33 PM |


Bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë, Anton Nikë Berishën, rreth figurës së Nënës Tereze

 

“Dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj njeriut është një: e pandarë”

 

Bisedën e bëri: Arjola Hekurani

 

Këto ditë shtëpia botuese “Argeta – LMG” e Tiranës nxori botimin e dytë të veprës poetike të Anton Nikë Berishës “Ujëvarë dritë në zemër”. 14 pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, e cila, po ashtu këto ditë, u botua italisht “Cascata di luce nel cuore” nga “Luigi Pellegrini Editore” e Kozencës.

Me këtë rast për gazetën Shqip biseduam me të rreth punës së Nënës Tereze dhe dashurisë së saj për Hyjin dhe për njerëzit.

 

Pyetje: Një pjesë të mirë të krijimtarisë suaj ia keni kushtuar figurës së madhe të Nënës Tereze, që e dëshmojnë shtatë libra. Si ju lindi interesimi për të?

 

Përgjigje: Midis të tjerash, është një fakt që heq peshë: prindërit e nënës së Nënës Tereze, Dranes, jetuan në katundin e Gramaçelit në Kosovë, që është rreth 50 kilometra larg katundit tim të lindjes Dobërdolit (Lugmirit). Bile të parët e familjes sime, shpërngulur rreth 300 vjet më parë nga Perlepi i Deçanit, Gramaçelin e kanë pasur krejt afër...

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, për disa muaj, bëra shumë punë paraprake për fillimin e hartimit të një romani kushtuar figurës së Nënës Tereze. Romani duhet të kapte një kohë shumë të shkurtër: nga çasti kur Nëna ngrihet nga karrigia e rendit të parë, në sallën e mbushur me mysafirë të lartë, dhe drejtohet tek foltorja për t’i thënë disa fjalë me rastin e pranimit të Çmimin Nobel për paqe (17 tetor 1979). Në ato pak çaste duhet të përfshihej gjithë ajo që e kishte bërë në jetën e saj deri atë ditë si dhe shumëçka nga bota shqiptare që i përkite. E kisha menduar si kohë biblike-hyjnore: disa çaste mund të nënkuptojnë me dhjetëra e qindra vite, siç dhjetëra e qindra vite mund bëjnë vetëm disa çaste.

Puna s’dha frytin e menduar, po mbeti ideja. Mbas shumë vjetësh, pasi lexova mbi tridhjetë libra kushtuar Nënës, ia hyra hartimit dhe për tri vjet pune të dendur shkrova romanin “Nëna e dritës”.

 

Pyetje: Çfarë ju shtyri t’i kushtoni kaq shumë vëmendje kësaj figure dhe çfarë zbuluat për jetën, veprimtarinë dhe shpirtin e saj?

 

Përgjigje: Disa nga penat dhe autorët e shquar botërorë, siç ka ndodhur dhe me vlerësimet e larta të personaliteteve më të njohura të shekullit kur jetoi Nëna, i kushtuan vëmendjen e tyre figurës dhe veprimit të saj, para së gjithash, për dashurinë që dëshmoi për njerëzit dhe flijimin që bëri për ta, sidomos për të varfrit e më të varfërve, për të mjerët dhe të braktisurit, pa pyetur asnjëherë se çfarë emri kishin, nga vinin dhe cila ishte feja e tyre. Kur të tjerët bën gjithë këtë punë (sipas të dhënave deri më tash janë botuar rreth 600 vepra për Nënën Tereze), atëherë ne shqiptarë, që jemi të gjakut e të gjuhës së saj, kemi shumë më tepër arsye të merremi me të e ta njohim mirëfilli. Jam i bindur se duke e njohur më thellësisht Nënën Tereze dhe punën e saj madhore, do ta njohim më mirë vetveten, botën tonë dhe do të pasurohemi shpirtërisht; do të jemi më të dobishëm për vetën tonë, për të afërmin dhe për botën që i përkasim.

Duke lexuar libra e monografi nga më të njohurat kushtuar Nënës, ku u botuan tekste, letra dhe shkrime të tjera të saj, kanë vërejtur dhe jam bindur se ajo ka qenë një figurë për shumëçka e jashtëzakonshme, me shpirt të madh, me aftësi e imagjinatë skajshmërisht të pasur; me një vetëdije të gërshetuar me dashurinë e pashembullt për tjetrin.

 

Pyetje: Cila ishte arsyeja e hartimit të romanit “Nëna e dritë”, i cili (më 2004) u shpërblye me çmimin “Hivzi Sulejmani” dhe për të cilin së shpejti botohet një vëllim me punime që autorë të ndryshëm i shkruan për të?

 

Përgjigje: Thashë se ideja për të shkruar një roman për Nënën Tereze qe e hershme. Mirëpo, jam fatlum që atëherë nuk e shkrova atë. Do të ishte diçka tjetër. Atëherë nuk e njihja punën e saj mirëfilli. Romanin “Nëna e dritës” nisa ta shkruaja kur mësova shumëçka për të, për punën e për flijimin e saj dhe për dashurinë hyjnore me të cilin i deshi njerëzit.

Qëllimi im qe: nëpërmjet një vepre artistike, në rastin konkret, nëpërmjet rrëfimit poetik romanesk, të shpalos qenësinë e shpirtit dhe të punës së saj, dashurinë dhe flijimin e pazakonshëm për njerëzit e braktisur dhe ata që vdisnin rrugëve, për të gërbulurit etj.

Me një fjalë kam synuar që ta përjetësoj artistikisht veprën dhe botën shpirtërore të saj. Përmes artit ato shqiptohen në mënyrë më thellësore, bëhen më jetëgjatë, për të mos thënë të përjetshme.

 

Pyetje: “Jeta është vetë jeta e Zotit në ne”, është vepra tjetër juaja, që për herën e parë solli në botën tonë disa tekste të Nënën Tereze në shqip. Çfarë del Nëna në këto tekste?

 

Përgjigje: Vepra që përmendni që në titull vë në dukje një qenësi, që Nëna Tereze e thoshte gjithmonë: Zoti e bën jetën në ne, përkatësisht jeta jonë është vetë jeta e Zotit në ne. (Nëna thoshte: “Zoti është brenda meje, një prani më intime sesa e marr me mend vetë”.). Kjo del nga shumë tekste të saj, edhe nga Testamenti shpirtëror.

Në botën tonë janë botuar disa vepra për Nënën Tereze; është bërë edhe ndonjë përkthim nga gjuhë të tjera të ndonjë vepre të bashkëpunëtorëve të saj. Mirëpo, kanë munguar tekstet e saj, letrat, testamenti shpirtëror dhe mendimet që Nëna i ka thënë në raste të ndryshme.

Qëllimi kryesor i hartimit dhe i botimit të librit të përmendur më lart ka qenë: të njihet Nëna Tereze nëpërmjet teksteve të saj; në tekste ajo del e tëra, pra ashtu çfarë ishte e çfarë bëri, çfarë besimi dhe dashurie të paskajshme pati për Hyjin; në tekste dalin dhe arsyet pse u flijua për të tjerët, sidomos për jetimët dhe për ata për të cilët nuk kujdesej askush. Nëna thoshte: “Nuk mund t’u japim asgjë të tjerëve nëse jeta jonë nuk është plot e përplot me dashuri të Hyjit, nëse zemrat tona nuk janë të pastra. Krishti ka thënë: ‘Lum ata që i kanë zemrat e pastra për arsye se e shohin Zotin’ (Mt 5, 8). Nëse nuk e shohim Zotin, është vështira ta duam njëri - tjetrin”.

 

Pyetje: Nëna Tereze ka lënë Testamentin shpirtëror, të cilin e keni botuar të përcjellë me një analizë të gjatë. Çka e bën të rëndësishëm atë?

 

Përgjigje: Në çastin kur Nëna ishte lodhur nga sëmundja dhe e ndjente se nuk i kishte mbetur shumë kohë të kthehej në shtëpinë e Atit, siç thoshte ajo, e pa të arsyeshme që t’u dërgonte – në formë të letrës - Testamentin shpirtëror jo vetëm motrave të rendit të Misionareve të Dashurisë, që vepronin në mbarë botën (më 1992 numri i shtëpive për të varfër e të braktisur, të atyre para vdekjes ose me të meta fizike kishte mbërritur në 500 dhe ato ishin hapur në 97 vende të ndryshme të botës), po dhe anëtarëve të degëve të tjera, të gjitha të themeluara nga Nëna Tereze, që ta vazhdojnë me ngulm punën edhe pas ndërrimit të jetës së saj. Ajo u përkujton se dashuria e palëkundur dhe e vijueshme ndaj Hyjit dhe ndaj “Kam etje”, që Jezu Krishti e shqiptoi në kryq, do t’u mundësojë që t’i afrojnë njerëzit sa më shumë tek Hyji dhe dashurinë hyjnore ta bëjnë sa më shumë pjesë të njerëzve. Në qenësinë e saj shprehja “Kam etje” nënkupton dashurinë dhe gatishmërinë për t’u flijuar për të afërmin, nënkuptonte vuajtjen.

Testamenti i saj, njëmend, është një kryevepër e mesazhit shpirtëror të një qenie që ka besuar pa kufij në Hyjin (Nëna thoshte: “Të besosh domethënë të jetosh”) dhe që gjithë jetën dhe dashurinë e saj për njerëzit e flijoi mbi bazën e Ungjillit të Gjonit ku thuhet: “Hyji është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të (Gjn 4, 11 – 16).

 

Pyetje: Një dukuri interesante është fakti se Nëna i ka shkruar një letër Krishtit, rast i rrallë në traditën e krishterë. Ju e keni përkthyer tekstin nga italishtja dhe e keni botuar. Ku qëndron vlera e kësaj letre?

 

Përggjigje: Nëna Tereze nuk ishte një grua krejt e zakonshme. Hyji kishte hyrë herët në shpirtin e saj dhe Ai e drejtoi në çdo veprim të jetës, pra ajo cilësohej me përmasën njerëzore dhe me përmasën hyjnore.

Më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë, Agneze Gonxhe Bojaxhiu përjetoi thirrjen e parë të Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, të dytën më 10 shtator 1946 në tren, duke udhëtuar për në Darjeeling, rrëzë Himalajeve të Indisë. Pas këtyre thirrjeve Nëna u njësua me botën hyjnore. Ajo kuvendoi me Krishtin; i bëri kërkesa, po dhe përmbushi gjithçka që ai kërkoi prej saj, pa u mëdyshur qoftë edhe për një çast. Vuajtjet për të përmbushur kërkesat e Birit të Hyjit, puna me të varfrit e më të varfërve, me të sëmurët, me të gërbulurit etj., kanë qenë të mëdha. Nëna ka ndjerë (nga viti 1937) një errësirë shpirtërore (për këtë dukuri kam botuar një libër studimor), mirëpo edhe në çastet të tilla të vështira të jetës së saj, ajo nuk hoqi dorë nga dashuria e pafund për Hyjin, Krishtin dhe për njeriun. Në një pjesë të kësaj letre, Nëna Tereze shkruan: “Krishti im, bëj nga unë atë që dëshiron, derisa të dëshirosh, pa asnjë kursim ndaj ndjenjave të mia dhe ndaj dhimbjes sime. Jam e jotja. Vër në shpirtin tim dhe në jetën time vuajtjet e zemrës sate. Mos u shqetëso për ndjenjat e mia, mos u shqetëso për dhimbjen time... Kënaqësia jote është e gjitha ajo që dëshiroj. Për të tjerat, të lus, të mos brengosësh as për mua, edhe pse do të më shohësh duke u venitur nga dhimbja. E gjithë kjo është vullnesa ime. Dua ta shuaj etjen tënde me secilën pikë të gjakut që kam në veten time”.

Letra është e rëndësishme për të kuptuar thellësisht shpirtin dhe veprimin e Nënës Tereze si dhe besimin dhe dashurinë për Hyjin.

 

Pyetje:“Ujëvarë drite në zemër”, është vepër poetike në vargje kushtuar Nënës e përbërë prej 14 pamjeve, siç thuhet në nëntitullin, të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiu. Cila ishte arsyeja e hartimit të saj?

Përgjigje: Atë që nuk ia dola ta them në romanin “Nëna e dritës”, po që mendoja se është e qenësishme të thuhet në një formë tjetër, por gjithnjë në mënyrë artistike, synova ta shpreh nëpërmjet 14 pamjeve të hirit hyjnor, të dritës hyjnore që e cilësoi Nënën, besimin dhe jetën e saj, siç pati ndodhur në 14 vendndalimet e Krishtit deri në kryqëzim. Përkushtimi dhe flijimi i Nënës sidomos për të varfrit e më të varfërve, njëmend, ishte një vetëflijim, një vetëkryqëzim. Gjatë rrëfimit përdora veten e parë, siç veprova dhe në roman, për të mos lejuar të thuhen fjalë të mëdha, po gjithçka t’i lihet rrëfimit, përkatësisht mesazhit poetik, që mundëson shpalimin e shtresave më thellësore të shpirtit të Nënës Tereze e të thellësisë së besimit të saj në Krijuesin e gjithëpushtetshëm. Kjo mënyrë shkrimi është tepër e vështirë, po me përparësi të mëdha për t’iu shmangur fjalëve retorike. Nëna flet vetë dhe ajo nuk mund të fliste mirë e me lavdërime për veten, siç ngjau dhe në jetën e saj: asnjëherë nuk i përdori lavdërimet dhe fjalët e mëdha. Vendin e kësaj e zë rrëfimi poetik, që thotë shumë më tepër se fjalët lavdëruese e vetëlavdëruese, që ne mendojmë se na kryejnë më shumë punë.

 

Pyetje: Ku janë arsyet që Nëna Tereze dhe motrat e saj u lutën për Shqipërinë mbi 30 vjet?

 

Përgjigje: Mjeti kryesor i jetës së Nënës Tereze, i veprimit dhe i të arritjeve të saj, ka qenë lutja. Nëna e përdori atë vijimisht; përmes lutjes dhe veprimeve konkrete, ajo i deshi njerëzit me dashurinë e Hyjit e të Birit të tij, Krishtit.

Këtë virtyt të saj – lutjen – e kanë thënë të gjitha ata që kanë bashkëpunuar ose janë takuar ndonjë herë me të. Pasardhësja e saj në drejtimin e Misionareve të Dashurisë, të themeluar nga Nëna Tereze më 7 tetor 1950 në Kalkutë të Indisë, motra Nìrmala, ka vërejtur me të drejtë: “Lutja i ka shërbyer Nënës Tereze ta përballojë varfërinë, zhgënjimin, t’i përballojë dhimbjet, vuajtjet e veta dhe të të tjerëve. Varri i saj në Shtëpinë amë në Kalkutë, ndodhet pikërisht në vendin ku ajo, e gjunjëzuar, lutej me orë të tëra, që ishte mjeti më i qenësishëm i jetës dhe i veprimit të saj. Ajo, siç dëshmojnë motrat e rendit të themeluar nga ajo, Misionaret e Dashurisë, po dhe persona të tjerë, vazhdon të jetë e pranishme në veprimet e motrave në çdo kënd të botës, ku vuajtja e kafshon mishin e njeriut”.

Nëna Tereze, i qe përkushtuar Hyjit dhe njeriut me gjithë qenien e vet, pa kursyer asgjë të jetës së vet, pa shikuar prejardhjen, racën, fenë, ngjyrën. Ajo thoshte: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri. Sa më e thellë është dashuria ime për Krishtin, aq më e thellë është dashuria për motrat e mia, aq më i madh është zelli për të shkuar drejt të varfërve”.

Mirëpo, përkundër kësaj, Nëna asnjëherë nuk e harroi Atdheun e vet, Shqipërinë, ku jetuan për shumë vjet dhe ku u varrosën nëna e saj, Dranja, dhe motra, Ag-ja, pastaj vendlindjen e vet, Shkupin, vendlindjen e Nënës së saj, Gramaçelin dhe Kishën e Letnicës në Kosovë. Për to u lut pandërprerë. Mbas shpalljen se Shqipërisë shtet i vetëm ateist, Nëna me motrat e rendit Misionaret e Dashurisë, iu lutën Zotit që t’i ketë në hirin e tij njerëzit që vuanin etje, shpirtërisht dhe materialisht. Pra, arma kryesore e saj ishte lutja e jo ndihma materiale ose ushtarake, siç e pandehu ose e tha ndonjë person i verbuar në mendja.

 

Pyetje: I keni ndjekur polemikat mbarëkombëtare në SHBA ku njoftimi se figura e Nënës Tereze do të pasqyrohej në emetimet e pullave shtetërore postare amerikane për vitin 2010. Lajmi ka hasur në mjaft kundërshtime.

 

Përgjigje: Polemikat e tilla nuk i kam përcjellë. Reagimet i çmoj me vend; sigurisht se kanë reaguar ata që e kanë njohur mirëfilli jetën dhe veprën e Nënës Tereze, e cila qe kundër zhurmës, kundër vetëlavdërimit, kundër keqpërdorimit të emrit e të punës së saj për të mbërritur ndonjë interes, ndonjë të mirë materiale e të ngjashme. Po të kishte qenë gjallë, jam i bindur se do të reagonte ashpër, siç pati reaguar kur në Kosovë, me emër të saj, u themelua shoqata për ndihmë sociale. Gjëja që e shqetësonte më së shumti Nënën ka qenë kur njerëzit, duke mos e njohur qenësinë e punës që bënte, i quanin atë dhe motrat e Misionareve të Dashurisë punëtore sociale! Nëna nuk u ka dhënë kurrë ndihma sociale njerëzve; ka vepruar krejtësisht ndryshe: i ka dashur dhe është kujdesur për njerëzit me dashurinë e Hyjit dhe pikërisht për këtë dashuri është flijuar për ta.

Me një fjalë, dashuria ndaj Zotit ka nënkuptuar për Nënën dashurinë për njeriun, ka nënkuptuar lirinë, dhembjen, flijimin, gjithçka. Këto dy dashuri për Nënën kanë qenë një: të pandara. Këtë gjë Nëna e përligji me veprim e me flijimin e saj konkret, gjë që kushtëzoi që bota e quajti NËNË.

Për ZSH: Kadri Mani