| E merkure, 24.03.2010, 10:59 PM |
Botime të reja shqiptare në gjuhën rumune
Nga Baki Ymeri
Një njohëse e mirë e relacioneve rumuno-shqiptare na shkruan se “solidariteti i përkthyesve dhe kritikëve rumunë me letërsinë shqipe është më efikas se sa strategjitë e marketingut letrar të Ministrisë së Kulturës nga Shqipëria, strategji që ekzistojnë në teori dhe mungojnë në praktikë”. Se sa është e vërtetë kjo nuk e dimë, por e dimë se një nga poetët më të admiruar të botës shqiptare në gjuhën rumune është edhe Kostaq Duka, i prezantuar me 6 poezi në revistën Climate literare (nr.28/2010): Hapësira e Amerikës, Ankth dashurie, Mbjell lule në Amerikë, Bëjmë sikur, Beti Beti, Ketrat.
Pason Oglinda literara me portretin e Marilena Liksë “Ylljet Aliçka - një një shkrimtar shqiptar i hyrë në orbitën e suksesit”.
Ylljet Aliçka në Oglinda literara
Një revistë tjetër që shtyllat për kulturën shqiptare është Revista noua (nr. 2/2010) me reçensionin e Mihai Antonescut “Format e mahnitshme të idesë” kushtuar deshifrimit të vlerave të Skënder Sherifit, poet shqiptar frankofon me banim në Belgjikë. Në kuadrin e të njëjtës revistë shquhet edhe kronika letrare e Victor Steromit “Impulse ancestrale apokaliptike” dedikuar romanit të Albina Idrizit “Hijet e kullave”, të cilin e karakterizon (konform vlerësimeve tona paraprake), si “një libër të vlefshëm i konceptuar me mjeshtri artistike mbi jetën, luftën dhe dashurinë, një album memorialistik për Kosovën e përgjakur dhe për kolonelin serb që shndërrohet në një fantazmë ballkanike si pasojë e krimeve të një armate vrastrae, të cilën komuniteti ndërkombëtar e hodhi në koshin e plehërave të historisë”. Sipas vlerësimeve të autorit (Victor Sterom), “Sipas koncepteve të saj, Albina Idrizi në Hijet e Kullave është e ftuar të shikojë tejmatanë fjalëve të saj, tejmatanë nyancave dhe shpirtërave, duke arritur të përjetojë sqena halucinante, duke kaluar nga një fakt real në analiza psikologjike dhe filozofi, duke lënë të jetë e joshur përmes kuptimeve të thella dhe të përjetshme të jetës dhe kohës së përjetuar”.
Në vazhdën e afirmimeve shqiptare në botën letrare rumune shquhet edh revista Cronica (shkurt, 20010), e cila hap shtyllat për prezantimin e librit të Adem Zaplluzhës “Pema e bekuar” që e pa këto ditë dritën editoriale në Bukuresht. Autor i reçensionit “Ndërmjet dhembjes si pre e një kohe dhe çasti kur zgjohen mitet” është kritiku Marius Chelaru, mik i madh i letërsisë shqipe, sipas të cilit, “Kosova gjendet ndërmjet dhembjes si pre e një kohe dhe çastit kur
zgjohen mitet dhe shpërthen durimi. Kosova me refugjatë të zbathur dhe kryet e përulur që projektojnë ardhmërinë. Këto dhe të tjera mund të lexojmë në këtë vëllim, edhe përmes syrit të atij që kërkon modelin në të cilin është gërshetuar/ cilësia e detajit. Apo ngjyrat, apo fjalët, apo metaforat, apo kërkimi i kierarkive vlerësuese të „plasimit” në peisazhin poetik të gjuhës shqipe. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të lexoj poemat e Adem Zaplluzhës, duke e kundruar si një engjëll që banon në një zonë të mbërthyer në kthetrat e pushtimit të huaj, siç ishin deri dje Kosova, Basarabia, Bukovina e Veriut, Lugina e Timokut etj.”
Kostaq Duka në revistën Climate literare
Revista Cronica kohë më parë e ka prezantuar edhe Nuri Plakun nga Shqipëria përmes reçensionit të Marius Qelarut “Një pyetje për vetveten” (dhjetor 2009, fq. 28).
Me vlerësime të ngjashme në shtypin letrar të Rumanisë janë dekoruar edhe veprat e Sali Bashotës, Sabit Rrustemit, Basri Çapriqit, Sabile Bashës, Ibrahim Berishës, Nexhat Rexhës, Ramadan Mehmetit etj. Në kuadër të afirmimit të vlerave letrare në gjuhën rumune pason të dalin gjatë këtij viti edhe vëllimet poetike të Remzi Limanit nga Kosova (Tinguj të humbur) dhe Sadik Krasniqit nga Gjermania (Ofshamë në urnë), ndërsa këto ditë dalin në dritë edhe dy vëllime me poezi në gjuhën shqipe: Mbrëmje në megrim i Sokol Demakut nga Suedia dhe Dhurata e Zotit e Ylli Dilos nga Greqia.
Revista rumune me vlera shqiptare