Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrustem Hyseni: Ju kujtohet

| E enjte, 11.03.2010, 09:06 PM |


Rrustem Hyseni


JU KUJTOHET


Ju kujtohet,

Kur korbat mbi kokat tona fluturonin

E bukën e fëmijëve në dorë ua hanin

A ju kujtohet,

Shi binte mbi ne

E etja na digjte n’ damar

Për një jetë të re

A ju kujtohet

Kur të vdekurit nga varri u zgjuan

Me gishta t’ përgjakur tregonin plagën në gjoks

Grushtet plot dhe fjalët rrufe

Me sy të groposur dritën e humbur kërkonin

A ju kujtohet,

Kur yjet të zjarrta u futën në zemër të tokës

Në hyrje u betuan në magje të shtëpisë

Se bukë për korba kurrë ne nuk gatuajmë,

A ju kujtohen ato fytyra që në thellësi

Të gurit historinë e re hartuan

Ju kujtohet zëri i tyre armikun trishtoi

E botën e fjetur nga gjumi e zgjoi.

A ju kujtohet

Kur gjaku foli ndër troje

Erdhi Liria! E ne tani festojmë.


Për ZSH: Milazim KADRIU