| E shtune, 27.03.2010, 03:00 PM |
NËPËR DRITËHIJEZIMET E JETËS
(Cikël poetik nga Jorgo S. TELO)
1.UJËVARAT E FIKSIMEVE TË MOSHËS
Përherë më shkarrëzehen përsysh
ujëvara mbresash,
ujëvara bëmash,
ujëvara fytyrash,
ujëvara karakteresh,
ujëvara vlerash
                          e antivlerash 
ujëvara flokësh, 
ujëvara ndjenjash
                           e fjalësh.
Jo se i përmbledh unë 
                           me zor e përdhunë
I përmbledh mosha me tekat
                                     e fiksimet e veta
Zbresin ato të papërmbajtura
si adoleshentet 
                           prej shkallësh.
Herë ledhatare e ëmbëlshore
Herë të ngrysura dhe lënguese
Herë me ftohtësi bore…
Përmbajnë ujëvarat brenda rrymës
tërësinë e viteve të mia, 
të papërfshira 
nga ylberësia.
Më së shpeshti përshfaqen 
me ngut të pamotivuar. 
Turren vrulltas 
mbi vetullat 
e përmbi qerpikët e mi 
                           të moshuar.
Përmbajnë ato në vetvete 
 tërë torbën e plotuar
       me më të ëndshmet përjetime
Me mallin për vendlindje
 Me pasionin për dije,
Me xhelozinë për rininë
                           e tejshkuar
përzier me dhimbjet
                       dhe çdo etje,
ku janë  endur dhe enden:
Mbijetimi i jetës, njohja e botës, përjetësia…
enden ende mbi ballin e latuar
                          e përmbi flokët e thinjuar; 
homazhe të njëpasnjëshme duke përcjellë…
Vendin e merituar 
                              të nderit 
ua lë më të privilegjuarve
 që kam brenda shpirtit.
Vetëm emrin
                   dhe kujtimët e mira 
ruaj me fanatizëm
                        për ata/ato…
Nuk na lë perdja
             prej guri e balte 
                      t’i shohim e të na shikojnë.
Në kupolë të hapësirave ndjenjësore,
 që zemrën kanë për seli;
Përshfaqet ballëlartë
Hyjnesha e mendimit,
respektit e nderimit
virtyteve, ëndrrave dhe shpresave 
mbi të cilat qëndron gjithësia:
Në piedestal të ndjesive të mia
 në çdo fytyrë viti
Përballja e maktheve të jetës,
Sa më tepër hovëzime shpirti…
Mirënjohja,
              mirësia,
                         DASHURIA.
2.HUTESË             
Dikur...
I zgjata duart;
dritën e vezullimtë
të syve të tu
ta rrëmbeja...
Mbeta i hutuar, 
i hutuar në rrugën drejt dritës.
3. TË  JETOSH
Të  jetosh;
a  s’do të  thotë,
të  mëtosh për dëshira?…
Të  jetosh;
a  s’do  të  thotë:
të  duash  ajrin,
të  duash  qiellin,
të  duash  mbitokën
dhe  detet  e  kaltër?
Të  jetosh;
a  s’do  të  thotë,
të  sfidosh
errësirën, ligjet gjysmake, kopracinë shtetërore?...
Të  jetosh;
por, ama,
pa  u  përgojuar  për  keq...
Të  jetosh;
por,ama,
pa  hedhur  valle  me  dreqër!...
Si t’ua vrasim nepset myteberëve;
Jetojnë ata/ato,
Ushqehen
Me dhimbjen e të tjerëve…
4.S’MUND!...
Arëza, grenza rrotull  më  vijnë
Përsysh më vërdallosen
sikur  t’i  kem  lyer qerpikët
me  mjaltë.
Ndërkohë  më  qerthullon
një  e  padurueshme  etje,
një  etje e pafund...
Izolimi  po  më  shkund...
Mes  arëzash  e  grenzash…
Të jetosh.
O jetë e kërcënuar1
O arkitekturë bosh!
5. SA   TURP!
Nuk e  mbyll portën  nga  brenda.
S’i  dihet, ç’ngjet...
Mundet  të  harrojë  punën e  vet
z e m r a,
kur s’e pret...  
Sa  turp, të  të  shkallmojnë  dritare  e  portë!
E  trupin 
të  ta  gjejnë të  ftohtë!..
Turp e tmerr.
Kotmëkot
të gjallët e kredh në sherr…
6. MUZGJET
Mundet  po  ecim
në  shtigje
muzgjesh
të  plagosura.
Të  mos  habitemi,
pse  na  përzhiten
qepallat  e  pluhurosura.
Habitshëm
s’ka  pse  t’i  hapim  krahët
anë  më  anë.
Muzgjet  e tanishëm
Peshkaqenë  janë...
Na  brejnë kockat,
Shpirtin.
Të mashtruar 
nga vitet që ikin…
7. SA   TURP!
Nuk e  mbyll portën  nga  brenda.
S’i  dihet, ç’ngjet...
Mundet  të  harrojë  punën e  vet
z e m r a,
kur s’e pret...  
Sa  turp, të  të  shkallmojnë  dritare  e  portë!
E  trupin 
të  ta  gjejnë të  ftohtë!..
Turp e tmerr.
Kotmëkot
të gjallët e kredh në sherr…
8. SIRENAT
Çdo   njëzetekatërorsh
“Telegrame” më  vijnë
prej  “Botës  Tjetër”...
Kërkohet  me  ngulm,
të  bëhem   “pjesëtar”  i  Saj...
E  zemra  s’më  ndien  të  qetë.
E  shpirti...
herë  më  bën  të  qesh,
herë  më  bën  të  qaj.
9. ÇAPITEM
Dha urdhër Fati:
Çantë e bastun në njërën dorë t’i mbaj.
Shpirtin e ndezur – brenda vetes.
Eci kërmillthi… shkel mbi trotuar.
Eci përmbi kohë e ngjarje
drejt jetës, drejt vdekjes.
Çapitem.
Ç…a…p…i…t…e…m…
Dikujt i largohem.
Dikujt i avitem.
10. KOMBËTARE
U përplasën shekujt mbi  ne…
Trysnitë na e rregjën lëkurën.
Jemi më historipasurit mbi dhe:
Edhe si fitues…edhe si humbës…
11.ORËT E JETËS
Vetë njeriu 
krijesa më sipërore e natyrës 
mbetet.
Thuhet që e krijoi Hyjniu…
Tani riprodhon vetveten…
Jam përpjekur, 
këmbëngul vazhdimisht:
Tek njeriu 
orët e jetës
 të tiktakojnë  mrekullisht.
12.  TA GJEJ VETEN
Kam kërkuar, kërkoj vijimisht:
Ta gjej veten në botën e paFUND;
Në ç’pikë ndodhem?
A jam i dobishëm?
A mos, vallë, në një “hiç” po humb?
13. PËRPARA SE…
Ç’mrekulli, të mos i trembeshim vdekjes!
Prapa veshit  të nëmurën e kemi.
Pareshtur lypset vlagu i këesaj je te.
Përpara se vdekja 
do të na vijë, 
apo, (kundër dëshirës)
 do t’i vemi…
14) ARDHMËRIA
Shumëkush mendon “ZJARRIN E MADH”
Mendon “APOKALIPSIN”…
Dhe njerëzit frika po i  mbërthen nga mesi…
Të tulatur po ndihen ata;
Thartojnë buzët nga… “teknostresi”
15. DËSHIRË
S’e kam ëndërruar kurrë:
Në  jetë të bëhem “Hero”;
Ama, për ç’përmban fjala “burrë”,
Dëshiroj ta kem domosdo.
16) PORTAT E ZEMRËS
Të heshtura rrinë portat e zemrës.
Ulërasin “menreshat” herë – herë..
Të mungojë lubrifikanti këngë,
Gërryen shpirtin çdo antivlerë…
17)GËZIM DHE VUAJTJE
Gëzoj me gëzimet e të tjerëve,
Vuaj realitetin tim…
Kujt gjallërinë e hershme.
Ta marrë dreqi!
Pse vitet rinore nuk paska rikthim?
18) HESHTJA
Ç’e bren heshtjen?
Do t’ia hap heshtjes dyert.
Të  dalë ç’ mban përbrenda…
Vërtet nuk ka heshtje të përkryar.
Ah, të dija, ç’e bren 
e për cfarë ia ka ënda?
19)DRITË – HIJE 
Po të më shihni të tjetërsuar;
Nuk jam ai që duhet të jem.
Diçka prej meje është privuar…
20) ËNDËRRIM
Me urdhër magjik  mblodha shtojzavallet.
Mes tyre shndriti si perlë një vajzë.
U  bëra Hyjni dhe i shtrydha malet.
Me floririn e tyre sajova një unazë…
21) ZENIT
Prehem në çlodhjen tënde të blertë.
Këndoj me buzët e tua – hark drite.
Ëndërroj brenda gjumit tënd të qetë.
Zgjohem në mëngjese poetike…
22)  STREHIM
Tek buzëqeshja jote 
 i  gjej strehë ëndrrës.
Tek qielli i syrit tënd
 i bëj fole zemrës.
23) NË KËRKIM
Eh, sa jam stërlodhur
 në kërkim të ndershmërisë!
Në tregti gjeta njëfarësoj.
Në dashuri – sa për të zënë sytë.
Në politikë – asnjë majë thoi…!