Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Burhanedin Xhemaili: Takimet Poetike të Karadakut 11 Mars 2010

| E merkure, 17.03.2010, 10:09 PM |


TAKIMET POETIKE TE KARADAKUT 11 Mars 2010

Nga Burhanedin Xhemaili
Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve në Kumanovë 

Takimet Poetike të Karadakut organizohen nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë dhe kanë karakter tradicional meqë kanë filluar të organizohen nga viti 1992, dhe këto takime janë të shtatëmbëdhjetat me radhë. Manifestimi letrar mbahet më 11dhe 12  Mars për shkak të ngjarjeve frytëdhënëse më 11 Mars 1981, kur studentët shqiptarë përmes demonstratave të para shembën politikën antishqiptare që bëhej atëbotë në ish-Jugosllavi. Këto takime poetike e kanë  simbolikën e vet që përmes zërit poetik të transmetojnë porosi të qarta dhe të pranueshme deri tek artëdashësit, dhe janë urë lidhëse për t’u takuar poetët shqiptar nga trojet shqiptare, dhe për të këmbyer idetë dhe kërkesat estetike.  Ora qendrore poetike u zhvillua në Lokalet e Fakultetit për Administratë Biznesi në Kumanovë, ku morën pjesë afër tridhjetë poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Lugina e Preshevës, si dhe poetët nga Maqedonia. Juria në përbërje: Gani Xhafolli, Ismail Bilalli dhe Burhanedin Xhemaili vendin e parë ia ndanë poetit Namik Selmani, Vendin e dytë poetit Agim Bajrami, të dy poet me origjinë Çame, ndërsa  vendin e tretë ua ndanë poetit Sarë Gjergji nga Kosova dhe Kalosh Çeliku nga Maqedonia. Në orën letrare morën pjesë një numër i madh i qytetarëve dhe përjetuan një kënaqësi të veçantë estetike gjatë paraqitjes së poetëve me poezitë e tyre që më së tepërmi i takonin llojit të lirikës patriotike dhe mendimtare (refleksive). Poeti Namik Selmani me poezinë e tij”Hapma derën Kumanovë” krijoi një atmosferë të këndshme artistike përmes dialogut poetik, magjisë ekspresive, mallit, brengave, dëshpërimit, intuitës poetike dhe shpresës për Çamërinë... Gjithashtu mbresa dhe kënaqësi estetike krijuan edhe poezitë artistike të Agim Bajramit, Sarë Gjergjit, Kalosh Çelikut, Kujtim Morinës, Radije Hoxhës, Gani xhafollit, Anila Xhekaliut, Fadil Currit, Nazmi Beqirit, Fehmi Ajvazit, Arben Ibrahimit, Selajdin Shabanit etj. Poezitë e lexuara në Takimet Poetike të Karadakut do të botohen në numrin e ardhshëm të Revistës DORUNTINA. Ndërsa më 12 Mars me kërkesë të organizatorëve dhe poetëve mysafir u vizituan varrezat e dëshmorëve në Sllupçan dhe u bënë homazhe dëshmorëve të kombit.