Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahë Sadrija: Vetëm në luftë për Liri vdekja nuk është humbje

| E marte, 23.03.2010, 10:59 PM |


Vetëm në luftë për LIRI, vdekja nuk është humbje

 

Nga Jahë Sadrija

 

Kasim (Ibish) Uka u lind më 31 janar 1970 në fshatin Ponoshec. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në fshatin e lindjes dhe në Gjakovë.

Për bindjet e tija politike dhe antiserbe, nga  policia torturohet e keqtrajtohet njëherë në vitin 1992 dhe më pas në vitin 1997.

Torturimet jo që nuk e trembën, por tek Kasimi i shtuan urrejtjen kundër okupatorit. I bindur se kishte ardhur koha e fundit në robëri, mobilizohet me vëllezër e bashkëfshatarë dhe marrin rrugën për në Shqipëri. Atje armatosen që të kthehen në Ponoshec dhe më 3 maj 1998 merr pjesë aktive në luftën frontale kundër policisë serbe në këtë fshat.

Tek Kasimi spikatnin shumë cilësi të veçanta: i zgjuar, i shkathët, i thjeshtë, gojëëmbël, vetëmohues, por edhe i ashpër dhe i pakompromis kur i cënohej e drejta. Mbi të gjitha ai çmoi kauzën e shenjtë të çlirimit të Kosovës nga zgjedha e rëndë e robërisë serbe.

Ky djalë trim, që tregoi zgjuarsi të rrallë në aksione, si në Ponoshec, Smolicë, Gllogjan e deri në Koshare. Kado që shkonte ushtarët i bënte për vete në ideal.

Kasim (Ibish) Uka 31.01.1970 - 14.04.1999
Kasim (Ibish) Uka 31.01.1970 - 14.04.1999

Ishte komandant Togu në betejat e shumta, të cilat i realizonte me sukses.

I pari hidhej në sulm, armën e tij kurrë nuk e lëshonte nga dora deri në ditën e rënies dëshmor më 14 prill të vitit 1999 në ora 15:00, në një betejë të ashper të Koshares.

Janë këto disa nga rrëfimet e bashkëluftëtarit të Kasimit, Blerim Ahmetit, i cili derisa rrëfente, lotët i shkonin pajada.

E varrosën në B.Curr më 16.04.1999, ndërsa rivarrimi në fshatin e lindjes në Ponoshec u bë në vitin 2000.

Kasimi u rrit në kohën e kthesave të mëdha historike, në kohën e urrejtjes më të fuqishme kundër okupatorit serb.

Në emer të lirisë bëri sakrificën sublime, vuri jetën në altarin e shenjtë të Atdheut. Vepra e këtij ylli të pashuar që ra për atdhe, nuk fshihet nga e kujtesa, do të jetë gjithmonë pranë nesh, pranë familjes dhe bashkëluftëtareve.

Edhe sot ngrohemi me veprën e tij heroike, na jep krahë për bëteja të reja deri në çlirimin përfundimtar nga armiqtë, dhe me bashkimin e tokave shqiptare.

Gjaku i Kasimit u bë një me gjakun e 119 dëshmorëve që ranë në Kosharen heroike.

Sot në liri dhe në Kosovën e pavarur po rritet i vetmi fëmijë që e la Kasimi, djali Flakërimi 12 vjeç, ndërsa kur i ati ra dëshmor kishte vetëm 11 muaj.

Lavdi dëshmorit të kombit Kasim Uka!

Lavdi gjithë atyre që ranë për atdhe!

 

Gjakovë, 22.03.2010