Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


FDBK: Letër drejtuar krerëve të partive politike shqiptare në Shkup

| E hene, 15.03.2010, 10:17 PM |


FRONTI DEMOKRATIK PËR BASHKIM KOMBËTAR

KRYESIA QËNDRORE
 
(LETËR KONFIDENCIALE)

Drejtuar krerëve të partive politike shqiptare në Shkup: 


Zotit Arben Xhaferi,

Zotit Menduh Thaçi,

Zotit Ali Ahmeti,

Zotit Bardhyl Mahmuti,

Zotit Hysni Shaqiri,

Zotit Imer Selmani,

Zotit Rufi Osmani,

Zotit Ernad Fejzullahu,

Zotit Sefedin Haruni,

Zotit Ibush Hetemi,


Jemi të ndërgjegjësuar t’u drejtohemi edhe një herë me këtë letër konfidenciale, për të sqaruar në vijimësi pozicionin dhe vlerësimin e Kryesisë së Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar, në lidhje me ftesën publike për krijimin e “Forumit Politik Shqiptar” në Maqedoni, me synimin: Angazhimin e të gjitha forcave politike shqiptare për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoni, me një qëndrim të përbashkët përballë nevojës jetike të mbrojtjes në tërësi të çështjes dhe interesave tona kombëtare, duke shfrytëzuar të gjitha potencialet, angazhimet, mundësitë drejt rrugëve demokratike në shërbim të saj.



I përmbahemi këtij angazhimi, pasi situata imponon një organizim më të plotë politik dhe masa të hapura demokratike, të mbështetuta në të drejtën tonë morale e juridike, për denoncimin e qëndrimeve politike, sociale dhe ekonomike të strukturave të shtetit maqedon, duke nënvleftësuar rolin e faktorit shqiptar në plotësimin e standarteve të shtetit të qytetarit.

Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar kërkon bashkëpunimin konkret për çështjen shqiptare, dhe këtë do ta arrijmë të gjithë sëbashku, mbi moton “një komb, një qëndrim”, pavarësisht bindjeve partiake dhe programeve tuaja politike.    

Takimi i parashikuar të zhvillohej në Tiranë nuk u realizuar në mënyrë të njëanëshme, duke sjellë edhe një herë në vëmendjen e opinionit shqiptar atë fenomen tipik që na ka penguar përherë të vlerësojmë potencialet tona kombëtare dhe na ka hequr mundësinë, edhe atëherë kur situata na ka favorizuar, për tu kthyer në faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin brenda gjeopolitikës ballkanike. Ndoshta ju mund të jeni kundër edhe pse nisma për takim merret nga Kryesia e Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar me qendër në Tiranë, por besojmë, dhe nuk do të kemi kundërshtim, po qe se ju jepni një arësye apo disa të tilla, përse krerët politikë shqiptarë të Shkupit nuk duhet të jenë të pranishëm në një forum mbarëshqiptar.

Është detyrim moral të angazhohesh në veprimtari kombëtare, të cilat i shërbejnë plotësimit shkallë shkallë të interesave kombëtare, veçanërisht në përmirësimin e situatës së popullsisë shqiptare që jeton në hapësirat e saj etnike brenda shtetit maqedon. Ky detyrim është në radhë të parë angazhim për partitë politike shqiptare që kanë përgjegjësinë e miradministrimit të potencialeve morale, politike, sociale dhe ekonomike të popullsisë shqiptare që përfaqësohet nëpërmjet jush në jetën e atij shteti.  

Sigurisht, subjektet politike shqiptare në Maqedoni, të ndodhura edhe në këtë rast nën presionin e faktorit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm, kanë vështirësi në vendimarrje të rëndësishme për nisma të tilla, të cilat kanë të bëjnë me interest tona kombëtare, por sot çështja shtrohet për më shumë se sa kaq, përtej interesave partiake apo të krerëve politikë me dhe pa pushtet në Maqedoni.

Çështja sot shtrohet për gjendjen e shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë, të cilët ndihen të diskriminuar dhe të përbuzur. Institucionet e shtetit maqedon nëpërmjet akteve ligjore, (që fatkeqësisht mbështeten dhe nga mandatet e shqiptarëve) po ja vështirësojnë jetë popullsisë në kufijtë ekstrem. Nuk besojmë kurrë se ju do të pajtoheni me këtë gjendje, e cila në vetevete po akumulon përditë një krizë të thellë, që do të kërkojë me siguri “valvulat e shkarkimit”. Pasojat mund të jenë të rënda dhe përgjegjësitë kombëtare gjithashtu.

Çështja shtrohet që secili nga krerët e subjekteve politike, me vullnet politik dhe kurajon të mbështetur në genin shqiptar, të mbështetur në kodin tonë kombëtar, të kalojë pengesat dhe t’i nënshtrohet vetëdijes kombëtare, të dalë mbi veteveten, duke marrë vendimin më të drejtë në shërbim të Kombit Shqiptar. Heshtja është vrasëse për të gjithë dhe nesër mund të jetë vonë.

Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar, duke qenë një organizim demokratik, legal e transparent me opinionin shqiptar dhe institucionet e tij, e merr këtë nismë jo për të krijuar rreth vetes psikologjinë e paternalizmit mbi forcat e tjera politike e patriotike shqiptare. Nese mendohet kështu nga kushdo, kjo është e gabuar dhe meriton të korrigjohet.

Krysia e Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar ka gjykuar duke ndërmarrë këtë nismë që, pasi të realizohej takimi i hapur në Tiranë mbi bazën e barazisë dhe të ndjeshmërisë së thellë kombëtare, të gjitha pushtetet do t’i dorëzoheshin “Forumit Politik Shqiptar” në Maqedoni, pjesë e të cilit do të jemi edhe ne. Kjo do të arrihet në bazë të vendimarrjes së përbashkët, duke respektuar identitetin dhe vlerat kombëtare të çdo subjekti.

Ne gjykojmë me trasparencë, se nëqoftëse do të ketë një forcë tjetër politike shqiptare brenda shtetit maqedon, e cila do ta merrte përsipër këtë nismë, ne do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë pa asnjë rezervë për interesin e përbashkët.      

Për sqarim: Kryesia e Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar do t’i drejtohet opinionit shqiptar në Maqedoni dhe kudo tjetër, për të sqaruar edhe një herë hapur, se çfarë kërkojmë ne dhe cilat janë qëndrimet e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, me veçoritë specifike për çdo subjekt politik.

Çështja që shtrohet, mbetet e hapur.

Në konsideratë

Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ)

Kryesia e FDBK

Tiranë, 4 shkurt 2010