Sejdi BERISHA:
BALADË PËR KËNGËN E GJELIT
1.
A ka kush ma kthen
Këngën e gjelit në pranverë
Edhe erën e plehut
Që digjej duke pritur
Tokën për ta plehëruar
2.
A ka kush ma kthen
Bilbilin në degën e qershisë
Më besoni
Do t’ua fali këngën
Vetëm në atë kohë më ktheni
Këngën e fëmijërisë
Ta këndoj edhe njëherë
Gjirin e nënës ta shijoj
Etjen e babait ta përqafoj
3
A ka kush më kthen
Në rrugën e fshatit plotë gurë
Te shelgu buzë lumit
Që pipa nga degët e saj mbaroja
Për ta lajmëruar pranverën
4.
A ka kush ma kthen atë kohë
Për tu pajtuar me rrugëtimin
Për të ma ngushëlluar mallin
Për tu takuar me xixëllonjat
Që ma rrudhnin syrin për dritën
5.
A ka kush ma kthen zhurmën e kostarëve
Do t’ua dhuroj lëvizjet e makinave
Edhe borinë e zërit
Se, më mungon blegërima e qengjave
Se, më mungon ninulla në djep
E, më plas kurbeti
6.
A ka kush ma plotëson këtë dëshirë
Do t’ia dhuroj edhe këtë grimë jete
Dua të besoni në shkrumbin tim
Për bankat shkollore
Për ëndrrat e djalërisë
Edhe për këmishën me arna
Për çorapët prej leshi
Edhe për sheqerkat e kuqe
Dhe, për aromën e simitit
7.
Nëse, sot nuk më kuptoni
Nesër, me derman do të më kërkoni
Për ta dhuruar beharin
E pranverës jetime
Që kurrë nuk e shijova
8.
A ka kush të ma sjell lulen e lajthisë
Idhëcimin e barit të lëndinës së malit
Edhe zukatjen e mizave
Që llahtarojnë vetminë
Zekrrin e lopëve për t’iu shmangur vapës
9.
A ka kush të ma kthejë
Trembjen e pluhurit në rrugën e fshatit
Në mbrëmje
Bisedën n’ulicë* të burrave
Për kosën dhe barin e shtrirë
10.
Po, pse nuk ma sillni
Kujtimin për mrizin e deleve
Edhe për terrin e natës
Atëherë kur gjinkallat e ndrydhnin këngën
Se, terri e hante edhe natën
11.
A ka kush të ma sjell
Kujtimin për ankthin e nënës
Duke pritur kthimin e babait
Kush e di se prej nga ku
Kush ma kthen shkrirjen e borës
Nga loti i motrës
12.
O, Zot
Po, sa rrugëtim i gjatë
Sa shkurt gëzim
Sa histori-përrallë e harruar
13.
O, Zot
Sa shumë ka ecur njeriu
Dhe, aq hapa të vegjël ka bërë
14.
Po, po
Kthemani këngën e gjelit
Për të ma kujtuar
Këtë krismë hapash deri këtu
15
Ti, nënë
Pusho aty ku je
E ti baba me shikimin e pritjes
Gëzohu me peshën e tokës
Me ngrohtësinë dhe acarin
Se, do ta bëjmë një dëshmi
Për dhembjen dhe këngën
Që me shekuj jetojnë bashkë
Për fatin tonë të truar
(Pejë, shkurt-mars 2010)
______________
* Dikur rrugë kryesore në fshat, ku në mbrëmje mblidheshin burrat dhe bisedonin për problemet e ndryshme të jetës