| E marte, 23.03.2010, 10:53 PM |
Suzana Kuqi
Ca si shumë për një të djelë
Nuk e di pse m'u kujtua. Ndoshta u bë shkak ai publiciteti që nuk e fiksova se kujt i bëhej... tashmë jam e vaksinuar e nuk ua vë veshin, ta shesin sapunin për djathë. Fillon me atë punën e gotës, medemek për të të provuar në je optimist apo... Duket e thjeshtë, por është punë koti, më besoni, sa herë e kam provuar jam ngatërruar më keq. E zemë se dikush të zgjat një gotë ku niveli i verës në të kuqe të bukur arrin në mesin e perpendikulares së gotës. Sigurisht e merr, nuk i bën buzë, ai lëng aty ta bën me sy. Madje... dhe falenderon por... me vete thua “ ç'është kjo gotë gati bosh, nuk i vjen zor e bën veten për dy gishta verë”. Ama po t'ja zgjasësh t'ja dikujt pikë për pikë atë gotë, do ta qash sikur të ishte plot. Më thoni, ka vend për optmizëm këtu?
Por nuk ishte ky publiciteti që ma kujtoi kolegen e vjetër. Ishte ai që vinte pas, një vajzë me një fytyrë e trup të përsosur bënte joga. Ec e merre vesh se ç'u duhet joga këtyre të përsosurave. Mendja e shpirti i universit ka hyrë në to që në fillim, që me krijimin e embrionit.
Kjo kolegia ime ishte goxha me moshë...
Më falni një minutë se ra telefoni. Kujto qenin e bëj gati shkopin. Nuk e kam për Xhanën, në asnjë mënyrë nuk do t'ja lejoja vehtes ta krahasoja me qenin, e kam me publicitetet. Kanë filluar të na i bëjnë me telefon tani.
- “Mirëdita!Jam Kamila nga teledue, zona juaj mbulohet tani nga.....”
Ti i thua: - ” Nuk më intereson!”
E ajo: - “Si nuk ju intereson!?”.
- “ Ja që nuk më intereson!”
- “ Zonjë, mund të më thuash përse nuk ju intereson!?”
Dreq o punë, duhet të jap edhe llogari se përse nuk më intereson. Në këtë pikë, nuk pyes fare as për takt, as për edukatë dhe as për turp. I bie shkurt, mbyll telefonin.
Se e fillova njëqint herë e nuk po e nxjerr dot në krye. Më shumë afër të ... Jo, nuk është mirë dhe aspak e ndershme të përfolësh moshën e grave. Pastaj se mos njihte moshë ajo. Nuk kishte as edhe një fije celuliti. Ishte e divorcuar, thosh se burri e kishte lënë për një tjetër. Ja dhe këtu i rrëshqas prapë rrëfimit. Eshtë për t'u çuditur se si gratë kur u vihen brirë, nuk e kapin aq me burrat e tyre se sa me gruan që i ka marrë mendjen në veçanti e me të gjitha gratë në përgjithësi. Kësaj nuk kam mundur kurrë t'i jap përgjigje. Mos vallë betimin për dashuri e besnikëri të përjetëshme ja ka bërë ajo tjetra? E megjithatë... t'i dëgjosh duket se fajin ua kanë vetëm gratë. Rregull i përgjithshëm që sigurisht ka edhe përjashtime, ajo tjetra është më e re. Nuk mund të them më e bukur, sepse sytë më kanë parë gra nga më të bukurat që tradhëtohen nga burrat e tyre. Siç duket vjen një pikë në moshën e burrit ku koncepti klasik i bukurisë i lë vendin atij tjetrit, “e bukur është ajo që më pëlqen”. E ajo që u pëlqen e kanë nevojë është... një shpirt rinor. Nuk këmbëngul, mund edhe të gabohem, fundja nuk jam burrë...
Xhanës, i kish hipur në kokë t'i provonte vetes dhe të tjerëve se vlente më shumë se ajo tjetra. Palestër, parukeri, veshje rinore të modës... pas një viti u shndërrua plotësisht. E jo vetëm, zuri mik një burrë më të ri se veten. Mirë që e thashë që në fillim, ka dhe përjashtime. Ai vinte përditë ta merrte nga puna. Por jo ta priste në makinë siç bën burri im, ai zbriste nga makina dhe e priste tek porta.
- “Shiko budallai ka ardhur prapë”,- më pëshpëriste në vesh kur e shihte. E me të thënë këto shkeputej e nxitonte drejt tij. Ai hapte krahët, e përqafonte e meqë Xhana ulte kokën si një vajzë e turpshme, i fuste edhe një të puthur në buzë për t'i hequr turpin.
- “Eshtë fare,- thosh të nesërmen, - kish marrë një libër me poezi e m'i lexonte. Mirë me kaq por pastaj filloi e u bënte komente.
“Dreq o punë”, thoja me vehte, “ku shkon e i bjen kësaj... nuk thonë kot, askujt nuk i bjen haku tamam”.
- “ Më çoi në teatër mbrëmë. U mërzita, pjesa ishte në dialekt e ai më çau veshët duke më përkthyer. Nuk e prita fundin, u çova. Në daç rri në daç eja, unë po iki.Më erdhi pas në...
- “Dreq o punë, Xhana...”
- Mbrëmë më çoi në kinema. Ah, çfarë filmi, më pëlqeu e më la aq mbresë sa nuk më shkohej në shtëpi ndaj dolëm një herë andej nga bregu i detit.
- “Më në fund qënke kënaqur”.
- “Thua ti. Po ku të le ai, zuri e më recitonte ca poezi....
- “Dreq o punë...”
- “Shkuam në një festë mbrëmë e u kënaqa duke kërcyer. Ai mbetet pa mend kur kërcej unë”
- “Më në fund...”
- “Ka bërë rregjistrimin dhe pagesën për të dy në një kurs joge. Sonte fillojmë.”
- “Më qafsh! Kurs joge?! Me të vërtetë e ke?
- “Nuk tallem.”
Të nesërmen në mëngjes.
- “ Si ja kalove në joga, më thuaj ç'bëtë aty, jam kurioze?”.- e në fakt isha kurioze aq sa kisha përtypur tërë darkës kërkesën që desha t'i bëj burrit të më rregjistronte në një kurs joge. C'ti bësh, kam qëlluar kështu, shumë kurioze për të mësuar gjëra të reja.
- “Lëre fare,- ma priti ajo buzëvarur.- Thashë se do të zbavitesha. Pse zbavitje ishte ajo? Na vunë të kapeshim të gjithë për dore e të bënim “auuum”. Lëre mos e pyet, më kapi gazi e qesha me të madhe. Sikur ç'farë bëra, qesha, por veç t'i shihje se sa me inat më shikuan. Me mua e kishin ata? Qesha prapë. Shpëtova, më tha se nuk më merr më me vehte se e turpëroj para...”
- “Dreq u punë Xhana, ka paguar paratë”.
- “Punë për të, paratë e tij janë”.
Ec e merre vesh këtë punë. Asnjëra nuk e merrte vesh, filluan të vinin baste se nuk do të zgjaste shumë. Nga vera Xhana u zhduk, desha të them u zhduk nga puna me një raport mjekësor të gjatë. Pastaj lajmëroi në telefon se kish disa probleme me të bijën. “Ashtu thotë por me siguri i ka bërë naftën ai”, tha dikush e ne e miratuam njëzëri. Nuk e pashë gati gjithë verën deri...
... një të djelë. Nëse më bie pushim ndonjë e djelë, shkoj në plazh me burrin më të mirë të botës, domethënë timin. Vazhdoj ta quaj më të mirin e botës, edhe se të them të drejtën që nga ajo ditë kjo bindje sikur ka nisur të lëkundet. E djela pushim e verës fillon kështu. Cohem, i bëj kafenë dhe ja çoj në shtrat. Pastaj i përgatis mëngjesin e ndërsa ai ha, unë nxjerr qenin. Kthehem, përgatitemi për plazh e dalim. Im shoq është shumë xhentil, çadrën e çantën e plazhit nuk më lë kurrë t'i mbaj unë. Stacioni i parë, kjoska e gazetave. Ai gazetë, unë një revistë. Stacioni i dytë, dyqani i duhanit. Në se nuk rrotullohemi në ndonjë vend tjetër, pas një ore jemi në plazh edhe se e kemi vetëm pesë minuta larg më këmbë nga shtëpia.
Mbërrijmë, zgjedhim vendin e unë nis e shtroj peshqirët, ai rri e pret më këmbë duke më ndihmuar me sugjerimet, pak më majtas, pak më djathtas. Me t'u vënë peshqirët ai zvishet dhe ulet, ndërsa unë hap çadrën e mas ku duhet vënë që hija të bjerë të paktën në një nga peshqirët tanë e të mos shkojë t'u bëjë fresk të tjerëve. Ndërkohë burri më i mirë i botës ka hapur gazetën e ka dredhur nja dy cigare. E shkëpus ca me keqardhje që të vijë e të ngulë shkopin e çadrës. Ulem mbi peshqir e marr frymë thellë. Kësaj i thonë jetë. Vdes për këtë lloj jete. Det, ajër, diell. Nxjerr kremin e plazhit. Padashur sytë më bien pak më tej. Mbi një peshqir të bukur një grua e shtrirë mbi kurriz tek merr rreze. Edhe pse me sy mbyllur, nuk mund ta ngatërroj, është Xhana.
- Xhana!
Sytë nuk hapen, e ka zënë gjumi. “Paskemi pasur të drejtë, është vetëm, nuk...“ Nuk arrij ta përfundoj mendimin, ai ja ka behur me një revistë të bukur në dorë dhe një buzëqeshje rrëzëllitëse deri në rrëzë të flokëve.
- “E dashur, ta bleva”,- ja zgjat ai.
Prita që dhe ajo t'i buzëqeshte. Përkundrazi, fytyra e saj ishte e vrënjtur dhe e mërzitur.
- “Më janë mbaruar cigaret, e di ti se sa nerv ..., - pa e mbaruar fjalën, ai ka dalë në rrugë. Xhana e kaloi rrëshqitazi shikimin nga ana ku isha unë por nuk e ndali, vazhdoi nga ana e rrugës ku pas pak u duk ai që ja tundte gjithë gëzim paketën nga larg.
- “Më jep një cigare, - zgjas dorën nga im shoq.
- “Të thashë të blije paketë, tani merre dridhe vetë,- burri më i mirë i botës më rrasi në dorë kaushin e duhanit.
Fillova ta dridhja ndërkohë nuk mund t'ja shqisja sytë Xhanës që hapi paketën e nisi të tymoste ndërsa ai filloi t'i lyente shpatullat e kurrizin me krem. U kujtova për tubetin tim të kremit që e kisha harruar mbi peshqir.
- “Të lutem, më lyej pak shpinën se nuk arrij.
Im shoq i shkëput sytë nga gazeta, më shikon ca i bezdisur, gjë që më bën keq të them të drejtën, por më keq më bëjnë fjalët e tij:
- “Tani e gjete të m'i bësh duart pis? Sa desha të ndez një cigare”.
- “Lëre fare, - i them e pezmatuar dhe ai e kupton se jam lënduar por nuk kupton përse.
- “C'pate!? Nuk thashë jo, thashë vetëm...
- “ Lëre, eja shkojmë të lahemi.
- “Ik vetë, kam dhe nja dy faqe për të mbaruar gazetën”.
Iki, lahem e kthehem. Burri im vazhdon e lexon e as më vë re që jam kthyer, i dashuri i Xhanës, është përkulur mbi të e diç i tregon me zë të uëet. Herë pas here dëgjoj të kakarisin. Pastaj ai hap çantën e nxjerr ca panine. Fillon dhe e ushqen, si fëmijë. Kur mbarojnë së ngrëni zhduket një moment e momentin tjetër duket me akullore në dorë të cilën ja servir mbi një buzëqeshje. E nuk mbaron këtu, zhduket e duket me një filxhan të bukur kafeje. Vetëm për Xhanën. E mbasi çon filxhanin në klubin ku e ka marrë, kthehet dhe e lyen prapë me krem. Nuk po mundja t'ua ndaja syte. Diku ajo kthen kokën nga unë, këtë herë nuk më shpëton dot, i hidhem si skifter shikimit të saj dhe e kap. Ajo më shkel syrin.
- “E njeh atë grua”? - çuditërisht burrit tim i kanë ardhur sytë për të parë rotull.
- “ Po”.
- “Po ai, kush është? I biri?” -
Kjo më hutoi ca, më shumë se dy orë aty e... e thosh i biri.
- “I fejuari”.
- “I fejuari?! Po ai është më i ri”.
- “ Ec e thuaji asaj!”
- “ Po, ajo s'bën asnjë lek, qënka dhe e shëmtuar.
- “ Ec e thuaji atij...,” - që u bë copë për të e jo si ti.... Desh Zoti e këto të fundit nuk i shqiptova se do t'i hapja me të vërtetë probleme vehtes. E lashë fare atë muhabet e nuk ja hodha më sytë Xhanës, edhe se e ndjeva se ajo kërkonte shikimin tim. Nuk ja vara. Mos mendoni se ishte xhelozi, jo. Nuk jam aq mendjelehtë të bëhem xheloze, thjesht nuk desha të më cyste të hapja ndonjë diskutim koti me burrin. Se burrat janë ndryshe... nuk e ulin veten ta krahasohen me burra të tjerë. Në rastin më të mirë do të shprehte mendime të pakëndëshme në adresë të së njohurës sime. Në rastin më të keq, do ta mbyllte diskutimin me atë frazën e famshme : “të kisha menduar ndryshe, por po konstatoj se nuk bën dallim nga gratë e tjera”! Jo, kjo nuk durohet, të çakërdis nga nervat, do të ishte shumë për një të djelë...