Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (III)

| E shtune, 13.03.2010, 07:56 PM |


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

III. KONGRESI I MANASTIRIT DHE   LIGJËROJA E ELBASANIT

Në këtë krye të punimit do të trajtohen tri çështje: së pari, rrethanat  rreth nevojës së njëzimit të alfabetimit të shqipes dhe Kongresi i Manastirit, së dyti, inicimi dhe arsyetimi rreth përcaktimit të ligjirojës së Elbasanit si bazë e shqipes  letrare dhe së treti, pengesat e tejkalimi i tyre rreth zbatimit të alfabetit të ri të gjuhës shqipe dhe Kongresi II i Manastirit.

  1 Rrethanat lidhur me nevojën e njëzimit të alfabetimit të  shqipes dhe Kongresi  i Manastirit                                   

Pothuajse po në të njëjtën mënyrë sa i përket gjuhës së përzier, siç u përmend në fund të kreut të mëparshëm, vepruan të gjithë botuesit e kohës, sidomos ata jashtë Shqipërisë, të cilët, ndonëse të gjithë nuk e respektonin alfabetin e Stambollit, sa i përket gjuhës (sidomos paskajores e trajtave të përziera dialektore) nuk bënin fort dallime. Në të vërtetë, kjo gjuhë e përzier me trajta gege-toske ose toske-gege konsiderohej dukuri normale dhe për këtë, siç u tha, askush nuk kritikohej. Kritika bëheshin lidhur me mosharmonizimin a mosrespektimin e alfabetit të Stambollit, alfabet ky, i cili nuk praktikohej nga të gjithë botuesit, si jashtë ashtu edhe brenda trojeve shqipfolëse më tepër për arsye biro-teknike, madje edhe tradite, por edhe për shkaqe të tjera. Ndër arsye të tjera po përmendim edhe thyerjen e enthuziazmit që ishte krijuar nën atmosferën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u shua me forcën e armëve, duke mos e respektuar dëshirën e shqiptarëv, në njërën anë dhe në anën tjetër trimnimi i turkomanëve dhe ndonjë kleriku fanatik. që ishin kundër alfabetit latin për gjuhën shqipe

Siç dihet Kongresi i Bërlinit, jo vetëm nuk i mori në konsideratë kërkesat e shqiptarëve, por në njëfarë mënyre miratoi përzierjen e shteteve imperisliste brenda shtetit të Perandorisë turke për të përcjellë e ndihmuar pjesëtarët e konfesioneve jomuslimane. Kështu rusia fitoi të drejtën e përkujdesjes ndaj  popullatës ortodokse, ndërsa Austro-hungaria për pjesëtarët e konfesionit katolik, por në njëfarë mënyre edhe Italia e Vatikani kishin një të drejtë të tillë përzierjeje ose të përkujdesjes, sidomos rreth mirëvajtjes së kishave dhe shkollave italiane për pjesëtarët e ritit katolik. Është e vërtetë se ndërsa shqiptarët bënin luftë për alfabetin e për ndonjë shkollë shqipe për ortodoksë ose katolikë shqiptarë, shtetet e tilla imperialiste, ndërkohë, kishin hapur shkolla  në gjuhët përkatëase. Sipas statistikave, siç konstaton hisrtoriani Xheladin Shala, në trojet shqiptare kishin hapur mbi 300 shkolla serbe, bullgare e vllahe pa përmendur shkollat austriake e italiane. (Shih Seminari 27/1 2008, f. 170.) Ndërkaq, siç mësojmë nga burimet e sigurta në atë kohë në Shqipërinë e Jugut u hapën 363 shkolla greke për të cilat kujdeseshin organizatat heleniste.

Edhe pse gjithë shqiptarët në atë periudhë nuk kishin vetëdijë të lartë, andaj edhe mashtroheshin lehtë nga propaganda e huaj si dhe nga strukturat e pushtetit rë atëhereshëm, megjithatë atdhetarët presionet e tilla të shkollave të huaja dhe dhunën e pushtetit e ndjenin shumë rëndë. Andaj patriotët e vërtetë shqiptarë, i intesifikuan veprimet e tyre edhe në ato kushte, duke shfrytëzuar shkollat në gjuhë të huaja, sidomos ato greke edhe për mësimin e shqipes,  ato italiane edhe për mësimin shqip, mejtepet, idadijet e ruzhdijet gjithashtu, andaj u nevojitej patjetër edhe njësimi i alfabetit të shqipes si dhe një gjuhë e përbashkët shkrimi  Kjo gjuhë që u duhej gjithsesi  edhe për punë e aktivitete të tjera të mëdha me vlerë kombëtare. Sipas prof. Fadil Rakës edhe pse ”jeta nën sundimin e huaj dhe mungesa e institucioneve shtetërore ishte një faktor tjetër që e zgjati shumë kohën e alfabetizimit të gjuhës shqipe.(Seminari 27/i f. 152), megjithatë edhe për këto punë nuk reshten veprimet e atdhetarëve tanë rilindës.

Sidoqoftë, në burimet e kohës, ku krahas kërkesës për njësimin e alfabetit u dhanë mendime të ndryshme, ku mbizotëronin gjithsesi ato mendime që parapëlqenin alfabetin e thjeshtë latin, por për temën tonë që po trajtojmë është me shumë rëndësi të ceket fakti se po në të njëjtën kohë edhe pse alfabeti nuk e kishte marrë ende formën përfundimtare, u dhanë edhe propozime dhe u hapen debate edhe sa i përket gjuhës së përbashkët, përkatësisht shpreheshin ide të ndryshme për gjetjen ose përcaktimin e bazës mbështetëse të gjuhës së përbashkët të shkruar. Ky debat, u zhvillua në burime të ndryshme, po më dallueshëm në revistën Albania të Faik Konicës. Por, ç’është e vërteta, jo pse mungonte një shoqëri autoritative siç kishte qenë ajo e Stambollit që të drejtonte intelektualisht procesin, por kushtet brenda truallit shqipfolës atëherë ishin të tilla tejet të pavolitshme që pos të shprehurit të ideve edhe ato më tepër gojarisht brenda truallit shqipfolës e publikisht vetëm jashtë Turqisë edhe ato zakonisht me pseudonime, qarqet intelektuale s’kishin mundësi të tjera ku të takoheshin dhe të diskutonin shtruar për të zgjidhur një çështje të tillë kaq madhore, kaq të rëndësishme politike e kulturore për popullin shqiptar, siç ishte njëzimi i alfabetit dhe njëherazi edhe caktimi i bazës rreth njëzimit të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe. Qeveria e Turqisë atëbotë, nuk lejonte një ndërmarrje të tillë, madje shumë aktivistë mbikëqyreshin, transferoheshin, përkatësisht, përndiqeshin, madje edhe dënoheshin, vetëm pse merreshin me veprimtari patriotike në frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në të vërtetë, ajo frymë tashmë akumulohej brendapërbrenda zemrave shqiptare dhe sforcohej nënvetëdijshëm gjithnjë e më shumë tek aktivistët e caktuar të palodhur. Prandaj pritej momenti i caktuar për gufimin e veprimeve të tilla. Dhe, si duket, çasti i caktuar i gufimit bulëzor, sipas mendimit të intelektualëve të kohës, erdhi fill që në kohën e fitores së Revolucionit Xhonturk (Hyrietit) në Turqi, i cili më 24 korrik 1908, kur  kjo lëvizje përmbysi pushtetin e vjetër dhe vendosi pushtet të ri. Përmbysjen e një pushteti të tillë e patën ndihmuar edhe një grup mjaft i dalluar shqiptarësh, intelektualë e ushtarakë, siç ishte e E. Toptani, Ismail Qemali e mjaft të tjerë. Këta  shqiptarë patriotë e ndihmuan një revolucion të tillë, pothuajse, për të vetmen arsye se në Program-platformën e tyre (xhonturqve) parashihej liri më e madhe e përdorimit të gjuhës e të shkrimit edhe për kombësitë joturke, pra edhe për shqiptarët e gjuhën e tyre.

Pa humbur kohë intelektualët shqiptarë, si me thënë, masivisht legalizuan veprimtaritë e tyre atdhetare gjysmëlegale e ilegale, sidomos rreth mësimit të gjuhës shqipe e lëvrimit të saj. Jo vetëm nëpër mejtepet e shkollat ekzistuese, por duke organizuar edhe klube të reja shqiptare anembanë hapësirës shqipfolëse. Kjo ndodhi si të thuash në të gjitha qytetet kryesore të vilajeteve përkatëse, ndër të cilët u dalluan klubet e qyteteve si Korça, Manastiri, Durrësi, Vlora, Shkupi, Kumanova, Shkodra, Selaniku, Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica etj, e sidomos Elbasani. Me veprime të tilla u ndihmua shkrimi shqip, qoftë me rihapje, qoftë edhe me hapjen e shkollave të reja kryesisht me mësim në gjuhën shqipe. Sipas “të dhënave dokumentare arkivore në periudhën gusht-nëntor 1908 në trevat shqiptare ishin ngritur rreth 20 shkolla të ditës dhe 15 kurse a shkolla të mbrëmjes.  (Shih: M. Mala, Koha ditore, 26.04.’08, f. 44). Mësimeve të gjuhës shqipe me shkrim joarabo-turk nuk iu përveshën vetëm nxënësit e konfesionit kristian, por aq më tepër edhe ata të konfesionit shumicë  islam.Tashti njësimi i alfabetit të shqipes u imponua si nevojë edhe më imediate. Në këto rrethana merita për organizimin e një tubimi të tillë i takoi Klubit të Manastirit, qytet ky që ishte njëherazi edhe qendër vilajeti. Vlen të theksohet se ekipi organizues i këtij qyteti doli një ndër më të përgatiturit, por pati fat se nuk u pengua nga pushteti xhonturk i kohës, ngase edhe valiu dhe komandanti i qytetit ishin me prejardhje shqiptare. Vendimi për mbajtjen e Kongresit  u mor  më 10 shtator 1908, ku si me thënë për fitoren e të drejtave arsimimi u pranua slogani politik: Jo me pushkë e barot, po me penë e letra dhe në njërën nga ftesat që u shpërndanë  atëbotë lexojmë:

Interesi kombëtar lyp nevojën e mësimit të alfabetit të gjuhës sonë për  përparimin dhe lumturimin e popullit tonë, se kjo vepër ka me forcue fletët ma të shkëlqyeshme të historisë sonë kombëtare se alfabeti i gjuhës që është çelësi i plotësimit të tana nevojave qytetare e të përparimit industriuer, për neve sot është një nga nevojat e para me rëndësi. (Shih Shih: Demiraj-Prifti..f.69) 

Dhe vërtet, ky tubim që hyri në histori me emërtimin Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Shkronjave, ka meritë të jashtëzakonshme, sepse faktikisht i dha vulën njësimit institucional të alfabetit të gjuhës shqipe. Në të vërtetë, Kongresi, i cili u hap më 14 nëntor 1908 dhe zgjati 9 ditë, shqyrtoi tri alfabete, ato që ishin miratuar si me thënë institucionalisht nga shoqëritë përkatëse: alfabetin e Stambollit, dhe dy alfabete të  Shkodrës: atë të shoqërisë  françeskane Bashkimi dhe atë të shoqërisë  jezuite Agimi, i cili kishte përkrahje edhe nga  albanologë të huaj të kohës. 

Sidoqoftë, dy janë vendimet historike të këtij Kongresi historik që lidhen kryekëput me gjuhën shqipe: 

      1. Me pëlqim të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abe fjesht latine që të mësohen e të përdoren bashkarisht... Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e detyrshëm për të dyja.

     2. U dëftua edhe dëshiri, e Komisioni e pëlqeu shumë që pas dy vjetësh

të mbahet një Kongres t’jatrë, ku e kur ta vendonjë Kongresi i sotshëm për ortografi e litraturë të gjuhës shqipe.

            Pra Kongresi më në fund miratoi dy alfabete, atë të Stambollit dhe një të ri, të thjeshtë latin që thuhej se ngjante me dy alfabetet e Shkodrës, sidomos me atë të Bashkimit, por që nuk ishte identikë me të. Lidhur me përzgjedhjen dhe miratimin e versionit të alfabetit të ri, prof. Fadil Raka na bën me dije se

“Komiteti i Kongresit të Manastirit aprovoi zgjidhjet e mëhershme në mënyrë të plotë... Kështu mund të thuhet se 20 tingujt e shqipes dhe shenjat grafike të tyre ishin plotësisht unike me latinishten, ndërsa  16 tinguj që i kishte gjuha shqipe dhe nuk i kishte latinishtja u morën po nga versionet e alafabeteve që përdoreshin nga insrtitucione a individë shqiptarë, si p.sh.:

 

1. tingujt dh, nj, th, z  u morën  nga alfabeti i Dh. Kamardës;

2.            c, ç, x                        nga alfabeti i Stambollit;

3     . “      e, ë, gj                       nga  alfabeti i De Radës;

4.            ll. rr                          nga alfabeti i Bashkimit;

5.           q, sh, xh                     nga alfabeti i Pashko Vasës dhe

6.           zh      u mor nga alfabeti i revistës Albania të Faik  Konicës.

Siç po shihet afro gjysma e shkronjave plotësuese u mor nga alfabetet që përdornin arbëreshët Dh. Kamarada e De Rada, por u shfrytëzua edhe alfabeti i  P. Vasës, prej nga u morën 3 shkronja e po aq edhe nga alfabeti i Stambollit.  Është e vërtetë apo jo, se propozimet për një kompromis a përzgjedhje të tillë u bë nga përfaqësuesit e Bashkimit, si L. Gurakuqi etj. Që ishin të ndërlidhur me arbëreshët,NGASE ATA ISHIN MË TË NDËRLIDHUR ME andaj edhe alfabeti i ri, në mjaft burime u konsoderua si alfabet i Bashkimit? Sidoqoftë, edhe pse nga alfabeti i Bashkimit u morën vetëm 2 dhe nga ai i F. Konicës vetëm një shkronjë, del i vërtetë konstatimi se edhe Bashkimi edhe Konica si botues, si shumë të tjerë, e përvertësuan dhe e përdorën vetëm këtë alfabet dhe jo atë të Stambollit.

Në të vërtetë, në Kongresin e Manastirit (1908), u vendos që në shkolla të mësoheshin të dy alfabetet ai i Stambollit, i cili mund të thuhet se e kishte bekimin institucional të mëhershëm të intelektualëve autoritativë të kohës, dhe i riu fjesht latin, i cili kishte bekimin institucional aktualisht nga intelektualë e veprimtarë të brezit më të rinj.

Siç mund të kuptohet në shkolla ishin të detyrueshëm me u mësue të dy, ndërsa individualisht lihej dorë e lirë që shqipshkruesi, përkatësisht botuesi të zgjedhë atë alfabet që dëshironte. Por meqenëse të shtypurit e materialit kishte formuar tashmë traditë europo-amerikane, sidomos në Perëndim, sepse në vendet përkatëse dhe përdoreshin po ashtu shkronjat, t’i quajmë, thjesht latine, atëherë shtypi shqiptar, edhe brenda trojeve shqiptare, veç tjerash, edhe për lehtësi ekonomo-byroteknike e teknologjike e parapëlqeu shkrimin thjesht latin dhe kështu nga gjuha e shtypit gjithnjë e më tepër u mënjanua heshtazi, por edhe me qëndrime të vetëdijshme alfabeti i Stambollit, që kishte edhe shkronja greke e sllave, prandaj edhe thuhet se Kongresi i Manastirit faktikisht i dha vulën njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, alfabet ky, të cilin edhe e ka shqipja sot, i cili “vlerësohej si më i lehtë e më i thjeshtë si dhe me më pak i kushtueshëm  për shtypshkronjat dhe si një alfabet që përdorej nga një pjesë e mirë e vendeve më të përparuara të botës”. (M. Mala).  Me fjalë të tjera, siç e thotë prof. F. Raka:.

 Në Kongresin e Manastirit u zgjidh përfundimisht çështja e alfabetit të gjuhës letrare shqipe dhe tani mbeti detyrë primare standardizimi i vërtetë i gjuhës shqipe.  (Seminari  27/1, f. 162

Sidoqoftë, zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit i dolën para shumë pengesa, por lidhur me këtë pak më hollësisht pasi të  flasim për inicimin dhe arsyetimin e ligjërojës së Elbasanit si bazë e letrarishtes së shkruar.

 

 

2. Inicimi dhe arsyetimi që  ligjëroja e  Elbasanit të jetë bazë

             e  letrarishtes së shqipes së shkruar

 

Po në Kongresin e Manastirit, siç e pamë nga pika 2. e vendimit u përshëndet iniciativa që pas dy vjetësh, sigurisht pasi të bëheshin përgatitjet e duhura, të bëhej një Kongres kushtuar ortografisë dhe literaturës së gjuhës shqipe dhe me një vendim tjetër u përcaktua edhe vendi Janina, ku do të trajtohej kjo temë. Sidoqoftë, pak kush e di, ngase ky fakt nuk dimë se është cekur në burimet tona shkollore, se këtë nismë-propozim, si me thënë zyrtare, për përcaktimin e ligjirojes si bazë për ortografi dhe leteraturë shqipe,  Kongresit të Manastirit ia paraqiti Klubi i Elbasanit. U tha pak më sipër se edhe përpara, sidomos në revistën Albania të F. Konicës  individë të caktuara, jo pa emër të mirë, bënin thirrje që krahas njësimit të alfabetit të bëhej edhe njësimi i letrarishtes së shkruar mbi një bazë dialekti e të folmeje. Edhe mendimet  e vet Faik Konicës rreth shqipes letrare zgjojnë interes, por ne këtu po e riprodhojmë vetëm një pjesë të mendimit të Luigj Gurakuqit të shprehur më 1905, po në atë burim, ngase ky veprimtar do të jetë i ndërlidhur drejtpërdrejt edhe me përgatitjen e Kongresit të Manastirit. Luigj Gurakuqi që atëherë më 1905 theksonte se vetëm pas vendosjes së alfabetit duhet trajtuar edhe çështja e bazës letrare dhe për këtë duhej lënë në një anë ”simpatitë ndaj dialekteve dhe të ndihemi vetëm shqiptarë, as toskë as gegë”... dhe kur të mblidhemi, të gjithë bashkë e mos të na dhimbset koha me derdhë punën tonë për një qëllim kaq të lartë, një vepër kaq të vlefshme që do ta shënojë edhe themelin e gjuhës letrare shqipe. Ai mendonte se gjatë procesit, d.m..th. ”tuj rrahë çashtjen e gjuhës s’përbashkme kena me pa cilla trajtë do t’ pëlqehet”,  dhe ai vetëm atëherë do të jetë një ndër përkrahësit më të denjë të atij vendimi. Në të vërtetë, siç do të shohim, ashtu edhe do të dalë, sepse Luigji ishte burrë që e mbante besën.

            Siç do të argumentohet në vijim, kjo ofertë-kërkesë e elbasanasve do të mbështetej vetëm në dëshirën e tyre apo kishte edhe përparësi të tjera, do të përpiqemi ta themi me disa fjalë. Por fillimisht do të cekim, çfarë thanë të tjerët për këtë çështje, dhe pastaj, çfarë bënë vetë elbasanasit me aktivitetin e tyre para, në kohën dhe pas shpalljes së Revolucionit xhontukr, madje dhe në vazhdimësi për ta merituar një nder të tillë.

             

Së pari, siç dihet Elbasani atbotë nuk zinte vetëm vend strategjik të natyrshëm, në mes të Shqipërisë (të Veriut e të Jugut), po edhe gjuhësisht brigjet e Shkumbinit, si me thënë, e kishin nënsqetull, ashtu si edhe zonën kalimtare nën Shkumbin, ku puqeshin ose ndërlidheshin formash të dy dialektet e shqipes. Dihet se Elbasani ndonëse mbahej me gegnishte, ishte më afër se çdo qytet tjetër dhe pothuaj qafëlohej me toskërishten. Elbasani edhe sa i përket infrastrukturës dhe bazës ekonomike për kohën kishte bërë emër si “qytet i rëndësishëm zejtar e tregtar”, madje kishte njëfarë tradite edhe në lëvrimin e gjuhës shqipe.  Sipas B. Gracenit,  Elbasani, duke shërbyer për një kohë të gjatë si qendër e shkëmbimeve ekonomike, u bë edhe qendër e shkëmbimeve kulturore.  Edhe Hilmi Thaçi konstaton për Elbasanin, sepse ai qytet kishte një traditë patriotike, kulturore e arsimore, prej nga kishin dalë shumë figura të Rilindjes Kombëtare.

Gjithsesi veprimtaria organizative, letrare e gjuhësore e të tjera e sidomos ajo patriotike nuk i mungonin këtij qyteti.

 Pikërisht duke u mbështetur në këto fakte disa autoritete të njohura të shkencës dhe të dijes në atë periudhë tashmë paraprakisht ishin shprehur në favor të elbasanishtes që të merrej si bazë e shqipes letrare të përbashkët. Kështu, ndër të parët  Johan Georg fon Han, albanolog i shquar në veprat e tij pati shprehur mendimin se “gjuha letrare shqipe duhej mbështetur pikërisht në dialektin e Shqipërisë së Mesme, pra në elbasanishten; por edhe më theksueshëm se ai qe shprehur shkodrani Zef Jubani. Sipas tij,  elbasanishtja si nga “lakueshmenia,  si nga ambëlsimi i shprehjes dhe pastërtia e fjalëve asht e folmja ma e përsosun”. Edhe Faik Konica, shprehej fillimisht se elbasanishtja “si e folmja më e skajshme e gegërishtes që është ka më tepër pika takimi me të folmet e Jugut dhe si e tillë fiton përparësi për të qenë bazë e gjuhës së njësuar letrare shqipe” (Për këto të dhëna shih edhe  te monografia e dr. Fadil Rakës, Historia e shqipes letrare, Prishtinë 2005).

Kësaj pike po i shtojmë ne edhe meritën që i jep këtij qyteti e bijve të tij, Naim Frashëri,  me vargjet e mirënjohura:

Elbasan qytet i bukur

 në kërthizë të Shqipërisë,

bijtë e tu porsi flutur

rrokin librat e diturisë...

 vargje këto që edhe sot jehojnë bukur si këngë popullore. E në këngët popullore mbesin e ruhen, zakonisht, vetëm vlerat e merituara.

 

      Së dyti, si në vise të tjera, po aq më tepër në këtë kohë (para e pas Hyrjetit) në këtë qytet e rrethinë, zgjimi kombëtar zinte vend të theksuar dhe tani dolën në shesh aktivitete edhe më të veçanta, siç thuhet në dokumente të caktuara të kohës, ndër të cilat po përmendim:

E para, pa humbur kohë, pothuajse menjëherë u legalizua veprimtaritë jo të pakta nga atdhetarët elbasanas, përkatësisht u formua Klubi i Elbasanit, madje pas një konflikti me xhonturqit, atdhetarët dolën fitues, të cilët edhe bënë kërkesë publike që mos të pengohej mësimi i shqipes, prandaj që në tetor1908 nga Ministria e arsimit të Turqisë lëshohet vendimi se lejohej mësimi i shqipes në shkollat fillore dhe gjysmë të mesme, kudo që ekzistonin.

E dyta, pa pritur shtatorin, as lejen e tetorit, që në fillim të gushtit të vitit 1908, në Elbasan hapet shkolla fillore shqipe që punonte me abetaren e Sami Frashërit.

E treta, është interesant se Klubit të Elbasanit, ku ishin aktivizuar edhe bejlerët e qytetit, i printe një pashë patriot shqiptar Akif Pasha, që nuk ishte karakteristikë për qytetet e tjera, ngase jo vetëm nuk e pengonte, po ky  pasha, u vu në krye të kërkesave të shqiptarëve, prandaj ishte me vend konstatimi se të gjitha veprimtaritë shoqërore-shtetërore e patriotike edhe ato studimore - gjuhësore ishin mjaft mirë të harmonizuara  në këtë qytet..

E katërta, bëhet me dije se ndërkohë në Klubin e Elbasanit u hap një shkollë nate ku mësonin mbrëmje për mbrëmje 60-70 djem të rinj myslimanë e të krishterë.

E pesta, mësimi i  gjuhës shqipe, që nuk ishte pa traditë u intensifikua dhe u masivizua edhe më shumë në këtë qytet, madje, siç dëshmojnë informatat e besueshme një interesim për shkrimin shqip (gazetat) këtu, kishin gjetur edhe gratë ndër hareme, të cilat  merreshin edhe me botimet e letërsisë shqiptare. Pra edhe nënat muslimane elbasanase interesoheshin aktivisht jo vetëm për shkrim-lexim, por edhe për literaturën shqipe.

E gjashta, elbasanasit (myslimanë e ortodoksë) që i lidhte fort një gjuhë, shquheshin edhe në atë kohë për tolerancën fetare dhe si rezultat dilte mishërimi më i madh ndaj  mësimit e kultivimit të shqipes.

E shtata, jo vetëm muslimanët e këtij qyteti që me forcë të ligjshme mejtepet e shkollat turke i kthyen me mësim në gjuhën shqipe, por edhe ortodoksët elbasanas në shkollat me mësim greqisht, tashti vendin e parë i lanë lëndës së shqipes. Por jo vetëm kaq, po tek ata (ortodoksët), lindi dhe u formësua kërkesa për një kishë të pavarur shqiptare, autoqefali kjo që u kurorëzua më vonë nga S. Fan Nolie, Visarian Xhuvani e të tjerë.

 E teta, për masivizimin e mësimit të shqipes, jo vetëm në qytet, por edhe gjithandej në fshatra, veç tjerash, përmendet fakti se në krahinëzën e quajtur Shpati të Elbasanit ishin emnue 3 mësues shëtitës dhe secili merrte për sipër me e përhapë shkrim-leximin shqip për 10 fshatra e ndër ta përmendet edhe kaçaku Omer. Pra, del i vërtetë konstatimi i B. Gracenit se “lëvizja  për shkollën shqipe ishte e bashkuar me luftën e armatosur, ku qyteti dhe fshati bashkëpunonin midis tyre. Muslimanë e ortodoksë të fshatit e të qytetit vepronin në unitet dhe në dobi të çështjes së shenjtë të çlirimit kombëtar”...Madje është interesant  se kur diplomatët autriakë prekën disponimin e shpatarakëve (ortodoksë e muslimanë!) rreth katolicizmit, ata deklaruan  se “ishin gati të ndryshonin çdo fe vetëm çështja e tyre kombëtare të shkonte mbarë”.

 E nënta, së këtejmi, pra, si rezultat i kësaj tradite, përkatësisht i këtij aktiviteti a pjekurie shoqërore organizative, patriotike e intelektuale ky klub ia drejtoi një letër Klubit Bashkimi të Manastirit, me të cilën e përgëzon dhe e miraton iniciativën për organizimin e mbajtjes së Kongresit të alfabetit, por, megjithatë, jep sugjerimin se mbajtja e një tubimi të tillë për njësimin e alfabetit dhe njëherazi dhe të gjuhës letrare, si proces i pandarë kishte me qenë më mirë të mbahej në një vend tjetër, dhe për këtë natyrisht sugjerohet vetë Elbasani. Ja konkretisht një pjesë e përmbajtjes së asaj letre, ku arsyetohej edhe kërkesa për bazën e letrarishtes së përbashkët:

 

...Nuk mundëmi me të vërtetë me ju dëftymun gazin e ngazëllimin, qi

ndinë zemrat e tona, kur këndum ftesën ... për me u përfqësumun në

mbledhje të përgjithshme ... për t’i dhanun fund çashtjes bashkimit të Abecesë...  por, “do t’ishte ma mirë e shum ma drejtë e arsyeshme që kjo mbledhje e përgjithëshme a ma mirë të themi e përkom(b)shme të bahet në një vend qendror, me fjalë të tjera në kërthizët Shqipërisë, për shumë shkaqe ... “,

ku veç tjerash  ndër shkaqe theksohej në mënyrë të veçantë edhe kjo se:

“... mas mendimit t’onë lypset mbledhja që do të bahet të marri masa e të përkujdeset me nxehtësinë për me u njoftun si gjuhë e përgjithshme në gjith Shqipnitë ligjiroja ma e bukur se gjith ligjirojat (dialektet) që fliten sot, ligjiroja me të cilën asht bashkumun si me thanë toskërishtja me gagenishten, ligjëroja e cila nga fytyra e trajtave të saj, nga pasunia e nga thellësina që ka fitumun mund të mirret vesht e të flitet udobisht prej të gjithë shqiptarëve...” 

 

Lidhur me propozimin rreth vendmbajtjes Luigj Gurakuqi që ishte në ato rrjedha, në shenjë mirëkuptimi dhe qetësimi të situatës i shkroi Klubit të Elbasanit një letër, duke u rrëfye: “Edhe mue më dëshironte zembra që Kongresi  për çështje të alfabetit të mbahej në Elbasan...,”  mirëpo, po shtojmë ne, meqë tashti më ishin kryer përgatitjet e duhura nga Klubi i Manastiri, Luigji i sugjeronte Klubit të Elbasanit  për mos me prishë punë.

Është interesant se edhe Gj. Qiriazi  nga Manastiri që në të vërtetë ishte njëri ndër organizatorët më të zellshëm të atij Kongresi, lidhur me pjesën e propozimit rreth gjuhës letrare, Klubit të Elbasanit, i përgjigjet pozitivisht dhe mjaft arsyeshëm: “Sa për punën e ligjirojës, është fort  e vërejtur dhe në këtë kongres njeriu që do të çoni  mundet me e hapë këtë çështje”. 

 

Profesorët e nderuar Sh. Demiraj dhe Kristaq Prifti në veprën e tyre “Kongresi i i Manastirit”, Tiranë 2008, nuk e përmendin rastin e mësipërm, por konstatojnë se

në letërkëmbim me Klubin e Manastirit, Klubi Bashkimi i Elbasanit, duke treguar bashkë me emrat e delegatëve të zgjedhur, gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në Kongres, shkruante sekjo çështje e (njësimit të alfabetit) ka të bëjë me përparimin dhe arsimimin e kombit tonë të paditur”. Aty f. 70.)

Edhe më shumë, për ne, zgjon interes reagimi i sekretarit të Klubit të Elbasanit, Simon Shuteriqit, ndaj letrës së Qiriazit, i cili në emër të Klubit pasi pajtohet, megjithatë, rreth selisë së mbajtjes, ndalet në sqarimin lidhur me kërkesë-propozimin rreth ligjirojës (shqipes letrare) duke dhënë arsyetimin që edhe sot teorikisht  qëndron:

 

“Neve kur flasim për ligjërojë të përgjithshme nuk kërkojmë nji gjuhë që të flitet detyrisht nëpër gjithë qytetet e Shqipërisë, sepse ... or zotni, lypset përpara të njihemi (të pajisemi) me një shkallë diturie e arsimi shumë të lartë, sikurse ene gjith kombet e qytetnumun; kur themi ligjirojë të përgjithshme dëshirojmë që të njihet prej të gjith gjuhësoret shqiptar një (gjuhë) e këtillë, e cila futet nëpër gjithë mësojtoret shqipe që do të çilen në Shqipni për me u mësumun diemt e atdheut në nji gjuhë, të cilën do ta përdorin edhe ditarsorët (organet e shtypit publik n. v.) tue pasun përpara sysh shkronjëtoren e saj, një kësi gjuhe kanë gjith kombet ene besojmë se ne po të punojmë pak, mundemi ta bajmë shumë ma shpejt se sa kujtojmë. Po t’i lamë këto bisedime kur s’bakan pemë tani...

 

Dhe në të vërtetë,  propozimi i Klubit të Elbasanit u pranua dhe u inkorporua te vendimi nr. 2 i Kongresit të Manastirit që “pas dy vjetësh të mbahej një kongres  t’jatër  për ortografi e letraturë  në gjuhën shqipe”.

Në të vërtetë nuk dimë sa e si u cek a u trajtua kjo temë në atë Kongres, ngase aty ishte pjesëmarrës si delegatë edhe vetë sekretari i klubit të Elbasanit prof. Simon Shuteriqi. Mirëpo pa pritur dy-vjetshin kërkesë-propozimi i një ligjëroje të tillë del i sendërtuar në njërin nga vendimet e Kongresit historik të Elbasanit (2-8 shtator1909), ku morën pjesë 35 delegatë, nga 20 klube dhe përfaqësues të dy shkollave misionare. Nga Jugu  vetëm delegatët e Vlorës nuk patën mundësi të merrnin pjesë, ndërsa, nga Veriu Shkodra, por shkodranët njoftuan Kongresin se do t’i njohin dhe do të respektonin vendimet.

Në këtë Kongres u morën disa vendime (historike), ndër të cilat po i veçojmë këto tri:

1                 Në Vjeshtë të fillojë në Elbasan Shkolla normale (mësojtore për mësojës).

2                  Si shoqëri qendrore për përkujdesje (materiale financiare) për shkollat shqipe caktohet Klubi “Përparimi” në Korçë dhe

3                 Kongresi u dorëzon (rekomandon)  të gjith shkrimtarëve shqiptarë që të përdorin në shkrimet e tyre me sa t’u mundet dialektin e Elbasanit, sepse është dialekt që kuptohet me gjith anët e Shqipnisë.

 

Në të vërtetë për vendim-rekomandimi rreth dialektit të Elbasanit, dhanë pëlqimin edhe toskërishtfolësit e njohur delegatë të atij Kongresi, si Loni Logori, S. Qiriazi, Gj. Qiriazi, Sotir Peci, Dërvish Hima, Kristo Dako, Hamdi Abdullahu (Ohër) Abdullah R. Ahmeti (Strugë), madje edhe vetë Mit-hat Frashëri, i cili ishte edhe nënkryetar Kongresi., që e kishte veç mandateve të tjera edhe mandatin e Shkupit (Kosovës). 

Sigurisht me një rekomandim të tillë u vu në sprovë pa hezitim kjo ligjërojë sidomos me hapjen e Normales së Elbasanit. E thamë  u vu  në sprovë praktikisht një ide e tillë, sepse me nxënës të sjellë nga të gjitha viset e Shqipërisë, në atë shkollë, veç gjuhëtarëve elbasanas Simon Shuteriqit e Aleksandër Xhuvanit (të njohur edhe si autorë tekstesh) punonin edhe profesorë të tjerë edhe toskë e gegë. Dihet se drejtor i parë ishte shkodrani Luigj Gurakuqi. Ndërkohë, doli në sprovë pikërisht aftësia e të folmes së Elbasanit me rrethinë për të shërbyer si bazë e shqipes së përbashkët letrare si gjuhë shkrimi, si gjuhë shkolle dhe si gjuhë shkence.

Ky kongres – kontaton prof. Avzi Mustafa - hapi edhe rrugën për një gjuhë të shkruar shqipe të njësuar dhe për herë të parë u hodh ideja për bashkimin e dy dialekteve me marrjen e elbasanishtes si model të shqipes së shkruar.

Natyrisht, siç pritej një nëndialekt a një e folme e tillë domosdo kishte nevojë për të përthithur vlera edhe nga të folmet e dialektet e tjera, prandaj elbasanishtja normalisht, duke e ndjerë këtë nevojë, u pajis me elemente të domosdoshme si gjuhë shkolle e më gjerë, andaj me të drejtë edhe u pagëzua  ajo gjuhë, si gjuhë e mesme ose gjuhë e dialektit të Shqipnisë së Mesme, e cila do të shërbente njëherë vetëm si një urë ndërlidhëse ndërdialektore a si gjuhë përfaqësuese me synimin për me i përvetësue të gjitha vlerat e dy dialekteve për të sajuar një gjuhe letrare kombëtare. Kjo rrugë nuk ishte e lehtë dhe nuk ishte afatshkurte.

Sidoqoftë, ne para se të japim vlerësimin tonë për rolin shumë pozitiv parimor e praktik rreth zgjedhjes së ligjirojës së Elbasanit si bazë e gjuhës letrare po e bëjmë me dije lexuesin e nderuar me mendimin shumë të qëlluar për të dëshiruar të veprimtarit Shahin Kolonja, të shprehur vite më përpara, por që i përgjigjej atmosferës së krijuar  pas vendimit të Kongresit të Manastirit:

 

Tri gjëra duheshin që të përhapej shkrimi e këndimi nëpër shqiptarë:

së pari, një palë shkronja të mira e të plote gjuhën shqipe;

së dyti, vjersha të bukura e mësim të mirë e të lehtë që të merret

vesh e të pëlqehet kjo gjuhë dhe

së treti,  njerëz që të përhapnin këtë dije.

 

Dhe vërtet me Shkollën Normale të Elbasanit dhe të tjera ku rrezatonte gjuha shqipe u përvetësua pothuajse menjëherë alfabeti kombëtar mbi bazë latine me shkronja të mira e të plota, u shfrytëzua literaturë me vjersha të bukura nga mbarë trualli shqiptar (Naimi, Asdreni, Çajupi në njërën anë, si dhe Fishta, Gurakuqi, Shiroka, Prenushi etj, në anën tjetër) dhe sidomos krijimi i kuadrove në Shkollën Normale të Elbasanit e më gjerë, që të përhapnin këtë dije

Kur është fjala te dija dhe edukata mendojmë se këtu është rasti, të përmendim fjalët ekzagjeruese që u dërgon nga Përmeti profesorëve të Shkollës Normale të Elbasanit,  atdhetari i devotshëm Pjetro Nini Luarasi:

 

Dhe Ju o të çkëlqyer dhe të flaktë atdhetarë, profesorë të lartës Shkollë Normale  të Elbasanit, shkollës Panalbanike formoni një racë shqiptare që të mund të çkulnjë frymën mendore turke, greke, sllave, austriake, italiane, të çkulnjë edhe fanatizmin e fesë.

 

Një dëshirë-porosi e tillë e thënë me loçkën e zemrës, lypset mirëkuptuar, ngase, vërtet, formimi i shkollës së pavarur shqiptare, duhej të shrrënjoste ndikimet e huaja përçarëse nga jashtë si dhe njëherazi edhe më me forcë të shkulte fanatizmin e brendshëm fetar.

S’po mund ta anashkalojmë pa i cekur edhe një fragment fare të shkurtër nga fjala përshëndetëse e Luigj Gurakuqit të mbajtur para nxënësve e prindërve me rastin e hapjes së Normales së Elbasanit:

 

Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnies mendore, do të jetë truni, do të jetë zembra e të gjithë Shqyptarëve... këtu gjuha shqype tue u përkulën pas kësaj ligjërate (ligjëroje n. v. ) t’ambël do të marrë një trajtë, një fytyrë të përbashkme, këndej dalin Shqyptarë e vetëm Shqyptarë”.

 

Edhe këtu L. Gurakuqi jo vetëm pajtohet, por, në një farë mënyre edhe zotohet, për favorizimin e ligjërojës së Elbasanit, e cila, siç paragjykonte ai, ka me marrë një trajtë e fytyrë të përbashkme.

Kur është fjala të hapja e Shkollës normale të Elbasanit, përveç faktit se në atë shkollë u regjstruan 50 nxënës elbasanas e 6 shpatarakë, patjetër lypset theksuar disponimin dhe sakrificën e elbasanasve të pasur e të tjerë rreth sigurimit të objekteve shkollore për mësim e banim si të personelit arsimor ashtu edhe të nxënësve. Ndër ta po përmendin me respekt të posaçëm Servet  Zylfi Beun, i cili e dhuroi shtëpinë e vet për Shkollën Normale, që ishte një ndër godinat më të dalluara të qytetit, madje ishte edhe e përshtatshme për këtë destinim. Gjithsesi meritonin respekt të madh pothuajse të gjithë banorët e qytetit, ngase ndihmuan secili në mënyrën e vet, qoftë me mikpritje tradicionale, besa edhe me sakrifica, qoftë edhe në mënyra të tjera me demonstrime kundër penguesve turkofilë, grekofilë e të tjerë, me pritje solemne të nxënësve nga Kosova etj., gjithsesi kontribuan që puna rreth fillimit të kësaj shkolle mos të dështojë. Pra, sakrifica e mikpritje të tillë si oponencë ndaj regjimit turk e rekasionit të kohës që nuk e përkrahte në asnjë mënyrë shkollën shqipe, mund ta bënte vetëm një popull fisnik siç ishin elbasanasit muslimanë e të krishterë.

 

Po i kthehemi edhe njëherë paksa situatës së atëhershme politike që nuk ishte favorizuese për shqiptarët. Siç dihet, xhonturqit ashtu si edhe grekët e të tjerë me shkronjat e tyre, u përpoqën me e shfrytëzue pikërisht fanatizmin fetar dhe disa njerëz injorantë, për me i luftue shkronjat e shqipes, duke rekomanduar, për ortodoksët më të përshtatshëm alfabetin grek e për myslimanët alfabetin turko-arab, gjoja si alfabet i vetëm i lejueshëm për të gjithë besimtarët islamë. Mirëpo, edhe kundër tentimeve të tilla përçarëse, në përkrahje të alfabetit të shqipes me shkronja latine, shquhet Mitingu i Elbasanit e veprimtaritë e tjera të intelektualëve të këtij qyteti.

 

Së treti, kur është fjala te ligjëroja e Elbasanit, po i themi edhe nja dy fjalë, të cilat arsyetojnë si të drejtë rekomandimin e miratuar në Kongresin e Elbasanit, siç u cek më sipër. Dhe kjo shpjegohet mjaft mirë edhe nga  prof. Gj. Pekmezi, me këto fjalë:

 

Gjuha letrare shqipe e formuar në toskërishte ose në shkodranishte është gjuhë margjinale (skajore). Gjuha letrare shqipe për bazë duhet ta ketë elbasanishten si të folme qendrore që është. Duhen studiuar të folmet qendrore të gjuhës shqipe, të cilat e përbëjnë palcën e gjuhës shqipe. Ne ndodhemi përpara rrezikut të diglosisë, e vetmja rrugë shpëtimi është vënia e dialektit qendror (elbasanishten) në themel të gjuhës letrare shqipe”.

 

Po këtë mendim prof. Gj. Pekmezi, që ishte i një goje me Luigj Gurakuqin, e përsëriti  në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës(1916-1918), me të cilin u pajtuan të gjithë misët e tjerë, anëtarë të këtij komisioni. Këtu po i theksojmë në mënyrë të veçantë fjalët e albanologut Nahtigal, studiuesit të kësaj të folmeje, i cili shprehte bindshëm konstatimet e tij se gjuha e Elbasanit“mund të merret si një sintezë e shfaqjeve autoktone shqipe me më së paku ndikime të huaja”, pastaj përmend Aleksandër Xhuvanin si studiues e leksikolog si dhe Lef Nosin si mbledhës i këngëve dhe tregimeve popullore të këtij qyteti  Nuk e lë pa e përmendur edhe fondin e pasur të dorëshkrimeve, siç ishin ato të Dh. Todrit dhe sidomos të K. Kristoforidhit, për të cilin thotë se ishte njohësi më i thellë i gjuhës shqipe, gjuha e të cilit “është e kuptueshme si toskëve, ashtu edhe gegëve, prandaj kjo asht baza ideale e gjuhës së përbashkët letrare”. 

 

Së katërti, në të mirë të së folmes së Elbasanit  bën fjalë edhe studiuesi tjetër Gustav Vajgand-i në veprën Gramatika e shqipe e dialektit  të gegërishtes jugore (1913).  Autori pasi informon se ka bashkëpunuar me mësuesin Simon Shuteriqi, i cila bashkë me të “e përshkoi fletë për fletë fiksimin e gjuhës kombëtare...” megjithatë vazhdon ai: “Shqipëria e Mesme në shumicën e saj është muslimane dhe po atje fantazmi i klerit e bëri të pamundshëm zhvillimin dhe aq më pak fiksimin e gjuhës kombëtare”...dhe pasi përmend, jo krejt pa arsye përparësinë që kanë korrë në këtë drejtim Shkodra katolike (!) me shkrimin latin dhe toskërishtja ortodokse(!) me shkrimin grek(!), megjithatë, Vajgandi shpreh optimizëm rreth përzgjedhjes së elbasanishtes si bazë e letrarishtes, ngase:

 

Të gjitha këto vështirësi zhduken, në qoftë se merret dialekti i gegërishtes së jugut (si gjuhë letrare n. v.), sepse: Elbasani, në pikëpamje të pozitës së tij, në zemër të Shqipërisë, në një krahinë thjeshtësisht shqiptare, mbi rrugën e vjetër ignjatia në luginë të Shkumbinit, ku ndahen rrugët Tiranë, Durrës dhe Berat e Vlorë, është i përshtatshëm të bëhet kryeqytet i Shqipnisë së lirë, e cila në çastin kur jam duke shkruar këto radhe (1913)  nuk ekziston, edhe po ka shpresë  që të realizohet. Me hapjen e Shkollës Normale në këtë qytet u bë fillimi më i mirë për t’i siguruar dialektit të Elbasanit, përkatësisht të Jugut që përfshin krahinat nëpërmjet Elbasanit, Durrësit, Dibrës, Strugës, vendin që u përket.... dialekti e gegërishtes së jugut, i cili nuk duhet të konsiderohet si një dialekt i përzierë toskërisht e gegërisht, pse në gjendjen e tij fonetike përmbledh të gjitha  karakteristikat e gegërishtes nuk është vetëm i kuptueshëm për të gjithë shqiptarët, po edhe dialekti që mund të mësohet lehtë. Thjeshtësia e lakimit  të emrit,  e të përemrit  kundër trajtave të shumta të toskërishtes, numri i pakët i trajtave foljore, pjesorja e shkurtër, të gjitha këto janë lehtësime të mjafta për të mësuar  gegërishten e jugut kundrejt toskërishtes. Që gegërishtja tingëllon më pak bukur dhe që ajo në shqiptim për të huaj paraqet më shumë vështirësi, edhe kjo nuk mund të merret fare në konsideratë,  përkundrejt  shkaqeve të përmendura më sipër; të mos harrojmë edhe të mirat ekonomike

përfundonte Gustav  Vajgandi, i cili nuk e lë pa përmendur edhe gjuhën e këngëve të mbledhura nga kjo trevë, ku vëren se “te e folmja e Tiranës ose e Durrësit vërehen ndryshime gjuhësore të parëndësishme kundrejt asaj të Elbasanit.

 

Gjithsesi Vajgandi i jepte përparësi dialektit të gegërishtes së jugut me qendër Elbasanin për t’u vënë si bazë e gjuhës së përbashkët letrare shqipe, duke u mbështetur, pra,  edhe në gjuhën e K. Kristoforidhit. 

Të shohim tashti se çfarë mendonte vetë Konstantin Kristoforidhi për dialektet e shqipes: 

“Gjuha shqipe - shpjegonte ai - kryesisht ndahet në dy dialekte në gegërisht e në toskërisht; dialektet e tjera  të arbëreshëve, labëve, çamëve (çamçja) janë degë të toskërishtes... Dialekti gegë, si një dialekt prototip i shqipes është i kthjellët, më i dëlirë dhe më i pasur se gjithë të tjerët  Studimi i dialektit gegë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për cilindo shqiptar ose albanolog, për të kuptuar rrënjët dhe fjalët e prejardhura të shqipes. Për këtë arsye ai që nuk e zotëron këtë dialekt nuk mund të bëhet zotërues i gjuhës shqipe, por edhe dialekti toskë i ka të gjitha karakteristikat e gegërishtes dhe është i aftë për lëvrimin e gjuhës. Gegët dhe Toskët, Arbëreshët, Labët dhe Çamët mbajnë emrin e tyre kombëtar Shqiptar (pjesëtar ose anëtarë të Shqiponjës simbol i Hyjit dhe gjuhën e tyre e quajnë shqipe...”

Po shtojmë edhe këtë se siç na është e ditur, K. Kristoforidhi në shkrimet e tij gegnisht nuk ishte mbështetur vetëm në të folmen e thjeshtë të Elbasanit, prandaj kishte të drejtë A. Xhuvani, kur shpjegonte se në Komisinë Letrare të Shkodrës si bazë për nji gjuhë të përbashkët shkrimi u vendos që të mirret gjuha e Shqipnisë së Mesme si nji urë bashkimi i të dy dialekteve, ndonëse nuk e lë pa i shtuar për sqarim edhe fjalët:“më fort ajo e Elbasanit”.  

Sidoqoftë, politika shkollore dhe ajo gjuhësore lidhur me përzgjedhjen e Ligjërojës së Elbasanit nuk ishte pa efekte pozitive, ngase duke përfshirë në shkollë literaturën e të dy dialekteve si atë letrare ashtu edhe atë shkencore tek shqipfolësit fitohej koncepti i drejtë i vlerave të mbarë gjuhës shqipe. Të vihet re se në Kongresin e Elbasanit si klub qendror për organizimin dhe financimin e përkujdesjen e rrjetit shkollor u caktua Klubi i Korçës (në Toskëri). Në të vërtetë, ndonëse u paraqiten edhe vështirësi, jo aq të vogla, mjaft natyrshëm  shërbeu kjo ligjërojë, vërtet si urë lidhëse të ligjërimit që përdorej në Shkollën Normale, por përgjithësisht në të gjitha shkollat e vendit. Gjithsesi puna e Normales së Elbasanit dhe të shkollave të tjera pati jehonë e sukses të jashtëzakonshëm. Kuadri i asaj shkolle dhe ata që dolën prej saj ishin aktivë jo vetëm në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por edhe më vonë, si të thuash gjatë tërë jetës. Andaj Shkolla e Elbasanit me gjuhën e saj (elbasanishten me përmirësime) ishte e pranishme dhe e miratueshme përgjithësisht.

Në të vërtetë, ligjëroja e Elbasanit, e cila u pajis dhe u pasurua me elemente të ligjërojave të tjera, fitoi prestigj, madje edhe simpati e autoritet (si shqipe letrare mbi bazë të gegërishtes), andaj edhe në ndjenjen e dashamirësve të gjuhës e të shkollës shqipe ajo simpati nuk u shua kurrë. Madje edhe sot ka studiues, të cilët kërkojnë që letrarishtja e sotme të riinkuadrojë forma që ishin normative në ish-shqipen letrare mbi bazë të elbasanishtes (ish-gegnishtes letrare mbi këtë bazë).

Po cilat ishin ato elemente me të cilat u pasurua dhe ndërkohë u konsolidua elbasanishtja si bazë e gjuhës letrare të shkruar, të cilat do të duhej  rehabilituar, do t’i përmenden më në hollësi gjatë analizës që do t’u bëhen Rregullave të drejtshkrimit të Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës në një krye të veçantë të këtij punimi, por tash do të përmendim pengesat që dolën rreth zbatimit të alfabetit të Manastirit, sidomos në Vilajetin e Kosovës, por edhe në mbarë trojet shqipfolëse.         

         3. Pengesat  dhe tejkalimi i tyre rreth zbatimit të alfabetit

                   të ri në shkolla sidomos në Vilajetin e Kosovës

Është e vërtetë se përveç gazetave e revistave përkatëse edhe mjaft shkolla qenë hapur me mësim shqip para vendosjes se alfabetit të ri nga Kongresi i Manastirit, ku respektohej alfabeti i Stambollit, por edhe alfabete të tjere, për çka, s’do mend, se mungesa e një alfabeti të njëzuar paraqiste vështirësi të mëdha.

Prof. Tomor Osmani  lidhur me këtë shumësi alfabetesh shprehet kështu 

Pa u gabuar mund të themi se janë hartuar mbi 150 alfabete, variante e nënvariante... dhe kjo nuk ishte e favorshme për kulturën tonë pasi pengonte zhvillimin e shpejtë të gjuhës e të shkrimit shqip. (Vepra e cit. f. 165.)

 Madje edhe pas vendosjes së alfabetit të Manastirit rreth jetësimit të tij u paraqiten vështirësi nga kondvështrime të tjera. Përveç pengesave të natyrës objektive (materiale) edhe subjektive (mungesa e kuadrit etj.), pengesë paraqiste në një farë mënyre edhe vetë vendimi për dy alfabete të lejuara dhe detyruese në shkolla, po kjo paraqitej më fort si pretekst. Është e vërtetë se pengesat vinin të fryra dhe në mënyrë tinëzare e me sherr, por diku-diku edhe haptas edhe nga politika xhonturke. Kundërshtarët për këtë hile shfrytëzuan disa shqiptarë të konfesionit islam, sidomos në Vilajetin e Kosovës e të Manastirit, me të cilët u manipulua më lehtë, ngase siç e kemi përmendur më përpara islami në këto vise ishte pranuar e  sforcuar dukshëm më vullnetshëm psikikisht se në ndonjë vis tjetër, sepse një konvertim i tillë në islam konsiderohej si shpëtim ndaj sllavizimit, i cili ushtrohej me anën e kishës serbe. Kjo ishte, siç supozohet, arsyeja, që më lehtë të gjenden edhe njerëz fanatikë, të cilët fenë e mbronin më me një fanatizëm të verbër, ngase lidhjen me Turqinë e shihnin si mbrojtëse të vetme nga po ai rrezik që mund t’u vinte sërish nga ortodoksizmi sllav, i cili në të vërtetë edhe kërrcënonte. Një shqetësim e drojë e tillë ishte shtuar e sforcuar shumë, çka s’mund të mohohet, sidomos pas Kongresit të Berlinit, kur nga disa vise të veriut të Vilajetit të Kosovës, ishin shpërngulur me dhunë e egërsi të papërshkrueshme nga trojet e veta me mija e mija shqiptarë, nga 200  e sa fshatra e qytete, deri edhe në kufijtë e Prishtinës. Pa dyshim te këta muhaxherë të shpërndarë Shkup e Shkodër si dhe në vise të tjera deri edhe në Anadoll, shiheshin trishtueshëm plagët e hapura që u kishin bërë pushtuesit serbë ndaj tyre e përgjithësisht shqiptarëve, në mos me bekimin, sigurisht edhe me pajtimin e shteteve perëndimore (latine!). Kishte edhe një arsye tjetër sepse jo të gjithë shqiptarët, pra jo vetëm të dëmtuarit e konservatorët, por edhe disa të rezervuar e të matur që ishin për shkollimin shqip, por nuk  kishin simpati ndaj kulturës e dijes europiane, sepse nuk kishin njohuri të mjaftueshme rreth asaj kulture, e cila nuk propagandohej për mirë nga burimet përkatëse pushtetore të kohës. Në anën tjetër, jo aq zgjidhja dyjare për dy alfabete, siç u tha, linte njëfarë hapësire për manipulim, gjoja Jugu e parapëlqente Alfabetin e Stambollit, ndërsa Veriu  (punkti  katolik!) atë thjesht latin (!), por në këtë kohë për të thyer entuziazmin  dhe për të zbutur e disiplinuar kërkesat e shqiptarëve të Veriut qe ndërmarrë një  aksion ushtarak.me në krye Komandantin e Vilajetit të Kosovës Xhavit Pashën, i cili dogji e shkretnoi shumë fshatra shqiptare dhe kudo që shkonte mbyllte shkollat e klubet shqiptare. Ishte atmosferë shumë e vështirë edhe për deputetët shqiptarë që mbronin shkollat shqipe, të cilat sa për sy e faqe ishin të lejuara edhe nga pushteti qendror i Turqisë.

E thamë edhe më përpara se shqiptarët intelektualë muslimanë tashmë mbi 4 shekuj kishin shfrytëzuar për përdorim alfabetin arab, i cili u kishte sjellë më shumë bukë brenda kësaj perandorie e më gjerë, sepse ishte alfabet zyrtar e fetar i perandorisë, njëherazi edhe i tërë botës islame. Në këso kushtesh filloi një fushatë mjaft e ndezur për e kundër alfabetit latin. Në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, të cilat pothuajse zyrtarisht tashmë kishin liri veprimi ishte e pranishme kjo propagandë për e kundër alfafabetit të ri. Në  Kosovë, në njërën anë ishin ithtarët e H. Prishtinës dhe të N. Dragës me shokë që kërkonin zbatimin e alfabetit të ri në shkollat shqipe e në anën tjetër kleri fanatik me disa deputetë e pushtetarë vendës që nuk ishin pa influencë, kërkonin alfabetin e adaptuar turko-arab, ose edhe vazhdimin e mësimit në turqishte. Çështja shkoi deri në Parlament dhe u bë edhe si çështje e Qeverisë. Është e vërtetë se Komiteti i Turqve të rinj Bashkim e Perparim, pasi e kishte lëshuar sherrin se muslimanët si kudo edhe në vilajetet shqiptare, pra, edhe në atë të Kosovës harfet e Kur’anit duhet t’i lexonin e mësonin në origjinal  (arabisht) e jo në alfabet tjetër, megjithatë më 4 mars 1909 qeveria qendrore e informon Klubin e Manastirit se ajo do të mbetej neutrale rreth çështjes së alfabetit të shqipes, d.m.th. nuk do të përzihej në zgjedhjen e alfabetit përkatës, që tashti, si me thënë, ishin në konkurrencë tri alfabete: Alfabeti i Stambollit, Alfabeti (thjesht latin) i Manastirit dhe alfabeti shtetëror arabo-turk.Veprimtarët e Klubit të Manastirit që edhe e kishin këtë mandat, shfrytëzuan rastin dhe lidhur me këtë shkresë mospërzierje njoftuan të gjitha klubet shkollat dhe të interesuarit, bashkangjitur me porosinë se: 

“ Tashti për tashti, detyra jonë ma kryesore asht me përhapur në popullin tonë dritën e arsimit, me forcue bashkimin tonë, me iu ruejtun dasis.”

Mirëpo hileja e turqve të rinj, doli sheshit në formë sprove edhe më qartë por paksa nën rogoz, kur me direktivat e tyre u organizua Kongresi i Dibrës (korrik 1909) me synim kundër alfabetit latin në dobi të alfabetit arab për shkollën shqipe, dhe njëherazi kundër nismës së dhënë nga Klubi i Selanikut që në Elbasan të mbahej Kongresi  i radhës pas Kongresit të Manastirit kushtuar shkollës,  afabetit shqip si dhe gjuhës letrare.  Në Kongresin  e Dibrës, prej 315 delegatëve 95 sosh ishin të krishterë (serbë, maqedono-bullgar, grek e vllah) (sigurisht si maskë kamuflimi e mjet manipulimi(!)). Aty në saje të Vehbi Dibres e Abdyl bej Ypit, i cili e zëvendësoi kryetarin proturk Ismail bej Pashën, ngase ai vdiq papritmas nga infarkti, duke folur me afsh në favor të alfabetit arabo-turk, Kongresi pati sukses, ngase, siç thuhet, ai u mbyll në favor të shkollës shqipe me alfabetit latin, edhe pse u shënua  pas atij turko-arab. Është e vërtetë se propaganda xhonturke këtë tubim e trumbetoi në favor të vetin  se gjoja vetë shquiptarët ishin kundër shkronjave shqipe (latine) dhe ishin të mishëruar me turqit si muslimanë-osmanli. S’do mend se, përveç mungesës së kuadrit, mësimi i shqipes me alfabetin latin të Manastirit bojkotohej edhe në mënyra të tjera.

Megjithatë, Kongresi i Dibrës nuk mundi të ndikojë për mos mbajtjen e Kongresit të Elbasanit, i cili u bë 2 muaj pas atij të Dibrës. Nuk mundi të ndikojë as urdhëri i pushtetit turk për ndalimin e mësimit të shkollës shqipe në Prefekturën e Elbasanit lëshuar në shkurt të vitit 1909 që ishte në vazhdë të vendimit të fund vitit 1908 që ndalohej mësimi shqip me shkronja latine në Vilajetin e Kosovës. Vlen lë theksohet në mënyrë të veçantëse ndërsa mbahej Kongresi i Elbasanit, si shkruhej në kronikat e kohës, qyteti gumëzhinte si zgjue bletësh me gjuhë dhe këngë shqipe (A. Mustafa).  E nënvizuam këtë të vërtetë, për gjuhën e për këngën shqipe, sepse në atë kohë nëpër qytete sidomos me shumicë muslimane në formë ishte turqishtja si gjuhë favorite, andaj kundër  mësimit të gjuhës shqipe  kishte reaksion gjithkah. Kishte edhe në Elbasan, por aty, siç duket ishte i përulun nga gjuha dhe kënga shqipe.! Dhe kjo ishte meritë e  frymës së re kombëtare që kishte arritur të  frymojë shpirtërisht  tek ai popull pa dallim konfesioni e shtrese shoqërore.

Sidoqoftë, vendimet e Kongresit të Elbasanit (2-8 shtator 1909) që zgjati 5 ditë, patën jehonë e mbështetje të fuqishme në Lëvizjen kombëtare Shqiptare edhe në Vilajetin e Kosovës, sepse Lëvizja për alfabetin shqip mori përpjesëtime të reja më të fuqishme. Për një kohë të shkurtë siç shprehet prof. Muhamet Pirraku, u hapën shkolla shqipe në Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri e gjetiu. U dërguan nxënës në shkollën Normale të Elbasanit etj. dhe barrën kryesorë në këtë veprimtari e bartën korifejtë: Hasan Prishtina, Nexhib Draga, Salih Gjuka, Rrok Berisha, Bajram Curri, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani etj. Mirëpo edhe pengestarët nuk rreshtën. Madje propaganda vinte duke u ashpërsuar e ndërsyer, jo vetëm nga ithtarët e xhonturqve, por edhe nga spiunët e Serbisë. Propaganda kundërshtare serbe e kohës dhe jo vetëm e tyre, shkrimin shqip e quante vepër të Austrisë, andaj H. Prishtina me 28 shtator 1909 në gazetën Tanin u detyrua të sqaronte se në të vërtetë Austria e kishte protektoratin ndërkombëtar për përkujdesje vetëm ndaj të krishterëve katolikë në Shqipëri, ndërsa shkollat shqipe anembanë si dhe Normalja e Elbasanit ishin realizim i kërkesave legjitime të shqiptarëve pa dallim feje, për interesa të kombit e jo të vendeve të huaja.

Megjithatë, kundërshtimet nuk pushuan, por u ndezën edhe më shumë. Madje, kur  në Parlamentin turk u formua Komisioni për çështjen e alfabetit të shqipes, dolën konfrontime të ashpra edhe nga vetë deputetët shqiptarë, të cilët, sipas alfabetit që përkrahnin u ndanë në dy tabore: në latinashë dhe në arabo-turkashë. Në rastin kur deputeti turkash Mahmut Bedria nga Peja konfirmoi se shqiptarët kanë filluar me e shkrue gjuhën e tyre me shkronja arabe 150 vjet pas ardhjes së turqve në Shqipni, d.m.th. që në vitet ’30 të shekullit XV, kur edhe identifikoheshin si muslimanë, andaj duhet ta vazhdojnë atë traditë, deputeti Gani Frashëri i ishte përgjigjur flakë për flakë se “alfabetin kombëtar shqiptar nuk e kanë shpikur ata që nuk e njihnin fenë islame, por pikërisht “dijetarët e lartë, si muderrizi i nderuar Dragomali Omer Efendi, Hoxha Tahsini, i njohur për kah asketizmi, dhe i ndjeri Shemsedin Sami Frashëri, dijetar, turkolog i shquar.

Megjithatë, pasi më shumë deputetë ishin për alfabetin arab, ngase siç arsyetoheshin ata faktori kryesor  dhe i vetmi si i tillë që i lidhte shqiptarët me turqit ishte feja,. e cila simbolizohej edhe me alfabetin e njëjtë, dhe si rrjedhojë doli dekreti (më 23 janar 1910) që në Vilajetin e Kosovës dhe përgjithësisht mësimi shqip të zhvillohej vetëm me shkronja arabe.  Po  përmendin tani edhe ekspedita ushtarake të Durgut  Pashës, i cili pati mbyllur mjaft shkolla e klube shqiptare në Kosovë e më gjerë e ndër to edhe Shkollën Normale të Elbasanit.. Por, ç’është e vërteta, pa marrë parasysh këtë ndalesë Hasan Prishtina, Nexhib Draga e të tjerët “latinashë” nuk u dorëzuan dhe fitorja u tyre dhe ithtarëve të tyre u arrit, pothuajse e plotë kundër turkashëve, me organizimin e Kongresit II të Manastirit, por edhe me rihapjen e Shkollës Normale në Elbasan. 

 

        Po cilat ishin vendimet e Kongresit II të Manastirit? 

 

Në Kongresin II të Manastirit, të  mbajtur më 2-3 prill 1910, ku morën pjesë  25 delegatë, përveç 5 vendorëve, 5 ishin nga Vilajeti i Kosovës (shokë e bashkëveprimtarë ideali të Hasan Prishtinës: Bedri Pejani, Bejtullah Beu,  Rexhep Mitrovica,  Shukri Ramadani, Qamil Bala e Hysni Curri, 2 vinin nga Korça: Shefik Efendia dhe Petro Nino Luarasi, nga Stambolli kishte ardhur veprimtari i njohur Dervish Hima, pastaj përmenden edhe delegatë të tjerë që vinin nga vise të tjera, siç ishte edhe një përfaqësues nga Elbasani.

Kongresin e kryesoi prof. Bedri Pejani,  sekretarë u zgjodhën dy: Ferid Ypi (vendës) dhe P. Nino Luarasi (korçar).  

Këto ishin vendim-kërkesat kryesore që miratoi Kongresi II i Manastirit me të cilat njihej zyrtarisht Stambolli dhe mbarë opinioni:

1) Kërkohet mbajtja e Kongresit në Janinë, për çështje të kulturës shqiptare, siç qe vendosur në Kongresin I të Manastirit më 1908.

2) Pranohet alfabeti latin për shkollat shqipe.

3) Kërkohej mbrojtja e kishës ortodokse shqiptare nga grekët e grekomanët.

4) Apelohej për një gazetë shqipe në Shkup.

5) Kërkohet sqarim nga Shehul -il Islam-i rreth shkrimit të Kur’anit me shkronja latine.

6) U mor një vendim thjesht politik që në emër të Kongresit të përshëndetet Sulltan Reshadi kur të vizitojë Kosovën.

 

Vendimet e Kongresit II të Manastirit janë të një rëndësie historike, konstaton po ky autor (M. Pirraku), kur është fjala lidhur me alfabetin e shqipes, sepse vendimi, sipas pikës 2) konsiderohet si zgjidhje përfundimtare (institucionale) për alfabetin kombëtar të gjuhës shqipe me shkronja thjesht latine. Kjo nënkupton se për shkrimin e shqipes mënjanoheshin, si me thënë, përveç alfabetit arabo-turk edhe alfabeti i Stambollit dhe kështu pothuajse u zhvlerësua faktikisht urdhëri i Ministrit që pati ndaluar alfabetin latin të Kongresit të Manastirit.

Madje, po sipas studiuesit, M. Pirraku, në maj të vitit 1911, u përtërit aktiviteti në mënyrë të organizuar i klubit qendror Bashkimi, me seli në Stamboll, me në krye, veprimtarin e njohur Abdyl Ypi, ku bënin pjesë edhe Gani Frashëri, Myfid Gjirokastra, Hasan Prishtina, Nexhib Draga dhe Sulejman Kolonja..Ndërkohë, kur ra qeveria Bashkim e Përparim dhe në vend të saj erdhi  Qeveria e re Liri e Marrëveshje, alfabeti latin në të gjitha shkollat shqipe u legalizua zyrtarisht. Mirëpo, kjo liri, siç e thekson autori në fjalë, nuk zgjati shumë, sepse, vazhduan të rreshtoheshin kryengritjet e shqiptarëve dhe njëherazi u shpeshtuan edhe infiltrimet ilegale në trojet shqiptare, të çetave bullgare si dhe  ato të komitëve çetnikë serbë. Pastaj plasën luftat ballkanike, të cilat i paraprinë Luftës I Botërore, lufta këto që e dërmuan edhe më popullin shqiptar. 

Në të vërtetë, pas Kongresit të Manastirit mbi alfabetin dhe Kongresit të Elbasanit mbi shkollën shqipe, sidomos në Vilajetin e Kosovës, nuk pati kushte të favorshme për trajtimin më në hollësi të problemit të drejtshkrimit të shqipes së përbashkët mbi bazën e ligjirojës së Elbasanit, jo pse demagogjia e rreme e xhonturqve për liri edhe të shqiptarëve, doli sheshit, ngase tashti edhe haptazi u ndërmorën masa, fatmirësisht dështuese, siç u tha, kundër alfabetit të gjuhës shqipe mbi bazë latine, por pse ndaj tokave shqiptare gjithnjë e më haptazi kërcënohej rreziku i zaptimit nga shtetet fqinje, të cilat ndërkohë edhe i sulmuan dhe i shkelën këto troje  nga të katër anët.

Sidoqoftë,  mund të thuhet se nga veprimtarët e Vilajetit të Kosovës në krye me Hasan Prishtinën dhe Nexhib Dragën, po sipas prof. M. Pirrakut dhe të tjerëve, përfundoi zgjidhja e alfabetit, ndërsa sa i përket shqipes letrare, me përkrahjen që i dhanë me dërgimin e nxënësve në Normalen e Elbasanit, kuptohet se kosovarët, si gegë që ishin, përkrahnin organikisht ligjërojën e Elbasanit dhe përparësitë që paraqiteshin lidhur me atë zgjidhje gjuhësore.

Edhe në periudhën gjatë luftrave ballkanike dhe asaj botërore, aktiviteti i veprimtarëve të paepur kosovarë e të tjerë për shkollën shqipe dhe të veprimtarëve nga Kosova, nuk pushoi asnjëherë.