| E enjte, 25.03.2010, 10:58 PM |
KUR SHPIRTI NA MBUSHET ME NJË GËZIM TË SHENJTË
(Skënder Sherifi, Në tavernën e zemrës sate, Bukuresht 2010)
Nga Baki Ymeri
Historiografia dëshmon faktin se shqiptarët, që në kohën e lashtë të qytetërimit evropian kanë patur përkthyes legjendarë të Biblës, nga Hebraishtja e greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe. Duke shfletuar Biblën e shenjtë, kuptojmë se Zoti i njeh zemrat Tuaja ngase Ju jeni ata që krijoni drejtësi para njerëzve. Vepra e Skënderit është Bibla shqiptare e frankofonisë, një libër me një hijeshi të rrallë ku dëgjohet zëri i zemrës dhe zëri i Zotit, një brishtësi poetike e ardhur thuajse nga tjera botë, ku dëgjohen tingujt e historisë, ku reflektohen brigjet e dheut të përjetshëm, të cilin e zbukuron gruaja duke shpaluar ritmet delikate të ndjeshmërisë për lumturimin e planetit poetik. Edhepse bota shqiptare ka poetë më të njohur se ky njeri, duke lexuar poezinë e Skënderit shpirti na mbushet me një gëzim të shenjtë.
Skënder Sherifi është trafikant konceptesh poetike antike dhe moderne, magjistar dhe mërgimtar, poet dhe profet, mjeshtër profesional i rimave të çuditshme, i ping/pongeve muzikore, i ritmeve virgjine dhe i pulseve primitive. Skënderi është dealer i imagjinatave magjike, i ëndërrave të pabesueshme, i absoluteve hyjnore dhe i ekstremeve tokësore, vizionar i takimeve të pamundshme dhe bashkimeve ireale që përfundojnë në prehërin e harmonisë. Izulionist, idealist dhe utopist, romantik i vaksinuar kundër formalizmit dhe sharlatanizmnit, kundër plenumeve, formatimeve, globalizimeve, klonizimeve të ndryshme të shpirtit dhe të mendimit njerëzor. Specialist i orgjive poetike, i orgazmave krijuese, i ekstazave të lirisë së lirë e të pa emër. Margjinal, vagabond dhe humorist i ekskluduar nga çdo nromalitet i paraprogramuar, i abonuar në bohemi dhe bredhjet e pafund. Eksplorator i lindur i diamanteve poetike ende të pazbuluara, anarhist, humanist dhe atdhetar. Mistikë e shenjtërisë poetike, i përjashtuar nga çdo grup, klan, parti, familje, por i lidhur në një mënyrë misterioze dhe gjenetike me origjinën e tij, me edenin artistik, me pafundësinë kosmike dhe botërat e padukshme. Muzikant i improvizuar oborresh femërore, fan i erotizmit magjik, këngëtar i muzave hipnotike, i frymëzimeve hyjnore dhe i epikurizmit tokësor.
Para sysh kemi horizonte të reja dhe perla poetike që meritojnë analiza dhe komentime serioze letrare, ngase kemi të bëjmë me një shqiptar që trason shtigje të panumërta inovacionesh dhe revolucionesh në konceptimet e artit poetik. Skënderi ka patur rastin të dialogojë në Paris me elitën e krijuesve francezë me famë internationale. Ai ka qenë mik i kolosëve te mëdhenj të këtij shekulli, sikur Claude Lévy Straussi, Fernand Braudel e tjerë. Ka patur fatin ta njohë Philippe Soupault-it, baba i surealizmit, i cili së bashku me André Breton-in e kanë ngritur në nivel të lartë ketë rrymë vendimtare të shekullit 20. Shqiptari i Belgjikës ka qenë mik i Allan Ginsberg-ut, i cili konsiderohet si baba i rrymës së Beatnikëve amerikanë. Skënderi është një endacak që ka njohur gjenitë e shekullit francez. Autori e ka lexuar Eliaden, Ionesco-n dhe sidomos Emil Cioranin, tre frankofonë të famshëm me prejardhje rumune. E ka njohur personalisht Eugène Ionesco-n, dhe ka qenë mik i shkrimtarit të famshëm Pierre Seghers, si dhe i një varg personalitetesh tjera me një kulturë fenomenale e enciklopedike. Autori ka trashëguar lirinë absolute të Rimbosë, imagjinatën e pa fund dhe të guximshme, duke krijuar mendimin kritik dhe analitik personal, duke i befasuar me idetë e tij, me një ndjeshmëri poetike të rrallë, shqiptare dhe pariziane, me një filozofi të lindur apo të shpikur për momentin, origjinale, unike dhe specifike, me një gjuhë dhe univers poetik të padiskutueshëm.
Skënder Sherifi është një artist i vërtetë i fjalës së frymëzuar. Libri i tij vjen para lexuesit rumun si një album vlerash të mirëfillta lirike, i dinamizuar me mendime kritike mbi poezinë e tij nga eseistë rumunë, shqiptarë dhe frankofonë. Prezenca e tij në fjalorin e famshëm Larousse dhe fjalët gjeniale që i thonë të tjerët për poezinë e tij, ndër të cilët edhe poeti i madh francez, Patrice Delbourg, apo krijuesi i famshëm Pierre Seghers, janë vlera reale të kritikës letrare që reflektojnë të vërtetën mbi vrrullin e një vizioni të ri mbi poezinë e këtij talenti të shquar me rrënjë shqiptare nga Kosova. Në këtë kontekst, vend me rëndësi zënë edhe autorët belgë, Jacques Izoard, Jean-Marie Piemme dhe Raymond Quinot, qasje kritike që kanë peshë specifike për justifikimin e vlerave artistike të kësaj vepre me vlerë.
Skënder Sherifi është një Ufo shqiptar, një frankofon dimensionesh kosmopolite, i pajisur me një kulturë përmasash universale. Në kuadrin e kësaj lënde të konsoliduar, ballafaqohemi me marsjanin shqiptar, mospërfillës shablonesh, kornizash e platformash, një fan i lirisë së lirë të Rembosë, i prezentuar në Bukuresht me një materje letrare të konsoliduar që e dëshmon origjinalitetin dhe fuqinë poetike të autorit. Kjo është zemra, gjaku poetik dhe shpirti i një univers poetik për të cilin ka shkruar me admirim edhe Jusuf Vrioni, të cilin e ka përkthyer edhe Ibrahim Rugova. Vlera artistike dhe pasuria e lëndës letrare është evidente. Jeta e autorit, që nga nga fillimi është e mbrujtur me një eksperiencë briliante evropiane. Ai është një margjinalitet, një ekstrakonformitet dhe normalitet që lind dhe vdes me këtë logjikë, edhepse poeti dhe poezia nuk vdesin kurrë. Skënder Sherifi është një pirrat i poezisë iliriane që impresionon lexuesin, ngase vjen para opinionit të huaj me top-nivelin i tij profesional dhe artistik. Ai vjen si një vlerë e rrallë që e zbukuron imazhin e kombit shqiptar, ngase shpirti shqiptar defilon në çdo libër të tij. Passioni i tij është një vepër e rrallë me vizione moderne, inovuese, evolucionare, avangardiste dhe futuriste.
Duke deshifruar vlerat e tij konstatojmë se kemi të bëjmë me një poet të jashtëzakonshëm që thyen barierat provinciale të sharlatanizmit dhe banalitetit. Diskursi i tij poetik në gjuhen origjinale (frenge), është i padiskutueshëm, ngase, siç thamë më lart, për fuqinë dhe vlerat e kësaj lirike kanë shkruar frankofonët e kalibrit të lartë të letërisë. Art magjik, poezi briliante, imagjinatë e bujshme, perla poetike dhe poet me personalitet. Shquhet ndër tjerët edhe libri i tij i fundit Le trio eternel, që është një projekt për skenen teatrale, një lloj drame poetike, një propozim për një spektakël. Vepra e tij është një model poetik i paparë, një koncept futurist që të josh që në lekturim të parë. Ndoshta e ekzagjerojmë një çik kur themi se krijimtaria e tij është Kulla e Babelit të poezisë moderne, manifest i artit poetik, autori duke qenë një futurist që vjen nga gjiri i një familje shqiptare, një shqiptar me një vizion dhe instinkt poetik të rrallë, me një liri të pakufishme, me një guxim të jashtëzakonshëm, dhe me një imagjinatë krijuese të paparë
Libri i tij Love, i botuar në Belgjikë (2008), është vlerësuar me konsiderata të larta nga shtypi profesional belg, nga specialistë të artit dhe letërsisë, i vlerësuar si një ndër 10 librat më të mirë të vitit 2008 në Belgjikë, duke përfshirë krejt botimet e Evropës frankofone (Franca, Zvicra, Belgjika dhe Luksemburgu). Këtë vlerësim e justifikon edhe shtypi belg, ngase vepra e tij është një koncept personal dhe origjinal. Pokështu e kemi edhe Pasionin dhe Ateljetë e Ëndrave, dy vëllime të një autori shqiptar që i ka befasuar franzezët. Fjala është për një burim të ri me një përvojë jetësore dhe intelektuale të jashtëzakonshme, një vlerë e rrallë që i shtohet imazhit dhe dinjitetit shqiptar jashtë atdheut. Skënder Sherifi dëshmon se jeta nuk ka kuptim pa art dhe arti pa jetë. Ai vjen në këtë botë si një Cassius Clay (Mohammed Ali), duke u shquar si shqiptar që depërton në kujtesën rumune si një normalitet dhe natyralitet, si një spontaneitet dhe si një artist vlerash të mirëfillta, ngase derisa e ka mahnitur Parisin, pse mos ta mahnisë edhe Bukureshtin!
Skënder Sherifi ka jetuar gjithë kohën, me edukatën dhe formimin e tij, në botën frankofone, dhe e ka një background kultural e poetik krejt tjetër. Me një fjalë, Skënderi është shqiptari që jeton prej moshës 1 vjeçare në Belgjikë dhe Francë. Kështusoj, ai gati se ka lindur në botën frankofone, dhe gjuhën shqipe e ka si gjuhë të dytë, së bashku me ëndrrën për ta përvetësouar gramatikën, leksikun, anën universitare dhe shkencore të gjuhës shqipe. Përfundimisht, vlen të ripotencojmë faktin se Skënder Sherifi është i përfshirë në fjalorin e famshëm francez LAROUSSE i Letërsisë Botërore, i konsideruar në top/elitën e literaturës botërore, një fjalor që botohet çdo 25 vjet në Francë, një vepër që konsiderohet si një lloj Bible referenciale e letërsisë botërore. Fjalori respektiv botohet në Paris, në çdo 25 vjet, sipas gjeneratave të reja autorësh që imponohen me talentin e tyre në sqenën internacionale. Fjala është për një fjalor prestigjioz ku Skënder Sherifi figuron në rangun 26 shkrimtarëve shqiptarë më të mirë dhe më origjinalë të të gjitha kohërave, që nga gjeneza e shkrimeve të para shqipe e deri në ditë tona.