PLAKU QË NA E SHPËTOI JETËN
Tregim
Nga Sami ISLAMI
Mbas fillimit të bombardimeve të Nato-s në Kosovë, lufta në mes UÇK-së dhe ushtrisë dhe policisë sërbe po përshkallëzohej edhe ma tutje. Edhe jeta e popullatës së pambrojtun filloi të bahej edhe ma e pasigurtë kudo në Kosovë nga prania edhe ma e madhe e gjitha forcave të armatosuna sërbe. Sërbia, dukej sheshit se donte ta zbrazte Kosovën me metodën e „tokës së djegun“. Pastrimi etnik kishte fillu në shkallë të gjanë kudo në Kosovë. Në këtë situatë popullsia civile ishte në gjendje shumë të vështirë… Qarkullonin informata e dezinformata të ndryshme se ky fshat u djeg, nji tjetër u zbraz nga shqiptarët. Forcat paramilitare masakrunë këtë apo atë fshat…
Edhe fshati Lugajë po e përjetonte këtë dramë njerëzore. Si fshati që ishte ma në jug të Kosovës dhe gjendej në nji rrafshinë të madhe, për çudi, kishte pasë fatin të ishte fshati ma i popullumë në atë trevë. Kishin ardhë këtu njerëz nga të gjitha anët e Kosovës, sidomos nga pjesa veriore e saj. Me qinda ose edhe me mija “refugjatë” ishin vendosë në Lugajë. Nuk di pse, por qarkullonin fjalë se Lugaja ishte vend ma i sigurtë! Ndoshta për këtë arsye, në këtë kohë, nuk kishte shtëpi në Lugajë që nuk kishte me dhjeta „refugjatë“, të cilët qëndronin nji-dy a ma shumë net dhe mandej merrnin rrugën e Bllacës, drejt Maqedonisë. Po ndodhte shpesh që kjo popullatë fatkeqe ashtu qysh ishin; me traktora, me vetura ose me qerre të iknin edhe mbrenda natës. Prania e madhe e njerëzve edhe të frigonte. Lugaja i përngjante nji kampi të madh përqëndrimi! “Në shtëpinë tonë në këtë kohë kishim rreth 30 “refugjatë” të ardhun nga katundet veriore të Kosovës- tregonte Arditi, që shkurt e qunin Arti. Arti ishte njeri me autoritet në katund. Me profesion ishte inxhinier dhe mjaft i ditun. Si banorët e Lugajës, po ashtu edhe refugjatët i kishin sytë kah ai. Bile thoshin “nëse Arti rrin në katund edhe ne do të rrijmë, nëse Arti do të ikë edhe na do të ikim, sepse ai e di situatën”. Po e vërteta ishte ndryshe se as Arti s’kishte asgja në dorë. Edhe ai ishte thuja si gjithë të tjerët. E kush ishte ai që mund ta dinte se çka sillte ora në këtë kohë të turbullt? Bile, tregonte Arti, kurrë s’e harroj nji rast kur ishim tue ngranë mëgjes na bashkë me “mysafirët” dhe dikush lajmëroi se “erdhën paramilitarët“! Ishte moment i prekshëm. Pa nji pa dy të gjithë mysafirët u ngritën nga sofra, ende pa ia fillu mëngjesit! Mbeten ushqimet të paprekuna në sofër! Dolën nga shtëpia me traktorin e tyne të ngarkumë me plaçka dhe njerëz dhe zoti e di se kah shkunë. Ne s’ishim në gjendje t’u thoshim atyne as rrini as shkoni. Kohë lufte ma! E di që as na nuk mujtëm ma me hagër. Na u pre buka në fyt! Mysafirët vetëm mbas luftës janë paraqitë vetë dhe kanë ardhë për vizitë te na!
Atë mëngjes erdhi nji lajm se ushtria sërbe Lugajën e paskan lanë për ma në fund me e masakru! Ky lajm ra si bombë ne katundin tonë! Kjo ishte edhe pak për me dyshu sepse policia sërbe kishte angazhu njerëz në Lugajë për me ba regjistrimin e popullsisë aty! Zoti e di se ç’po zihej! Ndoshta regjimi sërb donte me e ditë numrin e refugjatëve për me e ba nji kamp të vërtetë përqëndrimi!?
Ku me ditë? Bllokimi i çdo gjaje ndikoi që edhe ushqimet të harxhoheshin. S’kishte ma ushqim! Çka me ba tash? Thoshin se në qytetin ma të afërt ende disa dyqane po punonin, po si e me shku atje se? Çdo gja ishte e rrethume. Me shku rrugës kryesore ishte e pamundun. Forcat policore, militare e paramilitare ishin në çdo hap. Arti bisedoi me nji vendas se si me ia ba për me shku deri në qytet e me ble pak harxh. Njani prej tyne, i cili ishte ma i moshumi dhe që e qunin Bih, e kishte pasë një veturë të vjetër dhe fatmirësisht kishte mjaft karburant në të. Ai , Arti dhe nji kushëri i tij vendosën të shkonin në qytet, por jo rrugës kryesore. Ata vendosën me shku nëpër disa rrugë anësore, nëpër disa katunde.
`
Nuk e mendunë ma gjatë dhe u nisën nëpër rrugë të katundit plot baltë dhe me shumë gropa. Nji e mirë ishte se këto rrugë megjithatë ishin të kalushme! Kalimi nëpër Gllorajë më la përshtypjen se po kalonim nëpër nji katund të braktisun, jo sikur Lugaja, e cila vlonte nga njerëzit. Kishe ndjenjën se ishte i zbrazun krejtësisht nga banorët. Kjo ndodhte ndoshta ngase njerëzit nga frika ishin nguju nëpër shtëpia. Thjesht Glloraja i përngjante nji vendi sikur t’i kishte ra murtaja! Nuk shihje njeri në rrugë! Nuk shihje as nji gja të gjallë! E çuditshme, por atë mëngjes nuk dëgjohej as kanga e ndonji gjeli, të cilët zakonisht në këtë kohë këndojnë. Qetësinë e atij mëngjesi e prishnin vetëm cicërimat e zogjve të strukun nëpër gjethet e pemëve të asaj pranvere të vonë. Vazhdumë rrugën dhe iu afrumë qytetit. Nuk hymë mbrenda në qytet. E lamë veturën në hymje të tij - vazhdoi Arti - dhe rrugën tjetër e bamë në kambë. Në hymje të qytetit, ja postblloku policor! Policët na ndalën. Na i kërkunë letërnjoftimet. O zot po situata të vështira po përjetonim!-tregonte Arti.
Edhe pse, edhe në qytet kishte forca policore ushtarake e paraushtarake, qyteti kishte nji gjallni pak a shumë ma të madhe. Kishte njerëz nëpër rrugë. Disa shitore ishin të hapuna...
U ndalëm në shitoren e parë - tha Arti- dhe aty i blemë ato çfarë patëm me i ble dhe menjiherë me pazaret në dorë u kthymë aty ku e kishin lanë veturën. Kësaj here patrulla policore nuk na ndaloi. Sigurisht e kishte mbajtë në mend që na ishim ata që kishin hy para pak kohësh. Tash ishim pak ma të lehtësumë se bile i kishin ble ushqimet e domosdoshme. U futëm në veturë dhe morëm rrugën për në shtëpi. Edhe pse asnjani prej nesh nuk fliste - tregonte Arti - të gjthë mendonim se si do të kalonim tash rrugën. Dhashtë zoti e kalojmë mirë, -thosha me vete- se e dija se si ndihet njeriu në këto situata kur s’dihej se ç’sillte minuta, e lene ma ora apo dita!
Tue ecë rrugës e shohin nji plak, i cili po udhëtonte në kambë. Edhe ai i kishte ble disa gjana në qytet dhe po kthehej , si duket, në shtëpi. Ma vonë morëm vesh se ai ishte i Gllorajës, i atij fshati, i cili ishte shumë afër me qytetin. Qetësinë shurdhuese të atij udhëtimi, që pos zhurmës së motorit, s’dëgjoje gja tjetër - tregon Arti - e theu fjala e Bihut, i cili na pyti neve (mu dhe kushërinin e tij):
-A ta marrim bre këtë plak?
- Po more, pse jo!- u përgjigjëm gati në të njejtën kohë unë dhe kushërini i tij. Dhe Bihu, pa mbaru mirë këto fjalë e arrijti plakun. E ndali veturën e i tha:
-Mixhë - a po vjen me neve?
-Po valla nëse keni vend se edhe jam lodhë pak bre mixhë, faleminderës!- tha plaku dhe u fut në veturë.
Tash u bamë katër veta - tregonte Arti.. Në fshat mbretnonte po ajo qetësi që e lamë disa orë ma parë. Qetësi trishtuse! Befas, tue hy, diku kah mesi i fshatit, në largësi, shohim nji veturë të bardhë. E vërenim me habi se si vetura shkonte nga nji krah i rrugës në krahun tjetër. Thashë me vete “ngasësi qenka i dehun” – tregonte Arti. Kur e pa Bihu se ata po vinin direkt në anën tonë, ai e drejtoi veturën në krahun tjetër për t‘iu shmagë disi, por shoferi i veturës e drejtoi atë prapë në anën tonë . S’kishim çka me ba. U ndalëm. Ata u ndalën përballë nesh dhe ishin aq afër sa gati nuk na goditën me veturën e tyne. Për pak sekonda pamë që u hapën të dy dyert e veturës përballë dhe dolën dy paramilitarë sërbë. Njani, i cili dukej pak ma i ri, qëndronte para veturës me automatik drejtu drejt nesh . Nuk fliste hiç! Kurse tjetri u afru ma afër dhe në gjuhën sërbe urdhënoi shoferin që të kthehej mbrapa, përndryshe do ta vriste atë, sigurisht edhe neve! Paramilitari kishte nji pamje të tmerrshme! Sytë e mi incizunë nji përbindësh! Ishte i palamë, i parrumë. Kishte veshë rroba ushtarake të vjetra. Në krye kishte vu nji shapkë çetnike, e cila, ngase ishte ma e madhe se kryet e tij , i kishte arrijtë deri te veshët! Kishte mbathë nji palë çizme, që nga balta nuk diheshin se çfarë ngjyre kishin. Xhaketen e mbante të shpërthekume! Në dorë mbate nji kallashnikov që e kishte drejtu kah ne dhe ishte gati me shti në ne. Në brez mbante dy thika me tehun si sharrë!.. Me nji fjalë, veç me pa, të shtinte tmerrin! Bihu, i cili ishte shofer, qysh e thashë, dhe ishte ma i moshumi filloi me i shpjegu se ne kishim shku në qytet për me i ble do harxhe e po ktheheshim, por paramilitari nuk donte as me ni. Ai veç bërtiste shante, fliste, urdhënonte në sërbisht. Paramilitari tjetër nuk fliste gja. Ai vetëm qëndronte para veturës sonë me nji qëndrim triumfal, sikur ta kishte çliru krejt botën! Paramilitari që bërtiste me të madhe, dhe mbante kallashin gati për me shti në drejtimin tonë, doli në anën tjetër të veturës. Na u nemitëm krejt! S’dinim çka me ba. Me u kthy, ku me shku? Rrugë tjetër për me ardhë në shtëpi nuk kishte! Tek e fundit as kthimi nuk ishte zgjidhje. E dinim se në shtëpi po na pritnin fëmijtë t’u sillnim ushqim. Në këtë situatë na sikur e kishim harru krejt që e kishim edhe nji plak me vete. Gjatë kësaj kohe plaku dukej sikur po mendonte diçka. Me gjasë po kqyrte se deri ku po donte me shku me kërcënime ky njeri i çmendun!? Dhe ashtu doli! Kur paramilitari ishte thuja gati me e shkrepë kallashin nga tërbimi, plaku që ishte në ulësen e fundit , ku isha edhe unë, e hapi dritaren dhe iu drejtu paramilitarit shqip:
-A ti Zhikë je a?
-Po, unë jam valla!- iu përgjegj shqip paramilitari, i cili deri tash veç në sërbisht kishte folë. Bile më bani përshtypje edhe kjo “unë jam valla” , të cilën e tha sikur me qenë shqiptar.
-Po çka po ban kështu, he Zoti të marroftë!?- i tha plaku
-?!
Pamë se menjiherë disi paramilitari u ndal. Na të tre për nji çast u mpimë krejt- vazhdoi tregimin Arti. Nuk dinim se çfarë po ndodhte! Si guxoi plaku me i thanë paramilitarit të armatosun deri në dhambë “Zoti të marroftë”? Në këta sekonda e shikoja Bihun dhe kushërinin e tij që dukeshin se asnji pikë gjaku s’u kishte mbetë në ftyrë! Sigurisht edhe unë isha në të njejtën gjendje, por veten nuk e shihja! Mbas pak paramilitari iu afru Bihut, edhe neve të tjerëve, me këto fjalë:
- ‘Falë këtij plakut, se me ju isha nda ndyshe!’ Këto fjalë tash na i tha në shqip! Paramilitari u fut në veturën e tij, ku po e priste shoku tjetër ma i ri i cili mbante qëndrim si të ishte në rolin e “Rambos” nga filmat e tij të njohun. Ata u nisën në drejtim të kundërt edhe na në drejtimin tonë. Plaku rrinte i qetë. Kishe përshtypjen sikur s’kishte ndodhë asgja. Së paku mu më dukej ashtu! Në veturën tonë ra përsëri heshtja, edhe pse tash për nji çast të gjithë ishim të shlirumë nga ankthi i maparëshëm – tregonte Arti. Bihu ngiste dhe na të gjithë të tjerët qëndronim të zhytun në mendime. Mbas nji copë udhe, unë që isha në ulësen e mbrapme, bashkë me plakun, e pyta:
- Çka u ba bre mixhë, kush qe ky se kurrgja s’po kuptoj?
- Ky a? – tha plaku si me ironi. - Po ky pis asht prej këtij katundi. Ky asht nji shka magjup! Kësi i ka gjetë Serbia me i veshë he… fshante plaku dhe e tundte kryet .
-Po mirë, mirë, po si u ba që na lëshoi e s’na bani gja dhe iku?
-Hiqu tij! - tha plaku - s’e di ti sa borxh më ka ai mu!? Për qata iku pisi!
Mbas pak plaku arriti te shtëpia e tij. Na e vazhdumë rrugën për në Lugajë me pazaret e ditës. Gjatë rrugës, mbas gjithë atij tmerri, si për na largu nga ai trishtim i madh, Bihu, tha;
-E shihni se nganjiherë e vlen me e marrë ndonji plak rrugës!