| E merkure, 24.03.2010, 10:56 PM |
Shazim Mehmeti
ETHE DHE MALL
ETHE DHE MALL
(tim vëllau, Xilit që s’është më)
dhembja ulur këmbëkryq
te kujtimi i së shtunës
te zemra
te ora pesëmbëdhjetë e katërdhjetëepesë minuta
dhe ethet ethet ethet
oh, ethet
dhe malli për ty
dhe prania atërore
e Zotit që jep
e Zotit që merr
dhe lëmshi tjerrak i zi
i mendimeve që lëvrijnë
copëzat e mbetura të kujtimeve
dhe kotësia që rri përballë meje
krekosur si bishë
ethet sërish
dhe miu enigmatik prej plastike
dhe monitori shumëngjyrësh
që më rri gatitu
si pasqyrë besnike
mungesa (ah, mungesa!)
dhe koha e sëmurë
që kurrë nuk do shërohet
që kurrë nuk do na mjaftojë
ngushëllimi i pagjasë
që merr frymë rëndueshëm në patosin e zemrës
dhe fletët e derdhura anekrah
zverdhur si gjethe vjeshte
hieroglifet e dhembjes
që i vizaton drita në trajta ikjeje
dhe tavolina e mplakur e shkrimit që kotet si gjyshe
ethet
dhe një pako ilaqesh
si vjeshta zverdhur
dhembja
dhe koka e kompjutorit
rënduar më keq se koka ime
dhembja sërish
dhe malli
dhe pamja grandioze e kushedi cilës kalaje
(dhuratë e sjellur nga Tunisi)
në gur gdhendur (me dhembje gdhendur!)
nga duar të rreshkta njerëzie
ethet
malli
dhe drita e syrit që lajthit mbi jetën-
atë pikturë kotësie
oh, Baxil!
qesh kjo kotësi tmerruese
e m’i vesh me dhembje trup e sy e ndjenja e gjymtyrë:
kjo paska qenë nënëmadhja e jetës
dhe ne - bijtë e saj të mirë!….
maj - qershor, 2005
DHE I THASHË, NGA VERANDA, NJË NATË...
Dhe i thashë
nga veranda, një natë:
“ Të falemnderit, zot
për pamjen e shpirtin që më fale!”
Dhe s’di nga m’u përgjigj:
“ Lëre njeri!
Je fara që hodha gabimisht!”
ANKTH
(Tim ati)
Rri varur jeta ime
në ëndrrën tënde
si një copëz drite para muzgut
Rri varur ëndrra jote
në jetën time
si vesë e freskët para agimit
HIMN PËR KANALIZIMIN
S’ia vlenë për tjetër,
ndaj, për ty këndoj!
Për ty që derdhesh Vardarit
e shurrëverdhën time e shpie për në Greqi!
Për ty këndoj!
Dhe jo për lirinë time!
Sidomos jo për lirinë time paradoksale
që e sollën luftëtarët dhe e përbythin gomarët!
Për ty! Për ty bëj himn, ooo kanalizim !!!…
PUSHKËT
Fytyrat e njoma si sytha ahu.
Sytë- pranverë.
Engjëllorë po aq sa dëshmorët
që zbritën në parajsë.
Djemtë tanë luftëtarë
me sytë plot diell
me zemrat plot paqë
zbresin maleve duke kënduar
i dorëzojnë pushkët një nga një.
Këtej poshtë, te dyert e ferrit
me sytë gjak
të etshëm po për gjak
çirren tiranët:
Janë pushkë të vjetra!
Pushkë te vjetra janë!
S’i mëshiron zoti!
Si ujq të urritur
janë zënë në mjegull
tiranët e ngratë
ndaj s’kanë si ta kuptojnë
se pushkët janë si gratë:
sa më shpesh
e sa më gjatë përdoren
aq më të reja
aq më efikase bëhen!…
QE A S’QE NJERI?...
Bëri hiç
Jetoi
duke vuajtur
Vuajti
duke qeshur
Qeshi
duke qarë
Qau
duke kënduar
Këndoi
duke vdekur
Vdiq
duke jetuar
Qe a s’qe njeri?…
ZGJIDH TË JESHË I VOGLI
Mes trimave
zgjidh të jeshë frikacaku
Zgjidh të jeshë i vogli
mes të mëdhenjve
Vetëm me të maturit
mate hapin
Kurrë mos i beso
mbijetesës së trimave të vërtetë
Të mëdhenjtë të vërtetët
herët bien te përqafimi i ngrohtë i Zotit
Zgjidh të jeshë
i vogli
I vogli i nënës
zgjidh të jeshë
ai çilimiu i madh që mbijeton
Duke qenë mes trimash frikacaku
do keshë sy të shohësh
se nënat e trimave gjithë jetën vajtojnë
E LEH UJKUN NJË QEN…
Brymë mbi fytyra
Mbi fytyra acar
Një ujk i uritur kërcënon
me lulelirinë ndër dhëmbë
E leh
ujkun
një qen
Mizorisht
e leh
ujkun
ai qen
Qeni
ujkun
e leh
me dhëmbë qeni
E leh sa zgjat nata dimërore
e leh deri sa hëna ngrin
e dielli del mërdhishëm
si zambaku mbi dëborë
Qeni ngordh
duke e lehur ujkun
po ujkun s’e rrëmben
Ai që e dëbon ujkun
është tjetër qen
Nuk leh
VRASËSIT TANË FËMIJËT
I duam më shumë se këdo qoftë
e çka do qoftë në jetë
Për ta lutemi pandalur
mëngjeseve kur zgjohemi qejfprishur
në sytë e diellit agimtar
Ngado që e kalojmë ditën
në punë a në shëtitje
për ta mendojmë
I kemi sjellur në jetë
e gjithnjë ëndërrojmë
një jetë më të mirë për ta
Janë të vetmit që i duam
më shumë se jetën tonë
Kur i kemi druajmë të mos i humbim
domethënë, na vrasin pse i kemi
Kur s’i kemi vuajmë pse s’i kemi
domethënë, na vrasin pse s’i kemi
Gjithë jetën e jetës mendojmë
si t’i ushqejmë si t’i mbrojmë
nga shiu nga zjarri
nga dielli nga acari…
I kursejmë nga zemërimet
nga ngarkesat nga shtrëngimet
Nën mundimet e tyre
shpinat tona i vëmë
e duart mëndafsh ua shtrëngojmë
me duart tona të vuajtura
të rreshkura si jeta jonë
Gjithnjë jemi gati t’u falim frymën tonë
që frymë e tyre të mos mungojë
Ndërkohë, na vrasin mundimshëm
ditë për ditë e ngadalë ngadalë
herë me ndonjë gjest
herë me ndonjë fjalë
E?!...
Gjithësecili jeton
për vrasësit e vet
e me vrasësit e vet
kush në ëndrra, kush në vërtetëjetë…
NË SHUPLAKËN E JETËS…
Në shuplakën e jetës
zjarri
për së pari
është zjarr
Në shuplakën e jetës
zjarri
për së dyti
është hi
PËR DITË NGAPAK VDESIM
Na vrasin njësoj
si në çaste gëzimi
si në çaste pikëllimi
Për ditë
ngapak vdesim
e nuk e dijmë
viktimë e kujt çasti do të jemi
Nuk gjejmë dot për veten
vrasës më të sigurt
se fëmijët tanë
NGADALË
Mbi kokë
edhe kur bie shi, edhe kur bën diell
duhet mbajtur një ombrellë
Me hap breshke duhet ecur
duhet menduar ngadalë
duhet shkruar ngadalë
Fëmijë grua prindër e vëllezër
e komb e fe e Zot e Atdhe
duhet dashur ngadalë
Ngadalë duhet dashuruar
Ndër punët e tjera
edhe atë punë, duhet bërë ngadalë
Ngadalë duhet xhelozuar
duhet drekuar ngadalë
Ndër të tjera helme edhe ujin e zotit
duhet pirë ngadalë
Ngadalë duhet vuajtur
ngadalë duhet dëfryer
ngadalë urryer
Duhet jetuar duke jetuar
ngadalë, ngadalë, ngadalë…
Ngutja është
bileta e blerë esull për në vdekje!!!…
PEIZAZH SHQIPTAR
Truvrarë
dhe i parë
Turma
i vete pas
me gaz
Teksa i prin
mbi kalë
në ballë
Bëre
Zot
përrallë!
LARTMADHËSIA E TIJ, POPULLI…
I privuar nga shumë të drejta
lartmadhësia e tij, populli
poetët e vetë s’i zgjedh
Ata ia dërgon zoti
si misionarët
si dijetarët
E prapë se prapë
i është lënë një e drejtë:
hajdutët e vet t’i zgjedhë
që domethënë
pushtetarët
POPULLI FLENTE, ATA ËNDËRRONIN
ME SYTË E TIJ…
Populli flente, ata ëndërronin me sytë e tij
Ishin katër, i bënin rojë dritës
Njësoj të gjallë ishin
njësoj të pashëm
njësoj ëndërronin
njësoj luftonin për lirinë
Por, fatjeta i ndau
Nga katër sa ishin
tre u vranë, ranë
nga dorë e fshehtë e armikut
I katërti, i gjalli
në burg mbaroi
Për të vrarët, populli thurri këngë
i vuri në kujtesë, heronj i shpalli
Të gjallin e harroi
të gjallin që vazhdon
edhe në burg të ëndërrojë
për sytë ngjyrë qielli të vashës liri
Popujt, heronjtë e vetë i duan
por vetëm të vdekur!!!
Popujt fatkëqinj
që s’dinë si ëndërrohet për lirinë!…
POPUJ DHE PUSHTETE
Në jetë
e jetë pas jete
kahdo gjen popuj
dhe pushtete
Dhe kahdo
pushtetet
janë si detërat-
gjithë lumenjtë e botës i pijnë
e prapë se prapë nuk ngihen
Domosdo
popujt janë lumenj
që gjithë jetën derdhen
e nuk shterren
DITËT IKIN, DITËT PERËNDOJNË
Ditët ikin
ditët perëndojnë
Mbi krahë vjeshte
vjen ajri i freskët i kujtesës
faqet e ndjenjave na i prek
Zogjtë që s’dinë gjë
harreshëm këndojnë
në drurin e jetës
Ne plakemi koha rri e njëjta
rri e përtypet koha
Koha është lopë-
na përtyp si sanën
e na hedh si baglën
DHE HARRO…
Kush mendon për vdekjen
vdekjen e afron
Ti mik, ti vëlla
ti kushdo qofsh
për vdekjen kur të mendosh
hape dritaren, dil
Shikimin paqëtoje
mbi mollën e jetës n’oborr
Bëre shpirtin degë
bëre pemë
Ajër mëngjesi bëre
bëre zog
Bëre diell maji
bëre kaltërsi
Dhe harro të mendosh
dhe harro të mendosh
dhe harro
dhe harro
dhe harro…
Vdekja është vetë hija jonë
që na lidhet për thembrash na ndjek
deri te ai çast i bukur i pakalueshëm
që s’duhet kujtuar
asnjëherë
VJEN ÇASTI…
Vetëm
fytyra e vdekjes
kur të shfaqet
zotin e kujton
Vjen çasti
dhe bie një vetëtimë në boshësinë e jetës
një teh frike të ther në zemër
dhe vdes, dhe vdes duke gjalluar
Gjithë jetën e jetës lumi do jetojë
lumi s’është njeri
lumi rrjedh jeton me Zot
Gjithë jetën e jetës zogjtë do jetojnë
zogjtë nuk janë njerëz
zogjtë këndojnë jetojnë me Zot
Gjithë jetën e jetës dielli do jetojë
dielli s’është njeri
shpëlan botën me argjend
dielli dritëson jeton me Zot
Gjithçka me zot jeton
madje edhe njeriu i mirë i kujtesës
që gjallon i vdekur
me Zot e pa Njeri
KOPSHTI I JETËS
Lulet edhe ferrat
Uji i kulluar i burimit
edhe rrëkerat
Dita edhe nata
me gurët
me drurët
me dherat
me vjeshtat me pranverat
me dimërat me verat…
Oh, o perëndi!
Jeta qenka kopshti
kah kalojmë
kopshti në fund të të cilit
do na çelë
karafili i zi vdekjes!
(Ja dhe shkaku
pse në kopshtin e jetës
gjithësecili futet me të qara)
JETA IME NUK ËSHTË KËNGË
Miq të mi
në sytë e juaj
jam një zog i lirë
me krahë ëndrre një zog
që qiej e qiej shijon ditë për ditë
Një zog krahëshkruar jam
që në qafë i bie dritës
dhe e puth si vashën
Një zog që pi ujë
në ujëvara jete
Një zog galdimi
që bart në sqep këngën
Një zog, një zog, një zog…
Por, oh
sytë e juaj janë të verbër
dhe jeta ime nuk është këngë
Jeta ime është kafaz
dhe unë jam veç zogu në kafaz
zogu që rri mbyllur
duke ëndërruar një këngë
me zog e pa kafaz
NJË DITË ËSHTË NJË PSHERRËTIMË ZOTI…
Një ditë është një psherëtimë zoti…
Dy ditë janë dy psherëtima zoti…
Tri ditë janë tri psherëtima zoti…
Katër ditë janë katër psherëtima zoti…
Pesë ditë janë pesë psherëtima…
Gjashtë ditë janë gjashtë…
Shtatë ditë janë…kaq… e kaq…
Besoj me kaq
se zoti është një psherëtitës i bukur
dhe jeta është një det psherëtimash…
O, KY MASIV JETE…
O, ky masiv jete
ky shkëmb, ky gur…
Nga plasë e zezë e gurit
ujëvarë e dritës rrjedh e bardhë
Qielli puth agimin
Zoti mediton përgjumshëm
zhuritet zemra ime
Oh, zemra ime e mirë, zemra ime
ti ke një nënë drite
siç ka gjithësecili një nënë drite
Vetëm drita, zemra ime
vetëm drita nuk ka një nënë drite
Drita ka nënë errësirën
zemra ime
NJERËZISHT…
Njerëzisht çahet qielli i larmishëm
retë me zogjtë përzihen njerëzisht
Kjo ditë njerëzore
njerëzisht mbarset mbi kokat tona njerëzore
njerëzisht e verbon këtë diell njerëzor
që njerëzisht struket prapa reshë njerëzore
Drita njerëzore zbehet njerëzisht
njerëzisht plaket
njerëzisht lëshohet
mbi drunjtë e kërrusur njerëzorë
të pyllit të errësuar njerëzor
Në pyll lepuri ketri njerëzisht frikohen
dhe arinjtë dhe ujqit kërcënojnë njerëzisht
Njerëzit gjuetarët
gjuajnë njerëzisht
njerëzisht urrejnë
njerëzisht vrasin
njerëzisht pushtojnë
O perëndi mbinjerëzore
s’ka më një copë trolli njerëzor
ku mund të ulesh të këndosh
ku mund të ulesh të qash
as ku mund të ulesh
të dhihesh si njeri!...
DY DASHNORË PUTHEN NË BREG LUMI…
Dy dashnorë puthen në breg lumi
dhe lumi rrjedh
dhe jeta vallëzon me lumin
E qetë, e qetë
përmes uji e gurësh
drita rrjedh gjelbëruar
Gurët qeshin
lumi qesh
drita qesh
Lumi e drita përqafohen
lumi këngën këndon
Këndojnë e puthen
edhe zogjtë e drurit
dhe ja dëshmia
se s’janë veç dashnorët në këto anë
O shpirti im, jeto!
Dhe mos u përpiq të keshë
përpiqu të jeshë!
Duke qenë ti ke
ndërkohë që mund të keshë
e të mos jeshë
O shpirti im që hap sytë e nuk sheh gjë!
Kot hapërimet, kot pagjumësitë e natës!
Nata të përbin, o shpirti im!
Nata është e bërë
për të na bërë të dijmë
sa të verbër jemi:
sa pak shohim me sy
sa pak shohim, o sy!
O shpirti im i vogël e i ngratë
që freskon buzëlumin!
O shpirti im prej ere
jeto duke i admiruar dashnorët e breglumit
dhe lumin dhe dritën admiro
dhe zogjtë që dashurohen pa mëkate
Dhe kujtohu vetë, o i bekuar
dhe gjithkujt kujtoja
se s’shohim duke parë
se shohim duke jetuar
O shpirt
o shpirt
o shpirt!…
ZËRI NGA MARGJINAT
Nuk jam pushti, jam zëri nga margjinat !
Po vij nga Sllupçani, nga Llaca
nga Haraçina, nga Prekazi
nga Juniku, nga Fushë Thana
nga Devolli, nga Presheva
Nga Gusia…!
Po vij i hutuar, jo i vetmuar!
Po vij, po vij vendosur!
Vëllezër, si ia çoni?
Me jetën si kaloni?
Ju mjaftojnë fitimet për harxhimet?
Keni mjaft bukë për fëmijët, mjaft kripë?
Mjaft vaj, mjaft shpirt për të dalur muajin?
S’e besoj që keni!
Këtë e ndjej! Këtë e ndjej! Këtë e ndjej!
Fjala vjen, për dy bukë e një gazetë
ju nevojiten dy marka në ditë
që domethënë gjashtëdhjetë marka në muaj
ndërkohë që s’e fitoni asnjë markë!
Për rrymë e telefon e komunalie të tjera
ju nevojiten dyqind marka në muaj
ndërkohë që s’e fitoni asnjë markë!
Për domosdoshmëri jetese si vaji, si kripa, si sheqeri
si gazi, si druri apo qymyri
ju nevojiten hiq më pak se treqind marka në muaj
ndërkohë që s’e fitoni asnjë markë!
Të mos ju flas për luks e për kafe
e di se në margjina jetohet pa luks e pa kafe
Për veshmbathje të reja fëmijësh nuk ju flas
s’është e thënë t’u blejmë fëmijëve
veshmbathje për çdo vjet!
Domethënë, hiq veshmbathjet dhe kafenë
për ta jetuar varfërinë tonë margjinale
na duhen së paku pesëqind e gjashtëdhjetë marka në muaj
ndërkohë që s’e fitojmë as një markë!
Pushtët, hajdutët, qeveritarët
kodoshët, puthadorët, uzurpatorët, lakejtë
gjithë llumi i kombit
duke rrahur bythësh kurvat
nëpër shtëpitë publike
duke ngrënë mish mejhaneve
e duke pirë verë edhe kafe
do i shtrembërojnë fytyrat e mbufatura
duke i lexuar këto reshta
do qeshin, do zgërdhihen, dhihen
do nxjerrin dhëmbët e porcellantë
e do pyesin me cinizëm:
Po si,… po si jetoka,…
me se jetoka margjina jonë?
Dhe unë do ju përgjigjem që tani:
me ajëëëëëër !!!
Zoti është aq shpirtgjërë
sa na e lejon ajrin pa para !!!…
NUK KA UJË
Ka venitje!
Nuk ka ujë!
Ka kaq shumë ditë që nuk ka ujë!
Gjithçka është vyshkur
në këtë kopsht:
lulet janë vyshkur
pemët janë vyshkur për pak ujë!
Pemët e lulet që janë nevojëtare për pak ujë
janë aq të shumta në këtë kopsht
sa duket ashiqare se edhe vetë kopshti mbahet
mbi rrënjët e tyre!
Pemët e lulet janë si nevojëtarët
që janë aq të shumtë në këtë vend!
Janë aq të shumtë
sa çmendurisht besoj
se edhe vetë qielli i katandisur
mbi kokat e tyre mbahet!
Qielli mbahet mbi kokat e nevojëtarëve, o njerëz!
Ju njerëz të mirë kurrë mos thoni: të varfërit!
Thoni: nevojëtarët!
Një nevojëtar kurrë nuk mund të jetë një i varfër!
I varfër është djalli i vetmuar-
ai i kamuri i ujitur me shkumë vere
që ka shumë para
dhe aspak shpirt!
LUMI S’VDES
Lumi s’vdes
Lumi nis
ku puth drita gurin
Besove s’besove
nga një fërkim dashnorësh
lumi lind
Rrjedh nëpër dritë
rrjedh nëpër gurë
e nëpër këngë
e jetë pas jete rrjedh
E ditë për ditë
dita vdes te bark i muzgut
nata vdes te bark i agut
lumi sheh e qan
lumi vdekjen xhelozon
lumi për veten ëndërron një vdekje
Përjetësia lodh
përjetësia vret
lumi qan vetveten
Fatkeqësi është përjetësia –
lumi e di
lumi që njëherë lind
nuk vdes më
Nga një fërkim dashnorësh
lumi lind
Lumi ka prindër dritën edhe gurin
lumi s’vdes
lumi jeton
lumi rrjedh e qan
si asnjeri
MENDTË JANË TOKA JOTE
Qielli është për zogjtë
toka për të pakrahët
Ti nuk je zog
ti nuk je zog
mos fluturo
Kush krahë s’ka patur
kurrë s’ka fluturuar
deri në rilindje
Pa krahë
zog nuk mund të jetë
as zogu i buzëburimit
Kush s’është zog
e fluturon
bie
Kush nga fluturimi bie
qafën then
Dhe vetë yjeve
dhe vetë yjeve u ndodh
të përplasen me kokë përtokë
Nata dëshmitare buzëqesh
shiko yjet
shiko yjet!
Yjet janë sytë e qiellit
në natën e kthjelltë të mendimit
Kush s’ka mend
nuk ka tokë nën këmbë
Krahët janë qielli i zogut
mendtë janë toka jote
Mbush mend !
NUK KA NEVOJËTORE PA SHTËPI
Nuk ka nevojëtore pa shtëpi
njëzet e katër orë ka dita, e hiq nuk ka
Zot i madh, si bëre të mplakem kaq i ri
rretosur, shpirtsosur endem Qiellit tim të zi
mplakur mendja, mplakur syri
zemërndryshkur, vetullndryshkur
nuk gjej dot engjëll
nuk gjej dot grua të më hedhë një sy
zogjtë e shpresës vdesin urie në këtë mosstinë
vrenjtur agimet vijnë
në degën e kësaj pranvere
nuk ka biles një zog për këngë
s’bëj dot një mrekulli të marrëzishme
s’bëj dot një marrëzi të mrekullishme
ti mund të mos besosh
ti mund të mos besosh, Zot imi
prehje s’ka, pranverë nuk ka për sytë e mi
në sytë e mi dita rri shtrirë molepsur
dita është grua e mbarsur
me njëzet e katër fëmijë varfërie në bark
shiu i mendjes më lag, shiu i mendjes më lag
e Prishtinë nuk ka, nuk ka Tiranë, nuk ka Shkup
nuk ka Tetovë e Gocë Tivar
kërkoj strehim, kërkoj shtëpi për shpirtin tim
shtëpi kërkoj, e gjej nevojtore, Zoti im
ti do thuash, nuk ka shtëpi pa nevojëtore
këtë të gjithë e thonë, këtë të gjithë e thonë
e njëzet e katër orë ka dita, e hiq nuk ka
nuk ka mrekulli të mrekullishme pa pak marrëzi
nuk ka marrëzi të marrëzishme pa pak mrekulli
e prapë se prapë, e prapë se prapë
njëzet e katër orë ka dita e hiq nuk ka
e shenjtorë nuk janë shenjtorët
shenjtorë të vërtetë janë shërbëtorët, Zoti im
e shërbëtorët thonë:
NUK KA NEVOJËTORE PA SHTËPI
QYTETI I HIJEVE
(Baladë për Gocë Tivarin)
Ku s’e kërkon e gjen lirinë
Në këtë qytet hijesh të lirëve u mungon liria
Të burgosurit e lirë kanë hall me mbijetesën
Atë që ti s’e di, ta thonë vetë ata:
ideal i vetëm i të burgosurit
është mbijetesa
Liria është tjetër
liria është shpend që s’ta sheh syri
as në ëndërr galdimi, as në pranverë kujtimi
Liria është kënga ndër dhëmbë e robit
liria është refren, liria është refren
që mund të këndohet vetëm brenda vetes
Qytetit kalëroj erën
qytetit kalëroj kalin e zi të mendimit
qytetit ik strehohem
në kullën e ftohtë të trishtimit
Jam murgu
jam murgu që prostitutën kërkoj
për epshin tim prej murgu
Në këtë qytet hijesh
kërkoj prostitutën
e virgjëreshën gjej
E atje tej, e atje tej nga Shkodra
Ridvani kall cigaren ma shkel syrin
Je tepër vonë, më thotë
kërko virgjëreshë që prostitutë të gjesh
Epshi është ankth i murgut
liria është ankth i të ngujuarit
Në këtë qytet
liria frymon ku nuk e kërkon
Në këtë qytet hijesh
Dhembja çel Lulen e Gjakut
dhe sorra dëbon pëllumbin nga degë e tharë e blirit
Në këtë qytet hijesh
liria është ëndërr
e të burgosurit dhe e të lirit
E MARTA S’ËSHTË E MARTË NË GOCË TIVAR
Jeta është bimë që duhet ujitur
sa me ujin e gjallesës aq me ujin e kujtesës
Uji i kujtesës është lot syri
e marta s’është e martë në Gocë Tivar
Rri vetëm, Sajmiri nga Vlora nuk vjen
te udhëkryqi te rrugë e Dibrës
Nuk do ta kujtojë gjakun djali
nuk do ta kujtojë nëntë korrikun nëntëdhjetë e shtatë
Në kafe Colosseum, kati i dytë
pi çaj kamomilje me lëng zemërate përzier
Poshtë xhamit të madh të kujtesës
udhëkryqin e kam në shuplakë
Zot imi, shumëkush e humb kokën n’udhëkryqe
n’udhëkryq ranë Shpendi e Nazmiu
Në këtë ditë të lagësht me trishtim vetmie
gjithçka rrjedh, gjithçka rrëshqet e ikë
si vetë jeta jonë
E marta s’është e martë në Gocë Tivar
e gjallon udhëkryqi
në sytë e kuq të kasapëve me kallasha në krahë
Në sytë e frikësuar të këpucëtarëve e butikxhinjëve
e marta s’është e martë, e gjallon udhëkryqi
Lumenjtë e njerëzve rrjedhin si kryqtarë
Gjallon e derdhet udhëkryqi
e njerëzit me mendtë ndër sqetulla
nguten e ikin dikah
Njerëzit e mërdhezur janë t’uritur
Sado të ngirë qofshin, njerëzit janë t’uritur
Njerëzit vijnë t’uritur në këtë jetë
njerëzit s’hanë për të gjalluar
njerëzit gjallojnë për të ngrënë
Më thuaj, zot imi, si humbka kujtesa
më thuaj që s’jam i padrejtë
më thuaj që jam veçse një truvrarë
E marta s’është e martë në Gocë Tivar!!!…
E martë, 12 mars 2002
SHPIRTI
Një botë e ndrydhur
thellë e mbyllur
në hapësirën e vogël
të lëvozhgës së njeriut
Diç e patrajtë
që hesht
përbrenda pëlcet
Përplotë orendi
një dhomë e ndritur
Herë herë e errët
e zbrazët si vdekja
ZOGJTË E SHPIRTIT
Në peshojë drite
e matin veten
Zogjtë e Shpirtit
Jeta s’është dhe aq e shenjtë
për ta jetuar
Vdekja s’është aq e përjetshme
për t’ju përkulur
Të palëkundur frymojnë
mes tokës e qiellit
Erërat i rrahin
dielli i përzjarr
zogjtë nuk jepen
as bijnë përtokë
as në qiell ngjiten
U kalbet palca
lëkura u pëlcet
katilëve që i mbajnë në shenjë
ROJET E SHPIRTIT
Këto roje të paepura
në teritor sovran
e ndalin ngatërresëtarin
përpara njeriut përkulen
Ec e bindi ti i dyshimti
SHPIRTI I LIG
Gjithkah na vë vesh
askund vend s’na lë
Ngado që jemi
ngado që sillemi
dyshimi i tij na ndjek
U SHUA SI KANDILI…
Të drejtën
e morën e hodhën në lumë
në breg doli e palagur
E hodhën
në zjarrin më të madh që gjetën-
e gjetën gati të mërdhirë
U hidhëruan, e burgosën
në burgun më të errët të botës-
doli më e bardhë se drita
Kur i folën në vesh
kur i thanë ta sjellin n’oborrin tim
u shua si kandili
s’arriti të jetojë
DHEMBJE
Ndaj ha plas e hesht
e plas e dhjes dhembjen
S’pandeh ta arrij të pamundurën
e mundshmja më rrah si fëmijën
S’ka mbetur kuptim për gjërat
prekja s’e vërteton ndjesinë
S’mund ta përtyp
s’mund ta përbij si mollën e kuqe
Ndaj ha plas e hesht
e plas e dhjes dhembjen
Hë, ta pëshurrsha!!!…
ERRËSIRË E FJETUR
Nuk ka dritë më të bardhë
se errësirë e fjetur
Mendimi
si flutur e vesëzuar agimi
nuhat gëlqeren e murit
S’dihet
a është i gjallë i vdekur
a është i vdekur i gjallë
gjakimi i shpirtit
mbi letrën e bardhë
S’është me rëndësi
ku ndalet pushon koha
me rëndësi është djerrsa
deri te majë e penës
kur kolli i thatë i Zanës
ma therrë errësirën e fjetur
e muret m’i vesh me gjithçka
e muret m’i vesh me asgjë
Nuk ka dritë më të bardhë
se errësirë e fjetur
BAZUAR NË SHIJEN TIME…
Bazuar në shijen time
(hiq Zotin)
mbi të gjithë do të ishin
punëtorët e krahut
Më pas do të vinin mendimtarët
artistët, llogaritarët
të varfërit, të varfërit për mend
kafexhinjtë, zanatçinjtë e imët
kasapët, zejtarët,të pasurit…
Më pas hajnat, kurvanët, prostitutat,
sahanlëpirësit, kodoshët, lakejtë…
E përfund lakejve
e fare përfund
monstrumët xheparoshë do t’i vëja:
politikanët hajdutë
që domethënë, llumin
DY FJALË PËR PËRMENDORET
Nuk bëjmë mirë
që u ngrisim përmendore heronjve
Skulptorët i kemi të dobët
fytyra të shëmtuara gdhendin
sa shumica e njerëzve
frikohen prej shtatoreve.
Më të bukur u duken
manekinët e kombit-
tradhtarët e gjallë
që sillen me elegancë
dhe tërheqin si dilerët
me dioptritë e nuancuara të syzeve
Skulptorët duarvrazhdtë
dhe artin e tyre makabër
do duhej t’i përdornim
për t’u ngritur përmendore tradhtarëve!
Mbase do t’i bënin të shëmtuar
aq të shëmtuar do t’i bënin
sa askush s’do të donte t’u ngjasonte!
DRITË
gjishpluar mbi një valë
njomësinë e këngës deshi
la detin, la valën
iku shpatijeve
njomëzave të shpirtit
e njomi shijen
shpirti iu harrua
pas muzgut që po binte
la detin, la valën , la shkëmbin
të kundërtën e prillit
ëndërronte
la detin
la valën
zbrastësirave të ëndrrës
humbi edhe vetveten
bri ëndrre e gjeti
shpresëgjënë që kërkonte!
nën qerpikun e diellit gojëar
e preku sërish!
por.., por, sërish gjishpluar mbi një valë!...
ZGJATNI KRAHËT
Zgjatni krahët e jetës
krahët e erës
krahët e malit
krahët e lumit
krahët e pemës
krahët e dritës
krahët e shpirtit
apo çfare i keni ata krahë?
Derdhni me ta
polen dashurie
mbi të gjallët
dhe mbi të vdekurit që keni!
Dhe mbështetuni lirisht mbi ta!
Rjedhimisht do jeni mbështetur mbi dashurinë.
Dhe besoni, do jeni të sigurt si planetet
E gjithë gjithësia
një plantazh dashurie është
ku veç planete frymojnë.
ZONJA HANA
Zonja Hana
I lante sytë
Me mashkuj
Me verë
E me shampanjë
Dyert e zemrës
Hapur i mbante
Nga dritaret e shpirtit
I frynte përherë erë
E pasur
Romantike qe
Jetë mondane bënte
Në të bukurën vilë
Rrethuar me pjergull
Me verë
E me safir
Ndjesë pastë
Nga palumturia vdiq