| E shtune, 27.03.2010, 01:33 PM |
Ndue Ukaj
KUJTIM I MERMERTË 
Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
I mermertë shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për mijëra të fshehta
E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardhur prapë dita jote poez
Rri e qetë në hijen e magjisë
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti.
Zeus s’ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën e hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S’ka vend për art, sa trishtueshëm, s’ka kohë për poezi
Digjen merimanga digjen fjalë e zemra bashkë
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në fyt,
I është zënë fryma, qan pa iu kuptuar dhembja,
E ledhatoj e në buzët e kallura të saj qetësohem
Kalendari im po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë çmendurake
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Herdo kurdo çdo gjë zë vendin e vet
E natyrisht, edhe poezia do jetë në fatin e saj të lumë
UDHËTIM I VARGUT
Sot do marr rrugën e gjatë, që fund as fillim s’ka,
Më tha vargu sapo përqafova diellin pranveror
Ndërkaq Expresso ime ishte ftohur nga shikimi i thartë
Qielli s’mund të mblidhet në shuplakë,
Me grushta të mbushur plot pasione
Ngase fitorja është ndjenjë e budallenjve
Dhe është një mister që ndërkaq nuk hesht
Ndjenjat e lidhura lak i shpartallon poezia
Vargu ec, ec edhe nëpër gjak
Stuhive përmbysëse
Varreve djegëse
Vargu im peng jete
Zhytet në pellgun e harrimit
E mbyt trishtimin
PËRLESHJE 
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm 
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë, 
Me gjilpërë më duhet ta qep atë, 
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë 
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat. 
Hahem me to deri në përgjakje 
I kafshoj dhe përleshem me realitetin, 
Nëpër net me ëndrra vjeshtore 
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore 
Hamendja për fitore mbyt trishtimin 
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj, 
Të zeza si futa, netët e paperënduara, 
Përgjakem krejt nganjëherë, 
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë, 
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna, 
Nganjëherë botën e zë gjumi n’mes të ditës, 
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës 
Trulloset bota krejt e humbur përkundet, 
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë 
Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese 
Papritur tretet nga thartira që të qet zorrët 
Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë 
Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me vesë diellore 
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën 
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë 
KOHA SHUMËNGJYRËSHE 
Me kërkue është art si me puthë diellin, 
Me lundrue nëpër natën e braktisur, oh 
Nga hëna bythprapë e ngjyrat e errëta 
O natë e vetmuar me sy gjysmëqorre, 
O kohë shumëngjyrëshe e trashur n’vete, 
Lak e bërë mbi kokën time vallëzon 
Kryelartë i shndrisin sytë e Ciklopit i ka 
E sheh si i lëvizin këmbët e shpejta... 
Akil s’është por fluturon si në beteja antike 
Herë në Amerikë, e zë trishtimin në ëndërr, 
Herë në Europë, e kap ankthi në shtrat, 
Herë në Azi, e zë makthi në rrugë, 
Herë zgjohet me kujtimet për kalin, 
Bën dashuri në barkun e kobshëm 
Dhe i ngatërrohen rrugët para këmbëve 
Koha e pangjyrë, e paemër e pakënduar 
E pashkruar, me muzikë të harlisur vallëzon 
E çmendur përdridhet si vajzë në take t’larta 
Cunam që s’i duron metaforat as ironitë 
Me struktura të deformuara deri në përjashtim, 
Endet me shikimin e tretur në asfaltet moderne 
Dhe s’gjen pandehëm krahasimi nga modernistët 
As nga progresistët e posmodernistet 
Nga injorantët e regjur me fjalorë demagogjish 
Që kurrë s’ e kuptojnë artin e heshtjes 
Për të mbytur zhurmën dhe gumëzhimën e frikshme. 
Koha ime e përveçme në globin e ngulfatur 
E paemër, e pagëzuar natën e braktisur me muzikë të harlisur 
Me hije korbash e sorra të çartura 
Si ngjan kurrsesii kohës së Virgjilit, 
Me heronj të çmendur e luftëra absurde. 
Madje s’i përngjan as kohës së Krishtit e Judës tradhtar, 
Koha ime kurrsesi s’është koha e lumit të Heraklitit. 
Më duhet të kthehem nëpër të, dy herë ta nuhas, 
Dhe të ec nëpër kujtesën e trashur nga merimanga 
E krimba që bluajnë pamëshirshëm. 
I inatosur më duhet të mos pajtohem me Heraklitin, 
Dy herë më duhet të lahem në të njëjtën kohë: 
Në të njëjtin ujë një herë me zjarr përvëlues 
Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës. 
Mes meje e kohës fluturon zogu pranveror 
Me pupla të mërdhita e sythin e trembur, 
E trazon pikëllimin e vizatuar në majën e Kështjellës së mendimeve 
Kohën e grabitur nga leckamanë me lëkurëgjarpri, 
Dardania ime e Shenjtë e goditur nga antikoha. 
Dhe miti i harresës që çelë si lule çdo mëngjes 
SFIDË 
Lufto po të mundësh me jetën 
Fyta-fytash po të mundësh 
Aty ku vrasin legjendat e shekujve grabitës 
Po të mundësh lufto me kohët 
E braktisur nëpër lumenj të përgjakur 
Po të mundësh sfidoje vdekjen 
Mbetesh legjendë historike 
Fanatizmin nëpër shekuj 
Po të mundësh lufto me antikrishtin 
Rikryqëzoje në kryq 
Po të mundësh bën gjithçka 
Gjithçka bën po të mundësh 
Gjitha lulet mbjelli në një saksi 
Pa aromë do të mbeten 
Po të mundësh bëj gjithçka, 
Djallin bëje engjëll 
Dhe vallëzo me budallenj 
Trishtim 
PËRPJEKJA 
Asnjëherë s’kam besuar se pas kohës së myktë 
Humb kujtimi dhe imagjinata përmbyset 
E në kokë të njeriut çelin krimbat 
Bashkë me gjarpërinjtë thatanikë 
Djajtë engjëjt 
Hanë pinë 
Kuvendojnë e mashtrojnë 
Kafkën time e nuhasin 
Me epshin e dreqitnjeri 
Ëndërr e paparë 
Gjak kullojnë lulet 
Kafshohen ëndrrat 
Hatashëm kafshohen 
Përleshën leshrat e kalbura 
Dhe aroma e tyre na deh 
Pantallonat që s’mund t’i mbajnë koqet 
Shiten në tregjet tona mëkatare 
Nuk është panair idesh 
Dhe maskat e skenës së mashtrimeve 
Krismat si zjarret me tym të zi 
Zoti im, tamam si këpurdha pas shiu 
Dhe, ku është arti... klith? 
Kori i ideve 
HAPAT E VEGJËL
E masë kohën me shikimin prej zogu
Atë ditë kur dielli rrëshqiste drejt perëndimit
Një korb parakaloi para syve tanë
E tokës iu zu fryma nga inati
Si s’u bë që ta kthej diellin
Aty ku puthi shikimin tonë përsëpari
Dhe rrugën deri në Kodër ta kaloja me pupla
Atë ditë kur shikimi im u tret
Toka dridhej nga të ftohtit
Dielli u dha si femër mëkatare pas Bjeshkëve të Nemuna
Hapi i vogël për ta ndalë ishte pa përmbajtje
Shikimi im u mbyt krejt... 
HIJA E KORBAVE
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit masë kohën që vjen
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të çarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb pa shikimin tim prej të dashuruar
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoi fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.
PIKTURA E DASHURISË
Mona Liza qeshte
Për të flasin aq shumë sytë e saj qiellorë;
Të njomë, të përmallshëm e të butë
Të veçantë sa s’gjejnë krahasim,
Për të flasin flokët e shprishura,
Aty ku atdheu i pasioneve ndërron trajtat
Dhe përhumbet bota para shikimit prej loti,
Tkurret si perde e hapur në skenë teatrore
E vockël bota përballë me shikimin që djeg
Dhe tërheq si magnet në botën e mistereve
Nën tisin e nurit të saj prehet qetësisht bota
Dhe nën presionin e heshtjes,
Numëron frymëmarrjet me damarë të fryrë
E shtrënguar nga plogështit e kohës
Për të flet gjoksi i mbuluar me hije misteresh
Një kafshatë për vargun e etur
Dhe gjitha ngjyrat e vizatuara në ata sy
Për të mposhtur mbrapshtitë
E pra, Mona Liza tek qeshte pëlciste nga dashuria
GJYQI PËR VJERSHËN TIME
Kështjella e drejtësisë s’mund të përmbyset
Me një të fryrë nga zgafella e gojës
Edhe nëse Jozefi K. vdiq si qen rrugëve të Parisit a Pragës
Procesi s’u mbyll e ai mbetet prapë proces
Të premtet e mëdha s’kuptohen pa të dielën e madhe.
Ç’faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s’mund t’ia marrësh as kur lakuriqësohet
Mjekrën time të pakrehur ndonjëherë,
Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s’mund ta puthësh kurrë
Kjo poezi vlon për dashuri
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh
Strukturën e mendimeve s’mund t’ia prekësh
Poezia është e panjollë
Po deshe vraje
Do pjellë gjarpinj, që sytë të t’i helmojnë
Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje
Edhe nga varri shpirtin e trazon.
ALFABETI IM
Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq
Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë
Alfabeti im
E zgjat rritën prej poezisë
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mi
Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi
Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte
Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë
Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën
Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin tamam si Krisht
ILUZIONI I FJALËS
Horizonteve të papara shtrydh kujtimet
Deri në pikën e fundit
I lidhja fjalët për iluzione
Me ngriheshin gishtat si shkëmbinj
Me tingujt e lehtë të kitarës
Ndërtohet ngrehina
Dhe iluzionit të fjalës
I vjen erë harrimi
Nëpër horizonte të papara ndrydhen ndjenjat si në bronz
Në shtratin e çelur varrë
S’numërohen regjistrat e pafundme të dashurive
Vetëm fjalët lidhen për iluzione marrëzisht
PËRRALLA E MOÇME
Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca
Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve
Humbasin drejtpeshimin
Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin
Një përrallë e moçme s’u tregua me shekuj
Pastaj për të njëjtën u bënë beteja të çmendura
Plot vite u rropat dora jonë prej hijesh,
Si flamur disfatash e arenë takimesh
Të gjejë gjurmët e t’vërtetës në ngrehinat prej lotësh
Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin tmerrshëm
Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të marrinave
E mjerë ne për përrallën e moçme.
Poezi nga libri "UJËVARAT E METAFORAVE" (Tiranë, M&B, 2008)