Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reagim nga Unioni i Studentëve të UEJL-it

| E hene, 08.03.2010, 10:21 PM |


Unioni i Studentëve të UEJL-it, me rastin e arritjes së kompromisit dhe legjitimimit të projektit “Shkupi 2014” lëshon këtë:

REAGIM

Pas shfaqjes vizuale dhe paralajmërimeve të fundit për egzistimin e një kompromisi në mes partnerëve qeveritarë në lidhje me projektin e fundit urbanistik, Shkupi 2014, Unioni i Studentëve të UEJL-it me shqetësim pranoi legjitimimin që iu bë këtij projekti.  

Politika shqiptare, e veçanërisht partia shqiptare në pushtet, e cila na krijon përshtypjen se është pjesë e koalicionit qeverisës vetëm atëherë kur duhet të legjitimojë çdo projekt maqedonas për forcimin e identitetit të tyre sllav. 
Ngjarjet e fundit dëshmojnë se politika e tyre dështoi edhe njëherë, në planin e përfaqësimit të drejtë të qytetarëve të saj, interesit kolektiv, shpërndarjes së burimeve, mirëqenies politike dhe sociale në vend.

Pergjegjesia intelektuale na shtyn neve si studentë, të kundërshtojmë këtë projekt me probleme të diskutueshme në aspektin konceptual, utilitar, estetik dhe ligjor.
Projekti “Shkupi 2014” për Ne, paraqet një atentat kundër qytetit, qytetarëve të saj, përcaktimeve euro-atlantike, europiane si dhe raporteve të brishta ndëretnike.

 Në kohë të krizës botërore ekonomike, ku papunësia në Maqedoni shënon shifra rekorde dhe përballet me migrime masive të qytetarëve të saj, në kohë kur shumë ndërmarrje janë buzë falimentimit apo falimentojnë, e shohim të paarsyeshme që një pjesë aq e madhe e buxhetit të qeverisë të koncentrohet në ndërtime infrastrukturore të padobishme për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-financiare të qytetarëve të Maqedonisë. 
Duhet të kemi parasysh se viti 2010 nga Unionit Evropian dhe shtetet anëtare të saj, është shpallur si “Vit i luftimit të varfërisë dhe diskriminimit social”, edhe Maqedonia si shtet me status kandidat për inkuadrim në familjen e madhe europiane prioritetet e saja duhet ti harmonizojë me ato të organizatës në të cilën pretendon të anëtarësohet.  
Nuk jemi kundër ndërtimeve qeveritare dhe përmirsimeve të infrastrukturës, por për investime të cilat do të jenë në funksion të prosperimit të shoqërisë dhe jo në funksion të demagogjive ironike, irracionale, infantile dhe groteske.

Kryeqendra duhet ti ngjajë një qyeteti modern. E ardhmja ndërtohet duke ndërtuar qytetet e së ardhmes, e jo duke ndërtuar qytetet e munguara të së shkuarës.

Me Respekt
Unioni i studentëve të UEJL-it

Tetovë 05.03.2010