Njoftim i SHPZHVL “Përkorë” në Besianë
Nuk mund të futen në një vend dëshmori i kombit me kriminelin serb
Nga Milazim KADRIU
Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës "Përkorë" në Besianë njofton të gjithë familjaret e të vrarëve dhe të zhdukurve në komunën e Besianës se një shoqatë nga Serbia e cila vepron edhe në Kosovë ka paralajmëruar mbajtjen e një takimi me familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve nga komuna e Besianës me datën 09.03.2010. Ftesa për këtë tubim familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve u bëhet edhe nëpërmes një thirrje publike që është vendosur në disa vende publike në Besianë. Në thirrjen publike nga Fondi për të drejtat humanitare thuhet se në këtë takim do të bëhet prezantimi i bazës së të dhënave për viktimat e luftës (të zhdukurit dhe të vrarët gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë).Sipas njoftimit të SHPZHVL “Përkorë” në Besianë të nënshkruar nga kryetari i saj Latif Mehmeti thuhet se “Kjo shoqatë që tenton të mbaj takim me familjarët e të vrarëve dhe ët zhdukurve është nga Serbia dhe të vetmin qellim e ka që të barazoj viktimën me kriminelin, të botoj një libër me të vrarë dhe të zhdukur shqiptar dhe serb, sipas renditjes një shqiptar një serb. Paramendoni që për dëshmorin e kombit, heroin kombëtar Zahir Pajaziti të shkruhet në një libër paralel me kriminelin Millosh Nikoliq (i njohur për Llapjanët si i biri i Dragçit), apo një familjar i juaj me një kriminel serb.
Andaj në njoftim më tej thuhet se “ftojmë të gjithë familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve që mos të mashtrohen dhe mos tu përgjigjen ftesave eventuale për një takim të tillë, dhe mos të ju ofrojnë asnjë informatë apo shënim mbi të vrarë dhe të zhdukurit në komunën e Besianës. SHPZHVL në Besianë i ka të gjitha shënimet për te vrarë dhe te zhdukur. Këto shënime do të jenë në dispozicion të institucioneve të Republikës së Kosovës, intelektualëve, shkrimtarëve dhe historianëve që kanë mandatin e popullit për të shkruar historinë e dhimbshme të popullit shqiptar,thuhet në fund të këtij njoftimi të shoqatës “Përkorë” në Besianë.