Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Papamihali: O nënë

| E diele, 21.03.2010, 10:55 PM |


Alma Papamihali

 

O nënë

 

Do arrijë një ditë,

armiq kohe do jemi

dhe nëse armiqtë

të tillë fytyrë s´kanë,

ndodh që sytë vetë

do kërkojnë të duan,

të shkuarat pendime

që hapësirash ranë...

 

As e ardhmja e qeshur

s´do ta japë shansin,

të kesh ende pranë vetes,

atë që të krijoi,

do arrijë një ditë

armiq kohe do jemi,

prej duarsh do na merret,

jetës do të na shkojë...

 

Në çdo trup njeriu,

emri saj do mbesë

dhe nëse lëkurës

fjalë s´mund të gdhënden,

është e vetmja hije

që duam të na ndjekë,

dhe pse të errëtat ngjyra,

imazhit të saj s´gjenden...

 

Ti që përjeton

nektar që të qeshë mundet,

shije e pagjumë

jetës do të mbesë,

nuk je thjesht një fjalë,

por anije gjaku,

o nënë që lind njerinë,

o frymë që s´mund të vdesë!