Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Daniel Gàzulli: Si ujit e paktë

| E hene, 08.03.2010, 10:56 PM |


Si ujit e paktë

Nga Daniel Gàzulli

Paradoksalisht jetojmë në një kohë kur atdhetarët e mirëfilltë janë si ujit e paktë. Por ama, ata që janë, janë uji bjeshke e jo moçalesh.

Kam lexue kohët e fundit  disa shkrime atdhetarësh, që me shqetësim të thellë parashtrojnë rreziqet që mund të vijnë e faktikisht po vijnë prej një përçasjeje rrënimtare përkatësi islamike – identitet kombtar si dhe të përhapjes së mendësive që u bjenë ndesh traditave tona kombtare ashtu edhe bashkëjetesës ndërfetare. Atdhetarë të kulluet pra, si Ilir Dardani, Ndue Ujkaj, Selim Hasani, Adem Gashi, Naser Aliu  po lëshojnë tash e parë piskamën për këte përçasje vetëvrasëse që po bahet përditë e ma kërcënuese për fatet e kombit sot e nesër.

Mora shkaz me i hedhë këto rreshta nga shkrimi i thellë, i vlershëm, tronditës i Naser Aliut “Vëllazëria me Turqinë”.

Si e lexova së dyti, vetiu më lindi një pyetje: A mjafton me lëshue piskamën për flakën që po i vemë shtëpisë sonë?

Kujtoj se jo.

Unë jam i mendimit se asht e ngutshme me gjetë edhe rrugë e mjete institucionale me ndalë këte vetëvrasje. Asht e qartë në dritë të diellit se përçasje të tilla janë kryekëput antikombtare r me rrjedhoja ndoshta deri tragjike.

Dy rilindas të mëdhej na paten mësue se:

Feja e shiptarit asht shqiptaria (Pashk Vasa),

e se:

Dielli lind andej nga përendon (Naimi).

Do të mjaftonte me u vu veshin këtyne dy mësimeve të arta për egzistencën tonë kombtare e t’u thonim njëherëemirë: Ndal! atij soji të mbrapshtë që, jo se nuk e kuptojnë krimin e tyne, por e kanë shitë shpirtin për tridhjetë aspra tek ishpushtuesit pesëshekullorë e mbjellin vner.

E njejta gja mundet me u thanë, e me za të fortë, edhe për ndonjë klerik katolik, që i ka plasë cipa (në e pastë), si dom A. Kçira, e flet përçartë si të ishte i pjellun në Serbi.

Natyrisht, sado i vlertë që asht shkrimi i Naser Aliut, apo ato të atdhetarëve të tjerë që i përmenda ma nalt, ato nuk mjaftojnë. Duhet çue zani fort sa të shungullojë Sharri i moçem e të ndalim kolerën e re çkombtarizuese.

Shkrimet e tyne, të një fryme atdhetarie të pashoqe, çka në ditët tona edhe kjo nuk asht pak, janë, si e thash, shumë të vlerta, por nuk mjaftojnë. 

Ai rrezik për të cilin ju lëshoni piskamën nuk vjen nga një “invazion” shtetnor i Turqisë së Erdoganit, por sidomos nga “turqit tanë”; e këte e them me dyfish keqardhje.

Puna asht se nuk ka ma kohë me heshtë. Joqë asht koha me denoncue rreptas atë rrymë antikombtare që po shfaqet me arrogancë tue fillue, çka mos me t’u besue, qysh prej Rexhep Qoses e deri tek bajraktari i vogël Hashim Thaçi.

Edhe një herë po vërtetohen fjalët e të madhit Faik Konica: Armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët.

E në mos mësofshim mend përsëri, atëherë nuk kemi pse ua hedhim fajin as italianit, as serbit e as grekut; joqë, na vetë, u japim tagër me na akuzue për çka t’u vijë ma mbarë. 

Por do Zoti i ujit e bjeshkëve e atdhetarët e kuklluet nuk shtjerrin kurrë!