| E hene, 22.03.2010, 10:46 PM |
INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE STUDIUESIN E LETËRSISË PËR FËMIJË DR.
LETËRSIA PËR FËMIJË - PASURI E VEÇANTË E KULTURËS SONË NË PËRGJITHËSI
Nga Bilall MALIQI
Mund të themi se ne kemi një letërsi të mirë për fëmijë, me autorë e vepra në të gjitha llojet letrare, e cila është e këtillë në saje të kontributit që dhanë autorët tanë të njohur, të cilët në një periodizim të saj, merren si autorë të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, siç janë Bedri Dedja, Vehbi Kikaj, Odhise Grillo, Rifat Kukaj, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Ymer Elshani, Agim Deva, Qamil Batalli, Rrahman Dedaj, Skënder Hasko, Zejnullah Halili, Adem Gajtani, Ymer Shkreli, Abdullah Thaçi, Ibrahim Kadriu, Gani Xhafolli, Arif Demolli e të tjerë.
I nderuari Xhevat, luteni që në pika të shkurtra të na tregoni ecejakjet tuaja në rrafshin krijues deri te libri më i ri me poezi për fëmijë “Vel vjeshte”, me të cilin morët Çmimin e Panairit të 12-të të Librit në Tiranë?
-Me krijimtari letrare kam zënë të merrem që nga fëmijëria, më saktësisht nga klasa e tretë e shkollës fillore. Mbaj mend, një vit më herët, kur isha në klasën e dytë, mësuesi, pasi na foli për stinën e vjeshtës, për begatitë dhe bukuritë e kësaj, na e dha detyrë shtëpie të shkruanim nga një vjershë. Edhe sot, si nëpër mjegull më kujtohen vargjet e mia për vjeshtën, të cilat ngelën diku në fletore, pa u marrë më shumë me to. Ato mbetën aty, mendoj, mbase për shkakun se vjershën e shkruaja si detyrë shtëpie. Vjersha e parë, e cila doli nga një frymëzim i fuqishëm, është ajo për lejlekun, e shkruar në klasën e tretë, pikërisht në syrin e pranverës, kur ishte kthyer lejleku në çerdhen e tij mbi lisin e gjatë pranë kullës sime në fshat. Që nga ajo kohë librin e kisha një shok të pandashëm dhe nuk kam pushuar të merrem me krijimtari letrare, jo me ndonjë përkushtim të përditshëm, por asnjëherë i liruar nga meditimi për jetën, për gjërat e fenomenet në të. Librin e parë me poezi për fëmijë “Syri i pranverës”e botova kur isha njëzet vjeçar, më 1976. Pas tij botova një vëllim poetik për të rritur (Hyrje në vjeshtë), për të vazhduar prapë me botimin e librave për fëmijë “Vjersha e humbur” (poezi) dhe “Zilja e fëmijërisë” (tregime). Ndërkohë i jam përkushtuar më shumë studimit të letërsisë për fëmijë. Më 1998 botova monografinë për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Vehbi Kikaj, me titull “Arti i porosisë”, pastaj monografinë për poezinë e Xhevat Beqarajt “Harmonika e atdheut” (2005) dhe monografinë për jetën dhe veprën letrare të Ymer Elshanit “Universi i mirësisë” (2008), si dhe librin me kritika e studime per letërsinë për fëmijë Kush e shkruan poezinë” (2005). Përveç këtyre, bashkë me Agim Devën përgatitëm librin “Orët e duartrokitjeve” (2002) që është një monografi për Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë në dy vitet e para të jetës së tij. Librin “Vel vjeshte” (2009) e sajova nga poezitë e mia më të reja për fëmijë, me të cilin fitova Çmimin e Panairit të Librit “Tirana
Letërsia për fëmijë
Në cilësinë e studiuesit të letërsisë për fëmijë, na tregoni se çfarë mendoni për letërsinë për fëmijë sot në trojet shqiptare, çfarë shkalle ka arritur ajo?
-Mund të themi se ne kemi një letërsi të mirë për fëmijë, me autorë e vepra në të gjitha llojet letrare, e cila është e këtillë në saje të kontributit që dhanë autorët tanë të njohur, të cilët në një periodizim të saj, merren si autorë të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, siç janë Bedri Dedja, Vehbi Kikaj, Odhise Grillo, Rifat Kukaj, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Ymer Elshani, Agim Deva, Qamil Batalli, Rrahman Dedaj, Skënder Hasko, Zejnullah Halili, Adem Gajtani, Ymer Shkreli, Abdullah Thaçi, Ibrahim Kadriu, Gani Xhafolli, Arif Demolli e të tjerë. Është një goditje e madhe fakti se një numër i madh i këtyre autorëve na lanë. Mirëpo vepra e tyre letrare dhe ajo që po krijohet sot nga shkrimtarët tanë të njohur për fëmijë, në mbarë hapësirën tonë kombëtare, shpreh vazhdimësinë e një tradite të mira, pa dyshim edhe me prurje të reja në të gjitha aspektet. Megjithëkëtë, letërsisë sonë për fëmijë sikur i nevojitet paraqitja e nje brezi të ri shkrimtarësh, i cili me siguri do ta dalë nga penat me të reja që i janë rrekur kësaj krijimtarie.
Na e tërhiqni një diagonale midis poezisë për fëmijë përpara dhe sot, ku qëndron dallimi i vlerave, pastaj cilat janë kriteret për botim etj.?
-Ka dallime. Përpara, siç thoni ju, kishte një shtëpi botuese, me një redaksi të profilizuar, ku kishe redaktorin apo redaktorët përkatës edhe për botimet për fëmijë, ndaj libri që botohej aty nuk dilte vetëm me kujdesin për pastërtinë e tij ideologjike, sic ndodh shpesh të banalizohet ajo punë, por dilte i redaktuar, i lekturuar, para së gjithash dilte i botueshëm, e domosdo edhe me një nivel së paku të pranueshëm cilësie. Tani ka më shumë shtëpi botuese, por nuk e ka secila nga ato këtë kujdes. Madje, ka edhe botime të shumta të autorëve, të cilat ndodh të dalin edhe pa kujdesin minimal profesional. Ndërkaq, sa u përket vlerave, në kontekstin kohor, mund të themi se ato edhe atëherë, edhe tani korrespondojnë me kohën në të cilën krijohen, kuptohet, duke shkuar përherë nga modernizimi i shprehjes, nga risitë jo vetëm në aspektin përmbajtjesor, por edhe stilistik. Derisa më parë, apo në fillimet e krijimtarisë letrare për fëmijë te ne botoheshin kryesisht romane përrallë, apo në poezi ishin mjaft të pranishme motivet idilike, të lojës, të natyrës, të florës e faunës etj., ndërkohë autorët trajtuan dhe trajtojnë edhe tema nga jeta urbane, në kuadër të jetës që bëhet në shkallën e të arriturave teknike e teknologjike, por edhe te rrethanave te tjera sociale, morale e historike etj. Dallimet janë edhe sa i përket vetë shprehjes artistike, risive në planin procedimor dhe përgjithësisht të ndërtimit të vlerave letrare.
Kohët e fundit po botohen edhe libra të ndryshëm pa kritere. Sa mendoni sa mund ta rrezikojnë letërsinë tonë librat të cilët nuk u nënshtrohen kritereve të caktuar për botim?
-Ka edhe botime të tilla dhe ato nuk i bëjnë mirë letërsisë dhe kulturës sonë në përgjithësi. Është dëm sidomos kur të tillat u dedikohen fëmijëve dhe arrijnë në duart e tyre. Është shumë keq kur fëmija, i cili sapo ka zënë të shoqërohet me librin, të kuptojë magjinë e tij dhe të ndiej dashurinë për të, të shohë se bëka të botohen edhe libra me gabime, të cilat ata nuk guxojnë t’i bëjnë në hartimet e tyre shkollore. Konfuzioni që mund të shkaktohet tek ata në raste të tilla, mund të jetë me pasoja të rënda për atë që përndryshe mëtohet të arrihet në edukimin dhe formimin e tyre.
Kritika letrare
Çfarë mendoni për kritikën letrare te ne. Sa po i qaset ajo studimit të librave dedikuar fëmijëve dhe a po kontribuon në ndarjen e librave me vlerë dhe në ata që, siç thoni ju, nuk janë për botim?
-Derisa dikur kishim pak emra studiuesish që merreshin me studimin dhe vlerësimin e letërsisë për fëmijë, në fakt kishim dy emra kryesorë – Bedri Dedjen dhe Agim Devën, sot studimit dhe vlerësimit të kësaj krijimtarie i janë përkushtuar më shumë sish. Këtu mund të permendim para së gjithash kontributet e Ymer Elshanit, Astrit Bishqemit, Ramazan Çadrit, Odhise Grillos, Faik Shkodrës, Xhahid Bushatit, Prend Buzhalës, Bardhosh Gaçes etj. Mirëpo, duhet theksuar se rezultate shumë më të mëdha janë shënuar në fushën e studimit të letërsisë sonë për fëmijë se sa në fushën e kritikës. Edhe nga ata që i janë përkushtuar më shumë kritikës së kësaj krijimtarie, duke filluar nga Hasan Mekuli, Vehap Shita. Sabri Hamiti, Ali Jasiqi, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Ramadan Musliu e të tjerë, mund të themi se më shumë janë përqendruar në vënien në pah të vlerave të saj, e shumë më pak në kritikën e asaj që nuk është vlerë. Thjeshtë, kritikët nuk dëshirojnë të humbin kohën të lexojnë atë që nuk është vlerë, ndaj edhe kryesisht nuk merren me të. Kështu, botimet pa vlerë jetojnë ndonjë ditë dhe humbin në detin e herresës.
Disa figura emblematike të letërsisë për fëmijë më nuk janë më në mesin tonë, si Rifat Kukaj, Agim Deva, Qamil Batalli etj. Sa i mungojnë këta emra letërsisë për fëmijë në trojet shqiptare në përgjithësi, brezi i ri a do ta zbusë pak humbjen e tyre dhe cilët emra mendoni se mund të arrijnë vlerat e tyre?
-Shkrimtarët Rifat Kukaj, Agim Deva, Qamil Batalli, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Ymer Elshani, Rrahman Dedaj e të tjerë i mungojnë shumë letërsisë sonë për fëmijë dhe kulturës sonë në përgjithësi. Është rëndë, vërtet shumë rëndë, kur nuk jemi në situatë të presim më ndonjë titull të ri nga këto pena me përvojë, por ngushëllim kemi veprën që na e lanë. Ajo është një pasuri e madhe e letërsisë sonë dhe kulturës sonë në përgjithësi. Në letërsi askush nuk i arrin vlerat e askujt. Secili i arrin vlerat e veta. Urojmë të kemi krijime gjithnjë e më të mira dhe gjithnjë e më shumë. Sot natyrisht se presim me gëzim librat e ri të Xhevat Beqarajt, Adelina Mamaqit Abdullah Thaçit, Skënder Haskos, Ferit Lamajt, Ibrahim Kadriut, Gani Xhafollit, Arif Demollit, Hasan Hasanit, Shkelzen Zallit, Viktor Canosinajt, Sokol Jakovës, Kismete Hysenit, Jonuz Fetahajt, Qibrije Demirit e të shumë të tjerëve.
Karvani i shkrimtarëve
Jemi në prag të nisjes së Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”. Çka mendoni, sa do t’i mungojë këtij rrugëtimi të gjatë drejtori i mëparshëm Agim Deva, dhe na tregoni kësaj here a do të kemi rast të ju shohim edhe në Kosovën Lindore?
-Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë është një ide dhe krijesë e themeluesit dhe udhëqeqësit të tij shumëvjeçar Agim Deva. Mungesa e tij në Karvan, e sidomos në krye të tij, është e madhe. Në sivjet po e nisim Karvanin e dytë pa të, por të Njëbëdhjetin me radhë. Është viti i dytë që Karvani rrugëton me emrin “Agim Deva”, në shenjë nderimi për të. Pikërisht ajo që na e la Agim Deva si përvojë dhe traditë të mirë është ajo që na mobilizon neve shokëve të tij të vazhdojmë me mbajtjen e këtij manifestimi të rëndësishëm, i cili u përqafua aq mire nga fëmijët tanë kudo dhe jo vetëm nga ata. Me dëshirë, për çdo vit do të jemi në shkollat e Kosovës Lindore, por edhe kudo në viset shqiptare, por kjo shpeshherë nuk varet vetëm nga dëshira jonë.
Çka presin në të ardhmen lexuesit nga Ju në planin krijues dhe në atë studimor?
-Unë vazhdoj të merrem me letërsi për fëmijë, edhe me krijimtari, edhe me studimin e saj. Ajo që më afër realizimit është një përmbledhje pbisedash me poetët tanë për fëmijë nëpërmjet vargjeve të tyre. Në fakt, fjala është për nje lexim antologjik të poezis sonë për fëmijë, për të cilin libër do t’I shoh mundësitë e botimit.