| E diele, 21.03.2010, 10:55 PM |
VI. RRETH ORTOGRAFIVE TË
GJUHËS SHQIPE
PAS LDB-së (TIRANË / PRISHTINË)
Konstatime paraprake
Në të vërtetë, që nga Kongresi i Elbasanit
(1909), përkatësisht nga Rregullat mbi
ortografinë e gjuhës shqipe të shkrueme të vendosuna prej Komisis letrare,
Shkodër 19l7 në vazhdimësi në periudhën ndërmjet dy luftrave botërore si
gjuhë zyrtare në Shqipëri, siç e pamë, në kreun e mëparshëm, shërbente elbasanishtja me disa përmirësime, që do
me thënë mbizotëronte gegërishtja bazuar kryesisht në rregullat drejtshkrimore
të hartuara nga ajo Komisi, të cilat i miratoi edhe Kongresin e Lushnjës (1920)
dhe në njëfarë mënyre patën edhe përligjjen e organeve shtetërore të kohës
(1923, 1928, 1938, 1940). Natyrisht ndërkohë pati edhe diskutime me kërkesë për
plotësime të standardit, edhe me trajta të toskërishtes, sidomos lidhur me
trajtat e rotacizuara të sistemin foljor që nuk ishin parfshirë në
drejtshkrimin e mëparshëm, por në përgjithësi, si me thënë, zyrtarisht
respektohej norma mbi bazë të gegnishtes.
Gjithsesi Rregullat nga Komisia Letrare
Shkodrës paksa të zgjeruara e të përpunuara ishin në fuqi, faktikisht në
Shqipëri deri në vitet ’40-a e ligjërisht në vazhdimësi deri në vitin 1952, e
më vonë. Ndërsa në Kosovë (ish-
Jugosllavi) zbatoheshin deri në vitin 1968.
Ç’është e vërteta, mosfavorizimi i bazës
gegërishte në Shqipëri kishte filluar më herët, qysh atëherë, kur pushteti i ri
në Shqipëri pas LDB-së parashtroi kërkesë për ndryshim baze, duke kërkuar
fuqizimin e bazës së dialektit të toskërishtes, ndaj formave të dialektit të
ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes. Pikërisht kjo kërkesë e re
shoqërore-pushtetore shihet mjaft qartë kah del
e zbatuar shkallë-shkallë edhe nga ortografitë e hartuara pas LDB-së në
Tiranë (1948, 1951 dhe 1956 që do t’ i kemi në shqyrtim, të cilat ndikuan edhe
në tri ortografitë e botuara në Prishtinë, por megjithatë ortografitë e
Prishtinës mund të konsiderohen si vazhduese të frymës së Rregullave të
Komisisë Letrare të Shkodrës, d.m.th. të hartuara mbi bazë të koinesë së
ish-gegërishtes letrare, d.m.th. të
gegnishtes së Shqipërisë së Mesme
(ligjërojes së Elbasanit me disa përmirësime). Mirëpo, siç do të shohim
konkretisht në këtë punim kjo vazhdimësi
gegnishtshkruese, e cila, si me
thënë, institucionalisht në Shqipëri u ndërpe gradualisht me disa të preme
skalpeliste të herë-pas-hershme, ndërsa në Prishtinë, kjo u bë me një të
sjellme bisturi dhe kjo ndodhi pas përqafimit të Projektit (1967) të rregullave
të përbashkëta të drejtshkrimit të gjuhës shqipe në Konsultën gjuhësore të
Prishtinës (1968). Megjithatë formalisht a ligjërisht ish-shqipja letrare mbi
bazë të gegërishtes ishte në fuqi deri në vitin 1974, pra, kur norma e re e pas Kongresit të
Drejtshkrimit 1972 (mbi bazë të toskërishtes) e përfshirë në Drejtshkrimin e
gjuhës shqipe 1973, u dekretua me vendim qeverie në Shqipër më 1974, zbatimi i
të cilit institucionalisht ishte fuqiplot edhe te ne e më gjerë.
Prandaj, sa herë përmendet edhe sot
elbasanishtja prej shumicës së intelektualëve ndër ne nënkuptohet ish-shqipja
letrare mbi bazë të gegërishtes, ku ruhej i paasimiluar diftongu ue, ye madje
edhe togjet ng, mb nd, ngj, gjithashtu nënkuptohet se ishte në përdorim normal
paskajorja e mirëfilltë e pandarë bashkë me pjesoren e shkurtër, gjuhë kjo që
vazhdoi të përdorej nga prof. A. Xhuvani, edhe pas LDB, ashtu si dhe nga disa
intelektualë të tjerë, sidomos në diasporë, si
p.sh. E Koliqi, M. Camaj, Sami Repishti e të tjerë. Por që në kohë të
vona filloi tek-tuk dhe herë–herë me turr, dhe tashmë si duket s’ka të ndalur, megjithatë, jo edhe aq
masivisht, po përdoret edhe brenda trojeve shqipfolëse në Shqipëri, Kosovë.e më
gjerë.
Sidoqoftë, t’i rikujtojmë ortografitë e asaj periudhe kalimtare, pas LDB-së, deri në vitin 1974.
1.
NGA Ortografia e gjuhës
shqipe
(Tiranë, 1948)
Për këtë ortografi ndonëse të shkruar gegnisht të redaktuar nga A. Xhuvani, por të miratuar si bashkautorë edhe nga K. Cipo e E. Çabej, mund të thuhet se nuk ishte shkruar plotësisht, në pika të caktuara, në frymën e ligjërojës së Elbasanit, përkatësisht sipas frymës së Rregullave të Komisisë Letrare të Shkodrës. Me fjalë të tjera, nuk ishte në përputhje të plotë me praktikën drejtshkrimore të epokës së Pavarësisë, kur mbizotëronte varianti i shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes (elbasanishtes).Tani shihej qartë një prirje drejt animit kah varianti letrar i toskërishtes. Këtë që e thamë po e ilustrojmë me disa fakte-konstatime: që po i paraqitim më poshtë
1. Nuk përdoret paskajorja si trajtë
përfaqësuese e foljes (madje as si element plotësues ndihmës ilustrues), ndërsa
pjesorja e shkurtër e gegërishtes po, por duke dalë si trajtë paralele me
trajtën e toskërishtes del e dëmtuar shumë në këtë rivalitet. Pra, për shkak të
mungesës së paskajores me + pjesore të shkurtër me të cilën bashkëjetonte
pjesorja e shkurtër e gegërishtes del e pafuqishme përballë konkurrencës me
trajtën gjegjëse të toskërishtes.. Megjithatë, siç u tha, nuk injorohet
pjesorja e shkurtër, e cila te foljet me -aj,-ej,-ij,
yj, ishte e lejueshme me u përdorë krahas trajtave të toskërishtes. Kështu, siç thuhet aty, në toskërishte
pjesorja del me –rë, kurse në gegërishte vetëm me zanoren e rranjës në fund: la/rë, ble/rë, fshi/rë, fry/rë;
pjesorja e foljeve me –oj, -uaj, -yej do të shkruhet shkrue / shkruar, lye/
lyer, ndërsa pjesorja e foljeve toskërisht
me -iej: zjerë, ndjerë, geg.: zie, ndie.
Pra,
siç po shihet, nuk praktikohet pjesorja e zgjeruar në gegnishte me –m(ë)
ose -un –mun si: lamë, fshimë, shkruem, lyem ose lamun, fshimun, shkruemun
lyemun e kështu me radhë, por vetëm pjesorja e shkurtër: la, fshi, shkrue, lye, e kështu me radhë, në konkurrencë
ose si alternativë me atë të zgjeruar të toskërishtes, siç u cek më sipër.
2. Ndonëse lejohej gegërishtja e shkruar, në
të shumtën e rasteve, në këtë ortografi, së pari shembujt shënohen toskërisht,
pastaj gegnisht, si shkruaj shkruej, lakruar laknuer etj.
3. Foljet që në prezent mbarojnë me nji
bashkëtingëllore të langët l.ll.r dhe përpara kësaj kanë ie, ose je e n’aorist
kanë zanoren 0 siç theksohej aty, në të
tri vetat e para të njëjësit të prezentit do të shkruhet me -je ose –ie në të dy dialektet p.sh. viel ose vjel, piell ose pjell, nxier ose nxjerr.
Shënim: Kërkojmë nga lexuesi që të vërejë dhe ta përcjellë në vazhdimësdi raportin r/rr te shembulli alternativ: nxier nxjerr, d.m.th. te ky nëntip, ku sipas kësaj ortografie del e tolerueshme –r ose -rr, ngase pikërisht ky raport do të ndryshojë në ortografitë e tjera.
4. Emnat asnjanës (primitivë) si ujë, dyllë, mjaltë, drithë, ballë, gjalpë,
djathë, siç thuhet aty, shkruhen në këtë trajtë edhe në gjininë mashkullore
ujë –uji etj. Nga kjo kuptohet se
pranohet dygjinia e formave të tilla (asnjanëse e mashkullore), ndonëse
shembujt janë shënuar vetëm në trajtën e njëjësit të pashquar, veç rastit uji që është shënuar në trajtën e
shquar njëjës të mashkullores. Shumësi, përkatësisht njëjësi i shquar nuk
shënohet fare te shumë shembuj të dy gjinive aktive (mashkuillore e femërore)
dhe këtë fakt mund ta quajmë lëshim me pasoja.
5. Ata
emna që n’emnoren e shumësit mbarojnë me -a , thuhet aty, e ruejnë këtë në të gjitha rasat e
shumësit, p.sh. mollat, dardhat
mollavet dardhavet etj., rregull ky që do të pësojë ndryshim në ortografitë
e mëvonshme të Tiranës, ndonëse, siç do të shohim një çështje e tillë mbetet e
diskutueshme dhe me pasoja deri në ditët e sotme, jo pse është hequr më vonë,
me të drejtë, fundorja -t e shumësit
të shquar, por pse mbaresa –A e shumësit
në drejtshkrimin e mëvonshëm, është ndërruar me –Ë, mollët, edhe pse A. Xhuvani
që në vitin 1922 tërhiqte vërejtjen se mbaresa -A, del e specifikuar për
shumësin e emrave femërorë, andaj –Ë-ja nuk duhet me u përdorë për emrat e
këtij tipi femëror, por vetëm për emrat e gjinisë mashkullore.
6. Sa për kërshëri po i përmendim edhe disa
rregulla të tjera ortografike, të cilat janë ruajtur pjesërisht ose kanë pësuar
pak a shumë ndryshime a plotësime në ortografitë e mëvonshme:
1) Tek emnat femërorë me –ur, përveç flutur
futet edhe emri squfur (!?), i cili në
burimet e tjera me të drejtë del në gjininë mashkullore.
2) Mbiemri i,e
të shtrënguet, përkatësisht emërzimet e prejpjesorëve të tillë me –ue/t, d.m.th. mbi temën e pjesores së
foljeve më –Oj shënohet vetëm me diftongun përfaqësues të gegnishtes, sepse në
toskërishte, si duket nuk ekzistonte një trajtë e tillë paralele: barasvlerëse
me -ua. Krahaso: i shtrënguet
(shtrënguat !!), por i shtrënguar
ndaj trajtës paralele i shtrënguem në gegnisht.
3) Emnat femërorë me –ijë dhe –ije trajtohen
bashkë në alternativë: anijë dhe anije, dhurëtijë, vetëdijë, shijë e shije, por dije.
4) Atëherë, si duket, praktikohej prapashtesa –S në vend –SH-së së sotme, sepse aty dalin shembujt: njërrokës, shumërrokës, me –s, që tashti norma i porosit me –sh: njërrokësh, shumërrokësh etj.
Siç po shihet që në këtë kohë (1944 – 1948)
paskajorja e mirëfilltë si trajtë përfaqësuese, e cila e përforconte shumë në
përdorim trajtën e pjesores së shkurtër, nuk praktikohej në këtë drejtshkrim,
ngase siç u cek më sipër, trajtat e toskërishtes gjithnjë e më tepër
sforcoheshin në dublete sinonimike, kundrejt trajtave të ish-shqipes letrare
mbi bazë të gegërishtes.
2. NGA Ortografia
e gjuhës shqipe
(Tiranë 1951)
Po ato karakteristika që u cekën më sipër
rreth sforcimit të toskërishtes ndaj gegnishtes, madje edhe më të theksuara
dalin në Ortografinë e vitit 1951, e hartuar nga autorët e njëjtë, po tashti
teksti pëson njëfarë harrje e vende
–vende ka edhe ndryshim-përplotësime të
konsiderueshme. Si duket i tërë teksti del i shkruar në versionin toskërisht,
me gjasë nën redaktimin e prof. K. Cipos, variant ky të cilin Cipoja e përdori edhe në gramatikën e tij dhe
po ky u përqafua edhe nga të tjerët, nga i cili nuk do të hiqet dorë në të gjitha
periudhat e mëpastajme atje (në Tiranë) deri në ditet e sotme.
Shënim: Në fillim të versionit 1951 jepet një konstatim që nuk ishte në variantin e drejtshkrimit të vitit 1948, por që është përsëritur si slogan a premisë objektive disa herë në burime të tjera lidhur me propagandën e bardhë që i kushtohej sforcimit të ortografisë aktuale, slogan ky, i cili, nëse vlerësohet drejt, ia vlen të ritheksohet edhe këtu, pra, për qëllime të përdëshiruara edhe aktualisht:
Është e vërtetë se që prej Rilindjes e tehu, duke u shkruar gjuha e duke u përdorur si mjet kulture e marrëdhëniesh shoqërore, ka marrë një rrugë të mbarë në punën e zhvillimit e t’unifikimit të saj, janë kristalizuar, thuajse pakuptueshëm, disa rregulla të gjuhës dhe është bërë njëfarë afrimi në mes të toskërishtes e të gegërishtes, duke influencuar e para të dytën në punë të morfologjisë dhe e dyta të parën në punë të leksikut, po me gjithatë, shumë pika të ortografisë ishin t’errëta dhe duhej që të nguliteshin e të caktoheshin në njëfarë mënyre.
Nga konstatimi i tillë i theksuar në Parathënien e këtij doracaku kuptohet se bazë e kësaj ortografie tashmë është marrë morfologjia (mbase më drejt: fonetika e morfologjia) e toskërishtes, ndërsa mund të shfrytëzohej edhe leksiku i gegërishtes dhe në këtë rrugë zhvillimi, siç thuhet aty, këto kohët e fundit, del e pranishme influenca për t’i afruar sa është e mundur më shumë të dy dialektet: toskërishten e gegërishten. Shtrohet pyetja si ishte e mundur të ndahej aq lehtë a të anashkalohej morfologjia gege nga leksiku i vet, d.m.th. nga fjalët e trashëguara të formuara mbi këtë bazë dhe të mos lëndohej edhe vetë rrjedha e leksikut gegë, i cili, së paku me fjalë, lakmohej?
Sidoqoftë, sipas këtyre kritereve dolën (duallnë, siç theksohet aty) rregullat ortografike të vitit 1948 dhe nga diskutimet (bisedimet) rreth atyre
Rregullave “duallnë disa ndryshime në
disa pika dhe me këto ndryshime po botohen sot në këtë broshurë.
Në të vërtetë, për që ka pasur ndërkohë
diskutime e presione, siç thuhet aty, në
këtë gjeneratë të fundit, d.m.th., gjatë këtyre tre vjetve (1949-1951), që
toskërishtja të zërë vendin e parë, merret vesh edhe nga këto fjalë
përfundimtare të Parathënjes:
Prandaj në të gjykuar këto rregulla do merren parasysh se këto janë hartuar si të ngulitura për ato pika, që gjuha duke u-shkruar i ka kristalizuar vetë në këtë gjeneratë të fundit, Për pikat e tjera, ku janë caktuar dy mënyra shkrimi, do të duhet një shqyrtim tjetër i punës s’ortografisë në një kohë, kur prej zhvillimit të mëtejshëm të saj të ketë marrë një drejtim më të caktuar dhe më të ngulitur. Këtë punë do ta bejë koha.
Sido që të jetë vepruar e gjykuar, përsëri
hartuesit nuk u ndanë të kënaqu me punën e tyre, prandaj mjaft gjëra ia linin
kohës ose i kishin lënë për t’i zgjidhur mbase me një rekomandim të mëvonshëm.
Ja tani po i përmendim disa nga karakteristikat e këtij versioni drejtshkrimor:
1. Edhe këtu nuk manipulohet më me paskajoren
me+pjesore, por përsëritet fakti se krahas pjesores larë, blerë, fshirë, fryrë janë normative edhe trajtat e shkurta të
gegërishtes: la, ble, fshi, fry, gjithashtu edhe krahas shkruar,
punuar, zier, ndier pranohen si normative edhe trajtat paralele me pjesore
të shkurta: shkrue, punue, zie, ndie, mirëpo
ka raste që shënohet vetëm trajta toskërisht si p.sh u kërkua pa u shënuar fare u
kërkue – gjë që nënkuptohet se si favorizuese dhe fituese në konkurrencë
ishte paragjykuar me dalë patjetër trajta e toskërishtes.
2. Aoristi pranohet dola dhe dolla; mirrja e mirrshe
3. Si shembuj femërorësh (dalin të shënuar
vetëm ata emra të tipit me –ë njëjës e
shumës): fjalë-a fjalë-t, punë-a punë-t
etj., ndërsa shembuj nga tipi nënë-a nëna
–t ose tokë toka-t ose dardhë dardhat
mollë mollat që jepeshin si trajta përfaqësuese në ortografinë e
1948-s tashti nuk shënohen fare, dhe kjo
do të lërë pasoja drejtshkrimore e të tjera në strukturën e shumësit të emrave
deri në ditët e sotme.
4. Edhe tek emrat mashkullorë me –ës (më drejt
–ë/s n.v.), thuhet se e ruajnë ose e
nxjerrin –Ë-në: nëpunës/ a nëpun/s, nxënës a nxan/s.
5. Lejohet alternativa j/nj te shumësi i
emrave si: bari-jt (g) ndaj barinjtë (t)
etj; Siç na është e ditur, ndonëse këtu parësorisht shënohet trajtat me –J në
ortografitë e mëvonshme del e normëzuar vetëm trajta me –NJ.
6. Të vihet re se edhe në këtë burim tek
foljet që mbarojnë me një bashkëtingëllore të lëngët l, ll, r, në vend rr
shënohet r, por pas shembullit alternativ nxier
a nxjerr, favorizimi i takon vetëm rr-së,
sepse te shembujt e tjerë mbizotëron
RR-ja.
7. Është e mbëhishme të dihet se te foljet me
sonore fundore (si në ortografinë e ’48-s) lejohet alternativa, sepse shënohen me siglën t (toskërisht) në radhë të
parë e gegërisht në të dytin: p.sh. kalp/kalb,
tund /tunt, humb[hump, lak /
lag, ndes/ ndez etj. (f. 266), pastaj
hupmë /humbëm, u kalpëm u kalbëm; djeksha/ djegsha. Siç dihet në ortografitë e
mëvonshme trajtat e dyta drejtshkrimisht dalin të parapëlqyera a me konkurrencë të fituar.
8. Nuk dimë arsyen pse bashkë me shembujt ku nuk do të shënohet theksi, siç janë kambë, i randë, gdhendë (!) etj. janë vënë edhe këta tre shembuj: katund, humb, hundë, që sa i përket akcentit nuk na duket se dalin me theks hundor, sot jo se jo, por as atëherë si sot. Pra, neve na duket se as zanorja as bashkëtingëllorja fundore nuk dalin me theks të dalluar hundor te fjalët e tilla.
Sidoqoftë, nga sa e pamë, paskajorja me + pjesore jo, po as pjesorja e shkurtër, ndonëse del e legalizuar, nuk favorizohet aq, sepse, siç e thamë dy herë më përpara, pjesorja e shkurtër pa paskajoren me + pjesore të shkurtër, në përdorim jashtë fjalëformimit a togfjalëshit përkatës lidhur me paskajoren e mirëfilltë, del shumë e dobësuar, si me thënë, pa kushte normale jetese.
3. Rreth ortografis së gjuhës shqipe
(nga Konkluzat e vitit 1952, Prishtinë 1955)
Në Jugosllavinë e pas LDB-së, në viset
shqipfolëse vazhdoi sadokudo, “lirshëm”
me u përdorë gjuha shqipe. Madje kjo liri në shkolla e administratë që kishte
filluar së zbatuari zyrtarisht vetëm pas shpartallimit të Jugosllavisë së
mëparshme të Kralit, gjatë viteve 1941-1944, pas luftës nuk u ndërpre. Në të
vërtetë në ato shkolla dhe në administratën përkatëse, ndonëse jo aq të
përdëshiruar, vazhdonte të përdorej shqipja letrare gege mbi bazë të
ortografisë së Komisisë Letrare të Shkodrës ose Kongresit të Lushnjës (1920) me
ndonjë ndryshim të vogël që e sollën kuadrot që ishin përgatitur në Shqipëri
ose brenda atyre katër viteve në shkollat e Kosovës dhe të viseve të tjera
shqipfolëse. Megjithatë, edhe këtu u ndi nevoja që tëpëeforcohen ose edhe
hartoheshin rregulla drejtshkrimore të reja, ashtu siç ndodhi edhe në Shqipëri.
Dhe, vërtet, pas një tubimi të ekspertëve të kohës të Kosovës të mbajtur në
Prishtinë më 14-15 nëntor 1952 lidhur me problemet e gjuhës u lëshua një Rezolutë në të cilën, veç tjerash, është
vendosur që si gjuhë letrare te ne të përdoret një gegnishte në të cilën vijnë me bashkëpunue
nëngegnishtet e ndryshme sipas nji kriteri të caktuem: simbas kriterit të menjanimit të evolutave partikulariste
(tejtrajtimeve të përbashkëta) të nëndialekteve të ndryshëm të gegërishtes.
Pra, nënkuptohet se shqipja zyrtare (letrare) këndej do të vazhdojë me u përdorë e me u kultivue në frymën e rregullave të Komisisë letrare të Shkodrës, përkatësisht të atij varianti që praktikohej si gjuhë zyrtare në epokën e Pavarësisë e pak më vonë në Shqipëri. Po aty në atë Rezolutë, paraqitet një premisë parimore shumë kuptimplote, që i nderon hartuesit e veprimtarët e atij tubimi, ngase përmbajtja e tillë ka vlerë të pamohueshme edhe për kohën tonë, prandaj edhe ne po e riprodhojmë këtu. Aty thuhej se për pasunimin e fjalorit janë përcaktuar këto katër burime:
a) Me
shti në veprim fjalët dhe shprehjet që gjinden në cilindo dialekt të shqipes.
Të folmet popullore do të jenë burimi i gjithanshëm për pasurimin e gjuhës së
shkrimit të shqiptarëve...
b)
Me ringjallë fjalët dhe shprehjet tashmë të harrueme të shkrimtarëve të vjetër
të gjuhës shqipe;
c)
Prej fjalëve të thjeshta dhe grimcave foljore, me trajtue, vërtet simbas frymës
së shqipes, por guximtarisht, fjalë të pathjeshta të reja dhe
d)
Fjalët e hueja të pazavendësueshme me tre burimet e sipërme me i përdorë tue i
marrë prej burimit origjinal dhe tue ia përshtatë natyrës së gjuhës s’onë.
Pas këtyre vendimeve parimore të drejta, me të cilat mund të krenohej kjo anë me intelektualët e ekspertët e vet të kohës që kishte, jepen rekomandime drejtshkrimore në 17 pika, ndër të cilat, si më karakteristike, ilustruar me fjalë tona, po i veçojmë këto:
1. Nënkuptohet ruajtja e paskajores së
mirëfilltë me + pjesore si karakteristikë themelore e gegnishtes, e cila dilte
e anashkaluar në dy ortografitë e
sipërcekura të Tiranës (1948 dhe 1951). Këtu në një pikë të veçantë theksohet
qartë dallimi i konceptit të detyrimit i shprehur me paskajore, ndaj konceptit
të dëshirës që shprehet me lidhore që ilustrohet me shembullin: Kam
me pasë dallohet nga do të kem. Me këtë shembull jepet
për t’u kuptuar se zëvendësimi i paskajores së mirëfilltë me trajtat e
lidhores, siç veprohej në ortografitë e Tiranës, nuk ishte i drejtë. Po edhe më
qartë paskajorja me+pjesore si trajtë përfaqësuese theksohet në pika të tjera.
Përveç premisës së sipërcekur po përmendim faktin se në një rregull-konkluzion
tjetër thuhet: “Foljet që në infinitiv
mbarojnë me -ye a me -a në veten e tretë të aoristit
mbarojnë me –u, me kthye / ktheu, me kërcye / kërceu, me la / lau. Po ashtu në një
vend tjetër del kontatimi si konluzion: Me
lëvrue, me lëvdue, me lëshue - janë ortografina të drejta.
Kështu paskajorja e mirëfilltë, qoftë si
trajtë përfaqësuese, qoftë si fjalë e rëndomtë brenda tekstit, zinte vendin e
merituar në këto konkluza të
Ortografisë së Prishtinës të vitit 1952.
2. Aty përcaktohet qartë edhe trajta e
shkurtër e pjesores si trajtë normative e jo ajo e zgjeruara te këta tipa të
foljeve kam shkrue, kam folë, kam ndejtë e të tjera, jo kam shkruem, ose kam
shkruejtë, jo kam folun, kam ndejtun,
3. Si prodhime evolutive partikulariste, në njërin nga konkluzionet theksohej se duhen mënjanuar këto forma lokaliste jo jam ardhë po kam ardhë jo jam shkue, po kam shkue, pastaj jo po vijka po shkojka por po ardhka, po shkueka.
Shënim: Sa i përket shumësit të emrave dhe të asnjanësve në këto konkluza nuk
bëhet fjalë veçan. Sidoqoftë, në këto pak rregulla shihet vazhdimi i frymës së
Rregullave të Komisisë Letrare të Shkodrës, përkatësisht të normës së Periudhës
së Pavarësisë, siç janë:
1. Ruajtja e sistemit foljor me pjesoren e
shkurtër, përkatësisht me paskajoren me + pjesore (të shkurtë).
2. Vazhdimi i përdorimit të trajtave të
parotacizuara në të dy sistemet, sidomos në formimin e prejpjesorëve mbi bazë
të foljeve me –UE ose -Ë ndaj atyre me
-uar, përkatësisht -UR të
toskërishtes.
3. Përdorimi i asnjanësve të tipit
prejmbiemërorë dhe atyre prejpjesorë.
4. Mungesë e trajtimit të duhur rreth përdorimit të nyjë-mbaresave të emrit të të dy gjinive etj.
Nga kjo që shënuam nxjerrim si përfundim se letrarishtja në trevat tona në ish-Jugosllavinë e pas LDB-së zyrtarisht mbështetej në gegërishten letrare të trashëguar, madje më tepër seç lejohej, siç e pamë, me dy ortografitë e sapocekura të Tiranës. E kam fjalën jo vetëm për pjesoren e shkurtër, por edhe për paskajoren e mirëfilltë e për vlera të tjera. Sigurisht, për këtë, merita, rreth ruajtjes së vlerave të gegnishtes (që janë njëherazi edhe vlera të gjuhës shqipe globale), u takonte intelektualëve tanë të kohës.
Sidoqoftë, këto vlera dhe çështje të tjera karakteristike do të hetohen sa janë përfshirë apo jo edhe në ortografitë e tjera vijuese të gjuhës sonë.
4. Nga ortografia e
gjuhës shqipe
(Tiranë 1956)
Në vitin 1956 në Tiranë u botua broshura me
titull Ortografia e gjuhës shqipe, e
cila vajti më tej në fuqizimin e dialektit të toskërishtes. Vërtet, teksti i
kësaj ortografie del më i kompletuar sa i përket lëndës në përgjithësi e në
ndonjë pikë edhe sa i përket gegnishtes. Ka risime edhe lidhur me shumësin e
emrave e të mbiemrave në veçanti, po edhe ky tekst karakterizohet me ndonjë të
metë ose me disa çështje të diskutueshme.Disa nga rastet e tilla do të vihen në spikamë veç e veç në vijim të
këtij nënkreu.
Edhe këtu trajtat e gegërishtes kalojnë në margjina, por ende nuk mund të thuhet se dalin faqeza të mohuara a të anashkaluara krejtësisht apo të shpallen të zhdukshme, siç u veprua ose u vetë-keqkuptua ashtu më vonë nga individë të caktuar, mjerisht, me ndikim, ngase një veprim i tillë do të lërë pasoja, po sidoqoftë, kjo dukuri kishte tashmë mbështetje edhe më të qartë institucionale zyrtare pushtetmbajtëse.
Ja disa nga karakteristikat e kësaj ortografie:
1) Jo vetëm paskajorja, por edhe trajtat e
pjesores së gegërishtes dalin disi më pak të favorizuara dhe ceken vetëm në
raste, p.sh. ndonëse për foljet më ua
thuhet se gegërisht. del si alternativë ue,
asnjë shembull nuk jepet në gegërishte me –UE- p.sh. shkruaj shkruaja (nuk
është shënuar fare shkruej shkrueja!), megjithatë pranohet nënkuptueshëm
pjesorja e shkurtër, sidomos te: “habitorja e foljeve që mbarojnë me
bashkëtingëllore”, e cila, siç thuhet aty, “e
nxjerr jashtë –ë-në e pjesores që e formon pjesën e parë të saj ardhkam,
shkelkam, derdhkam, paskam, qenkam”. Të vihet re se pranohet pjesorja e foljeve
konsonantike me -Ë fundore. Pra është
fjala për pjesoret e shkurta me -Ë: ardhë,
shkelë, derdhë, pasë, qenë, e kështu me radhë. Po ky fakt përmendet edhe më
qartë kur, siç theksohet aty se foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore në temë
pjesoren e bëjnë më –ur
toskërisht (geg. me –ë a -un), p.sh. lidh lidhur iki ikur, po nuk shënohet asnjë shembull në
gegërishte, as me –Ë as me –UN (lidhë ose lidhun?!!).
Megjithatë, është e vërtetë se në një vend
tjetër pranohet se “të gjitha foljet në
zanore gegërisht, në pjesore mbarojnë me zanore a me tog zanor, sipas rasteve:
laj la (larë), fshij fshi (fshirë), fryj fry fryrë), blej ble blerë, rrëfej
rrëfye rrëfyer, punoj punue punuar, shkruej shkrue, shkruar, lyej lye lyer.
Gjithashtu, si në shembujt e mësipërm mjaft
mirë dallohen trajtat e pjesores së shkurtër tek e kryera e thjeshtë, mënyra
habitore dhe te pjesorja e foljeve bie,
ve, ze: prura vura zura, ndërsa trajtat paralele alternative gegërisht
shkruhen mes kllapash: pruna, prune, pru,
vuna vu, zuna zu. Po ashtu edhe foljet me –yj, thuhet aty, në veten e tretë
njëjës shkruhen rregullisht me –ri (geg. -ni), si hyj hyri (hyni) fryj fryri
(geg. fryni etj), pastaj thuhet si alternativë se në gegërisht e pakryera mund
të përdoret në trajtën me –sh ose me atë në –j si në njëjës ashtu edhe në
shumës: lafshe, lante lajshim lajshin ose laje, lante, lajim, lajin - natyrisht
me një veprim të tillë vetvetiu potencoheshin si trajta të përbashkëta ato mbi
bazë të toskërishtes, punë kjo jo pa mend, por ne po e përmendim vetëm sa për
ta pasur në dijeni tolerimin që i
bëhej variantit të gegërishte në këtë burim, qoftë mes kllapash, qoftë, ss me
thënë, sa me la gojën.
Aty, veta e tretë njëjës e lidhores së foljeve që mbarojnë me bashkëtingëllore, thuhet se ka –ë si mbaresë p.sh të lidhë, ndërsa në gegërisht me i: (ai) të lidhi, të flasi, të hapi.. Praktika tregoi se një variant i tillë alternativ doli jo i domosdoshëm dhe kjo vërtetohet nga përvetësimi i letrarishtes së sotme për këtë pikë, sidomos në gjuhën e shkruar.
2) Tek kapitulli Fonetika, pika 2. përsëritet teksti lidhur me “foljet me ie, ato që kanë
bashkëtingëllore të lëngët, l. ll ose r(!), rr, pas këtij grupi zanor, do të
shkruhen me je, kurse foljet e tjera
me –ie. Pra vjel, mbjell, nxjerr (jo
viel, miel.. nxierr) dhe zjej, përziej a përzjej”.
Shënim: Të vihet re se ndërsa vazhdon ende të shënohet edhe R-ja në alternativë me RR-në, të cilën, R-në e shoqëruam me pikë çuditje në kllapa. Kjo në të vërtetë, sipas shembujve të regjistruar, nuk del fare si e qenë, ngase shembuj të tillë nuk ekzistojnë më në letrarishte. Edhe shembulli nxjer te ortografia e vitit 1948 tani shënohet vetëm nxjerr, madje edhe në një vend tjetër përsëritet si trajtë përfaqësuese, vetëm trajta me RR, qëndrim ky që sforcohet edhe brenda rregullit me të cilin përcaktohet shkrimi i fjalëve me rr e jo me r. Por, për çudi ky lëshim rreth shënimit të R-së tash në fakt inekzistent, jo vetëm përsëritet tri herë në rregullat e kësaj broshure, por që çudia të jetë edhe më madhe, kjo lajthitje do të kopjohet pavetëdijshëm, pothuajse, në të gjitha ortografitë e tjera të mëvonshme të Tiranës e të Prishtinës(!).
3) Për mendimin tonë nuk është vepruar mirë pse fundoret –ues, -yes dhe -ueshëm e-yeshëm nuk janë veçuar nga prapashtesat përkatëse të mirëfillta: –s, –shëm, ngase si rrjedhojë e kësaj forme pa mbulesë, janë krijuar paqartësi, madje edhe lajthitje në përcaktimin e saktësisë së prapashtesave përkatëse si të mirëfillta deri në ditët e sotme. P.sh. te rastet si nëpunË+-ës, ose dhjetË+-ësh shihet qartë se prapashtesa e vërtetë në këta raste është –S-ja jo –ËS, ngase Ë-ja, siç dihet i takon temës prodhuese fjalëformuese; punë, dhjetë: në/punë+S ose dhjetë+SH ose me punue punueshëm i punueshëm, vyeshëm i vyeshëm etj.
4) Edhe në këtë ortografi, për çudi, shënohen vetëm emrat femërorë që në trajtën e pashquar marrin –ë dhe shumësin e bëjnë njësoj (me –ë), tipi punë-a punë-t, fjalë-a fjalë-t, po nuk zihen në gojë fare shembuj për tipin më të madh e prodhimtar të emrave femërore të tipit nënë-a nënat, tokë-a toka-t etj.
5) Tek emrat abstraktë që formohen nga mbiemra e pjesore nuk përmenden asnjanësit, por ndërtimi i tyre shpjegohet drejt, ndonëse mund të bëhet vërejtje pse aty cilësohet mbaresa -ët në vend -t, ngase te shembujt i butë të butë-t, i lartë të lartë-t, i rëndë të rëndë-t e kështu me radhë. tema mbaron me –ë.
6) Shpjegohen drejt formimet togfjalësha nga pjesoret apofonike ose nga pjesorja e shkurtër si kam dalë të dalët, kam thënë të thënët, por edhe nga mbiemrat e pjesoret e tjera që mbarojnë me bashkëtingëllore ose edhe me zanore a togzanor p.sh. i belbët të belbëtit, i errët të errëtit, i ftohtë të ftohtit; ikur te ikur të ikurit, kërkuar të kërkuar të kërkuarit, mësuar të mësuar të mësuarit etj. Pra, shpjegimi është i pranueshëm, por si emra asnjanës përmendet vetëm tipi i mirëfilltë primitiv e jo edhe dy tipat e tjerë (prejmbiemërorë e prejpjesorë). Kështu në pikën 11 thuhet se “emrat asnjanës, mashkullorë e femërorë që mbarojnë me –ë e ruajnë këtë ë në shumës: djathë djathërat-t (geg. djathnat-t) drithërat, ujërat, cohëra-t etj. Në të vërtetë kjo –Ë nuk del e nevojshme të ruhet në gegnishte.
Shënim: Nga sa u tha më sipër kuptojmë se atëherë mbase hartuesit nuk kishin koncept të qartë rreth asnjanësve, sepse nuk i cekin, veçan, prejmbiemërorët dhe prejpjesorët asnjanës, të cilët aty quhen vetëm si emra abstraktë.
7) Për mendimin tonë nuk është bërë punë e mirë metodikisht që në pikën 1 të paragrafit 19 janë përzier emrat me mbiemra të paemërzuar, ngase dihet se mbiemri i përshtatet emrit përkatës. Kështu aty thuhet se emrat e mbiemrat mashkullorë që mbarojnë me –ac. ak, -al. –an. –aq, -ar, -ik, ist- -it, -jan, -nik, -ok, -ot, -tor, -uk në shumës marrin –ë, dhe këtë e ruajnë në gjithë rasat e shumësit. Ja disa shembuj të paqëndrueshëm si mbiemra të (pa)emërzuar(!): industrialë, cilindrikë, misërokë, ushqimorë, vjeshtukë . Madje një mënyrë e tillë ilustruese del jo aq praktike dhe jo funksionale, ngase, pa nevojë, për së tepërmi, e rëndon mbamendjen.
8) Në një rast thuhet se në gegërishte togu ue ye
të shkruhet i plotë, me përjashtim të rasteve kur edhe në toskërishte
thjeshtohet në zanore të thjeshtë, mirëpo aty nuk jepen shembuj në gegnishte,
si b.f. i shkëlqyem, i përkthyem etj.
Me thenë të drejtën trajtat paralele të gegërishtes, duke mos u shënuar fare
ose duke u sqaruar në fusnota japin për t’u kuptuar se ato për letrarishten që
praktikohej zyrtarisht në Shqipëri ishin të dorës së dytë dhe njëherazi ishte
parashenjë se në ortografinë tjetër nuk do të shënohen fare.
Në fund shtrojmë pyetjen si u kuptua dhe si u pranua kjo e vërtetë rreth margjinalizimit të trajtave të gegërishtes nga standardologët e Prishtinës, mbase do të mësojmë më mirë në vijim nga dy ortografitë e hartuara ngjita-ngjitas prej tyre që dolën mbase si reagim apo jo ndaj asaj ortografie të Tiranës (!?). Sidoqoftë, për të marrë vesh më mirë të vërtetën të ndiqet materiali në vijim.
5. ÇAshtje
t’ortografis së gjuhës shqipe
(“Rekomandimet nga Mbledhja e
gjuhëtarëve”,
Prishtinë, 1957)
Në rrethana jo të favorshme komunikuese ndërshtetërore në radhë të parë me pasoja për marrëdhënie të popullsisë ndërshqiptare, atyre në Jugosllavinë e pas LDB-së me ata të vendit amë Shqipërisë, u mbajt në Prishtinë një mbledhje e gjuhëtarëve dhe e shkrimtarëve të kësaj ane kushtuar pikërisht çështjes së ortografisë së gjuhës shqipe. Ishte një vit jo i plotë pas botimit të Ortografisë së fundit të Tiranës (1956) dhe njëherazi ishte një vit ogurzi për shqiptarët e Kosovës e më gjerë, ngase po në dimrin e viti 1955/56, kur te ne u përshkallëzuan shtypjet e represaljet më të egra kundër shqiptarëve nën maskën gjoja të aksionit të mbledhjes së armëve (pa leje) e qëllimi ishte të nxitnin dhe të detyronin shpërnguljen e tyre në Turqi etj. Në këto rrethana, nuk dihet mirë shkak-motivi për një tubim të tillë të gjuhëtarëve ishte vërtet vetëm nevoja për një konsolidim normal të ortografisë së gjuhës, apo ishte njëfarë sireaksioni ndaj situatës së nderë pas asaj furtune kundërshqiptare ose ishte edhe njëfarë sireaksioni ndaj ortografisë së Tiranës të vitit 1956, e cila shkiste gjithnjë e më shumë në toskëzimin e normës së shqipes letrare. Sidoqoftë, aty në tubimin e Prishtinës theksohej se:
“Mbledhja ka për qëllim së pari me e thjeshtue sa të jetë e mundun ortografin shqipe, por gjithnji tue u kujdesë që të mos cenohet aspak karakteri shkencuer i saj. Për shembull, në lidhje me ë-pazane Mbledhja qe e mendimit që ajo të përdoret vetëm aty ku asht e domosdoshme. Një qëndrim i këtillë përligj vetveten e i jep dorë zhvillimit të gjuhës bashkëkohore tue qenë në përputhje ma të plotë me ortoepin, rrugë kjo që doemos evolucioni i gjuhës do të kalojë nëpër të për me mbërrijtë zhvillimin e vet të fundit”.
Ja disa nga konstatim-vërejtjet tona që po i parafrazojmë lidhur me përmbajtjen e ortografisë që doli nga ky tubim:
1) Pra këtu infinitivi me + pjesore si dhe
pjesorja e shkurtër si forma foljore të shqipes si veçori e gegërishtes (ish-variantit letrare mbi këtë
bazë) del mjaft e spikatur, gjë që në burimin e Tiranës dilte, si me thënë,
fort e errësuar, sidomos atje paskajorja dilte plotësisht e anashkaluar. Këtu
në një rregull të kësaj ortografie theksohet,
me të drejtë, se vokali –Ë “vihet në mbarim të foljeve të zgjedhimit II dhe III në mënyrat e
pashtjellueme të foljeve: infinitiv gerund, particip: me shitë, tue shitë, shitë e kështu me radhë.
2)
Madje lidhur me një tip tjetër të foljeve sqarohej mirë edhe përdorimi i
–Ë-së fundore: “Asht gabim me shkrue vuem po vumë, hyen po hynë.”
3) Edhe emrat prejpjesorë të veprimit më –IM
shpjegohen drejt, jo nga emri po nga folja, p.sh. jo udhë+tim nga udhë, por
nga folja udht/ue ashtu si edhe coptim jo nga copë-a po nga folja coptue
coptim etj., po nuk dimë pse
sqarimi nuk përforcohej edhe me paskajoren e mirëfilltë, siç do të pritej: me udhtue, me coptue.
4) Po në këtë tekst si në atë të Tiranës 1948,
ngatërrohet emri femëror flutur me mashkullorin squfur !, kur bëhet fjalë për –u-në
e qëndrueshme, edhe pse, në versionin që patëm për konsultim, titulli del: E-ja dhe U-ja e paqëndrueshme!!, në
vend E-ja e paqëndrueshme, tipi: lule
lulja, ndërsa U-ja e qëndrueshme, tipi: flutur flutura. (Është gabim shtypi a gabim formulimi nuk mund ta dimë.)
5) Për mendimin tonë lidhur me prapashtesën mbiemërore –ËT, të tipit i hapët, i lagët etj. si në botimin e Tiranës ashtu edhe në atë të Prishtinës, lypset tjetër interpretim rreth prapashtesës. Aty, në të vërtetë, pjesoreve të shkurta u shtohet jo vetëm nyja e përparme përkatëse, por edhe nyjë-mbaresa e shquarsisë –t, pra jo -ët, ngase atë -Ë e ka pjesorja e shkurtër. Krahaso: (me) hapë i hapëT, (me) lagë i lagëT, (me) ngordhë i ngordhë-T, (me) zbrazë i zbrazë-t , (me) mbledhë i mbledhëT, (me) çelë i çelëT, e kështu me radhë. Po përsërisim se të dyja ortografitë, ajo e Tiranës dhe ajo e Prishtinës -Ë-në fundore e pohojnë, siç është në të vërtetë: pjesë e pandarë e pjesores mbi bazë të foljeve konsonantike.
Sidoqoftë, shumica e këtyre rregullave marrë
në përgjithësi ishin të drejta dhe orientuese për atë kohë, megjithatë kishte
edhe ndonjë mospërputhje me ortografinë e Tiranës, ngase ky Tubim kishte për
synim “me e thjeshtue sa asht e mundun
ortografin shqipe... për shembull në lidhje me Ë-pazane” por edhe tue mos
me e cenue, si me thënë, karakterin shkencor të variantit letrar të gegnishtes
në kuadër të shqipes përgjithësisht. Të dyja ortografitë (ajo në Tiranë dhe kjo
në Prishtinë) quheshin ortografi të
gjuhës shqipe, por që kishin në fakt shumë ndryshime. Andej apo këndej pati më shumë teprime, le të
vlerësohet.
Lidhur me këtë po i përmendim edhe nja dy fakte:
E para, ka të bëjë me vazhdimin e mospërdorimit të Ë-së fundore në rastet, që po i shënojmë më poshtë, duke e vënë prej nesh Ë-në e madhe për t’u dalluar më mirë, ashtu siç kërkohej sipas ortografisë së Tiranës, por që u pranua më vonë edhe në ortografinë e Prishtinës (1963):
ShqipnisË, ortografisË, pleqsisË.; -Z-nË, SH-nË; mirËsi, drejËsi gjuhËsi, ngutËsi; të mËdha, kuqËlosh; punËtorin ndaj punËtorinË, drejtorin ndaj drejtorinË etj.
E dyta, ndërlidhet me përdorimin e paskajores me + pjesore të shkurtër në përdorim normal këtej edhe si trajtë përfaqësuese në afro 40 raste, formë kjo që në ortografinë e Tiranës ishte krejtësisht e anashkaluar.
Sidoqoftë, jo vetëm për këto, por në pika të tjera dihet se ortografia e Tiranës dilte në shpërputhje me disa nga pikat e ortografisë së trashëguar nga periudha para LDB-së, të cilën përpiqej ta ndiqte ende ortografia e Prishtinës. Duke hetuar këtë shpërputhje, natyrisht pati edhe ndonjë gjuhëtar që nuk ishte ndarë i kënaqur me ortografinë e këtij Tubimi, ngase shihej qartë se thellohej edhe më tutje mospajtimi rreth ortografisë (e cila në të dyja qendrat quhej se ishte ortografi e gjuhës shqipe!, por në fakt rregullat përkatrëse largoheshin shumë nga synimi i përbashkët i mbrumur atdhetarisht në titullin e njëjtë si synim për njëzimin e normës të së njëjtën gjuhë, së paku aty ku mund të bëhej ky njëzim.
Lidhur me këtë pati reaguar botërisht por me mjaft maturi prof. Idriz Ajeti. Pas këtij reagimi dhe jo vetëm për shkak të tij, por edhe për arsye të tjera jashtëgjuhësore, u vendos që edhe njëherë të rishqyrtohej tërë çështja rreth ortografisë së gjuhës shqipe, me theks te ne (në ish-Jugosllavi). Ashtu edhe u veprua dhe si fryt i këtij rishqyrtimi doli Ortografia e vitit 1963. Kjo ortografi doli mjaft e përpunuar dhe shumë më e plotë e më gjithëpërfshirëse se ato të mëparshmet, ndonëse për pika të caktuara edhe kjo nuk dilte plotësisht e padiskutueshme. Këtu e kemi fjalën pikërisht lidhur me raportin ndaj ortografisë së Tiranës në krahasim me atë të trashëguarën.
6. Nga Ortografia e gjuhës shqip (1963)
(Beograd- Prishtinë 1964)
Qëndron e vërteta, që mund të themi me plot gojën, se kjo ortografi e Prishtinës (1963) ruan, më pak e më shumë, të gjitha tiparet themelore të gegnishtes, me ndonjë përjashtim, të cilat tashmë, si të thuash zinin vend anësor ose edhe ishin anashkaluar në ortografinë e Tiranës. Sidoqoftë, kjo ortografi për pika të caktuara sa ishte e mundur drejtshkrimisht edhe u afrue me atë të Tiranës 1956. Në të vërtetë hartuesit e kësaj ortografie ishin të vetëdijshëm si për vlerën e punës së tyre, ngase nuk kishin mundësi të bashkëpunonin ose të ndikonin për një ortografi të përbashkët të gjuhës shqipe, por sidoqoftë i përmendin mjaft qartë vështirësitë me të cilat ishin ballafaquar gjatë punës, andaj edhe e theksojnë faktin se u kanë mbetur disa pika divergjente dhe këtu në radhë të parë i përfshijnë dysorët. Këtë e thonë që në fillim të tekstit, në parathënie, të titulluar “Dy fjalë mbi punën e Komisionit t’ortografis”, por njëherazi japin me kuptue se janë të kënaqur me rrumbullakësimin e punës së tyre, dhe këtë bindje të tyre e shprehin me fjalët:
“Qe, ma në fund, po u lëshojmë në dorë kët Ortografi të gjuhës shqipe të gjithë atyne që mirren me të shkruem të kësaj gjuhe”,
por njëherazi s’e lënë pa e përmendur një të vërtetë tjetër se gjatë punës kishin hasur në vështirësi rreth puqjes së medimeve ndërmjet tyre dhe si rrjedhojë u kanë mbetur mjaft pika divergjente, të cilat, siç shpjegohet aty:
“u lëshuen si të tilla, tue synue që ato t’i kristalizojë koha, t’i japi përparësi njanës a tjetrës e që në nji mbledhje t’ardhshme të gjuhtarëve të zgjidhet edhe çashtja e tyne”.
Po kështu edhe hartuesit e Tiranës për punën e tyre rreth drejtshkrimit që
e quajtën Ortografi të gjuhës shqipe
(1956) pohonin se kishin pasur
vështirësi, përkatësisht se u kanë mbetur ende disa “divergjenca mendimesh”.
Po cilat ishin ato pika divergjente a divergjenca mendimesh që i përmendin të
dyja palët? A kishin natyrë të njëjtë
ato divergjenca apo jo?
Meqenëse ato divergjenca nuk thuhen qartë nga
asnjëra palë, na mbetet neve të supozojmë.
Të gjitha ato divergjenca, për mendimin tonë,
nuk i takonin të njëjtës natyrë. Mund të thuhet se hartuesit e Ortografisë së
Prishtinës, mospërputhje a divergjenca kishin më tepër për trajta të caktuara
brenda raportit të vetë normës së gegnishtes, ndërsa ata të ortografisë së
Tiranës supozohet se duhet të kishin pasur mospërputhje edhe në raportin
gegnishte / toskërishte ose shqipe e sotme letrare, në njërën anë, ndaj ish
shqipes letrare mbi bazë të gegnishtes, në anën tjetër.
Kështu themi se gegnishtja letrare, siç u tha
kishte pasur sadokudo mbështetje institucionale nga tradita (Kongresi i Elbasanit, Komisia letrare e
Shkodrës, Kongresi i Lushnjës si dhe takime, tubime e rekomandime të tjera
administrative (1940)) dhe si e tillë standardvënësve të Tiranës u imponohej
vetvetiu si problem, ndërsa toskërishten a shqipen e sotme letrare e kishin
detyrë që ta formësonin (normëzonin) sa më parë, siç ua shtronte situata, ngase siç e thotë prof. Mehmet Çeliku shtetit
i duhej një abetare dhe një gjuhë zyrtare, prandaj standardologëve u duhej punë
për të gjetur patjetër të rrugës më të mundshme sa më të shpejtë, por edhe më
të drejtë dhe më të përshtatshme, por mbase edhe më të lehtën, në përputhje me direktivën(!) për kryerjen e misonit
të vijëzuar, sipas politikës gjuhësore.
Prandaj, këtu duhet me u dallue, sadokudo, e
vërteta, pse të dyja palët pretendojnë emërtimin: ortografi të gjuhës shqipe për të gjithë (shqipshkruesit) dhe
njëherazi të dyja palët i përmendin pikat
divergjente dhe po ashtu të dyja palët thërrasin në ndihmë faktorin kohë ? Dhe këtë thirrje
në kohë e bënin kur nuk kishin koncensus në zgjidhjen e problemeve
përkatëse. Po në njëfarë mënyre kishin të drejtë, sepse dihet se mjaft gjëra
rreth dy koineve dialektore ishin afruar ndërdialektisht më herët në mënyrë atavike, nga procesi i
brendshëm vetërregullues që manifestohej
nga faktori kohë, por tash në
raportin ndërdialektor, në kuptim përgjithësues, pritej që t’u vijë në ndihmë kohë e re dhe vërtet ajo situatë e re do t’u vijë. Po si. u erdhi “vera
kah dera”, siç e thotë një fjalë popullore dhe si e shfrytëzuan atë nuk
është gjë e paditur për opinionin e gjerë, por, megjithatë, po për këtë çështje
do të bëjmët fjalë në kreun tjetër të punimit. Po tash po vijojmë me zbërthimin
e pikave të sapocekura rreth divergjencave, për zgjidhjen e të cilave kërkohej
ndihmë nga faktori kohë.
Pasi ne
më përpara paksa i fiksuam ose i dalluam në vijë të trashë shkaqet e
diferencave në vijim do të përpiqemi me i shpjegue më dukshëm në tri pikat
vijuese:
së pari
do të përmendim pikat divergjente ose
dysorët e lejuar në ortografinë e Prishtinës,
së dyti, cilat ishin ato divergjenca që
supozojmë ne, të cilat, vërtet, ishin objektive në raportin ndërdialektor,
divergjenca këto që do të shihen më mirë nga krahasimi i materialit të
ortografisë së Prishtinës (1963) me atë të ortografisë së Tiranës (1956) dhe
së treti, do të përmenden disa silajthitje në ortografinë e Prishtinës për shkak të hiper-respektit ndaj ortografisë së Tiranës.
1. Pikat divergjente brendadialektore a dysorët e lejueshëm
në ortografinë e Prishtinës
Pa u zgjatur, tash fill po i shënojmë dysorët që i ndeshim në tekstin në shqyrtim, d.m.th., në ortografinë e Prishtinës pa e shprehur animin tonë rreth përparësisë së njërit a tjetrit variant, ngase zgjidhja është dhënë në rregullat e ortografisë së njësuar që do të pasojë, të pranuar ndërkohë edhe nga Prishtina.
1)
Veta e parë e
shumësit të përemrit vetor shënohet: na dhe
ne.
2) Nyja shquese e
emrave femërorë në temë në –i të
theksuar shënohej –ja ose –a liri-ja
ose liria, shtëpi-ja ose shtëpia, shprehi-ja ose shprehia.
3) Nyjë-mbaresa e gjinores tek emërzimi i mbiemrit të jashtmje a të jashtmeje; së jashtmje a së
jashtmeje.
4) Imperfekti pranohej dy trajtash: punojsha a punoja, hapsha a hapja.
5)
Veta e tretë njëjës
tek tipi i foljeve me konsonantin –T fundor shkruhej: shetitte a shëtiste, shitte a shiste, përgatitte a përgatiste.
6) Veta e parë e foljeve të tipit me pi: unë pij a pi, ti pin a pi, ai pi a pin, na pijmë a pimë, ata pijnë a
pinë, po kështu edhe folja me dijtë a me ditë: unë dij a di, ti din a di, ai
din a di, na dijmë a dimë, ata dijnë a dinë.
7)
Veta e tretë e
foljeve të tipit me shty: (ai) shtyni ose
shtyu, pshtyni ose pshtyu, mbini ose mbiu, gdhini ose gdhiu, grini ose griu,
nxini ose nxiu etj.
8)
Fundori i mbiemrit
të paranyjëzuar (nga foljet me ftofë a me ftohë), me f ose h: i ftoftë a i ftohtë, i ngroftë a i
ngrohtë.
9)
Mbiemri: i
çudiçëm a i çuditshëm, i
mërzitëm a i mërzitshëm.
10) Përmri pronor me –J
fundore ose pa të: të tijat a të tiat, të
tijave a të tiavet, të tijash a të
tiash, të tijt ose të titë të tijvet ose të tivet, të mijt ose të mitë, të
mijvet ose të mivet, të mijave ose të miave, të mijash ose të miash.
11) Mbiemri im ose jem: djalit tim ose djalit
tem, timin ose temin, timen ose temen.
12) Foljet: mbuellëm a mbollëm, mbuellët a mbollët,
mbuellën a mbollën; muel a moli, nxuer a nxori etj.
13) Emrat prejpjesorë të vepruesit në njëjësin e shquar, tipi:
korrsi a korrësi, mbjellsi a mbjellësi,
nëpunsi a nëpunësi, zgjedhsi a zgjedhësi.
14) Mbiemrat pronorë: djemt e mij a e mi, të mij a të mi; vajzat e
mija a e mia, vajzat e tij a të tija, vajzave të tij a të tija, vajzat e saj
a e saja, vajzave të saj a të saja.
15) Dëshirorja e
foljeve: me dhanë: dhashtë edhe dhantë,
me thanë: thashtë edhe thantë.
16) Ndajfolje vendi: përreth dhe për rreth, tejpërtej a tej për
tej.
17) Ndajfolje kohe: tashpërtash a tash për tash, sotpërsot a sot për sot.
Siç po shihet shumica e shembujve në një
variant a të variantit tjetër puqeshin me versionin e Tiranës, dhe për mendimin
tonë nuk paraqitnin kurrfarë problemi që në një mbledhje të ardhme edhe të
harmonizoheshin ose të zgjidheshin përfundimisht. Pra, këto ishin divergjenca
të lehtëzgjidhshme. Po a kishte edhe çështjet tjera divergjente në plan të
normës së mbëhishme kombëtare? Sigurisht po. Mirëpo, çështja e divergjencave më
të mëdha qëndronte gjetiu pikërisht në raportin dallues të normës
ndërdialektorë Tiranë / Prishtinë, ta quajmë kështu kushtëzimisht.
Pra ishin pika të tjera më të nxehta a më divergjente se ato që u shënuan më sipër, të cilat (këto të fundit) edhe nuk ishin aq të lehta për t’u zgjidhur me marrëveshje, kur takimet me standarvënësit e Tiranës ishin të pamundura. Është fjala për dallimet kryesore ndërdialektore, të cilat dilnin të ravijëzuara trashëgimisht në të dy dialektet, madje këto të gegërishtes, kishin mbështetje, si të themi, edhe institucionalisht gjatë periudhës së Pavarësisë e deri në vitet e ’40-a e më vonë, por edhe ato të toskërishtes si variant nuk ishin aktualisht të palegalizuara krejtësisht, sidomos në gramatika e në gjuhën e shkrimit praktikisht. Po cilat ishin ato më kryesoret në raportin ndërdialektor do të përpiqemi t’i rikujtojmë shkurtimisht fare në nënkreun vijues.
2.
Pikat divergjente në raportin ndërdialektor të ortografive
Prishtinë (gegnisht) / Tiranë (toskërisht)
Është e vërtetë se këto dallime në raportin
gegnishte / toskërishte, më pak e më shumë, kanë prekur qysh herët të dyja
sistemet e ligjërimit të shqipes: sistemin emëror në trajtëformim e
fjalëformim, po ashtu edhe atë foljor, qoftë në eptim, qoftë në trajtëformim e
fjalëformim, mirëpo këto dallime, si të thuash, në ndjenjën e shqipfolësve nuk
kishin, siç nuk kanë edhe sot, natyrë aq të vrazhdë kufindarëse brenda
shoqërisë shqipfolëse edhe sa i përket gjeografisë, ashtu edhe sa i përket
kuptimësisë e ndjeshmërisë. Megjithatë, pika divergjente në rrafshin
drejtshkrimor Tiranë-Prishtinë, madje mjaft të mëdha, kishin mbetur në raportin
ndërdialektor. Kur themi Tiranë kemi
parasysh stilin zyrtar e jo të folmen a ligjërimin e qytetit me rrethinë, ngase
edhe kjo e folme bën pjesë në dialektin gegënisht.
Sidoqoftë, po cilat ishin këto dallime në përmasa jo të vogla ndërdialektore? Po ia rikujtojmë lexuesit. të përmbledhura në pesë pika dhe për secilën pikë do të përmendim ndonjë karakteristikë të veçantë që na duket me interes jo vetëm të dihet, po edhe të njihet më mirë ajo e vërtetë, sepse kur të njihen çështjet atëherë edhe gjykimi, qëndrimi dhe vlerësimi ndaj tyre del më objektiv. E së këtejmi edhe zgjidhja del me e lehtëpranueshme:
E para, si dallim kryesor del pajisja e
gegnishtes me paskajoren me + pjesore dhe mungesa e saj përgjithësisht në toskërishte. Kjo formë (a
mënyrë), qoftë e përdorur brenda tekstit shpjegues, qoftë si trajtë
përfaqësuese në ortografinë e Komisisë Letrare të Shkodrës (1917) zinte vend të
konsiderueshëm a si me thënë qendror, dilte në afro 100 raste, në Ortografinë e
Tiranës 1948, janë shënuar vetëm 5 shembuj me paskajoren e mirëfilltë, në
ortografinë tjetër të Tiranës (1951) asnjë, ndërsa në ortografinë e Prishtinës
1952 afro 20 raste, në atë të Tiranës
1956 asnjë rast, në atë të Prishtinës 1957 afro 50 raste, kurse në tekstin që
po e shqyrtojmë (ortografinë e vitit 1973) vetëm 20 folje (ose 24 raste, sepse katër prej tyre
përsëriten), që janë:
me ba, me bajtë; me marrë, me nxjerrë; me ardhë, me dijtë, me pi; me pre, me pritë; me ikë, me dhanë, me thanë, me mjelë, me mjellë. me ecë, me thye, me kthye, me pasë, me qenë, me dallue.
Shënim: Vihet re se në krahasim me ortografinë
e vitit 1957 në këtë ortografi (1963) janë shënuar dyherë e gjysmë më pak dhe
asnjë shembull nuk del mbi temë të foljeve më –Oj, UAj/UEj, tipi me shkrue:, me mësue etj. që është tipi më prodhimtar i foljeve në gjuhën
shqipe.ndërsa rasti me u
dallue del brenda tekstit sqarues,
jo si tip-model përfaqësues.
Sigurisht edhe këtu mosshënimi i tyre (i foljeve me –O/j etj) mund të shpjegohet, si tentin i ikjes së ballfaqimit të problemin ndërdialektor apo jo? Gjithsesi ndikimi i ortografisë së Tiranës ishte i pranishëm edhe për rastin në fjalë, apo jo?!
E
dyta, ndër pikat e tjera dalluese a divergjente në
raportin ndërdialektor del edhe pjesorja e shkurtër, e cila siç e pamë te
shembujt e mësipërm në kuadër të paskajores dilte vetëm në trajtën e shkurtër.
Lexuesit, po ia rikujtojmë se në gegërishten popullore dalin edhe pjesore të
zgjeruara me prapashtesat -M,-MË -MUN,
-UN e ndonjë trajtë tjetër, si –N, NEN, -NUN! të cilat këtu po i ilustrojmë me
pak shembuj paskajoresh përkatëse dhe mbiemrave prejpjesorë të paranyjëzuar
bashkë me pjesoren e toskërishtes dhe mbiemrin barasvlerës përkatës (në të dyja
gjinitë) të shqipes së sotme letrare (toskërisht).
Krahaso:
1) nga folja gëzoj me gëzue: i gëzuem e
gëzueme ose i (e) gëzuemun(!), madje
edhe i gëzuen e gëzuene(!) - gëzuar, i
gëzuar e gëzuar;
2) nga folja flas me folë i folun e folun
- folur, i folur e folur;
3) nga folja
pi, me pi, i pimë e pime i pinë e pine - pirë,: i (e) pirë,
4) nga folja shkruaj me
shkrue i shkruem e shkrueme, i shruen e shkruene - shkruar i shkruar e shkruar,
5) nga folja mësoj me mësue (me mësuem me mësuenun! – i mësuem
e mësueme, i mësuen e mësuene –
mësuar i mësuar e mësuar, e kështu
me radhë,
6) nga foljet konsonantike si b.f., tipi:
dredh me dredhë: i dredhun e dredhun: dredhur i(e) dredhur etj., ngase sipas
Drejtshkrimit të Tiranës 1956, lejohej trajta e pjesores së gegërishtes edhe dredhë edhe dredhun ose folë folun(!) në konkurrencë me trajtën e letrarishtes:
dredhur, folur, e kështu me radhë.
Nga shembujt e mësipërm, menjëherë, na bie në
sy se nga foljet me zanore e togzanor mbiemri i gjinisë femërore në gegnishtem
letrare nuk del paralel me atë të toskërishtes, karakteristikë kjo që edhe
ndonjë koncept i gjuhës gege mbetet i pambuluar tërësisht në versionin e
shqipes së sotme mbi bazë të toskërishtes.
Pra,
pjesorja e shkurtër e gegërishtes, por edhe ndonjë e zgjeruar, jashtë
paskajores së mirëfilltë, që siç po shihet del e materializuar në formimin e
mbiemrave prejpjesorë të paranyjëzuar zakonisht me pjesore të zgjeruar në këtë
ortografi (1963) del mjaft e theksuar, ndërsa ajo e toskërishtes dhe pjesorja e
zgjeruar e gegërishtes nuk përmenden fare. Në të vërtetë, raporti i dallimit
paskajore e gegnishtes ndaj eptimit të foljeve në toskërishte del edhe më i
madh. Pikërisht nga ky kompleks, nga
ortografia e Prishtinës po shkëpusin një detal a një propozim-zgjidhje
interesante, mjaft tërheqëse për dy folje:
me pre dhe me pritë, të cilat, duhet
me i dallue si nga kuptimi ashtu edhe nga forma, sepse, siç paraqitet aty,
ndryshojnë edhe për nga eptimi i tyre, gjë që shihet nga trajta përfaqësuese me
+ pjesore: me pre/prej: unë prej ti pren ai pren (me thikë),
ndërsa me pritë/pres: unë pres ti pret ai pret (miq) etj
Për mendimin tonë nuk është bërë mirë që nuk është ngulmuar atëherë e ndërkohë për normëzimin e një zgjidhjeje të tillë të pëlqyeshme të trashëguar e të zgjidhur spontanisht nga gjuha jonë popullore, por e bekuar me atë normë, zgjidhje e mrekullueshme kjo për t’i ikur homonimisë mjaft të vrazhdë, e cila ka mbetur si e tillë në normën e shqipes së sotme.
E treta, po përmendim raportin e dyzanorshit UE në gegnisht ndaj atij UA në toskërisht i zbërthyer nga një *On e përbashkët e foljes përkatëse në faza më të hershme. Në të vërtetë, dyzanorshi UE në ortografinë në shqyrtim del si trajtë e vetme e normëzuar në të dyja sistemet ligjërimore (emërore e foljore), ndërsa në ortografinë e Tiranës del e normëzuar vetëm në këto dy segmente:
1) tek emrat e vepruesit, tipi: mësues, këndues, lavrues, dëmtues etj.
dhe
2) te mbiemrat me –shëm: i pajtueshëm, i besueshëm i këndueshëm, e kështu me radhë,
Pra në raste të tjera përdoren vetëm trajtat në –UA, madje ka edhe raste anashkalimi, prandaj t’i ndjekim rastet e tilla në vijim:
a) Tek emnat me ue /oNi, sikurse ftue
(ftoni), krue kroni, thue thoni, përkatësisht drangue (drangoni) që në
toskërishte (lexo: shqipja e sotme letrare);.
del më –UA/ OI ftua (ftoi), drangua (drangoi), patkua
patkoi, langua langoi etj Në të
vërtetë trajta –OI del edhe në disa të folme të gegërishtes, por trajtat me
–N nuk thuhet se dalin në
të folme të toskërishtes.
b) Mbiemrat e paranyjëzuar: i ftuem, e ftueme; i bashkuem e bashkueme; i
patheksuem, e patheksueme, i shquem e shqueme etj. në toskërishte, siç u
cek edhe pak më përpara, dalin: i,e ftuar; i,e bashkuar; i,e patheksuar, i, e
shquar. Siç po shihet, në gegnishte ndryshojnë trajtat fundore sipas
gjinisë, ndërsa në toskërishte jo.
c) Mbiemrat prejpjesorë me -T, tipi: i squet, i lëmuet, i liruet, i shëmtuet, i
kulluet; kryeshtruet, dorështrënguet etj, në ortogafinë e Tiranës janë
anashkaluar, mos vallë, vetëm pse në toskërishte nuk paska trajta paralele për
konceptet e tilla apo ka ndonjë arsye tjetër, le të sqarohet.
ç) Në shprehje e togfjalësha si m’u muer goja, duel jashtë, due me thanë ose po due me thënë (në toskërisht vetëm: do të them ose dua të them,
sepse për versionin e dytë po due me
thënë, (me sa e kemi në dijeni, mungon barasvlerësi) etj., pra, kuptohet,
se në toskërishte nuk del togu zanor UE, po vetëm –UA ose mblidhet në O në
raste të tjera.
d) Në pjesoren e foljeve si, shkrue, këndue, dënue, lexue, bashkue,
shkrue, gëzue; quejtë, ruejtë, gjuejtë vuejtë etj., që në toskërishte del e
anashkaluar, ngase norma e letrarishtes së sotme njeh (!) vetëm pjesoret e
toskërishtes: shkruar, kënduar, dënuar,
lexuar, bashkuar, shkruar, gëzuar; quajtur, ruajtur, gjuajtur, vuajtur, e
kështu me radhë (ndërkaq në fjalëformim trajtat gege dalin doemos si tema
motivuese).
dh) Përemri mue, pjesëza tue në toskërishte dalin mua, duke, siç e pamë te A. Xhuvani fillimisht dilte tyke..
Shënim; Të kihet parasysh fakti se në fjalëformim, sidomos, por edhe në rastet të tjera koncepti i shprehur me trajtat e gegnishtes nuk del i mbuluar me trajtat e toskërishtes. Krahaso mësues mësuesi,-a, shkues shkuesi-a etj, madje në FGJSH 2006 del ndajfolja lëshuemas (Aty f. 550).
E katërta, dukuria e rotacizmit në toskërishte dhe dukuria e hundorsisë në gegnishte janë dukuri të njohura, ndonëse në Ortografinë e Prishtinës, dukuria rotacizmit nuk përmendet fare, ndërsa ajo hundorësisë në ortografinë e Tiranës përmendet sa për të treguar se zanorja hundore A ose E e gegërishtes në letrarishten e sotme shënohet me –Ë dhe se hundoret me N e M historikisht në mjaft raste dalin të rotacizuara në R.
Po japim sa për ilustrim disa shembuj:
a) gegnisht: ranë, gërshanë, llanë, dhamb,
e preme, ambël e zashme andërr, hanë e gjysmëhanë, randë, zadhanës etj.
b) toskërisht: rërë, gërshërë, llërë, dhëmb e
prerë, ëmbël, e zëshme
ëndërr,
hënë, gjysmëhënë, rëndë, zëdhënës
etj.
c) prapashtesën –ni,
geg. vllazni, pleqni, djelmni ndaj tosk. –(ë)ri: vëllazëri, pleqëri, djelmëri etj.
ç) mbaresa e shumësit të ermrave mashkullorë, geg. –J si ullij, barij, mullij ndaj tosk. –NJ: ullinj, barinj, mullinj etj.
E pesta, po i shënojmë edhe disa vënerime të tjera:
a) Në ortografinë e Prishtinës përmenden vetëm
prapashtesat -ËN, -NA, -J kryesisht., ndërsa në atë të Tiranës barasvlerësit
përkatës paralel, mirëpo pasi rreth raportit të këtyre prapashtesave: -ËN/-ËR,
-NA/-RA si dhe -J/-NJ e nyje-mbaresat përkatëse –T/-IT është bërë fjalë më gjerësisht në një punim
tjetër, andaj këtu nuk po zgjatemi.
b) Në ortografinë e dy qendrave shumë fjalë të
tjera shënohen ndryshe, po i përmendim vetëm ndonjëren prej tyre, si b.f., në
ortografinë e Prishtinës: mirret,
gjithnji, njisi, etj, në atë të Tiranës: merret, gjithnjë, njësi etj.
c) Ndonëse jo aq në përmasa të mëdha sa ato që u përmendën në pikat e mësipërme si karakteristika të veçanta në ortografinë e Prishtinës ndaj asaj të Tiranës dalin fjalët me O në trup të fjalës ose me nistoren vo-/va, si: votër, i vorfën, vorr, të cilat në ortografinë e Tiranës dalin me A; vatër, i varfër, varr.
Shënim: Të gjithë shembujt e mësipërm, në ortografinë e Prishtinës shënohen vetëm në gegërisht pa i cekur fare trajtat e toskërishtes si alternativë, prandaj një veprim i tilllë, kur kemi parasysh përfaqësimins pretendues sipas titullit ortografi e gjuhës shqipe për të gjithë ata që e shkruajnë këtë gjuhë e quajmë me rezervë, po ashtu rezervë kemi edhe ndaj ortografisë së Tiranës ku injorohen disa vlera vitale të gegnishtes, siç është paskajorja me + pjesore si dhe pjesorja e shkurtër për tipin më prodhimtar të foljeve, sepse me anashkalimin e formave të tilla kanë mbetur finesa edhe koncepte jo të plotësuara denjësisht në kuadër të sistemit të tërësishëm (global) foljor të gjuhës shqipe, prandaj edhe kuptimi i tyre si Ortografi e gjuhës shqipe, sa i përket gjithpërfshirjes së vlerave reale përfaqësuese mund të pranohet me njëfarë rezerve të arsyeshme.
3. Disa silajthitje në
ortografinë e Prishtinës nga
hiper-respekti ndaj ortografisë së Tiranës
Në vazhdim po i japim edhe disa konstatime, madje me to do të cekim edhe nja pesë silajthitje që mendojmë se janë shkaktuar nga hiper-respekti që kishte Prishtina ndaj ortografisë së Tiranës:
Së pari, po theksojmë vërejtjen e
përgjithshme, ku përsëritet lajthitja nga ortografia e Tiranës lidhur me foljet
apofonike me –r që nuk ekzistonin jo vetëm në gegërishten letrare, por as në të
folmet popullore të spektrit të gjerë.
Së dyti, është interesant se edhe këtu lidhur
me emrat e gjinisë femërore përmenden
vetëm emnat me –Ë tipi barrë, bletë, bukë, fjalë etj., por jo edhe tipi nanë, tokë, që ishte si sot si mot, tipi më i përhapur dhe më karakteristik
i emrave femërorë në gjuhën tonë.
Së treti, edhe në këtë burim për mendimin tonë
bëhet silajthitje metodologjike si në atë të Tiranës, pse e përziejnë shumësin
e emrave mashkullorë me atë të mbiemrave mbi bazë të fundorëve. Madje ndërsa në
Ortografinë e Tiranës 1956 shënoheshin 17 fundorë, në këtë burim të Prishtinës
numri i fundorëve përkatës arrin në 23. Edhe këtu shënohen, për mendimin tonë,
fare pa nevojë e pa arsye, mbiemrat (që nuk emërzohen kështu): kuqalë, industrialë, cilindrikë, selenitë, misërokë e ndonjë
tjetër.
Së katërti, raporti asnjanës i mirëfilltë /
gjinia mashkullore është pasqyruar mjaft qartë, madje për të 9 shembujt
ilustrues shënohet treguesi etj. që
do të thotë se pranohet që ka edhe shembuj të tjerë asnjanësish, por nuk
emërtohen si asnjanës shembujt si t’
endunit, t’ ecunit e të tjerë, pra as prejpjesorët as prejmbiemërorët
asnjanës të cilët, si në burimin e Tiranës, mjaftohetn të quhen vetëm si emra abstraktë.
Së pesti, edhe ikja apo mosshënimi i shembujve me paskajore të mirëfillt nga foljet më -ue fundore, tipi: me mësue, me blue, siç u cek më sipër, na duket se është bërë për t’i ikur konfrontimit me pjesoren e toskërishtes me –UAR?!
Sido që të jetë, pa mohuar meritat e kësaj
ortografia po i rikthehemi edhe njëherë çështjes rreth emërtimit Ortografi
e gjuhës shqipe (1963). Pasi
mungonin ose qëndronin të papërfshira në këtë ortografi disa nga trajtat
themelore të toskërishtes (me rotacizmin karakteristik), sa mund të ta themi me
plot gojë se një drejtshkrim i tillë i Prishtinës meritonte të emërtohej, siç
thuhet në parathënien e asaj broshure:
Ortografi e gjuhës shqipe për të gjithë? .Gjithashtu, në anë tjetër, siç e
pamë edhe në drejtshkrimin e Tiranës (1956), u injoruan apo u anashkaluan
trajtat më vitale (shtylla kurrizore) a themelore të gegnishtes, atëherë e
njëjta pyetje mund t’i shtrohet edhe atij burimi: Është kuptimplotë, apo jo,
emërtimi Ortografia e gjuhës shqip (1956)?
Sidoqoftë, mjaft probleme të shqipes letrare
të përbashkët mbetën të hapura dhe këto çështje gjetën zgjidhje apo jo, në
Projektin e rregullave të drejtshkrimit 1967, përkatësisht me Drejtshkrimin e
gjuhës shqipe, Tiranë 1973, pas Kongresit të Drejtshkrimit(1972), mbetet të
vlerësohen.
Pra, për hamonizimin e
ortografisë së shqipes së njëzuar ose të përbashkët në atë kohë nevojitej punë
e kompromis i dyanshëm, veç tjerash edhe në raportin Prishtinë-Tiranë ose
gegnishte / toskërishte. Po faktorët e Prishtinës, me arsye e pa të, kur iu dha
rasti hoqën dorë nga trajtimi i sërishëm i drejtshkrimit për zgjidhjen e
divergjencave, qoftë brenda gegnishtes, qoftë në raport ndërdialektor, duke
ia lehtësuar
barrën vetvetes me lënien në dorë pa oponencë, ose duke ua ngarkuar krejt
çështjen si barrë në ndërgjegjen e standardologëve të Tiranës.