| E diele, 28.03.2010, 02:13 PM |
TOPONIMIA E DUSHKAJËS
Nga Prof. SKËNDER R. HOXHA
1. TOPONIMIA E KATUNDIT BARDHANIQ
a) Disa të dhëna dhe një historik i shkurtër i këtij vendbanimi
Katundi Bardhaniq i Dushkajës shtrihet rreth 20 kilometra në veri të Gjakovës. Bardhaniqi, për qendër administrative, arsimore e kulturore ka Gjakovën dhe përkufizohet: në veri – me malet e fshatit Maznik, në veriperëndim me territorin e katundit Dashinoc, në perëndim – me Ratishën, ( Mazniku, Dashinoci dhe Ratisha të Dushkajës, administrativisht i takojnë komunës së Deçanit); ndërsa në jugperëndim – me Rakocin (malet e Kryqit të Rakocit), në jug – me Gërgocin dhe në lindje – me territorin e Zhabelit (Rakoci, Gërgoci e Zhabeli të Dushkajës janë të komunës së Gjakovës).
Territori i vendbanimit Bardhaniq, si dhe pjesa më e madhe e tokës pjellore, shtrihet në një luginë të cilës i bie për së gjati Përroni, i cili buron në malet e lokalitetit Velikobare. Përroni shfrytëzohet për ujitjen e fushës dhe e bën atë pjellore.
Në krahun jugor, perëndimor dhe verior të fshatit, territori ka reliev kodrinor, kodra të cilat kanë formën e vargmaleve e që e rrethojnë fshatin. Kështu, fshati është në pozitë të një fushëgrope.
Pleq të këtushëm më patën thënë se Bardhaniqi është katund i moçëm dhe se gjithmonë është quajtur kështu. Gjatë lëvizjeve të popullatës që janë bërë nëpër periudha të ndryshme historike, thuhet se disa pararendës të banorëve të tashëm të Bardhaniqit dikur kishin jetuar edhe në rrethinën e Shkodrës, në vendin e quajtur Gropat e Zeza (?), e pastaj prapë ishin kthyer në trojet e tyre këtu në Bardhaniq.1)
Gjurmë të lokalitetit të vjetër janë gjetur në lagjen e Halilibishve (Neziraj), në Lugun e Rapatokut. Aty janë gjetur themele të shtëpive. Në vendin Vorret e Bardhaniqit, kanë ekzistuar themelet e një kishe të vjetër. Në vendin Kroni Kish’s, afër Gryk’s Smajlit, Te Qarri Aruqit thuhet se ka ekzistuar kisha. Aty janë gjetur monedha të bardha, por në kontakt me ajrin janë shkatërruar. Në vendin Ledina Shkodrës, aty afër janë varrezat e quajtura Vorret e Kastratve, me rrasa të mëdha.
Në dokumentet e shkruara ky vendbanim përmendet në vitin 1451, në Defterin e Rumelisë, me emrin Bardanji. Pastaj në Defterin Kadastral të Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 përmendet fshati Bardonja, që mbase është katundi i sotëm Bardhaniqi, me 10 shtëpi, 2 myslimanë e 1 beqar. Ndërsa, në vitin 1591, në Defterin e Sanxhakut të Prizrenit kishte 12 shtëpi, 3 beqarë e tri çifte.2) Siç kemi përmendur edhe më herët, ky vendbanim është i shënuar në hartat e shekujve XVI, XVII dhe XVIII kryesisht me emrin Bardagni (Bardanji) e më pak raste Bardage, Bardagi, kurse gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shek. XX Bardanik, emërtim i cili duket se rrjedh nga antroponimi Bardh.3) Me emrin Bard(h)oniq është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h.) dhe të vitit 1900 (1318 h).
Disa familje të hershme që kanë jetuar në këtë vendbanim janë shpërngulur, siç janë Kastratët të shpërngulur në Shkodër të Shqipërisë, Dodajt të shpërngulur para 300 vjetëve në Maznik të Deçanit (Dushkajë – plotësim yni) etj. Përikazi me këtë janë ruajtur edhe mikrotoponimet Vorret e Kastratve, Qarri i Aruq Dodës etj. Ndërsa banorët e sotëm disa janë ardhur nga disa vendbanime të afërta, si p.sh. Rexhepferiztë nga Çifllaku i Rahovecit, kurse familjet Mulaj ishin të vendosur këtu, por, për një kohë, kishin ikur në Shqipëri, ku edhe prapë janë kthyer, etj.4)
Vendi Qarri Aruqit është vend i njohur ku janë mbajtur shumë takime të parisë shqiptare dhe janë vendosur shumë çështje me rëndësi kombëtare.
Pas pushtimit malazias të këtyre viseve në vitin 1913, popullsia kishte pasur trysni për ndërrimin e fesë, ku kishin pësuar disa persona dhe ishin shkatërruar disa shtëpi.
SRCG (Nga RS e M të Zi):
Bubanja Vaso
Bubanja Milorad
Bubanja Milonja
Bubanja Vukman
Bracanovi? ?uro
Mojaševi? Radoje
Petrovi? Golub
Rako?evi? Živko
SRBiH (Nga RS e B dhe H):
Vukanovi? Savo
Vukanovi? Ilija
Vukanovi? Milan5)
Sipas një burimi arkivor, në periudhën prej vitit 1932-1933 në lokalitetin Bardhaniqi-Llugaxhia u kolonizuan 26 familje kolone me 116 anëtarë. Mirëpo, sipas informatorit kolonët janë vendosur kryesisht në vendin Kryqi i Rakocit, që një pjesë i takon edhe territorit të këtij fshati. Aty ishin vendosur 42 shtëpi kolonë sllavë. Kolonët janë shpërngulur në vitin 1941. Popullata shqiptare i kishte përcjellë ata. Në vitin 1947 disa kolonë janë kthyer edhe në Bardhaniq, ku kanë qëndruar deri në vitin 1972, e mëpastaj janë shpërngulur në Pejë e gjetiu.
Shumë familje nga ky vendbanim janë shpërngulur në Gjakovë, Pejë, Lugbunar, Prizren, Prishtinë etj.
Janë me interes edhe disa shënime statistikore: Në vitin 1879 Bardhaniqi kishte 15 shtëpi shqiptare; në vitin 1912 – 15 shtëpi; në vitin 1918 – 30 shtëpi me 467 banorë shqiptarë; Sipas regjistrimit të vitit 1921 – 16 shtëpi me 182 banorë; në vitin 1948 – 33 shtëpi 311 banorë; në vitin 1953 - 33 shtëpi me 319 banorë; në vitin 1961 – 49 shtëpi me 348 banorë (298 shqiptarë, 5o malazez); në vitin 1971 – 45 shtëpi me 429 banorë (420 shqiptarë, 8 malazez, 1 të tjerë); në vitin 1981 - 48 shtëpi me 462 banorë shqiptarë.6)
Për vjeljen e materioalit toponimik të territorit të Bardhaniqit, të dhënat për popullatën, si dhe shënime të tjera, për informatorë patëm pleqtë e familjes Deliaj, familje më e madhe e këtij katundi: Zeqir Deliaj (vjeç 68) dhe Jashar Deliaj (vjeç 66), kurse ndihmë të madhe na dha edhe mësuesi i kësaj familjeje, Muhamet Deliaj, i cili punon si mësues në Shkollën fillore “Ferhat Binishi” të Zhabelit.
Si pikë orientuese për shënimin toponimeve e të mikrotoponimeve morëm mikrotoponimin KRONI MRIZIT T’MADH, i cili, përafërsisht, gjendet në mes të fshatit, për të cilin thuhet se, dikur, tek ky krua, mrizonin delet e dy – tri fshatrave përreth.
b) Lënda toponimike e vjelë në terren
1. Toponimia e arave:
- ARA LLOGJ’S (j.), /Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër./
- ARA NËR UDHË (l.), /Kjo arë është nën rrugë (udhë), ndaj e quajnë kështu./
- ARAT E DAK’ BAFTISË (l.), /Sipas emrit të pronarit, e kishin marrë edhe emrin./
- ARAT E DUBUÇAKUT (vl.), /Ngase shtrihen nën toponimin Gryka e Dubuçakut, quhen kështu./
- ARAT E GARAÇ’S (j.), /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër./
- ARAT E GATA (l.). /Emrin e morën sipas formës që kanë, janë të gjata./
- ARAT E GURIN’S (vl.), /Emërtim mbi bazë të përbërjes së tokës, janë tokë gurinë.
- ARAT E FRASHNIT (l.), /Sipas drurit – Frashër, që kishte dikur aty./
- ARAT E KRONIT T’MRIZIT MADH, /Sipas mikrotop. Kroni Mrizit t’Madh që është aty afër./
- ARAT E LUGIT SHKODRËS (jl.), /Janë në Lug të Shkodrës, ndaj e morën edhe emrin./
- ARAT E M’DHA (v.), /Ngase janë të mëdha./
- ARAT E MULLINIT (l.), /Emri iu mbeti sipas rrethanës se dikur kishte qenë një mulli afër këtyre arave./
- ARAT E RAZOJIT (l.), /Nuk gjetëm të jetë ruajtur diçka në traditë të këtushme rrëth emrit të këtyre arave./
- ARAT E SHYTECIT (jl.), /Mbase emri do t’iu ketë mbetur sipas emrit të ndonjë pronari të dikurshëm – Shyt-i (Shyt-ec)./
- ARAT E TRESALL’S (vp.), /Informatorët nuk dinë pse quhen kështu (?)./
- ARAT E VELIKOBARES (p.), /Sipas lagjes që quhet Velikobare./
- ARAT E ZABENIC’S (vp.), /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër, por na thotë mendja se në këtë emërtim toponimik të jetë strukur fjala Zabel-i, sepse gjenden afër zabeleve (?)./
2. Toponimia e kodrave:
- KODRA BËRD’S (jp.), /Informatorët nuk dinë pse i ka mbetur ky emër./
- KODRA DUBUÇAKIT (v.), / Sipas toponimit Dubuçak-u që gjendet aty./
- KODRA KRONIT T’MRIZIT T’MADH (vp.), /Sipas Kronit të Mrizit të Madh, në qendër, që kjo kodër është aty afër./
- KODRA LIVADHIT T’EGËR (vl.), /Kjo kodër gjendet mbi top. Livadhet e Egra, ndaj i mbeti ky emër./
- KODRA LUGIT BAL’S (jp.), /Sipas Lugut të Balës/
- KODRA RADILLAZIT (v.), /Thonë se emri i mbeti sipas një Rad Llazit të dikurshëm, por kujtoj se këtu mund të jetë strukur fjala l l a z, për vend i çelur, r r a h, (?)./
- KODRA VELIKOBARES (p.), /Na duket nga sllavishtja: b a r e = vend me këneta, kënetishtë, ku vërtet territori i lagjes Velikobare është me këneta, e llofka, siç i quajnë këtu, në të cilat theksohet bima barishtore shevari (këtu: Shavari)./
- KODRA ZLLATIC’S (j.), /Emri i këtij mikrotop. mbase është sajuar sipas një lloj bime – Z l l a t i c a, fjalë me përardhje sllave (?)./
- RROSKOBËRD (jl.), /Informatorët nuk e dinë pse i mbeti ky emër./
- SHPATI LLOGJ’S (jp.), /Nuk jemi të sigurt se a mos në fj. L l o g j ë të këtij mikrotop. të jetë shumësi i fj. l u g-u, (?)./
3. Toponimia e krojeve:
- KRONI BARDHË (j.), /Uji i këtij kroi duket si i bardhë, ndaj e mori këtë emër. Ky krua gjendet në Grykë të Garaçës./
- KRONI DAK’ BAFTISË (jl.), /Sipas emrit të pronarit të tokave ku gjendet ky krua./
- KRONI DUBUÇAKIT (vl.), /Sipas lugut dhe kroit me këtë emër./
- KRONI KATUNIT (jl.), /E quajnë kështu ngase dikr në këtë krua kishin marrë ujë i tërë katundi./
- KRONI LUGIT ALISË (j.), /Gjendet në mikrotop. Lugi Alisë, ndaj quhet kështu./
- KRONI LUGIT VELIKOBARES (p.), /Sipas Lugut të Velikobares e mori emrin edhe kroi./
- KRONI MRIZIT MADH, /Mikrotoponim që e morëm si pikë orientuese, përafërsisht është në qendër të fshatit, i cili e kishtë marrë emrin sipas rrethanës se ishte mriz i madh. M r i z-i = vend hijesinë për t’u freskuar bagëtia gjatë verës./
- KRONI NEL HAXHISË (vl), /Sipas këtij pronari të dikurshëm./
- KRONI PREK’S (p.), /Sipas Prekës që do të ketë qenë pronar apo do ta ketë hapur këtë krua./
- KRONI RAPATOKIT (j.), /Gjendet në mikrotop. Gryka Rapatokit. Për fjalën Rapatok nuk gjetëm diçka në traditë të këtushme. Na thotë mendja se mund të jetë fjala për antroponim R a p apo R r a p (?)./
- KRONI SHYTECIT (jl), /Gjendet në mikrotop. Shytec, ndaj edhe kroi quhet kështu. Mbase sipas ndonjë pronari të dikurshëm me emrin S h y t-i./
- KRONI TAHIR PESHKIT (vp.), /Sipas emrit e mbiemrit të këtij pronari./
- KRONI VORREVE (j.), /Ky krua gjendet në afërsi të varrezave të Bardhaniqit, ndaj e quajnë kështu./
4. Toponimia e lagjeve:
- MAHALLA GARAÇ’S (l.), /Emrin e mori sipas Grykës së Garaçës që është aty afër./
- MAHALLA POSHTËR (l.), /Ngase është në krahun e poshtëm të katundit./
- MAHALLA SHYTECIT (l.), /Kjo lagje ndodhet në fund të Grykës së Shytecit, ndaj e mori këtë emër./
- MAHALLA VELIKOBARES (p.), /Kjo lagje është në Grykë të Velikobares, prej nga edhe e mori emrin. Në traditë të katundeve përreth Velikobarja njihet edhe si katund në vete, ndërsa në administratë është lagje e Bardhaniqit./
5. Toponimia e lëndinave:
- LEDINA BËRD’S (j.), /Mbase nga sll. b r d o = breg, kodër ?./
- LEDINA KASTRATIT (jl.), /Informatorët nuk dinë pse kjo lëndinë quhet kështu, por shihet se është emërtim i sajuar sipas fisit Kastrat që do të kenë jetuar këtu në një kohë, apo mund të lidhet ndonjë ngjarje të ndonjë pjesëtari të këtij fisi në këtë lëndinë (?)./
- LEDINA LUGIT ALISË (j.), /Është në Lug të Alisë, ndaj e quajnë kështu./
- LEDINA MRIZIT (jp.), /Kjo lëndinë gjendet afër Kronit të Mrizit të Madh, ku dikur i kanë mrizuar delet./
- LEDINA ZLLATIC’S (jl.), /Sikundër edhe disa mikritop. të tjera të këtij lokalitefi në të cilat është ngurosur fj. z l l a t i c ë./
6. Toponimia e livadheve:
- ARAT E GATA (l.), /Këto livadhe, janë të gjata dhe dikur kanë qenë ara, ndaj iu mbeti ky emër./
- ARAT NËR SHPI (l), /Emri iu mbeti sipas rrethanës se dikur kanë qenë ara dhe shtrihen në anën e poshtme të shtëpive./
- LIVADHET E EGRA (vl.), /Sipas do barërave të këqija që dalin në këto livadhe i quajnë kështu. Pra, nga barëra të egra./
- LIVADHET E FRASHNËS (l.), /Emërtim i sajuar mbi bazë të emrit të F r a s h n i i, lloj druri, që ka aty./
- LIVADHET E RAZOJIT (l.), /Informatorët nuk dinë pse i quajnë kështu./
- LIVADHET E RRETHIJEVE (j.), /Këto livadhe gjenden në anën jugore të Kronit të Mrizit dhe kanë formën rrethore, ndaj e morën këtë emër./
- LIVADHET E SHYTECIT (jl.), /Mbase nga një antroponim i dikurshëm S h y t, Shyt + prapashtesa zvogëluese –ec./
- LIVADHET E VELIKOBARES (p.), /Këto livadhe shtrihen kah lagjja Velikobare, prej nga e morën edhe emrin, e vazhdojnë deri në fshatin Dashinoc të Dushkajës./
- LIVADHET E ZABENIC’S (v.), /Na duket se në pjesën e dytë – zabenicë, të këtij toponimi, të jetë strukur fjala zabel, për mal me drurë të mëdhenj, me ndryshim fonetik në rrokjen e dytë të fjalës. Së këndejmi -Zabel – nicë./
- LIVADHI ATAVAVE (l.), /Livadhe pjellore, e bëjnë edhe atavën – bar që kositet pas sanës, prej nga e morën edhe emrin./
- LIVADHI KRONIT (jl.), /Dikur kishte qenë një krua në këtë livadh, ndaj i kishte mbetur ky emër./
- LIVADHI XUF’S (l.), /Sipas emrit të kësaj pronareje të dikurshme./
- RRETHI AVDI REXHEPIT (l.), /Sipas pronarit të dikurshëm i kishte mbetur emri./
7. Toponimia e lugjeve:
- GRYKA AR’S MADHE (v.), /Ky lug (grykë) shtrihet mbi Arat e Mëdha./
- GRYKA ARIFIT (vl.), /Emri i mbeti sipas një Arifi të dikurshëm./
- GRYKA DUBUÇAKIT MADH (vl.), /Sipas top. Dubuçak-u …/
- GRYKA DUBUÇAKIT VOGËL (vl.),/Sipas Dubuçak-ut./
- GRYKA RRAHIT (vl.), /Nga r r a h – vend i çelur, i kanë çelur aty matet e dikurshme./
- GRYKAT E DK’S (jl.), /Sipas emrit të pronarit – Dakë./
- GRYKA ZABENIC’S (v), /Shih në mikrotop. e tjera që kanë në ndërtim fj. zabenicë./
- LUGI ALISË (j.), /Sipas këtij pronari të dikurshëm./
- LUGI BAL’S (jp.), /Sipas një Balës së dikurshëm i mbeti emri këtij mikrotop./
- LUGI GARAQ’S (j.), /Si emërtimet tjera që kanë në përberje fj. Garaqë./
- LUGI LIVADHEV T’EGRA (vl.), /Sipas Livadheve të Egra që shtrihen aty, e mori emrin edhe lugu./
- LUGI LUGATIT (p.), /Emri i mbeti mbi baz të bestytnive të dikurshme, gjoja se në këtë lug kishte lugetër./
- LUGI MRIZIT (v.), /Sipas mikrotop. Mrizi dhe Kroni Mrizit tq cilat gjenden aty./
- LUGI RAPATOKIT (j.), /Shih edhe mikrotop. tjera të ndërtuara me fj. Rapatok./
- LUGI SHKODRËS (jl.), /Mikrotop. i sajuar mbi bazë të rrethanës se dikur këtu kishte jetuar një shkodran./
- LUGI SHYTECIT (jl.), /Sipas antrop. Shyt (?)./
- LUGI VELIKOBARES (p.), /Sipas Velikobares./
- LUGI VORREVE (v.), /Afër këtij lugu gjenden varrezat e katundit Bardhaniq, ndaj edhe lugun e quajnë kështu./
- LUGJET E AMANIT (vp.), /Sipas bimës barishtore a m a n, që del në këto lugje, iu mbeti emri një kompleksi si lugje të vogla./
8. Toponimia e maleve:
- MALET E AMANIT (p.), /Emri iu kishte mbetur sipas emrit të bimës – aman./
- MALET E DUBUÇAKIT (vl.), /Sipas emërtimit Dubuçak-u./
- MALET E GARAÇ’S (j.), /Informatorët nuk dinë psë iu mbeti ky emër./
- MALET E LUGIT ALISË(j.), /Sipas një Aliut të dikurshëm, mbase pronar./
- MALET E LUGIT BAL’S (jp), /Emërtim toponimik që lidhet me antrop. Balë./
- MALET E LUGIT VORREVE (v.), /Janë male në Lug të Vorreve, ndaj e morën këtë emër./
- MALET E RAPATOKIT (j.), /Në traditë nuk është rruajtur diçka rreth fj. Rapatok, ndaj, hëpërhë mbetët emërtim me prejardhje te diskutueshme (?)./
- MALET E RRAFSHIT KRYARAV (v.), /Shtrihen si vargmale kah pjesa e sipërme e arave. Në këto male është një rrugë që ndan territorin e Bardhaniqit nga territori i Maznikut të Dushkajës./
- MALET E RRETHIT T’QARRIT URUÇIT (jl.),/Këto male janë përreth një lisi të moçëm që quhej Qarri Uruçit, ndaj i quajnë kështu./
- MALET E SHYTECIT (jl.), /Sipas Shytecit./
- MALET E VELIKOBARES (p.), /Sipas vendbanimit Velikobare, e mori emrin edhe
- MALET E ZABENIC’S (v.), /Sipas fj. Zabenicë që është pjesë e disa emërtimeve toponimike të territorit të Bardhaniqit./
9. Toponimia e rrugëve:
- RRUGA BËRD’S (j.), /Si emërtimet e tjera të këtushme të ndërtuara me fj. bërd./
- RRUGA BISHTËJK’S (j.), /Rrugë që ndahet nga Rruga e Katunit, në jug dhe shkon kah veriu për në katundin Maznik. Është sajuar nga fj. shqipe bisht-i. /
- RRUGA DASHINOCIT (vp.), /Kjo rrugë lidh me katundin Dashinoc, ndaj e quajnë kështu.
- RRUGA KATUNIT (j.), /Rrugë që bie përmes katundit, nëpër Ledinën e Bërdave dhe lidh Bardhaniqin me katundet Rakoc, Ratishë etj./
- RRUGA LUGIT AMANIT (vp.), /Ngase bie nëpër mikrotop. Lugi Amanit./
- RRUGA LUGIT SHKODRËS (jl.), /Sipas emërtimit Lugi Shkodrës, e kjo rrugë bie andej./
- RRUGA SHKOLL’S (l.), /Rrugë që çon te shkolla (quhet shkolla e Zhabelit, por thonë se është në territor të Bardhaniqit), ndaj e quajnë kështu./
- RRUGA ZALLIT (j.), /Kjo rrugë lidh me Gërgocin, në këtë krah. Sipas zallit që ka, e quajnë kështu./
- UDHA LLOGJNËS (jp.), /Shih edhe mikrotop. e tjera të ndërtuara me fj. llogjë./
- UDHA MRIZIT (jp.), /Rrugë që nga mikrotop. Mrizi, lidh me fshatin Rakoc të Dushkajës./
- UDHA MRIZIT (v.), /Edhe kjo rrugë bashkohet me rrugën tjetër mbi mikrotop. Mrizi, prej nga edhe i morën emrat, por kjo shkon kah veriu i katundit./
10. Toponimia e ujërave:
- PRRONI (p – j.), /Ky Përrua gjarpëron luginës në drejtim perëndim – jug dhe i bie përmes fushës së fshatit dhe rrjedh në drejtim të lindjes. Buron në grykën e Velikobares, duke u formuar nga burimet: Kroni Prëk’s, Kroni Velikobares, Kroni Mrizit, Kroni Lugit Alisë, e ndonjë burim tjetër, ku formohet një si prroskë e për t’u bërë përrua gjatë rrjedhës së tij. Bardhaniqasit, kryesisht, e shfrytëzojnë këtë përrua për ujitjen e fushave, për amvisëri dhe për nevoja të tjera./
- PRROCKA DAK’S (jl.), /Bie nëpr fushav të Dakës, ndaj e quajnë kështu./
- PRROCKA DUBUÇAKIT (vl), /Sipas Dubuçakut, bie nëpër Lug të Dubuçakut./
- PRROCKA GARAÇ’S (j.), /Sipas rrethanës që kjo prroskë bie nëpër Lug të Garaçës./
- PRROCKA LUGIT ALISË (j.), /Bie nëpër Lug të Alisë, ndaj e mori edhe emrin./
- PRROCKA RAPATOKIT (j,), /Sipas Rapatokit…/
- PRROCKA SHYTECIT (jl.), /Sipas Lugut të Shytecit që bie nëpër të./
Të gjitha prroskat, kur kanë ujë, derdhën në Përrua.
11. Toponimia e varreve:
- VORRET E KASTRATVE (jl.), /Informatorët thonë se këto varre janë shumë të moçme dhe se tash nuk varrosin në to.
- VORRET E KAURRIVE (v.), /Kështu i quajnë varret në të cilat varrosen katolikët e Velikobares. Fjala kaurr-i, me të cilën i kanë quajtur pjesëtarët e konfesionit katolikë, është përdorur si fjalë përbuzëse. Kjo fjalë tash nuk dëgjohet të përdoret nëpër Dushkajë./
- VORRET E ZLLATIC’S (jl.), /Janë varrezat e Bardhaniqit, ku i varrosin pjesëtarët e konfesionit mysliman. Quhen kështu sipas toponimit Zllaticë./
12. Toponime të veçanta:
- AHISHTA DUBUÇAKIT (vl.), /Mal me aha (Ah-u, lloj druri), në toponimin Dubuçak-u të territorit të Bardhaniqit./
- BATALLAKI ARIF IDRIZIT (jl.), /Batall, vend batall etj. = vend i papunuar, djerinë. Pra, tokë djerrinë e këtij pronari./
- BLINI SYL’ BAFTISË (jl.), /Një Bli (lloj druri) i moçëm, buzë rrugës, afër shtëpive të baftive të Bardhaniqit (katolikë) dhe pronë e tyre./
- DARDHA E THATË (l.), /Një dardhë (lloj peme) e tharë e cila gjendet në mes të Arave të Gata, ku edhe sot e kësaj dite ruhet dhe afër saj pushojnë bujqit e këtij fshati./
- FRASHNI MOÇËM (l.), /Frashër –i = lloj druri. Është fjala këtu për një lis të moçëm Frashëri, ku sipas tij morën emrin edhe disa mikrotop. të këtushme, si: Ara Frashnit, Livadhi Frashnit./
- KAMSORJA E GRYK’S ARIFIT (v.), /Një këmbësor (rrugicë) që bie nëpër mikrotop. Gryka e Arifit./
- LISAT E VORREVE T’ZLLATIC’S (jl.), /Janë lisa të mëdhenj përreth varrezave të katundit, të cilët i përdorin për t’i punuar dërrasat e varreve./
- LLOGORI MEHMET ALI POZHARIT (vp.), /Është një gropë e madhe, për të cilën në traditë të Bardhaniqit ruhet edhe legjenda: - Thuhet se dikur Reka, (krahinëz fqinje me Dushkajën), katunde të komunës së Deçanit, bajshin dam në male të këtij territory. Një ditë dalin bardhaniqasit e i njekin Rekën dhe ua rrahin rrogëtarët e tyne. Ni ditë tjetër përgaditen disa mashkuj të Rekës e binë në Dushkajë, afër Bardhaniqit, me ba mejdan me ta. Për kët punë paska pas ni Mehmet Ali Pozhari (pej Pozharit), i cili i hip kalit e shkon n”Vranoc (katund i komunës së Pejës), ku e merr Ali Bajraktarin e bashk me të shkojnë te Keqan Sadiki n’Dashinoc (Katund i Dushkajës, afër Bardhaniqit) me qëllim që ta rregullojnë këtë konflikt. Kryeplaku, Mehmet Ali Pozhari, e paska pas vu nji shej, si kufi, në afërsi të Bardhaniqit, ku sot asht ajo gropë e madhe, ku kish thanë se prej atij vendi e teposhtë Reka nuk kanë ma më ra në male të Dushkajës…, e pej at’her’ asht metë ajo grop, si llogor… (na patën treguar informatorët në Bardhaniq)./
- MULLINI N’MAHALLË T’SHYTECIT (l.), /Mulli i moçën në Mahallë të Shytecit./
- NALLOGA DAK’ BAFTISË (l.), /Nalloigë në Përrua, në prona të Dakë Baftisë./
- NALLOGA RAM’ HALILIT (p.), /Nallogë, në prona të këtij pronari./
- NALLOGA REXHEP FERIZIT (l.), /Nallogë, për teë ujitur fushat e këtij pronari, prej nga edhe u emërtua ky mikrotoponim./
- NALLOGA VELIKOBARES (p.), /Nallogë në Përrua, për të ujitur fushat e Velikobares./
- NALLOGA VORREVE (l.), /Nallogë në afërsi të Vorreve të Kaurrive./
- PLEPI GATË (j.), /Kishte qenë dikur një plep (lloj druri) i gjatë dhe aty tuboheshin fshatarët për festa të ndryshme./
- PODI GARAÇ’S (jl.), /Urë (këtu i quajnë edhe pod-i) mbi Prrockë të Garaçës./
- PODI SHKOLL’S (l.), /Kështu e quajnë urën mbi Përrua e cila gjendet në afërsi të Shkollës Fillore të Zhabelit./
- PODI SHYTECIT (jl.), /Është kjo urë mbi Prrockë të Shytecit./
- QARRI URUÇIT (jl.), /Ishte një lis i madh dhe shumë i moçëm, në malet e Dakës. Emri i kishte mbetur sipas një pronari të dikurshëm, Uruç Doda./
- QURRSHIJA GATË (j.), /Një qershi (lloj peme drunore frutore) e gjatë, e cila gjendet në Ledinë të Bërdave./
- QURRSHIJAT E LUGIT SHKODRËS (jl.), /Dfisa qershi të njohura që gjenden në mikrotop. Lugi Shkodrës./
- RRAHI NELIT (vl.), /Tokë e çelur, dikur kishte qenë mal, e këtij pronari./
- RRUGA BAJRAKIT (j.), /Thuhet se në këtë rrugë, dikur, ishin vrarë në mes vete dy palë krushq (dasmorë)./
- RRUGA CUNGAVE (j.), /Emri i mbeti sipas cungave që ka në këtë rrugicë./
- SHKOLLA (vl.). /Shkolla Fillore e Zhabelit, por gjendet në territory të Bardhaniqit./
- SHTEKI ZHAGUL’S (vp.), /Një shtek, në një rrugicë
- TRAFOSTACIONI (l.), /Trafoja e rrymës elektrike të katundit./
- URA BISHTËJK’S (l.), /Sipas emrit të rrugës, Rruga Bishtëjk’s./
- URA MRIZIT (p.), /Urë mbi Përrua, afër mikrotop. Mrizi, ndaj e quajnë kështu./
- VOJSA E RRAFSHIT KRYARAVE (vl.), /Një Vojs:ë-a, lloj peme, shumë e moçme, që gjendet në mikrotop. Rrafshi Kryarave./
- ZABELI LUGIT SHKODRËS (jl.), /Zabel në Lug të Shkodrës./
- ZABELI VORREV T’KAURRIVE (v.), /Zabel afër mikrotop. Vorret e Kaurrive./
PS.: Ky venbanim para agresorit serb në vitin 1989-99 kishte 49 shtëpi me rreth 500 banorë shqiptarë. Agresori serb dogji të gjitha shtëpitë, objektet ekonomike dhe ato ndihmëse. Janë vrarë 7 banorë të fshatit, nga të cilët 4 dëshmorë. Janë djegur edhe 4 kulla të njohura të këtij fshati, shkolla e fshatit etj. Popullata ishte dëbuar nga fshati. Disa ishin strehuar, këtu afër, në Lug të Dubuçakut, disa kishin ikur në Shqipëri, e disa në Mal të Zi. Në fshatin e afërt Zhabel ishte Spitali i UÇK-së, ndërsa këtu ishte Shtabi për këtë lokalitet.7)
Fusnotat:
1) Të dhëna të mbledha në terren kur isha për vizitë pune në këtë fshat (në vitin 1976), ku për informatorë pata pleqtë: Zeqir D e l i a j (vjeç 68), Jashar D e l i a j (vjeç 66) dhe Muhamet D e l i a j (vjeç 27), mësues, i kësaj familjeje.
2) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës, Gjakova, 14 (më tej: Dr. J. O s m a n i, vep.cit.,…,), Prishtinë,
3) Dr. Muharrem C ë r r a b r e g u, Geo dhe hartolinguistika – Hartografia II, Prishtinë, 1990, f. 201.
4) Shënime të mbledha nga Dr. J. O s m a n i, vep. cit., …, f. 94.
5) Dr. Milovan O b r a d o v i ?, Agrarna Reforma i kolonizacija na Kosovu (1918 – 1941), (më tej: Agrarna Reforma,…,)Priština, 1981, f. 326.
6) Dr. J. O s m a n i, vep.cit.,…, f. 94, 95. (Shih atje burimet në fusnotat: 9, 10.)
7) Të dhëna të mbledha nga Dr. J. O s m a n i, shih: vep.cit.,…, f. 95.