| E premte, 12.03.2010, 10:59 PM |
Lirinë e meriton ai popull, i cili është i gatshëm të flijohet për të
Nga Sami ISLAMI
Le të na shërbejë kjo
maksimë për ta ilustruar aktin heroik të një familjes të tërë, e cila pikërisht
me 5 mars të vitit 1998 ia drejtoi pushkët një regjimi babar. Janë të
rralla rastet, që një familje, me burra,
gra dhe fëmijë (të moshave të ndryshme) të brumoset me atë patriotizëm sa të
gjithë bashkë të luftojnë me vetmohim për një ideal, për idealin e lirisë, të
cilin e e gëzojmë sot! Kryekomandantin legjendar të UÇK-së Adem
Jasharin, as më i vogli i familjes Jashari, nuk e la vetëm në luftë
kundër barbarit sërb, edhe pse ky u
kishte thënë që të largoheshin ata. Dhe kjo luftë zagjati mbi 36 orë, duke u martirizuar
që të gjithë për idealin e lirisë!
Një vjet më vonë në
historinë e popullit shqiptar hyri edhe një datë tjetër. Kjo është data 24 mars
të vitit 1999. Kjo ditë hyri sepse me këtë datë forcat e Aleacës Veriatlantike
të udhëhequra nga SHBA-të dhe Britania e Madhe bënë
mrekullinë, jo shekullore, as mileniumëshe, por epokale! E po kush do ta
paramendonte se do të ndodhte diçka e tillë në Ballkanin e trazuar nga
konfliktet dhe hasmërintë shekullore?
Serbia, para kësaj date ishte shumë e "sigurtë" se
Perëndimi ishte "tigër prej
letre" dhe se "kërcënimet " e Perëndimit, s'ishin asgjë tjetër
pos "lojëra fjalësh".
Dhe qarqet shoviniste serbe dhe të gjithë aleatët e Serbisë kishin këtë mendim: "Kosova nuk ka naftë", "Perëndimi nuk ka interes për të ndërhyrë në Kosovë" etj. etj. Ishte ky "disponim" i Serbisë edhe për një arsye tjetër. S'ishte hera e parë që Serbia kishte bërë këso masakrash ndaj popullsisë autoktone gjatë historisë dhe askush "s'ia kishte prishur timin e duhanit" si thonë.
Një kësi fushate shfarosëse Serbia e kishte marrë ndaj shqiptarëve 132 vjet më parë, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kur Kongresi i Berlinit nën e kryesinë e Bizmarkut famëkeq ia bëri "për hajër" Serbisë më tepër se 600 fshatra etnike shqiptare të rrethit të Nishit dhe Leskovcit! Shqiptarët luftuan, derdhën gjakun, madje u përpoqën të bëjnë diçka edhe në sferën diplomatike, për të ndikuar tek fuqitë e mëdha për të mos ndodhur këto pastrime etnike në kurriz të tyre, po këto "zëra " nuk shkuan as përtej Alpeve Shqiptare dhe përtej Maleve të Sharrit! Mbetën në Kosovën e përgjakur dhe të plagosur në shpirt!
Masakrat dhe pastrimi tjetër etnik i madh ndodhi 98 vjet më vonë. Kjo ndodhi më 1912, në kohën kur Perandoria Turke ra, kur Serbia, e cila ende po i "lëpinnte" buzët nga ëmbëlsira që e kishte dhënë Kongresi i Berlinit para gati gjysëm shekulli. Ajo tashti po bëhej gati që më me apetit t'i "gëlltitte" edhe tokat e tjera të "turqve" (lexo: shqiptarëve), për ta pastruar Tokën e "shenjtë " të Dushanit.
Fuqitë e mëdha në atë kohë në vend se ta dënon agresorin atë e shpërblenin edhe me "dhurata" të tjera. Dhe ç'u bë ?
Në Konferencën famëkeqe të Londrës, në të cilën po merrnin pjesë ministrat e vendeve më të fuqishme Anglia, Franca,Italia, Rusia e ndonjë tjetër vendosën që të kënaqin dy kundërshtarët dhe armiqët më të mëdhenj të shqiptarëve Serbinë dhe Greqinë, duke ua dhënë tashti secilit syresh nga një copë "çokollatë" edhe më të madhe: Serbisë tërë Kosovën, Greqisë tërë Çamërinë! E populli shqiptar i ndodhur në mes të ujqërve po luftone në të gjitha frontet për ta mbrojtur tokën dhe qenien e vet kombëtare! Populli shqiptar po luftonte, sa me turkun, nga i cili kishte vuajtur 5 shekuj, sa me serbin, sa me malazezin e me grekun. Shqipëria ishte bërë pre në mes të uqërve që po donin ta glabëronin të tërë! Europa po heshtte si gjithëherë edhe para këtyre katrahurave. Pra Kosova “u bë” Serbi dhe Çamëria “u bë” Greqi!
Për 28 vjet të tjera Kosova prapë u përdhunua nga Serbia me mënyrat më barbare. U vra, u përgjak, u përzu nga vatrat e veta e ç'nuk përjetoi. Një shpresë se do të "zgjidhej „ çështja e shqiptarëve të Kosovës dhe kushtimisht edhe ajo shqiptare në përgjithësi qe LNÇ-ja. Por, për popullin shqiptar, as kjo nuk dha gjë të re. Serbia po e vazhdonte lojën e vjetër, duke i masakruar, sikur qe masakra e Tivarit dhe ajo e Sremit edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe "çlirimit" nga fashizmi! Serbia po e jetësonte planin e Çubrilloviqit për pastrimin e Kosovës nga shqiptarët. E fuqitë e mëdha heshtnin.
Të gjitha këto dhe dhe shumë padrejtësi të tjera që i ishin bërë kundrejt popullit shqiptar, bota "demokratike" nuk kishte ndërmarrë diçka për t'i dalur në ndihmë një populli i cili ishte molisur duke luftuar kundër të gjithë fqinjve të vet, e bota, prapë, as që e kishte ndërmend që për këtë problem të vente "ujët në zjarr"¼
Dhe për popullin e Kosovës, ajo që ndodhi prej perudhës së "çlirimit" e deri sot u pa. U pa madje edhe "serbizimi" i Kosovës me "ndryshimet kushtetuese" dhe humbjes së autononisë së saj. Rezistenca paqësore shqiptarëve nuk u solli pothuaj asgjë dhe si pasojë e kësaj në fund të mijëvjeçarit që sapo përfundoi u paraqit forca ushtarake e Kosovës, UÇK-ja që ishte një bombë për Serbinë. Serbët madje u "habitën" se si një ushtri siç ishte UÇK-ja të guxonte t'ia kthente tytat Serbisë?!
Dhe Serbia, siç thamë edhe më parë , duke ditur për mënyrën siç kishte vepruar gjithmonë me shqiptarët e Kosovës u "hidhëru keq“ nga "rebelizmi" i tyre dhe ia nisi avazit të vjetër, atë që kishte bërë gjatë gjithë historisë ndaj popullsisë së pafajshme. Së fundi, falë SHBA-ve dhe Komunitetit Ndërkombëtar dhe duke e parë se nuk po dinte të ndalej , vendosi të organizoi një Konferencë paqësore për Kosovën. Dhe u vendos të organizohet në Rambuje U "aktivizuan" emisar pas emisari për të "biseduar" me Milloshin, që t'u jepte shqiptarëve një autonomi "substanciale", që për shumkë edhe sot e kësaj dite s'u kuptua se çfarë autonomie ishte.
UÇK-ja po vepronte me të madhe në shumë pjesë të Kosovës. Serbia, në emër të "shtetësisë" po përpiqej ta "fuste minaren në thes". I dërguari amerikan për Ballkanin , Hollbruk erdhi shumë herë për të biseduar me kryeçetnikun përpara , gjatë dhe pas Rambujesë, por kot. Hollbruku në takimin e fundit i tha troç Milloshit se "ne do të sulmojmë, po qe se ti nuk i plotëson kërkesat e Komunitetit Ndërkombëtar". E Serbia vazhdonte karavanin e vet, duke iu "kërcënuar" madje edhe NATO-s se Serbia do ta "mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj"!
Ditët po kalonin dhe tensioni po rritej sa nga ana e Serbisë me aktet e saja makabre që po bënte kundër shqiptarëve të pafajshëm, sa nga ana e NATO-s, e cila në 50-vjetorin e saj do të duhej të "jepte provimin". Të intervenonte apo jo në Kosovë? Presidenti Klinton atëbotë kishte deklaruar:"Millosheviqi nuk do të mund të vazhdonte agresionin pa u ndëshkuar". Solana: "Ndërpreja e agresionit serb në Kosovë është detyrë e jona morale" Dhe pasi "kupa u mbush" dhe nuk zinte më, sekretari i atëhershëm i NATO-s Solana, më në fund, deklaroi se sulmet ajrore kundër të ashtuquajturës Jugosllavi duhet të fillonin. Të një goje ishin edhe personalitetet e mëdha botërore të asaj kohe , si ministri britanik Blejer, ministri i punëve të jashtme Kuk, ministri i mbrojtjes Xhorxh Robertson, komandanti i NATO-s për Europën Lindore, Klark edhe shumë të tjerë. Por , duke pasur parasysh se Serbia kishte aleatë edhe brenda Aleancës Veriatlantike, siç ishte (deri atëherë) Franca, por edhe aleatët e tjerë kryesorë Rusinë dhe Kinën, ende nuk mund të besonte se mund të ndodhte diçka e tillë. Serbia nuk besonte edhe për një arsye tjetër. Ajo ishte e bindur që pa një mandat të Kombeve të Bashkuara nuk do të mund të sulmohej, kurse një gjë e tillë nuk mund të ndodhte pasi që aty nuk do të mud të merrej ndonjë vendim për sulm, përderisa ishte në fuqi e drejta e vetos. E Serbia e dinte se si Rusia, poashtu edhe Kina do të votonin gjithmonë kundër¼
Megjithatë mrekullia ndodhi¼! Me 24 mars të vitit 1999, në orën 20 e katër minuta NATO-ja filloi bombardimet! Raketat kruiz filluan t'i goditnin caqet serbe! Për herë të parë në historinë e shqiptarëve një forcë shumëkombëshe po i dilte "krah" popullit më të pambrojtur në Europë! Për herë të parë edhe UÇK-ja mori frymë lirisht, për arsye se tani edhe ata do të kishin më lehtë për t'i goditur vampirët karpatianë¼
Po tërbimin regjimi millosheviçian gjente rrugën më të lehtë për ta "shfryer" mllefin mbi njerëzit e pambrojtur, mbi civilët. Çetnikët filluan t'i vrasin dhe t'i masakrojnë personalitetet më eminete të Kosovës. Po atë natë, pra më 24 mars, në Mitrovicë nxirret nga shtëpia e tij dhe vritet profesori dhe veprimtari i nderuar Latif Berisha. Vritet veprimtari i shquar Agim Hajrizi në shtëpi të vet me gjithë nënën dhe të birin e tij të mitur! Janë shumë rrënqethëse momentet se si çetnikët u futën në shtëpi të tij dhe i ekzekutuan brenda. Rrëfimet e bashkëshortës së Agim Hajrizit, që në përvjetorin e sulmeve të NATO-s patëm rastin t'i shohim në ekranin TV ishin rrënqethëse.
24 marsi i vitit 1999 u shënua si datë gëzimi, jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. U ngjallën shpresat se problemi i Kosovës kishte hyrë në një fazë të zgjidhjes së tij. Po kjo datë qe e kobshme për shumë njerëz të pafajshëm që u vranë dhe u masakruan në emër të "luftës kundër terrorizmit shqiptar".
Në këtë natë, siç rrëfen bashkëshortja e punës dhe e jetës së avokatit të nderuar Bajram Kelmendi, Nadirja, tani ministre e drejtësisë në qeverinë e Kosovës, në orën 2 pas mesnate futen forcat serbe në shtëpi. Nxjerrin nga dhomat e gjumit Bajramin me dy djemtë Kasriotin dhe Kushtrimin. Pasi që së pari i provokojnë që ta vrasin njëri tjetrin, të bijtë babën, ose baba të bijtë, ata deklarohen se "nëse ju nuk mundeni ne do të dimë të vrasim". Dhe a ka gjë më të tmerrshme kur në shtëpi të vet të vritet drejtësia, vritet avokati i njohur, patrioti dhe veprimtari i njohur kosovar? Vritet më në fund kryefamiljari e babai me dy djemtë?! Ja që këto, në mos kush tjetër i bën sindromi i quajtur Serbi.
24 marsi hyri
në histori edhe si moment kur Serbia, nën pretekstin e "bobmardimeve"
të NATO-s të fillonte edhe spastrimin më të madh etnik në kohën me të
re. Premtimet e sheshelëve, arkanëve dhe çetnikëve tëtjerë filluan të vihen në
veprim për ta zbrazur nga elementi shqiptar edhe Kosovën si synim i fundit të
tyre¼