| E diele, 28.03.2010, 02:11 PM |
Ziko Ll. Kapurani
ZILE PRANVERE
Vesa e Majit
E ndrojtur Majin mbi supe
Me mollza të buta e puth,
E bukur nga retë zbret nuse,
Të dalim sokakëve krushq.
Më shumë se grimcat e arit,
E ndritur kudo derdh hiret
Se ç'fjalë flori i thotë barit
Që si grua i kërcejnë gjiret.
Nga furka drite tirret e hollë,
E urtë nënqeshjeve zgjatur.
Malli im një copë Maji qoftë
Me shoshitje vese spërkatur.
Moj pranverë
(motiv popullor)
Moj pranverë trazavaçe,
Bredharakia syrrëmbyer!
Pas një bregu Diellin mbajte
Veç me një shikim këmbyer.
Moj manarja xanxarake,
Syrin çeljes të kam shtënë,
Flladin të ta marr pasdarke,
Për një fjalë të pathënë.
Ledi që s'të mbledh limeri,
Të të pres në rrugë më le!
Eja moj, më hap pak qiellin
Se kaliva nuk më nxe!
Dita e Verës
Përmbi muzgje, fshatit sipër,
Nën ritme zile dhe këmbore,
Fustane flakësh gjithë qibër,
Dredhin valle zënë për dore.
Qiellin nxin tym' i dëllinjës,
Me kërcitje ngrejnë fshatin,
Thumba për nazet e fqinjës,
Dhe për zonjën që shan djalin.
Duket sot janë kundërshtarë,
Myslimanë me të krishterë,
Askush morrat s'do t'i marrë,
Pleshtat mbetën nëpër erë.
Nuk është gjë, veç një shaka,
Të gënjejnë gjethen e ferrës...
Puthem unë me gjithë ata
Dhe vërtet vjen Dit' e Verës.
Një të Dielë
Në më kërkofshi të Dielën miq,
Mos bridhni kafeneve të qytetit.
Me ca luleshtrydhe shpatit do pi,
Hijen dardanë pyllit të bredhit.
E lini veturën diku anës Skërkës,
Dhe ngisni lehtë një rrugë dhish,
Ketra sytrembur në ju panë vëngër,
U premtoni se do vini sërish.
Nga ca shkurre do të ruheni pak,
Ju fshikin nga turinjtë, ju çjerrin.
Mos u nxehni se ahishta ju tall,
Dhe halat nga lart ju përmjerrin.
Pak më thellë hapet një lëndinë,
Një koncert jeshil me guguçe.
Ku unë një gazetë bëj klarinë,
Qykapiku tase xhezi ca trungje.
Do më gjeni çakërqef, të dehur,
Me një degë panje në vallzim,
Mos më vini një re kokës kapele,
Damën e kam veç për qefin tim.
Ka dhe për ju zonjushe syjeshile,
Dhe ahengu shkon orëve të vonta...
Veç i lini, mos merni me vehte hile,
Se nderi këtu virgjëron akoma.
Pranvera ime
Në Tetotin tim me brymë çairit,
Ndajnetët e Majit mbledh klloçkë.
Zemra më del nga fryma e shpirtit,
T'ua hedh përsipër të ngrohtë.
Me akorde kitare ndjell një vashë,
Diellin me një këngë për nënoken.
Dhe mbeta xanxari që s'do shalë,
Që përtyp një pelushe me jonxhen.
Krehur, veshur king, pa një rudhë,
Ndiqja rritje gjinjsh me hap çapkën.
...Tani jam Djalli me brirë, që në udhë,
Del e shan botën, që për gjë nuk bën.
Zile me verore
Në prehrin tënd vij sonte, Shqipëri,
Me buzë zhuritur prej mallit tënd.
Një leckë të lagur, u shko siç di ti,
Se pa hile veç tek ty kam një vënd.
Duart i kam plot, xhepa e sqetullore,
I gjithi jam kthyer për ty në poezi.
Të të varem në qafë zile me verore,
Pranverën të tund për ty, Shqipëri!
Bisedë me të dashurën
Ti del si të jesh bijë ministri,
Bashkëlshortja e një burri firmë...
Po yt atë të rriti me kothere misri,
Me emrin re unë mbi shpinë.
Një mushkë kuqelleshë kish ai,
Unë më këmbë haja zall e mall.
Se hipe në veturë personale tani,
Mos më shaj, zonjë, ku s'mbaj!
Më shaj rrënjë e degë, po deshe,
Me nënë e babë, po deshe, më shaj!
Veç baltën, që më riti me derte,
Para se të flasësh, gojën e laj!
Për punë
Vetura, motorrë, zhurmë,
Tym që frenon në fanarë,
U sulem, u lutem për punë,
Ha nënqeshje me të sharë.
Kthehem prapë në brenga,
Me qenër të braktisur flas.
Një polic më shtie me shkelma,
Një prift që çoç do nga pas.
Në djall vafshin të gjitha,
Me një vejushe greke e gjej.
I futem nën minin dy gishta
Dhe kokën prapa s'e kthej.
Kthim në fshat
Kumblla e egër ngarkuar degët,
Me lule të bardha më buzëqesh,
Aromën nuse më futin në zemër,
Prillin si hajdut ta marr në xhep.
Gardhi i shkozës grind i krrusur,
Ngërçin që s'e le të dalë tek çipi,
Jo për shumë, për një të puthur,
Ku t'i dalë nga trupi vetë shpirti.
Atje e fsheha të bijën e Vangjelit,
Një mbrëmje me hënë, ish Prill,
Zonjë e bëra kur gjethi sapo çeli,
Me dëshmimtar dëmi një tërfil.
Aneja nallane zvarrë del në rrugë,
Njësh me tokën, sylagur vesëloti.
Ah, sa më plake, fshati im i gurtë,
Me mjekrën tënde gjeth laboti...
Poezitë janë marrë nga libri "Dashuritë e mia."