Apel për Amnisti të Përgjithshme para debatit për ndryshim të Kushtetutës!
Bashkimi Demokratik Shqiptar përcjell me shqetësim indiferencën e udhëheqësve të partive politike lidhur me fatin e njerëzve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet e Maqedonisë.
Pranimi publik nga të gjitha forcat politike maqedonase se në Maqedoni gjyqësia ka qenë dhe është nën ndikimin e partive politike paraqet momentin e favorshëm që të ngremë zërin fuqishëm për riparimin e pasojave të kësaj “politike gjyqësore”.
Vullneti për të hequr ndikimet e partive politike në gjyqësor dhe krijimin e një gjyqësie të pavarur dëshmohet, para se gjithash, me qëndrimin e qartë dhe pa ambiguitet ndaj viktimave të kësaj përzierje partiake dhe etnike në gjyqësinë e Maqedonisë.
Ky vullnet nuk mund të shprehet ndryshe pos përmes shpalljes së menjëhershme të një amnistie të përgjithshme!
Prandaj, Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel udhëheqësve të partive politike shqiptare që do të marrin pjesë në takimin e sotshëm që unanimisht të kërkojnë si parakusht amnistinë e përgjithshme dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar tmerret e kësaj “politike gjyqësore”.
Pa lirimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që padrejtësisht mbajnë mbi kurrizin e vet pasojat e gjyqësisë së komanduar nga partitë politike, iniciativa e Nikolla Gruevskit për ndryshime kushtetuese në këtë fushë është iniciative e spastrimit të gjyqësorit nga ndikimet eventuale të partive tjera dhe krijimin e strukturës që i bindet atij.
Bashkimit Demokratik Shqiptar
Bardhyl Mahmuti
Kryetar
11 mars, 2010