Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Intervistë për gazetën Zëri me Uk Lushin

| E hene, 15.03.2010, 07:31 PM |


Procesi i kreditimit dhe Kosova

Intervistë për gazetën Zëri me Uk Lushin, investitor shqiptaro-amerikan dhe tregtues i instrumeteve financiare në bursën e New Yorkut

Bisedoi Arbana Xharra

Zëri: Si e vlerësoni potencialin investues që ka Kosova?

Lushi: Kosova i ofron të gjithë parametrat primar për investim të suksesshëm. Ajo është e pozicionuar jashtëzakonisht mirë në arealin panshqiptar, panballkanik dhe panevropian, është shumë e pasur me pasuri nën- dhe mbitokësore dhe ka popullsi të re, që mezi pret të punojë dhe të jetë e dobishme. Sa u përket parametrave mbështetës apo sekondar për investime- kjo është një çështje tjetër. Një dekadë pas luftës për çlirim, Kosova akoma ka telashe me infrastrukturën sistemore, ekonomike dhe ligjore, e sidomos me fenomene si korrupsioni, mito dhe përfitimi i tenderëve me njohësi.

Zëri: A ka shpërputhje të madhe në mes projekteve që përmend Qeveria krahasuar me takatin e buxhetit të Kosovës?

Lushi: Në 25 vitet e fundit Kosova ka kaluar nëpër tri periudha kryesore ekonomike. Dy nga to kanë qenë posaçërisht të dëmshme. E para ka qenë periudha e eksploatimit të plotë nga okupatori serb, prej fundit të viteve 1980 deri në çlirim, në qershor 1999, dhe e dyta ka qenë periudha e keqadministrimit të saj ekonomik nga UNMIK-u, prej pasluftës e deri në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008. Periudha e tretë, që fillon prej shkurtit 2008 dhe vazhdon ende, natyrisht që nuk kishte si të ishte tjetër përpos periudhë e kthimit të ekonomisë nga gjendja e kolapsit në atë të fillimit të këndelljes. Sidoqoftë, bazuar në zhvillimet e deritashme, kjo fazë nuk është duke vijuar si duhet. Procesi shumë i rëndësishëm i privatizimit nuk është bërë më së miri. Investimet direkte kanë qenë minimale. Remitancat kanë pësuar rënie. Ka ndodhur Recesioni i Madh Global. Të gjitha këto sjellin te problemi i mosmundësisë së krijimit të një buxheti të qëndrueshëm, prandaj edhe ka shpërputhje të madhe mes mundësive të buxhetit krahasuar me nevojat e mëdha të ekonomisë për projekte.

Zëri: Nevoja për investime a mund të mbulohet me financime nga jashtë, si po e zëmë me paratë e Bankës Botërore?

Lushi: Investimet janë të mirëseardhura për çdo ekonomi. Kur buxheti nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar jo vetëm projektet e nevojshme, por as ato të rëndësisë emergjente për ndezjen e motorëve të zhvillimit ekonomik, atëherë duhet kërkuar burime jashtëbuxhetore. Sido që të jetë, mungesa e parave nuk është arsyeja kryesore pse ekonomia e Kosovës nuk po arrin të fillojë të hapërojë drejt këndelljes dhe ripërtëritjes. Kosova  ka shumë të ofrojë,  është anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore, pastaj (edhe pse ngadalshëm) ajo vazhdon të gjej vend në sistemin politiko-ekonomik botëror. Në përgjithësi, shteti ka qasje. Porse qasja në para dhe kredi ka limitet e veta si financiare ashtu edhe ligjore. Financiare, ngaqë asnjë investitor nuk investon mbi kapacitetet absorbuese dhe kthyese të marrësit të kapitalit, dhe ligjore, ngaqë dihet që ligji dhe Kuvendi i Kosovës nuk e lejojnë Qeverinë të rrisë nivelin e borxhit mbi 40 për qind të vlerës së GDP-së. Banka Botërore mund t’i japë kredi Kosovës përkundrejt hipotekimit të aseteve të saj. Pse jo? Një kredi e tillë ka probabilitet të lartë të jetë e parrezik dhe me leverdi për Bankën Botërore. Mirëpo, po e përsëris: problemi më i madh nuk është mosmbulimi i investimeve prej financimeve, por moskryerja e detyrave të shtëpisë nga Kosova në subjekte të ndryshme, si fjala vjen, prioritetizimi i projekteve, fizibiliteti, tejzgjatja e procedurave tenderuese, prezantimi i atraktivitetit të projekteve  para investitorëve global etj.

Zëri:  Sa ka fuqi ekonomike Kosova që të ngarkohet me kredi? Kthimi i tyre a mund ta detyroj Qeverinë që të ngritë tatimet?

Lushi: E tërë bota është duke e parë se ç’po ndodh në Greqi kohëve të fundit. Kriza e Greqisë është pasojë e grykësisë së madhe të Qeverisë greke për hua dhe pafuqisë së saj ekonomike për të përtypur borxhin. Vendimmarrësit në Kosovë duhet të tregojnë përgjegjësi dhe vizion lidhur me ngarkimin e Kosovës me kredi. Borxhi mund të jetë i këndshëm kur merret, por mund të jetë fort i pakëndshëm kur vjen koha të kthehet dhe katastrofik për ekonominë nëse nuk kthehet. Mos të harrojmë poashtu që orientimi i Kosovës është hyrja në Bashkësinë e Shteteve të Evropës dhe ndër kushtet e Marrëveshjes së Mastricht-it janë edhe kufizimi i borxhit publik të një shteti në 60 për qind si dhe deficitit në 3 për qind të GDP-së. Prandaj po, nëse ka probleme me kthimin e borxhit publik, tatimet dhe obligimet tjera mund të ngriten.

Zëri: Qeveria kur flet për kredi të buta, sikur fsheh nivelin e kamatave (interesin). Cilat janë kushtet e kreditimit që mund t’i ofrohen Kosovës?

Lushi: Nuk ka mundësi që Qeveria fsheh apo do të fsheh nivelin e kamatave në qoftë se Kosova merr hua. Kreditë janë kontrata që dokumentohen shumë qartë në qindra faqe dhe kur të finalizohet negocimi i tyre të gjitha detajet duhet të bëhen publike. Kosova si vend në tranzicion, i brishtë ekonomikisht dhe duke pasur një histori të shkurtër si subjekt shtetëror nuk është në pozicion ku mund të vendosë kushte, por përfaqësuesit e saj duhet të angazhohen me tërë dijen dhe mundin që të marrin maksimumin. Askush, përpos vetes,  nuk do t’ia dhurojë Kosovës as një cent të vetëm.

Zëri: Duke ditur procedurat që kanë kredidhënësit, kur është reale të pritet lejimi i kredive, dhe, cilat janë kriteret në bazë të të cilave caktohet shuma e lejuar? Sa të ka qejf qeveria e Kosovës, apo kjo varet nga disa kushte? Cilat janë?

Lushi: Kosova tashmë ka marrë disa kredi të vogla me kushte relativisht të mira. Është një fillim i mbarë. Mirëpo, ajo duhet të jetë më eficiente me  paratë që do të duhej të ishin në qarkullim ne sistemin monetar të brendshëm. Siç e kanë theksuar edhe Aleanca e Biznesit sëfundi dhe shumë ekspertë në Prishtinë më herët, Kosova ka gati 1.5 miliardë euro që janë jashtë sistemit bankar të Kosovës. Diçka duhet të bëhet me këto mjete sepse është budallallëk të depozitosh- le të themi- 200 milion euro para me kamatë 1 ose 2 për qind në bonot e Thesarit të ndonjë vendi në Perëndim, kurse të paguash 4 ose 5 për qind për një kredi për të njëjtën shumë prej 200 milionë eurosh. Në transaksionet financiare ka gati gjithherë një mes të artë që i bën të gjitha palët në ujdi- fituese. Kosova duhet të përpiqet që të jetë në atë mes apo sa më afër tij në çdo transaksion financiar apo negocim kredie.
Për ZSH: Kozeta Zylo