Nehat Jahiu: “Lulëkuqe mbi varre”, përmbledhje tregimesh me ngjarje autentike.
Nga Hysen Këqiku
Ripërtëritja është proces i natyrshëm, i cili i jep shije dhe kuptim ligjshmërisë për rregullimin e zhvillimeve dialektike. Lëvizja e ngadalshme e gjërave, edhe pse nuk duken, në të parë, për një kohë ato bëjnë mrekullira natyrore në gjithësi, në jetë, në shoqëri, madje edhe në qenien tonë. Pa këto lëvizje përtëritjeje, aveniri njerëzor nuk do të ishte i logjikës përparimtare dhe pse shumë lëvizje bëhen sipas logjikës së qarkullimit dhe përtëritjes duke bërë punë të mundimshme si të Sizifit.
Edhe puna në krijitarinë letrare është e një ngjajshmërie sepse, edhe ajo, për të arritur në shkallën e sotme të përsosshmërisë dhe për kapjen e kulmeve synuese do mund dhe hulumtim të pandërprerë.
Në këtë rrugëtim të gjatë, krahasim me letërsinë e vendeve tjera të rajonit e të botës përparimtare, letërsia shqiptare që nga fillimet e saja, iu desht të kalojë nëpër një rrugë evolutive - rrugën e zhvillimit të saj dhe, për shkak të rrethanave imponuese historike, ajo rrugë qe e vështirë si nëpër teh të shpatës, e përmbushur me katrahura e sfidime, kurse bartësit e përgjegjësisë së ndërgjegjshme e shpirtërore – krijuesit, fatkeqësisht këtë rrugë e kaluan siç thotë Musa Ramadani “Me lavjerës në qafë e me shpatën e Demokleut mbi kokë”, kjo tregon më së mirë punën e mundimshme sizifiane, por gjithësesi përkushtuese të autorëve të veprave të ndryshme artistike.
Këtë përshshtypje e fitojmë edhe kur i lexojmë tregimet e Nehat Jahiut e veçmas ato 32 sosh që e kompletojnë përmbledhjen “Lulëkuqet mbi varre”.
Tregimet e këtij autori të vyeshëm janë me psherëtima, të cilat shpërthejnë si lavë vullkani nga ama, përkatësisht nga mbrendia shpirtërore. Ato shoqërohen me pasthirrma, me pika të heshtjes dhe figura të tjera të shumëta që thundrojnë emocione.

Ngacmimet të cilat i rrisin efektet emocionale të tregimeve janë të sferës objektive. Ato rrjedhin nga padrejtësitë e sunduesve të ndryshëm.
Sjelljet e tyre përbuzëse, nënçmuese, fyese, denigruese, mohuese të vlerave deri në përmasa të asgjësimit të tyre, e bëjnë autorin e këtyre tregimeve rezistues duke e mbrujtur qenien e tij si dhe atë kolektive në relievin indogjen të pathyeshëm siç u dëshmua në realitetin historik në vazhdimësi.
Nehat Jahiu është mishëruar me artin letrar. Ai në këtë rrugë është shumë i ndjeshëm dhe i përkushtuar. Atij nuk i shpëton vrojtimi real. Adhuron për të qenë i adhuruar. Në të gjitha tregimet psherëtinë për të bukurën, për humanen dhe respektin. Shpreh dhembshurinë për ata që bëhen viktimë e padrejtësive, shtypjeve dhe injorimeve që i kanë vënë në zbatim pushtetet e ndryshme me ligjet denigruese.
Atdheu, bukuritë dhe pasuritë e natyrshme që ka ai, ka të drejtë t’i shfrytëzojë vetëm ai që e do dhe sakrifikon për të, ata që e kanë ngopur me gjakun e gjyshstërgjyshërve të tyre. Ata që realilsht i dalin zot dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë për të. Këtë ideal e mbjell mësuesi nëpër shkolla. Ta përkujtojmë me këtë rast një thënie të Ismajl Kadaresë - “Kur mbyllen shkollat hapen burgjet”. Kjo aforizmë le të trokasë në dyert e atyre që diskriminuan.
Tehu i shpatës, nëpër të cilin eci gjuha shqipe, ishte shumë i mprehtë, ajo nga përbuzësit e vlerave të saj shpesh u shpall si gjuhë e ndaluar dhe gjuhë e mallkuar, po a shuhet vallë bërthama e ngrohtë e planetit tokë, gjuha shqipe që nga pellazgjishtja, ilirishtja e deri te forma që ka marrë sot shqipja standarde e kanë ngrohtësinë e zemërtokës. Kjo ngrohtësi me të gjitha ngjyrimet e jetës e mori forcën e pazhdukshmërisë, duke u bërë gjuhë e universiteteve e akademisë së shkencave, gjuhë e kompjuterizmit, gjuhë e një letërsie e cila e bën ecjen bashkë me letërsitë e tjera simotra nëpër botë.
Zhvillueshmërinë nuk mundën ta ndalnin as faraonët, as timurët, as sllavokomunistët që në histori i përngjajnë buburecit që do të mbathet me patkonj si bualli.
Në këtë ecje të zhvillueshmërisë dhe të gjetjeve të reja në letërsinë tonë Nehat Jahiu lë gjurmë duke sfiduar e sublimuar për të bukurën në letërsi. Ai këtë e realizon me një metaforë karakteristike e shumë individuale. Zhvillimet e ndryshme të këtyre vlerave nuk mundën t’i pengonin as individët as grupet e ndryshme, me mendime ogure të politikave dhe ligjeve denigruese.
Nehat Jahiu na del me një libër me tregime dhe me të e plotëson një zbrazëti për arsye se kohëve të fundit, krijuesit e kanë gjetë rrugën më të shkurtër - poezinë për shprehjen e emoconeve dhe ndjenjave duke mbetur kështu tregimi deficitar.

Rëndësia tjetër e kësaj përmbledhjeje me tregime qëndron në faktin se kemi ngjarje që pasqyrojnë një realitet të një periudhe kohore dhe, ai realitet shprehet me një gjuhë dhe shprehje pa u thelluar në një abstraksion që shpeshherë lexuesin e largon. Përkundrazi lexuesi i cilitdo vend qoftë nga trevat tona etnike e gjen veten, e gjen së paku edhe një ngjarje që do t’i shëmbëllejë me një që ka ndodhur aty, dikur apo në ditët e jetës së tij.
Tregimet në vete ruajnë fjalë karakteristike nga e folmja e vendit, pastaj fjalë që për shkak të vjetërsisë së përdorimit janë arkaike, ruajtja e të cilave begaton gjuhën tonë dhe ia mundëson autorit që përmes shprehjeve, të të folmes së vendit, t’ia bëj rrëfimin sa më të afërt e më të pranuar për lexuesin.
Nehat Jahiu është një njohës i mirë i ngjarjeve të ndryshme që për një kohë të gjatë e kanë penguar zhvillimin e kulturës kombëtare në vendin ku jeton. Nehat Jahiu është njohës i mirë i shpirtit të madh krijues të gjeniut popullor, të atij krijuesi anonim, i cili në krijimtarinë e tij të shumëllojshme thundroi forcën krijuese, shpirtin e madh të popullit, humanitetin e tij, bujarinë, fisnikërinë e mbi të gjitha forcën dhe dashurinë e madhe për vendin në të cilin e krijoi natyra.
Të gjitha këto janë elemente të tregimeve me të cilat bëri një komponim të pranueshëm duke e pagëzuar “Lulëkuqe mbi varre”.
Ruajtja dhe kultivimi i këtyre begative shpirtërore janë të fuqisë hyjnore. Këtë e dëshmon edhe Viktor Hygo i cili thotë: “Nuk ka forcë më të madhe se forca e vetë popullit”, nga kjo forcë lindin heronj të penës dhe të pushkës.
Meditimet e autorit të vendosura sipas një gradacioni estetik e rrisin edhe gradacionin e emocioneve të shprehura me një vokacion të njeriut i cili sublimon të bukukurën në artin letrar.