Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Kur dhemb dhembja...

| E enjte, 25.03.2010, 10:44 PM |


Tregim

 

Sabile Keçmezi-Basha

Sabile_basha@hotmail.com

 

KUR DHEMB DHEMBJA...

 

Nuk më besohet... jo...  jo, kjo që thua ti, nuk mund të jetë e vërtetë... kupton... kjo assesi nuk mund të jetë e vërtetë. Këtë që po e rrëfen tani, më tepër mund të jetë ndonjë ndodhi nga fantazia jote e bujshme, e një njeriut të moshuar... më fal-ë, sesa një e vërtetë. E di... më fal, e di se e ke të vështirë-ë, e di se si të gjithë ne... edhe ti ke kaluar muaj të rëndë, por tani, qetësohu... ja... kështu, mblidhe veten, mos qaj... mos rënko ... se, e sheh, që burrave nuk u kanë hije lotët.  Dëgjo... ulu njëherë... ashtu... qetësohu... dhe më trego përsëri që nga fillimi... fill e për pe...Tani, merre veten, he burrë, se na çmende me dënesje...  

Burri, që më kishte hapur derën e banesës, në një lagje të qytetit bregdetar të Durrësit, ishte katandisur keq. Ishte i lodhur, i zbehur dhe krejtësisht i hutuar. Lotët i shkonin faqeve dhe assesi ta ndalte vajin. Gjendja e tij shpirtërore, por edhe ajo fizike, më shqetësuan pa masë. Vërtet, ishte katandisur keqas. U habita se si ishte e mundur që për një kohë kaq të shkurtër të jetë plakur e rrudhur, të jetë thinjur e shushatur, të arrinte në atë gjendje, sa të fuste frikë. E shikoja dhe asnjëherë nuk kisha mund ta merrja me mend se njeriu që e kisha para tani, do të vinte në këtë shkallë dhe do të thyhej në këtë mënyrë.

Për një çast mendova në më të keqën. Ia paskan mbytur djemtë, o Zot i madh. E tani, si do ta ngushëlloja plakun, që s’mund të ngushëllohej dot. Megjithëse, edhe unë ndjeva një sëmbim nga gishtërinjtë gjer në majë të kokës. Fillova të dridhesha vetëm nga ideja e mynxyrës, duke menduar se si do të ballafaqohesha me realitetin e dhembshëm e të rëndë të këtij burri. Paska ndodhur hataja,  mendova. Mbeta në derë. Këmbët thua se përnjëherë m’u shndërruan në plumb dhe nuk mundja të lëvizja për asnjë hapë, për të hyrë brenda. U shtanga. S’dija çfarë t’i thosha plakut të gjorë, që nuk i ndalte rënkimet. Njëherë më shkoi mendja se mos kishte rrjedhur nga mendja plaku i gjorë. Dhe, nuk ishte aspak e çuditshme, në ato ditë të vështira, të ndodhte edhe kjo. Por, një gjë e dija dhe ma thoshte zemra se diçka e dhembshme dhe e rëndë e kishte tronditur. Nuk di as vetë se si në çast m’u kujtua që në derë, as nuk qahet e as nuk qeshet. Mezi qita hapin dhe hyra brenda. Gjeta një vend për t’u ulur. Mendova, le të qajë plaku derisa të qetësohet, se për lajme të kobshme nuk do të bëhet  vonë, as më vonë.

Dënesat e tij, pas një çerek ore, që mua më ngjau në një vit, filluan të qetësoheshin. Me një faculetë të zhubravitur pandërprerë i fshinte hundët e lotët dhe herë pas here më shikonte jo drejt në sy, thua se e ndiente veten fajtor. Nga ai shikim e ndieja veten keq, por edhe ngushtë, në të njëjtën kohë. Më vinte bulçim. Pa menduar fare, i hapa xhamat. Një mijë e një mendime më silleshin në kokë. Plakun e shikoja pandërprerë. O Zot, a thua çfarë ka mundur të përjetojë daja im i urtë? Në të vërtetë, atë dajë nuk e kisha, por kjo nofkë i kishte mbetur nga unë qysh nga  ditët e  fëmijërisë, kur në një fshat të largët ishte martuar halla Nurije. E unë atë – hallën, e doja shumë dhe ndaj burrit të saj kisha një respekt të veçantë.

Derisa mendimet më vinin si re të trazuara, e mallkova kohën, fatin dhe vetë ecejaket e jetës që lozën me ne. Sa e sa herë e shikova plakun e shushatur, sa stiva vitesh rëndonin mbi supet e tij të lodhura. Ata (halla dhe daja), në do vite të vështira, madje u treguan tamam si prindër të vërtetë ndaj meje, kështu që miqësia e mëvonshme ngeli e ndërsjellë mes nesh. Për plakun kisha një respekt të jashtëzakonshëm, duke e ditur se çfarë peripecish kishte kaluar në rrugëtimin e jetës. Gjatë kohë ishte i përndjekur politik, disa herë djemtë ia kishin burgosur, vajzat nuk ia kishin lejuar të vazhdonin shkollimin e lartë për shkak të diferencimeve politike që bëheshin në Universitet pas ngjarjeve të pranverës studentore ’81. Sa e sa herë shtëpinë ia kishin bastisur e  bërë lëmë, hijet e zeza. E kjo ishte përsëritur shumë herë, derisa u bë ngjarje e rëndomtë për fshatarët e fshatit H. Ato nuk u ndalën as atëherë kur shitën shtëpinë e u vendosën në qytetin P. Bile, kishte të drejtë halla kur thoshte se “këtu spiunët kishin ardhur para nesh, e nuk na lanë të qetë... nuk na shqiteshin dot...”. Bastisjet vazhduan derisa një ditë e kishin gjetur apo ... edhe ia kishin montuar nën qilim, në dhomën e fjetjes, një Kushtetutë të shtetit amë dhe një revole të gjyshit apo stërgjyshit të tij, ku ta dija unë. Atij, dajës, i kishin dhënë dajak derisa ishte alivanosur. E kishin mbajtur gjatë në burgjet e pista të një shteti – Had. Por, Ai... daja, kishte qëndruar... nuk kishte treguar asgjë, ama bash asgjë... Kishte heshtur si i vdekuri... Dhe, vërtet, kur doli nga burgu ishte bërë asht e lëkurë, sa nuk e njohën nipat e mbesat e tij më të vogla.

Mirëpo, pas daljes nga burgu, daja nuk ishte më ai që kishte qenë. Më bënte përshtypje qëndrimi i tij indiferent ndaj çdo gjëje. Shpesh mendoja për të dhe assesi të zgjidhja ekuacionet me tri të panjohura. Me gjasë, kishte përjetuar shumëçka, gjithçka që duron vetëm qenia njerëzore.

Pas daljes nga burgu, vazhdimisht pëshpëriste më tepër për vete:

 - Djemtë e mi... oh, djemtë e mi... ku e di sa kanë vuajtur në ato biruca... dhe shpesh shkrehej në vaj, e s’kishte njeri që ta ndalte.

Kishte kohë që kishin ngelur të vetëm në shtëpi. Fëmijët, një nga një, e kishin lëshuar vendin dhe kishin kërkuar azil politik në disa vende të Evropës Perëndimore. Ndarjen nga fëmijët, halla e kishte përjetuar rëndë. Shumë gjatë kishte qarë në ndarje. I kishte puthur fortë në sy e faqe dhe gjatë i kishte përcjellë me sy deri te laku i parë i rrugës,  ku u zhdukën përnjëherë, sikur t’i përpinte toka. Pastaj, ajo filloi të ndihej keq e ngushtë në shtëpinë e vet. Pas një kohe filloi edhe të ankohej se ishte e lodhur, gjatë nuk e zinte gjumi, herë-herë ishte edhe e sëmurë dhe shumë e mërzitur. Çfarë t’i bënim ne, edhe pse e dinim ku e kishte hallin, të pesë fëmijët e saj kishte kohë që ishin shpërndarë e kishin marrë botën në sy, si zogjtë e qyqes.

Shpesh i vizitoja në shtëpinë e tyre në një lagje të qytetit, që ishte shumë e frekuentuar nga njerëzit dhe veturat. Rrugë e çuditshme ishte ajo. Merre me mend, një rrugë e tërë ishte e ndërtuar mbi lumë. Qyteti kishte ngelur pa damarin e vetëm, që do t’i sillte freski në ditët e nxehta të verës, ndërsa urbanistët e qytetit mburreshin me të, thua se kishin bërë dhe kishin zbuluar mrekullinë e botës.  Në ditët e verës, kur vapa arrinte pikën e vlimit, daja shpesh binte në siklet dhe murmuriste nëpër dhëmbë që nuk mund të kishte vetëm pak freski, se pluhurin nuk e duronte dot. Shpesh ankohej se as në shtëpinë e vet nuk kishte qetësi, aq më tepër i dhimbsej halla, që tërë ditën e lume rrinte në derë të shtëpisë duke i pritur fëmijët që një ditë të kthehen... dhe ishte shumë e bindur për këtë.

 – Sot, do të vijnë, - thoshte halla ashtu për së kthjellëti.

 – I kam parë ëndërr..., mbrëmë. Bile edhe parmbrëmë... Më premtoi Iliri... Vetë më tha. Me gojën e vet më tha: “Loke, unë do të kthehem, mjaft në këtë tokë të huaj. Më thoshte me buzën në vaj, se më ka marr malli, Loke, për ty... për plakun... po... për të gjithë, oj Loke... dhe më përqafonte”. Unë po e pres, e di se ai do të vijë, i gjallë o i vdekur dhe lotët i shkonin – krua.

- Sot... nesër, apo një ditë tjetër ... s’është me rëndësi. Unë kam kohë... punët kaherë i kam mbaruar... andaj edhe po e pres, këtu... mu te dera, që ta shohë nga larg se nëna po e pret... ja, këtu... te pragu i shtëpisë. -  Pas kësaj, vazhdonte të rregullonte flokët me gishta, me ata gishta që ishin të hollë e të stërzgjatur, që të ngjanin në kërrabëza të këputura. Të shpeshtën e rasteve qante, por nganjëherë edhe qeshte me të madhe, që të ngjallte dhembje. Fliste ajo pandërprerë, më tepër për vete, për të tjerët nuk jepte pesë pare.

Në një moment e zura veten të kisha fluturuar tejet larg, shumë larg... në bodrumet e jetës. Burri im më preku në cepin e krahut dhe me lëvizjen e kokës më dha shenjë në drejtim të dajës, i cili po më shikonte me gojën hapur...

- Hë, çfarë thua... ore? - iu drejtua atij.

- Fol, dajë... çfarë ka ndodhur, pse je i vetëm në këtë shtëpi, ku është halla dhe një mijë pyetje të tjera i bëra - rafal.

- E dini sa jam merakosur për ju, - shtova. Ka muaj që ju kërkoj gjithkah dhe gjithkund, por nuk bija në asnjë gjurmë që e vlente të merrja rrugën për t’u takua me ju. Dhe sot, ja, rastësisht më treguan për një kosovar që rrinte në këtë shtëpi. Rastësisht mendova, pale ta shikoj, se mund të ndodhë të jetë daja. Më në fund ju gjeta..., a nuk e sheh se ju gjeta, rastësisht... krejt rastësisht... E zura veten se kisha dal jashtë teme nga gëzimi që më erdhi befas dhe s’mund ta frenoja veten. Por, çfarë do të bëja, po të mos ishte me mua, kujtesa e forca ime – Besi. Në çast më tërhoqi vërejtjen dhe e kuptova mesazhin se duhej të kthehesha në realitet. Njëherë heshta,   pastaj fola me ngadalë:

- Nejse, dajë, po tani, pa më thuaj, ku është halla? Dhe në dhomën e mobiluar me shije, ashtu në ndërdyje, pritja hallën të dilte nga ndonjë kthinë. Mirëpo, vaji që përsëri e kaploi plakun nuk më paralajmëronte lajme të mira. Me vete mendova, e po ç’t’i bësh, ajo me siguri paska vdekur. U drodha e tëra, vetëm nga mendimi që më erdhi si vetëtima në kokë. Më erdhi shumë rëndë të pranoja një gjë të tillë. “Në luftë edhe njerëzit që i duam, vdesin...”, më kishte pas thënë njëherë babai, kur më tregonte për tradhtitë historike që i kishin pas ndodhur popullit tim, në një vit të akullt dhe kur me mijëra shqiptarë ishin likuiduar e tretur pa gjurmë përroskave e zajave anekënd vendit, ndërsa shumë të tjerë i kishin futur në burgjet e pista. E pse e kisha pas pyetur babën, pse... Kishte shtuar babai me ironi, pse po pyet, për atë se kishin hetuar që po i qepnin qefinin Kosovës së shkretë. Të drejtën të them, për një moment ia mora inat atij dhe tërë botës. Botës që kishin shpikur luftëra, padrejtësi e robëri për njerëzit... e pafajshëm.

- Të lutem... - iu drejtova me një zë të përvajshëm, -më trego... ka vdekur halla...

Më shikoi trembshëm dhe mezi çeli gojën – Jo, ka ndodhur diçka edhe më e keqe...

- Ç’mund të ketë më keq...?! - e ngrita zërin dhe brofa në këmbë.

- Ajo.... ajo ... - dhe dënesa e lotët nuk e linin që të hapte gojën...

Mbeta e shastisur. Herë shikoja burrin e herë dajën dhe vërtet nuk dija se çfarë po ndodhte në atë dhomë, që përnjëherë m’u duk se u errësua. U bë natë. Futë. Sa nuk dija se nga të orientohesha. Assesi nuk e perceptoja realitetin. Ishte një mbrëmje e nxehtë, e vonë dhe shumë e mundimshme. M’u trazua stomaku dhe më erdhi për të kthyer. Më mbuluan djersët, por një gjë e dija se nuk isha e sëmurë. Njëherë m’u duk se po shihja një ëndërr të trishtueshme dhe pa dashur lëviza nga vendi për t’u bindur se e tërë kjo nuk po ndodhte me mua. Pas një pauze të gjatë, belbëzoi nëpër dhëmbë dhe e theu atë heshtje mortore:                         

            - Ajo… ajo... më ka humbur... në Bllacë. Nuk e di... si ndodhi... por ajo është zhdukur. Policia afër kufirit filloi të na rrihte ... atë ditë me shi. Na rrihte si berrat... Bile, disa edhe i vrau e shumë të tjerë i plagosi. Mua më kishte rënë alivani dhe, kur i hapa sytë, veten e pashë në një autobus. Të drejtën të them, nuk e di as tani se si kisha arritur aty dhe me ndihmën e kujt, por gjëja e parë që bëra, kur erdha në vete, ishte se kërkova gruan, hallën tënde. Askush, asgjë nuk dinte për të... Më thanë... shumë më vonë... më thanë se e paskan parë duke e rrahur policia me dypçik.... Disa të tjerë e paskan parë se si një grup ndërkombëtarësh e paskan evakuuar me lese nga fusha e Bllacës... por disa më thanë se policia e  paska vrarë dhe e paskan hedhur në lumë... tani më nuk di se kujt t’i besoj... - dhe heshti duke e ndier veten më të lehtësuar.

            Për një moment mbeta e shtangur. Humba të folurit. Nuk gjeja asnjë fjalë të përshtatshme për t’ia thënë. Nuk dija as çfarë të thosha dhe as çfarë të mendoja. Si ta ngushëlloja plakun e gjorë. Si ta ngushëlloja vetveten dhe çfarë të bëja... tani... para kësaj mynxyre...

Lotët filluan të më rridhnin... në shpirt më dhembi dhembja e pafundme...