Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët që ranë në ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s

| E shtune, 27.03.2010, 09:59 PM |


Përkujtohen  dëshmorët që ranë në ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s

 

KUJTIMI PËR DJEMTË, PËR TRIMAT QË JETËN E VUNË NË ALTARIN E LIRISË E T’ ATDHEUT, VETËDIJSHËM E DINJITETSHËM

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në 11-të vjetorin  e rënies së dëshmorëve të kombit të ZOLL të UÇK-së Sabit Rrahimi, Bedri Ahmeti, Ismet Asllani, Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi u organizohen një varg manifestimesh përkujtimore. Në këtë ditë kur forcat e NATO-së filluan bombardimet ndaj caqeve serbe në të gjitha frontet e luftës u zhvilluan beteja të ashpra në të cilat ranë edhe shumë dëshmorë të kombit. Kështu Sabit Rrahimi, shef i shërbimit informativ pranë  Brigadës 152 “Shaban Shala” ra heroikisht në fshatin  Dobërdol derisa ishte në frontin  e luftës për të penguar forcat serbe që të depërtojnë nga fshati Dumnicë. Bedri Ahmeti, komandant kompanie pranë  Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” ra në fshatin e lindjes në Llapashticë ku ishte gjatë tërë luftës. Ismet Asllani, shef i logjistikës së  Brigadës 153 “Hyzri Talla” ra në afërsi të Lipjanit, ndërsa dëshmorët Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi ranë në Tashefc në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi prej nga tentonin të depërtojnë forcat serbe që të hyjnë në Kosovë. Në shenjë përkujtimi për këta dëshmor u bën homazhe dhe do të vendosen kurora lulesh në vendet e rënies dhe pranë varreve të tyre në Dobratin,  Llapashticë, Prapashticë,  Repë dhe  Zhiti. Në këto manifestime morën pjesë shumë qytetar të Llapit e më gjerë si dhe familjarë të dëshmorëve,përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar të dëshmorëve dhe atdhetar tjerë.

 

Është nderë dhe krenari për të përkujtuar  betejat e UÇK-së  të 24 dhe 25 Marsit të vitit 1999 dhe për të përkujtuar dëshmorët e kombit që ranë në këto beteja. Ndaj shpirti i bashkëpunimit dhe i sakrificës i mbledhur në  një periudhe të vështirë që kaluam është dëshmia më e mirë e përmbushjes së premtimit për një Kosovë të lirë e prosperuese. Sakrificën tonë si popull e ka arsyetuar  shpallja e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës, sepse para viteve 99 Kosova e pavarur ishte ideal, për dikën ishte ëndërr, kurse para dy vitesh u bë realitet. Vitet 1997,1998 dhe 1999 i takojnë luftës ë UÇK-së .Flijimi që bënë dëshmorët është vepra më sublime  që mund  të bëjë një njeri për atdheun dhe popullin e vet. Luftëtar e lirisë janë  ata,që Kosovës  ia falën jetën por sot janë të  gjallë sepse vdekja nuk i gjeti.

 

 Po nderojmë sot në këtë 11 vjetor,kujtimin për djemtë,për trimat që jetën e vunë në altarin e lirisë e t’ atdheut,vetëdijshëm e dinjitetshëm. Janë emocionuese të dhembshme paçka se njerëzore edhe loti edhe malli i prindit për birin,i gruas për burrin,i vëllait për motrën,i mikut për mikun,i bashkëluftëtarit për heroin. Pra ata ranë në udhën e zotit të lirisë e të drejtësisë. Kjo obligon. Ishte i tyre vullneti ata e kanë  zgjedhur vet nuk kanë pyetur. Ata dhe vetëm ata –heronjtë pra i ndjejnë  dhe i parandiejnë ç’ duhet bërë dhe atë bëjnë. Rënia e këtyre djemve ,jehu i drejtësisë dhe flijimi për të pati bekimin e robit e të zotit. Me ta u bashkua bota dhe vendet e përparuara. Bashkë bëmë lirinë me miqtë!Ajo,liria pasurohet çdo ditë,shtetësia done përkushtim,ka obligime. Pavarësia nuk ka alternativë. Kur dimë të nderojmë dëshmorë e martirët,kur çmojmë miqtë e miqësinë  provojmë përgjegjësi,kulturë për shtet dhe vendosmëri për mëvetësinë.

 

Fillimi i bombardimeve të NATO – s kundër forcave serbe më 24 mars 1999 ishte një tregues se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në luftën kundër forcave policore, ushtarake e paramilitare të pushtetit serb, kishte aleatin më të fuqishëm, Aleancën Veri atlantike – NATO – n, dhe se sundimi serb në Kosovë po i vinte fundi.

 

Me fillimin e bombardimeve të NATO –s, forcat serbe filluan një hakmarrje ndaj popullatës civile, duke vrarë, maltretuar, çnjerëzuar, masakruar, duke dëbuar popullatën nga vatrat e tyre, djegien masive të vendbanimeve shqiptare etj.

 

Ofensivat përshkruhen me bombardime, luftime, të rënë, të plagosur nga ana e luftëtarëve të lirisë gjatë mbrojtjes së pozicioneve. Forcat serbe tentonin me çdo kusht të depërtonin drejt vendkomandës së Zonës.

 

Ushtarët e UÇK-së kishin kohë që në çdo moment të marrin masa preventive për zmbrapsjen e forcave të armikut. Pastaj të zbulohet çdo formë e tentativës së armikut që në radhët e UÇK-së të fus bashkëpunëtorët e vet me detyra speciale.

 

Falë  Sabit Rrahimit -Yllit dhe bashkëpunëtorëve të tij,armiku nuk arriti asnjëherë që të befasoi me ndonjë veprim të tij dhe të gjitha familjet e ushtarëve kanë mbetur të paprekura ,sepse ata nuk kishin mundësi të mblidhnin shënime se kush janë ushtarë të UÇK-së.

 

Këto informacione i ndihmonin shumë ati në hartimin e planeve për ndërmarrjen e veprimeve të UÇK-së .Vlen të ceket se në lokalitetin e Llapiasit (ish Kërpimehut) ku ishte edhe stacioni i policisë serbe kishte bashkëpunëtorët të cilët e njoftonin çdo ditë për lëvizjet e policisë serbe. Madje nëpërmes të bashkëpunëtorëve kishte arritur që të dijë se sa pjesëtar ka në këtë stacion policie dhe armatimin që ata dispononin. Këto informacione ai i pati të sakta deri në ofensivën e madhe që u zhvillua në këto anë në mars të vitit 1999 ku Llapi u sulmua nga të gjitha anët. Andaj në ofensivën që erdhi nga Përpellaci - Dumnica e deri në Buzëllap ku ishte pjesëmarrës edhe Ylli.Ai ra heroikisht në këtë betejë në fshatin Buzëllap. Në kohën e rënies ka qenë i ngarkuar me detyrën e Shefit të Shërbimit Informativ dhe ndihmës komandant i Brigadës 152 “Shaban Shala “ të ZOLL-it.

 

Forcat serbe me qëllim të depërtimit deri të Komanda e ZOLL-it në Llapashticë ët Epërme ,më 24 mars në orët e hershme ,filluan bombardimet kundër pozicioneve të UÇK-së ,për ët vazhduar me shtrirjen e këmbësorisë .Gjatë këtyre mësymjeve të forcave serbe në këto anë u zhvilluan luftime të ashpra. Forcat e UÇK-së arritën që shumë herë ti zmbrapsin dhe ti thyejnë forcat serbe. Gjatë këtyre luftimeve bie heroikisht luftëtari i lirisë, komandanti i kompanisë U-39 Bedri Ahmeti.

 

Më 24 mars 1999 në afërsi ët Lipjanit forcat serbe në pritë vrasin shefin e logjistikës së Brigadës 153 “Hyzri talla”,Ismet Asllanin.Rënaj e Ismetit ishte një humbje e madhe jo vetëm për Brigadën 153,jo vetëm për ZOLL por edhe për UÇK-në përgjithësi.

 

Këtë ditë më  24 mars 1999 rreth orës gjashtë të mëngjesit forcat pushtuese serbe filluan të rreshtoheshin për luftë mu në pikën kufitare në Tashefc, ndërsa jo larg tyre njësia “Ulpiana -55” formoi vijën e frontit. Ushtarët e këtij njësiti ishin të gatshëm ta mbronin me çdo çmim tokën arbërore nga hordhitë serbo-çetnike. Edhe pse dallimi si në numër ashtu edhe në teknikë luftarake ishte shumë i madh, ushtarët e UÇK-së nuk frikësoheshin që ti dilnin përpara gjithë asaj makinerie vrastare. Në një luftë fyta - fyt me armikun pa u zmbrapsur edhe pse armiku kishte aktivizuar arsenal të shumtë luftarak ( 37 tanke), bien heroikisht dëshmorët Fatmir Selmani dhe Hamdi Sejdiu. Ata ranë  për të mos vdekur kurrë te vendi i quajtur “Kodra e Zeçirit”. Ranë heroikisht në mbrojtje të kufirit mu aty ku edhe më parë kanë rënë edhe dëshmor të tjerë të kësaj ane në mbrojtje të po të njëjtit kufi. Gjatë luftimeve të 24 marsit 1999 ,pas rënies heroike në vijën e frontit të dëshmorëve Fatmir Selmani dhe Hamdi Sejdiu,  të nesërmen bie dëshmor luftëtari më i ri, Ragip Ademi.  Pas një lufte të guximshme të zhvilluar kundër forcave serbe  Ragipi bie në Potok, në Betejën e njohur të Tashefcit, ndërsa  dy ditë më vonë kufoma  e tij  tërhiqet dhe varroset në fshatin e lindjes në varrezat afër shkollës në fshatin në Ahishtë. Kështu në Potok të Grykës së Llapit duke mbrojtur kufirin në luftë kundër forcave barbare serbe bie dëshmori i Kosovës në lulen e rinisë së tij. Kjo lulëkuqe gjaku ndiente dashuri të madhe për Kosovën martire, prandaj nuk përfilli mendimet e të tjerëve që i thoshin se, “Ti Ragip je i ri, ruaju dhe vazhdoje shkollën”. Ragipi më shumë e deshi linë e këtij populli, se rininë e tij, më shumë e deshi Kosovën e lirë, se jetën e tij, më shumë e deshi pushkën  se librin ...

 

 

LAVDI GJITHË DËSHMORËVE TË KOMBIT !