Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Poezia e dhembjes krenare dhe e mallit për atdhe

| E merkure, 03.03.2010, 10:43 PM |


POEZI E DHEMBJES KRENARE  DHE E MALLIT PËR ATDHE

Nga Sami Islami

Zeqir  Gërvalla është njëri nga poetët më të spikatur kosovar të ditëve tona, i cili më shumë se asnjë tjetër luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare. Si i tillë është lidhur ngusht me fatin e popullit që i takon, prandaj  tërë krijimtarinë e tij poetike ia kushtoi popullit shqiptar, veçanërisht  asaj “gjysmës që jetoi në errësirë”, që  vuajti  nga  regjimi barbar serb për gati një shekull.
Zeqiri, qysh i ri e përjetoi  dhe e ndjeu këtë gjendje  të rëndë të popullit të tij dhe, ende pa e mbaruar shkollën e mesme (në Prishtinë), filloi të merrej me poezi,  sepse  copëtimi i trojeve shqiptare  dhe gjendja e rëndë  e Kosovës, që po vazhdonte me dekada dhe padrejtësitë e tjera ndaj këtij populli liridashës dhe bujar,  nuk e lënin të qetë shpirtin e tij prej krijuesi. Zeqa u frymëzua  me ndjejën e forte patriontike, ndjenjë kjo që do ta përcjell në tërë krijimtarinë e tij poetike. 
Pas përmbledhjeve, tashmë të njohura për lexuesin shqiptar, por  edhe më gjerë, “Prania e Sfiksit”, “Daullet e pranverimit”, “Det  e moqal ballë për ballë”, “Ekspozita e mëmëdheut”, “Në rrugën e dritës” etj., poeti na paraqitet me përmbledhjen e tij të fundit “Me orë Kosove”, e cila  e shkruar nga mërgimi prezenton nuanca më të theksuara patriotike për  fatin e popullit dhe të poetit  njëkohësisht, sidomos  në këto vitet e luftës dhe dëbimit të tij jashtë atdheut. 
Tani që ai është larg  vazhdon të jetë më i lidhur me  Kosovën.  Si njeri i tillë ai kurrë nuk e kishte menduar se do të dilte për të jetuar në një vend të huaj, e aq më pak të kalonte shtete dhe oqeane e të shkonte në Amerikë, siç ndodhi me të vërtetë me poetin. Po ja që jeta nganjëherë  të imponon tjetër rrjedhë , qoftë  edhe pa dëshirën tënde. Ai u gjet, në eksodin biblik të shqiptarëve, bashkë me mijëra e mijëra të tjerë, në kolonat e gjata të pafund drejt Bllacës, holokausit shqiptar. Dhe këtë katrahurë ai e shprehu vetëm me këto katër vargje të ngjeshura, që do të flasin shumë, në poezinë “Bllaca – Ferr shqiptarësh”, titull ky që është edhe kapitull i vaçantë i përmbledhjes:
Tmerrin e Blacës,
Kush përjetoi
Ferrin e Dantes,
S’ka pse ta lexojë

Po të këtij  motivi janë edhe disa poezi të tjera të këtij kapitulli që bëjnë fjalë për  dhembjen e poetit  për fatin koletktiv të popullit të Kosovës gjatë luftës, si  poezitë “Mërzi e madhe” , “Në kampin e Stankovecit” “Psherëtima e Marigonës” etj. Kapitulli vazhdon me disa poezi kushtuar lufëtarëve të UÇK-së, për  heroizmat e tyre në luftën tepër të pabarabart me forcat barbare serbe dhe sakrificën e optimizmin  e tyre, se kjo luftë  pa tjetër se do të kurëzohet me liri ( poezia “Lulëkuqja e lirisë lëshon shtat çdo ditë”) etj. 

Poezite e ciklit “Ora e (I)lirisë” janë të brumosura me motivin e lirisë, si në poezinë  “Dilemë shekullore”, në të cilën e grish popullin shqiptar për ballafaqim , sepse  koha nuk pret dhe , po qe se nuk je i gatshëm të përleshesh me armikun shekullor  tash, shprehet poeti,  atëherë, do të jesh i shtërnguar të presish “edhe njëqind vjet”, ose,  nëse nuk je i gatshëm për sakrificë sot,  je i dënuar ta mbash “çfarëdo kapuçi” që ta bëjnë të tjerët (poezia “Para monumentit historik”)

Ajo që e bën më karakteristik këtë përmbledhje poezish është fakti se poeti emigroi, siç thamë,  në Amerikë. Ai nuk shkoi atje me pasaportë, të cilën nuk arriti ta kishte në dorë kurrë sa ishte në Kosovë. Si i denuar politik ai qe i privuar nga e drejta të kishte një dokument të tillë sa ishte në Kosovën e tij të dashur, edhe pse kërkesa e tij për të pasur një pasaportë kishte qëndruer me vite të tëra në sirtarët e SPB-së  serbe në Prishtinë. Ai u dëbua nga trualli kosovar bashkë me popullin, duke marrë pjesë në fatin e përbashkët të tij, pa pasaporta (sepse në të kohë edhe nuk pat nevojë më për to) po si thotë një fjalë e urtë popullore u hodh në “rrugën e madhe “  kah sytë këmbët, para terrorit serb mbi shqiptarët e Kosovës.. 

Në të dy kapitujt “Dita e parë në Amerikë“ dhe “Diell mërgimi” paraqitet malli per vendlindjen, për Kosovën , për gjithë Shqipërinë. Paraqitet gjendja  e tij shpirtërore, e cila ashtu siç ishte, vazhdimisht  e lidhur me trollin e vet, kurrë nuk do të gjente qetësim në një truall të huaj, edhe pse ai flet me admirim për pritjen e ngrohtë që populli amerikan u ofroi refugjatëve shqiptarë, pra edhe poetit Zeqir  Gërvalla. Poezi të tilla janë “ Në perëndim të diellit”, “Të rrahurat e zemrës t’i dëgjoj”, “Me orë Kosove” , “Diell mërgimi” etj. 
Metafora e zogut dhe  e gjethit janë  metaforat, ndoshta, më e bukurat   e poetit , në të cilat  pasqyrohet edhe fati i tij, që pa dëshirën e vet  u  gjet në një kontinent tjetër. Atje poeti i kishte të gjitha për jetë, mikpritjen amerikane, siç thamë, por si njeri dhe krijues që ishte i lidhur shumë fort për Kosovën, atij nuk do t’i pëqejë kurrë jeta “në kafaz prej ari”. Atij  më tepër do t’i pëlqente të jetonte qoftë edhe “nën një ferrë”, vetëm të ishte i lirë dhe  në vendin e tij. 
Pra, si njeri, i cili asnjëherë në jetën e tij nuk e kishte menduar mërgimin, poetit i duket si ëndërr se si erdhi në Amerikë. Një fjalë popullore  thotë ra “sikur piku nga qielli”. Dhe vërtetë poeti sikur piku nga qielli atje, një herë në Nju Jork, e pastaj  në Roçester. Këtë moment e gjejmë më së miri tek poezia “Gjethi”. Por derisa gjethi ra aty nën degën e vet, poeti “ra” shumë larg “degës” së tij, larg Kosovës së tij martire.Ndryshim shumë i madh apo jo? 
Mallin e  madh pra,   që ka për Kosovën,  Shqipërinë dhe për Ilirinë në përgjithësi, poeti ka shprehur në mënyrë të veçantë në poezinë “Me orë Kosove”. Ai vendos që as orën  të mos ta ndërrojë me atë të Amerikës, edhe pse është diferencë e madhe me kohën e Kosovës (diferenca është 6 orë). Ai preferon që të punojë dhe jetojë  vetëm me orë kosove. Por,  meqë ora e Kosovës edhe nuk mund t’i shërbejë si duhet atje , poeti ka vendosur t’i blej dy ora; njëren ta lejë me kohën e Amerikës, e tjetrën me të Kosovës, metaforë kjo që poezisë i jep vlera të veçanta. Fundja vetëm kështu ai do ta ndiejë vetën më afër Kosovës, më afër njerëzve të saj edhe pse fizikisht është mijëra kilkometra larg. 

Edhe kapitulli i fundit me titull “Buzëqeshje (i)lirie e përgjysmuar”,  poeti vazhdon të trajtojë subjektin bosht të krijimtarisë së tij, subjektin e  “gjysëmës së hënës”, e “gjysmës së fytyrës”… Të tilla janë  poezitë “Gjysëm hëna në Roçester”, “Mos je ylber në ujvarë” etj., të cilat  shprehin shqetësimin dhe brengën e vazhdueshme  dhe fatit të popullit të ndarë dhe fatit të tij personal që u lid dhe u rrit në robëri dhe iku si në ëndërr përtej detit pa e ndier asnjë herë  aromën e lirisë së Kosovës.

Vlen të theksohet, më në fund,  se përveç tematikave që i shtron poeti në tërë krijimtarinë tij poetike, në të cilat brumosen një mori figurash sitikistike, ai përdor edhe elemente të tjera në pozi, si: kllapat  në fjalët “(I)liri” “fla(kë)mur”  etj., shkronjën e madhe në mes të fjalës, ndarjen e fjalës në tinguj e herë në rrokje etj., stil ky që i  jep një mudësi më të gjerë interprtimi poetik, duke i dhënë poezisë një shumëdimensionalitet të mendimit dhe të shprehjes artistike, njëkohësisht duke vijëzuar diçka të re në poezinë e sotme shqipe.