Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajdin Morina: Vepër që reflekton rëndësine e demonstratave të pranverës '81 në luftën tonë të përgjithshme për liri

| E shtune, 13.03.2010, 10:16 PM |


VEPËR QË REFLEKTON RËNDËSINË E DEMONSTRATAVE TË PRANVERËS ’81 NË LUFTËN TONË TË PËRGJITHSHME PËR LIRI

Hydajet Hyseni, “Paraverë, në katër pamje”, Prishtinë 2006, botoi: Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës

(Në shenjë përkujtimi për përvjetorin e 29-të të demonstratave studentore që u zhvilluan në mënyrë masive më 11 dhe më 26 mars 1981 dhe më 1 e 2 prill 1981, përvjetor që nuk e di kush e përkujtoi sivjet në Republikën tonë, përvjetor çdoherë historik, sepse ato demonstrata ngulfatën në fyt përpjekjet shtetërore, edhe përpjekjet e zyrtarëve shqiptarë sahanlëpirës të Krahinës, për kalitjen e “vëllazërim-bashkimit”, për zhvillimin e “patriotizmit socialist jugosllav” në Kosovën e traditave të  mrekullueshme shqiptare, të luftërave të pandërprera për çlirim dhe bashkim kombëtar.) 

Nga Hajdin Morina

Vëllimi mjaft voluminoz “Paraverë, në katër pamje” i shkrimtarit Hydajet Hyseni u botua në Prishtinë më 2006. Historia e poezive të këtij libri është historia e jetës së autorit, është biografia e tij dhe e bashkëveprimtarëve të tjerë të Lëvizjes kombëtare, të cilët organizuan demonstratat studentore në Pranverën ’81, të cilat drodhën fuqishëm themelet e shtetit jugosllav, dhe vite me radhë ushqyen ndër shqiptarë idealet e lirisë.
Vetë titulli i veprës, vendosja e numrit ’81 në ballinë, numri ’81 që i paraprin çdonjërit prej katër cikleve, 81 grafiket  e përfshira në libër, ndërtimi i çdo cikli prej 81 poezish, shënjimi i vitit në fund të poezive dhe akronimi CZ (Cetralni zatvor-burgu qendror)- janë shenja që interpretojnë idenë dhe përkushtimin e poetit Hydajet Hyseni për t’ia bërë një monument të bukur, me vargje të poezisë, Pranverës (Paraverës) ’81, ideologëve, organizatorëve, dëshmorëve, pjesëmarrësve, të burgosurve dhe krejt imazhit të asaj Pranvere historike që edhe në burgjet armike i jep forcë për të qëndruar, i jep optimizëm për të shpresuar se liria një ditë do të shtrijë krahët mbi Kosovë.
Pothuajse të gjitha poezitë e këtij vëllimi poetik janë shkruar në burg. Ky fakt dëshmon për pathyeshmërinë shpirtërore të autorit, për vlimet liridashëse në shpirtin e tij të trazuar, për forcën e logjikës dhe të përkushtimit ndaj realizimit të qëllimeve madhore për Kombin, të cilat i proklamoi dhe i promovoi Pranvera historike ’81.
Poezia e Hydajet Hysenit, edhe pse e shkruar në rrethana shumë të vështira shpirtërore dhe fizike, dallohet për realizim cilësor të përmbajtjes dhe të formës letrare, për figuracion të pasur, për asimilim të matur të elementeve dhe të motiveve të marra nga letërsia jonë popullore. Përpos kësaj, kjo poezi është e mbrujtur me emocion dhe me një gjuhë të pasur dhe komunikatave. Autori e përdor rimën për të krijuar intonacionin dhe melodinë e bukur të vargut. Rima është kurdoherë në funksion të paraqitjes artistike të ngjarjes, në funksion të krijimit të figurës dhe të kultivimit e të afirmimit të vargut tradicional të poezisë sonë popullore dhe të poetëve tanë klasikë. Jo vetëm kaq. Poezia e Hydajet Hysenit lidhet me prodhimin letrar të traditës edhe për nga tematika, për nga patosi kombëtar e qytetar, për nga misioni që i cakton poeti artit letrar në kohët pa liri kombëtare dhe qytetare. Këtu takohen, bëhen një poeti dhe veprimtari i lirisë.
Hydajet Hyseni bën pjesë në grupin e shkrimtarëve që e kanë shkruar në burg një pjesë të madhe të krijimtarisë së tyre.
Në veprën që e bëmë objekt trajtimi, ka shumë krijime të realizuara mirë, është vështirë t’i veçosh, t’i dallosh dhe t’i analizosh vetëm disa krijime, sepse kështu nuk e analizon veprën si tërësi gjuhësore e përmbajtjesore, mirëpo për vlerën dhe kuptimin e veçantë që ka, për nocionin dhe konceptin e përgjithshëm të trajtimit artistik meriton të analizohet si e veçantë poezia e gjatë “Letër nënës” që është e strukturuar në faqen 364 të vëllimit “Paraverë, në katër pamje” . Poezinë poeti ia kushton nënës së vet. Ndër vargje të kësaj poezie fryn fryma e Nënës, fryma e demonstratave ’81, fryma e burgut dhe e lirisë, krijohet figura e Kosovës, me të gjitha pamjet e saj, me krejt tragjedinë dhe perspektivën e saj.
Figura e nënës është dhe ka qenë objekt frymëzimi dhe trajtimi estetik në çdo periudhë dhe në çfarëdo rrethanash, nëpër të cilat ka kaluar procesi letrar. Poezia e Hydajet Hysenit reflekton figurën e Nënës shqiptare, që ka mbetur monument i pavdekshëm artistik në shumë krijime të zhanreve të ndryshme të artit tonë kombëtar. Na kujtohet këtu figura e Nënës e poemës “Legjenda e nënës” të Koçi Petritit, na del para sysh Nana e tregimit “Duart e nanës” të Ernest Koliqit, në të cilin konstatohet se kur je i sëmurë, larg Atdheut, nuk të shërojnë as ilaçet e botës, por të shërojnë vetëm duart e Nanës kur t’i vë në ballë e në faqe. Rrjedha e gjakut ndër damarë të Nanës ta largon zjarrminë, dhe përjeton ngrohtësinë që është pjesë e zjarrit të Universit, dhe atë ngrohtësi nuk do ta përjetosh më kurrë, kur Nana bëhet pjesë e amshimit ndërplanetar. Mirëpo mbetet Atdheu- Nëna e përbashkët, dhe në trajtimin artistik të kësaj figure shkrimtarët mbrujnë edhe portretin e nënës së tyre, portretin e të gjitha nënave të historisë dhe të qëndresës kombëtare, të cilat u dhanë gji e rritë jo vetëm bijve dhe bijave të tyre, por edhe lirisë, gjatë rrugëtimit tonë qindravjeçar drejt saj dhe drejt bashkimit kombëtar, me ngritje dhe me rënie të theksuara, por me një vitalitet që vazhdimisht është përtërirë për perspektiva të reja.
Poezia e Hydajet Hysenit “Letër nënës” është e ndërtuar prej 9 pjesëve, të lidhura dhe të plotësuara mirë nga njëra-tjetra në pikëpamje logjike dhe artistike. Vargjet e poezisë autori i ka mbushur me emocion, dhe ky emocion shkakton tek lexuesi ndjenja të veçanta, trazime shpirtërore, kujtime për ngjarje tronditëse dhe për qëndresën kombëtare në kohë robërie dhe në kohë lufte. Këto vargje i  mundësojnë lexuesit të krijojë imazhin për qëndresën shpirtërore dhe fizike të autorit në burgjet serbe, për shpërfilljen që i bën autori burgut dhe robërisë, për besimin e madh të tij se dielli i lirisë do ta ndriçojë së shpejti tokën e përgjakur të Kosovës. Që në vargun e parë të poezisë autori përshkruan madhështinë e figurës së nënës, mallin e zjarrtë që ndien për të, larg saj dhe larg Kosovës: “Oj e shtrenjta nënë” (fq.364).  Në të nëntë pjesët e poezisë ose në të nëntë njësitë artistike dhe strukturore të saj autori nëpërmjet një shkallëzimi origjinal letrar ka ndërtuar portretin e shumanshëm të nënës së vet, duke e tipizuar me elemente të qëndresës së nënës shqiptare në përgjithësi. Figura emocionale nënës konceptohet edhe si komunikim i pandërprerë shpirtëror i poetit me Kosovën si amë që frymon dhe përhap qëndresë e krenari, prandaj autori bën përpjekje me të gjitha fuqitë e shpirtit që imazhi i nënës t’i mbetet i gjallë në burg, sepse imazhi i saj ia përtërin shpirtin, mendjen dhe trupin.
Nga vargjet komunikatave të poezisë “Letër nënës” lexuesi nuk e ka të vështirë të kuptojë domethënien artistike, imazhin dhe idenë e poetit ndaj problematikës së robërisë dhe ndaj projektimit të konceptit të lirisë, për të cilën gjakon në jetë dhe në vargje. Kështu figura e nënës bëhet pjesë e imazheve dhe e nënteksteve që mund të ndërtojë lexuesi gjatë leximit të kësaj poezie. Figurat marrin pamje të kuptimshme dhe përhapin mesazhe të caktuara varësisht nga niveli i shijes artistike të lexuesit. Figura të theksuara në këtë poezi janë: nëna, Kosova, Beogradi, CZ-ja, buka, pemët, kënga, librat (nëna ia sjell nga Kosova, por nuk ia lejojnë në burg) e ndonjë tjetër. Me fjalë të zgjedhura mirë, me figuracion të qëlluar autori përshkruan atmosferën e rrugëtimit të gjatë të nënës që niset nga Kosova për ta vizituar djalin e saj të vetëm që ia torturojnë barbarisht në CZ-në e Beogradit. Epiteti, krahasimi, përsëritja e fjalëve krijojnë atmosferën e rëndë, të cilën e përjeton nëna gjatë rrugës dhe kur ndodhet para ndërtesës hijerëndë të burgut që ia ka rrëmbyer djalin. Këtë atmosferë të rëndë e përjeton edhe lexuesi. Përdorimi në vargje i numrit 7 ka për qëllim krijimin e emocionit e të dhimbjes shpirtërore dhe përgjithësimin e kësaj dhimbjeje, lidhjen e saj me fatin tonë tragjik, me largimin e dhunshëm nga Atdheu:

“Treni i zi, si futa, 
Drejt veriut nget,
E ty të bëhet rruga,
Shtatë ditë e shtatë net!
E gjatë ajo rrugë,
Kosovë-Beograd,
Por, shumë, duron shumë
Nëna për evlat!” (fq. 354)

Figura e nënës nuk është vetëm simbol i lidhjes së pashkëputshme të autorit me vendlindjen, por është edhe simbol i amës së edukimit kombëtar:

“Edhe pa bukë kur ishim,
Nuk ndjenim uri,
Me këngë na ngopje,
Legjenda e trimëri,
Legjenda për Mujën,
Luftë me jataganë,
Këngë për Bajram Currin,
Për trimat partizanë” (fq.358)

Nëna e poetit si dhe nëna shqiptare në përgjithësi në këto vargje është “det i pafund, me vuajtje e halle”. Në vargjet e mëpastajme përshkruhet rruga jonë e gjatë e burgut dhe e luftës për liri. Demonstratat studentore të brezit ’81 janë pjesë e luftës së mëparshme dhe e luftës së mëvonshme, burgosja e autorit dhe e bashkëveprimtarëve të tij është pjesë e burgosjeve të mëparshme dhe e burgosjeve të mëvonshme. Prandaj autori në këto vargje figurën e nënës e lartëson më shumë, i jep karakterin e përgjithshëm të nënës, të gruas dhe të motrës shqiptare që ka bërë udhë të gjatë, vite me radhë, deri tek dyert e burgjeve armike, ku dergjeshin gjyshërit, baballarët dhe vëllezërit tanë:

“O nëna ime e mirë, 
Nënëloke flokëborë...
Në burg të mbeti gjyshi,
Në burg pate babanë,
Në burg Shkupi e Nishi,
Qave dhe vëllanë...
E tash të duhet prapë,
Të udhëtosh aq gjatë,
Ta shohësh djalin,
Në CZ në Beograd” (fq.359) 

Poezia “Letër nënës” mund të lexohet dhe të përjetohet si një dialog i pandërprerë, qoftë vetëm si dialog shpirtëror, i autorit me nënën. Temë e poezisë është burgosja dhjetëvjeçare e autorit Hydajet Hyseni, njërit nga organizatorët kryesorë të demonstratave ’81. Në subjektin e poezisë ndërlidhen ngjarje dhe motive të shumta të kohës. Përmbajtja dhe anë të ndryshme të stilistikës së tekstit reflektojnë pjesë të tëra nga historia jonë kombëtare, nga rrugëtimi ynë drejt lirisë me përpjekje të pandërprera, me luftë, me demonstrata, me shumë jetë të kaluara e të mbaruara nëpër burgjet armike, ashtu siç ndodhi me brezin e ’81-shit, sakrifica e të cilit u bë temë e vëllimit poetik “Paraverë, në katër pamje” të Hydajet Hysenit.
Vargjet e fundit të poezisë shprushin mallin e përzjarrtë të autorit për nënën. Nga këto vargje lexuesi ndërton nëntekste dhe merr mesazhe me vlerë të përhershme për lirinë dhe dinjitetin njerëzor e kombëtar. Ndër vargjet e poezisë “Letër nënës” autori ka projektuar vizionin artistik dhe qytetar të lirisë:

“Kam për të të thënë
Edhe shumëçka tjetër,
Por, diçka po lë,
Për një herë tjetër.
Kurse disa fjalë
Po i ruaj për ngjeti,
Të përqafon me mall
Yt bir, Hydajeti!” (fq.363)