| E hene, 22.03.2010, 10:59 PM |
Shënohet 11-vjetori i rënies së dëshmorit Shefki Kuleta
Nga Milazim KADRIU
Me një manifestim rasti në Tërrnavë të Besainës shënohet përvjetori i 11-të i rënies së dëshmorit të kombit Shefki Kuleta. Duke kujtuar shëmbëlltyrën e dëshmorit të kombit Shefki Kuleta u tha se është njëri nga djemtë e Llapit i cili pa hezituar me paraqitjen e UÇK-së në skenë iu bashkua radhëve të tyre i cili në shumë beteja tregoi trimërinë dhe guximin e tij. Ai bënte pjesë në Njësitin “Kështjella-26” që vepronte në kuadër të Brigadës 151 ,,Zahir Pajaziti’’ të ZOLL-it. Pasi i kryen ushtrimet ushtarake në Shalë të Bajgorës u rreshtua në njësitin gueril ,,Kështjella 26’’.Ai përveç që merrte pjesë në luftimet kundër pushtuesit ishte edhe në Shqipëri me
shokë disa herë për të sjell armatim dhe pajisje të nevojshme luftarake. Marsi i vitit 1999
shënon një ndër epokat më të lavdishme të UÇK-së. Në ZOLL-it, njësitet e UÇK-së me sukses iu kundërvunë ofensivave serbe të ndërmarra në shkallë të gjerë përgjatë magjistrales Prishtinë-Besianë, ku atyre u shkaktojnë humbje të mëdha si në teknikë ashtu edhe në njerëz, por njëkohësisht edhe në radhët e UÇK-së në mbrojtje të vendit bien dëshmorët e kombit në mesin e tyre edhe Shefki Kuleta.
Me këtë rast pranë varrit të dëshmorit u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh,ndërsa një program kulturo-artistik e shfaqën nxënësit e shkollës së fshatit që me krenari mban emrin e dëshmorit Shefki Kuleta.
Në një familje që njihet për traditë atdhetare dhe dashuri arsimore, në familjen Kuleta të fshatit Shpat (ish Tërnavë) të Besianës (ish Podujevës), më 20 maj të vitit 1970 u lind dëshmori i kombit Shefki Kuleta. Familja e Shefkiut si shumë familje tjera në Kosovë i dhanë rëndësi të madhe shkollimit dhe edukimit. Prindërit e Shefkiut, Ali dhe Nazife (Humolli) përpos dëshmorit kishin edhe gjashtë djem tjerë dhe dy vajza : Abdurrahmanin, Shaipin, Hanifen, Shyqriun, Ilmiun, Hakiun, Ruzhdiun dhe Taiben, ndërsa Shefkiu ishte fëmija i tretë . Që të gjithë janë të shkolluar. Aliu, babai i dëshmorit të kombit ishte autodidakt dhe njihte shumë mirë shkrim-leximin dhe matematikën. Ai ishte i njohur në këtë anë për qëndrimin e tij kombëtar dhe për këtë disa herë kishte kaluar nëpër procese gjyqësore.
Shefkiu, shkollën fillore e kreu në vendlindje në shkollën “Jeta e re”, ndërsa të mesmen dy vite i kreu në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse vitin e tretë dhe të katërtin në Normalen e Prishtinës, drejtimi i matematikës. Pas shkollës së mesme të cilën e kreu sukses të lartë, dëshira e tij ishte të regjistrohet në Mitrovicë në Fakultetin Xehtaro – Metalurgjik, Dega e xehetarisë. Si student e kuptoi vlerën e lirisë se mbi të gjitha është ajo. Rrethanat e vështira që ekzistonin në Kosovë të shkaktuara nga okupatori, ai u frymëzua me ndjenja patriotike të popullit dhe vuajtjet të cilat i përjetoi edhe vet gjatë shkollimit. Diplomoi më 19.02.1998 në Prishtinë pas tërheqjes së Fakultetit Xehtero – Metalurgjik nga Mitrovica në Prishtinë, dhe mori titullin Inxhinier i xehetarisë. Ishte mjaft aktiv në të gjitha protestat dhe demonstratat që mbaheshin dikur si forma të shpeshta për të kundërshtuar regjimin serb që dita ditës po ua ngushtonin hapësirën dhe veprimin dhe po ua rrëmbente shqiptarëve edhe atë pak liri që e kishin pasur për disa vite. Ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave të viteve 1988-89 dhe në protestat studentore ishte pjesëmarrës i dalluar. Si kuadër i shkolluar dhe njeri përparimtar ka ndihmuar jetën plurale në rrethin e tij. Shefkiu në këto anë njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore.
Pas daljes në skenë të UÇK – së Shefkiu pa hezituar dhe pa humbur kohë lajmërohet në Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë ku vendos kontaktet e para me Fatmir Humollin dhe kushëririn e vet Agim Kuleta i cili veproi një kohë të gjatë në ilegalitet.
Nga ky takim që kishte Shefkiu e merr detyrën dhe orientohet që kontributin e tij në vazhdim ta jap në Zonën Operative të Llapit. Menjëherë lajmërohet për në Bajgore për përgatitjet ushtarake dhe fizike. Përgatitjet e duhura ushtarake i përfundon në korrik të vitit 1998. Pasi i mbaron stërvitjet ushtarake në Bajgore me shumë shokë të tjerë niset për të shkuar së bashku në Shqipëri për të sjell armatim për pjesëtarët UÇK-së. Ai fare nuk i përtonte rrugës së gjatë dhe me plotë rreziqe në të cilën pësuan shumë nga luftëtarët e UÇK – së. Pas kthimit nga Shqipëria të gjithë ushtarët që kishin qenë atje, Komanda e ZOLL – it i lejon të bëjnë një pushim të shkurtë në shtëpitë e tyre. Gjatë kësaj kohë fillon Beteja e njohur e Kaqanollit e cila zhvillohet për tri ditë me radhë 15,16 dhe 17 shtator 1998, në kodrën ku bashkohet Llapi me Shalën. Me të kuptuar se çfarë po ndodhte, Shefkiu e ndërprenë pushimin sepse ngjarjet që zhvilloheshin nuk i lejohet që askujt të bënte pushim. Ai nëpër flakën e pushkëve, duke kaluar një rrugë të gjatë nga fshati i lindjes deri në vijën frontit arrin që të bashkohet me shokët e tij.
Shefkiu ishte i vetëdijshëm për bashkërendim e detyrave të veta i cili rreshtohet në mesin e ushtarëve të lirisë në vijën e parë të frontit. Më vonë pas themelimit dhe zgjerimit të strukturave dhe formacioneve ushtarake në ZOLL, formohet edhe njësiti “Kështjella -26” që vepronte në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë – Besianë ( në fshatin Shpat ). Gjatë kësaj kohe Shefkiu angazhohet për të kryer edhe shumë punë të tjera që kërkohej të mbaheshin vazhdimisht lidhje me qytetin e Prishtinës.
Nga njësiti “Kështjella - 26” për ndihmë vendeve të tjera u shkonin ushtarë të shumtë, pavarësisht ku zhvilloheshin betejat si në Kodrioni (ish Godishnjaku), Burimi (ish Buricë), Penuh etj.
Shefkiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në Zonën e Llapit, ndërsa herën e fundit ishte përgjegjës i njësitit “Kështjella – 26”. Në ditën e pranverës, 21 mars 1999 ushtria serbo – sllave kishte marrë ofensivë në tërë ZOLL-in.
Shefkiu përsëri ishte në vijën e parë të frontit, dhe ju kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatik ku bie heroikisht në fushën e nderit. Edhe pse me bindje fetare dhe me pseudonimin Hoxha, kishte dashur që fjalët e thëna eventualisht të ndonjë myftiu t’i dëshmonte me veprën më të madhe më të lartësuar para atdheut dhe zotit.
Me 21.03.1999 ishte ditë e vështirë për luftëtarët e lirisë ku armiku barbar me terë potencialin ushtarak sulmonte pozicionet e UÇK-së, në këto anë të Llapit, në fshatrat Kodrion dhe Penuh. Në mbrojtje të vendit në vijën e frontit ishte edhe Shefkiu që ra dëshmorë në ditën e pranverës, në prag të pranverës kosovare. Shokët e Shefkiut u treguan të guximshëm dhe solidar, si në front ashtu edhe në tërheqjen e kufomës së shokut të tyre Shefkiut. Varrimi i tij u bë në fshatin Kodrion në orët e vona të natës nga shokët e tij. Pas pesë muajsh largim me dhunë nga Kosova familja e tij kthehet nga Gjermania në atdhe.
Rivarrimi i dëshmorit të kombit Shefki Kuleta është bërë më 9 shtator 1999, ku trupi i tij zhvarroset dhe nga Kodrioni sillet për tu rivarrosur në varrezat e fshatit të lindjes së tij në Tërrnavë ku edhe sot prehet i qetë nënë hijen e blinjve në varrezat e fshatit. Rivarrimi i Shefkiut është bërë me ceremoni madhështore dhe në te kanë marr pjesë përpos shokëve të luftës edhe shumë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Shefkiu nuk ishte i martuar. Ai ishte fizikisht i zhvilluar dhe kishte një trup sportisti por dhe ishte një intelektual i dalluar. Në përvjetorin e dytë të rënies së tij në vendin e rënies në Kodrion, nga ana e familjes dhe shokëve të tij i ëshët ngritur lapidari. Ndër shokët më të afërt gjatë luftës kishte Shaban Avdiun (tash dëshmor i kombit).
Pas luftës për kontributin e dhënë të dëshmorit për lirinë e vendit familja e dëshmorit është nderuar me disa mirënjohje si nga SHP i UÇK-së, nga SHP i ZOLL-it, SHFD në Besianë, KK i Besianës etj. Ndërsa sot me krenari shkolla e fshatit Shpat (ish Tërnavë) e mban emrin e dëshmorit të kombit Shefki Kuleta.